Karriera, pasiguria ekonomike dhe ndryshimi i stilit të jetesës po shtyjnë gjithnjë e më shumë moshën kur të rinjtë vendosin të krijojnë familje.
Sipas të dhënave të Eurostat, gratë në Shqipëri e sollën në jetë fëmijën e tyre të parë mesatarisht në moshën 27.5 vjeç gjatë vitit 2024, ndërsa kur merren në konsideratë të gjitha lindjet, mosha mesatare e nënave arrin në 29.6 vjeç.
Qytetarët i shpjegojnë këto shifra me vështirësitë ekonomike, por edhe dëshirën e grave për t’u rritur profesionalisht përpara se të bëhen nëna.
“Mentaliteti që martoheshin më shpejt prej kushteve ekonoomike dhe nëse martoheshin gocat, përmirësoheshin kushtet mes dy familjeve. Tani gruaja është më e pavarur.”
“Janë kushtet ideale prandaj është bërë kështu.”
“Nuk duan, s’kanë me çfarë t’i mbajnë.”
Në Bashkimin Evropian, mosha mesatare e grave që bëhen nëna për herë të parë është 29.9 vjeç. Gratë bëhen nëna më herët në Bullgari, me një moshë mesatare 26.9 vjeç, ndërsa në Itali dhe Luksemburg ky vendim merret më vonë, përkatësisht në moshën 31.9 dhe 31.6 vjeç.
Raporti i Eurostat evidenton gjithashtu rënien e vazhdueshme të lindshmërisë në Shqipëri gjatë dy dekadave të fundit. Në vitin 2004, shkalla e fertilitetit ishte 1.86 lindje për grua, ndërsa në vitin 2024 ajo ka zbritur në 1.64 lindje për grua.
Viti me nivelin më të lartë të lindshmërisë në vend mbetet 2003-shi, kur u regjistruan mesatarisht 2.06 lindje për grua.
Megjithatë ky fenomen nuk kufizohet vetëm në vendin tonë. Në dekadat e fundit, europianët kanë sjellë në jetë më pak fëmijë, duke ndikuar drejtpërdrejt në ngadalësimin e rritjes së popullsisë. Në vitin 2024, shkalla totale e fertilitetit në Bashkimin Evropian ra në 1.34 lindje për grua, niveli më i ulët në dy dekadat e fundit.
Komente









