Ervin Mete: Ekonomia e Shqipërisë e qëndrueshme, por e ndikuar nga rrethanat financiare globale

Ervin Mete: Ekonomia e Shqipërisë e qëndrueshme, por e ndikuar nga rrethanat financiare globale

Ervin Mete

Ministri i Financave i Shqipërisë, Ervin Mete thotë se rënia e konsumit në Shqipëri, ka ardhur si pasojë e politikave monetare shtrënguese, “jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera” dhe rritjes së interesave që ndikojnë tek nivel i konsumit. Zoti Mete, i tha në një intervistë Zërit të Amerikës se moderimi i rritjes ekonomike në 3.44 për vitin, është e lidhur me rrethanat më të gjera të ekonomisë globale dhe theksoi se eknomia e Shqipërisë është vlerësuar si nga më të qëndrueshmet në rajon. Ministri Mete, i cili ndodhet në Uashington për të marrë pjesë në takimet e pranverës së FMN-së dhe Bankës Botërore, tha se do të nënshkruajë me Bankën një projekt për të frenuar ndotjen e deteve apo përgjatë lumejve të Shqipërisë.

Zëri i Amerikës: Zoti Mete, fillimisht, cili është fokusi lidhur me Shqipërinë në këto takime të pranverës që ju po mbani në Uashington?

Ervin Mete: Siç e dini, takimet e pranverës dhe takimet vjetore të Bankës Botërore dhe FMN-së janë takime të përvitshme dhe për vetë rëndësinë që kanë Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar si partnerë të rëndësishëm zhvillimi dhe që kanë qenë bashkëshoqërues të reformave në Shqipëri në gjithë këto vite. Ne në këto takime kemi mundësi të shkëmbejmë qëndrime mbi zhvillimet e tashme dhe të ardhme dhe mbi projektet që do të angazhohemi me nivelet ekzekutive të Bankës Botërore dhe FMN-së dhe të mund të fokusohemi qoftë në projekte që i përgjigjen zhvillimeve të momentit, qoftë në reforma që janë të rëndësishme për ne.

Ndaj me ju, për shembull, që gjatë këtyre ditëve, ne do të nënshkruajmë me Zëvendëspresidenten e Bankës Botërore, zonjën Basano, një projekt që titullohet “Care for Blue Seas” (Kujdesi për Detrat), që praktikisht parashikon një ndërhyrje për menaxhimin e ujërave të ndotura që mund të derdhen në brigjet e detit apo përgjatë lumenjve të Vjosës, në mënyrë që të mirë menaxhohet edhe në kuadër të një turizmi të shtuar që ne kemi, të mund t’i përgjigjemi në mënyrë të qëndrueshme këtyre zhvillimeve. Ashtu siç kemi pasur diskutime të thelluara prej një kohe tashmë, por që vazhdojnë edhe këto lidhur me një ndërhyrje reformuese të shtyllave të mbrojtjes sociale me fokus adresimin e nevojave tashmë gjithmonë e më prezente të mbrojtjes së kapitalit njerëzor, duke patur parasysh edhe zhvillimet demografike në vend, ku për ne, veçanërisht ekspertiza e Bankës së Botërore është shumë e rëndësishme në këtë drejtim për të sjellë praktikat më të mira që ne të kemi ndërhyrje sa më të qëndrueshme.

Zëri i Amerikës: Zoti Mete, INSTAT vlerësoi se rritja ekonomike për vitin 2023 çmohet 3.44 për qind në rënie krahasuar me vitin pararendës. Edhe për vitet e ardhshme parashikimet janë për të njëjtat nivele. A janë këto shifra të mjaftueshme?

Ervin Mete: Ne edhe në vlerësimet e Fondit Monetar dhe Bankës Botërore kemi qenë dhe kemi rezultuar si një nga ekonomitë më rezistente në rajon pasur parasysh përballjen me një sërë krizash të njëpasnjëshme, që nga tërmeti i vitit 2019, pandemia dhe pastaj lufta Rusi-Ukrainë që solli edhe efektet e inflacionit. Vlerësohemi që kemi pasur në kumulative, pra në pesë vitet e fundit, rritjen më të lartë në rajon si vend. Lajmi i mirë është që jo vetëm kemi arritur t’i tejkalojmë efektet e këtyre krizave, por tashmë jemi jo vetëm rikthyer në parametrat makroekonomik të para periudhës së krizës, por edhe i kemi tejkaluar këto parametra. Theksoj këtu, për shembull, që viti 2023 u mbyll me një nivel nën 60 për qind të borxhit publik, pra 59.2 për qind në vlerësimet tona, për të cilën edhe nga vlerësues ndërkombëtarë, agjencitë e vlerësimit si Standard and Poors, ne për herë të parë që kur bëhen vlerësimet ekonomike kemi marrë një “upgrade” nga nivel B në nivelin dy B.

Zëri i Amerikës: Po por konkretisht çfarë ia atribuoni këtë rënie?

