Një projekt i lënë përgjysmë me ndarjen parakohe nga jeta të regjisorit Gjergj Xhuvani!
Erion Isai rrëfen për herë të parë në “Rreze Dielli” projektin që kishte nisur së bashku me regjisorin Xhuvani për të ‘sjellë në jetë’ një film.
Edhe pse i rezervuar dhe me zë që dridhej Erion Isai tregoi se takimet për të projektuar filmin e ri kishin nisur dhe nuk përjashton mundësinë që filmi të realizohet.
“Para disa kohësh kam patur një ide për të shkruar një skenar filmi, ia thashë mikut tim Gent Hazizit që doja të shkruaja skenarin dhe i thashë temën, temën nuk mund ta them sepse kurrë nuk i dihet. Pas disa kohësh ai më tha që edhe Gjergji kishte të njëjtën ide. U takuam me Gjergjin për të hedhur ide, por ngjarjet e përditshme bënë që ajo ide të lihej pas dore, pastaj Gjergji u nda nga jeta…”, shprehet Isai.
Gjergj Xhuvani u nda nga jeta në moshën 55 vjeçare, më 14 gusht një spital të Romës, aty ku ndodhej për të përfunduar filmin e tij të fundit. Xhuvani do mbahet mend si një nga artistët më të spikatur të kinematografisë dhe skenës shqiptare.