Ervin Mete: Nuk është rënie. Është moderim i rritjes ekonomike. Rritja ekonomike vlerësohet vit për vit duke marr parasysh edhe bazën e vitit të kaluar. Pra për shembull, në qoftë se në 2020 pati një ngadalësim për shkak të pandemisë, në vitin 2021 rritja ishte 8.4 për qind, një nga rritjet më të larta në rajon dhe duhet parë, prandaj thashë, në kontekst edhe të bazës edhe të zhvillimeve. E diskutuam edhe me FMN-në këtë çështje. Këto janë vlerësime që bëhen kohë pas kohe. Ky është një vlerësim i parë, pastaj bëhet përsëri një vlerësim tjetër bazuar mbi të dhëna jo vetëm administrative, por ajo çka është shumë e rëndësishme është që ne, krahasimisht me rajonin dhe krahasimisht me vendet e BE-së, partneret tona tregtare, konsiderohemi se kemi një rritje solide. Çfarë do me thënë kjo? Nëse rritja jonë ishte 3.4 për qind vitin e kaluar, rritja në Eurozone, që është partneri kryesor tregtar dhe që ne kemi shkëmbimet më të rëndësishme tregtare, ishte vetëm 0.4 për qind. Pra, do duhet të kemi parasysh që jemi një ekonomi e vogël, shumë e ndërlidhur dhe në momentin që ne arrijmë krahasimisht me partnerët tanë dhe me rajonin, të kemi një rritje konsiderueshëm më të lartë në terma krahasimore, konsiderohemi që jemi në një situatë të qëndrueshme të rritjes ekonomike dhe ka një zhvillim të qëndrueshëm dhe pozitiv.

Zëri i Amerikës: Kalojmë tek disa të dhëna të tjera, po nga INSTAT-i që dëshmojnë se konsumi final i popullatës në 2-3 mujorët e fundit të vitit të kaluar ka ardhur në rënie. Si e shpjegoni diçka të tillë duke patur parasysh se keni deklaruar se turizmi ka sjellë afro 4 miliardë euro në ekonomi?

Ervin Mete: Së pari, krahasimet duhen bërë në periudha pak më të gjera dhe duhet parë në kuadrin e të politikave të tjera që ndërmerren. Pra ne ndodhemi në një situatë të politikave monetare shtrënguese, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera, bankat qendrore kanë shtrënguar politikën monetare, që do të thotë kanë rritur interesat dhe një nga efektet e rritjes të interesave është pikërisht moderimi i konsumit, sepse moderimi i konsumit është një nga mekanizmat për të mbajtur nën kontroll inflacionin dhe shtrëngimi i politikave monetare, të cilat për të mbajtur nën kontroll inflacionin përkthehen edhe në moderim të konsumit, praktikisht tek ne kanë dhënë tashmë efekt. Sepse ne në muajt e parë të këtij viti kemi një nivel të reduktuar të inflacionit, duke zbritur nën targetin e vendosur nga Banka e Shqipërisë, madje më herët se sa ishin parashikimet.

Sepse gjatë këtyre viteve, për shumë vende, përfshirë edhe Amerikën, pas luftës Rusi-Ukrainë inflacioni ka qenë sfidë kryesore, tashmë ne ndodhemi në objektiv dhe vlerësojmë që edhe nga diskutimet që kemi patur me Bankën e Shqipërisë, e cila është pjesë e delegacionit në FMN dhe Bankën Botërore, që nuk ka nevojë për hapa të mëtejshëm sa i përket shtrëngimit të politikës monetare, madje në një të ardhme jo të largët mundet që politika të lëviz në kahun tjetër. Pra për të qenë konkretë te pyetja juaj, moderimi i konsumit është efekt edhe i këtyre politikave dhe në momentin që inflacioni vjen nën kontroll, pritshmëria jonë është që konsumi do të zgjerohet përsëri.

Zëri i Amerikës: Shkurtimisht, një nga shqetësimet është edhe tek bujqësia duke qenë se është një nga sektorët kryesorë. Çfarë po bëhet në këtë drejtim?

Ervin Mete: Bujqësia ka pasur zhvillim gjatë një sërë vitesh. Është një nga sektorët e rëndësishëm për ekonominë tonë, kërkon një qasje të vazhdueshme reformuese sa i përket jo vetëm ndërhyrjes së shtetit në atë sektor, pra subvencionimit, sepse është një sektor që merr subvencionime të rëndësishme dhe ne do ta vazhdojmë subvencionimin edhe gjatë rishikimit të buxhetit në mes të këtij viti, por është një sektor që duhet parë edhe në reformimin apo ristrukturimin e mënyrës së të bërit biznes duke agreguar operatorët në këtë sektor dhe duke patur parasysh që duhet të shkëputemi nga bujqësia manuale, por të kalojmë në format të mekanizuar që dhe mund t’i përgjigjet presioneve konkurruese të rajonit apo të BE-së ku ne po shkojmë dhe me të cilat duhet të përballet ky sektor./Voa

B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Beteja për mitingun e Athinës po bëhet më e madhe se vet mitingu

Mero Baze: Beteja për mitingun e Athinës po bëhet më e madhe se vet mitingu