Eurostat: Shqipëria me normën më të ulët në rajon të të rinjve me shkollë të lartë

Eurostat: Shqipëria me normën më të ulët në rajon të të rinjve me shkollë të lartë

Një nga objektivat e Bashkimit Europian, ku dhe Shqipëria kërkon që të anëtarësohet, është që të rritet përqindja e personave me arsim të lartë. Objektivi i tyre është që deri në 2020, 40% e personave të moshës 30-34 vjeç të kenë përfunduar arsimin e lartë. Të dhënat statistikore që ka nxjerrë Eurostat mbi përqindjen e kësaj grupmoshe që kanë përfunduar arsimin e lartë tregojnë se Shqipëri qëndron shumë larg objektivit, duke u renditur edhe e fundit ndër vendet që kërkojnë të jenë pjesë e BE-së.

Sipas Eurostat më pak se 23.5% e kësaj grupmoshe në Shqipëri kanë përfunduar arsimin e lartë, e ndjekur nga Bosnje dhe Hercegovina me 23.8, dhe Turqia diçka më shumë se 25%. Në Bashkimin Europian norma e individëve të moshës 30-34 vjeç që kishin përmbushur ciklin e lartë të studimeve ishte 39.9% në 2017-n, ndërsa të gjitha vendet e zgjerimin kishin përqindje më të ulët.

Ndër vendet e rajonit, Mali i Zi ka përqindjen më të lartë të 30-34 vjeçëve që kanë përfunduar arsimin e lartë, me një normë 34%, e ndjekur nga Serbia me një normë prej 32% dhe Maqedonia e Veriut me mbi 30%. Ndërsa në Turqi kjo normë ishte 27%.
Krahasuar me 5 vite më parë, norma e individëve me arsim të lartë ka shënuar rritje në të gjitha shtetet që kërkojnë të anëtarësohen në BE. Megjithatë në 2012, Bosnja Hercegovina renditej e fundit në rajon për sa i përket normës së kësaj grupmoshe me arsim të lartë (shiko grafikun). Të dhënat për Kosovën mungojnë.

Shqiptarët nuk e kanë me qejf të mësuarin
As 1% e shqiptarëve vendosin të angazhohen për të thelluar njohuritë e tyre pas shkollës. Sipas të dhënave të INSTAT, rreth 0.9% e shqiptarëve të moshës 25-64 vjeç mësojnë përgjatë gjithë jetës së tyre. Kjo është norma më e ulët në të gjithë Bashkimin Europian dhe vendet e rajonit, ku Shqipëri ka një diferencë të dukshme.
Megjithatë, në lëmin e paditurisë, shqiptarët janë shokë klase me rumunët, ku përqindja e personave që mësojnë gjatë gjithë jetës është po aq.
Të mësuarit gjatë jetës është përvetësimi vullnetar dhe i vetëmotivuar i dijeve, qoftë për aspektin personal apo profesional. Prandaj, të mësuarit gjatë jetës nuk rrit vetëm përfshirjen në shoqëri apo qytetarinë aktive, por edhe rrit vetë-qëndrueshmërinë, konkurrencën dhe shanset për punësim.

Ndër vendet e Bashkimit Europian, mesatarisht 11.1% e popullsisë e moshës 25-64 vjeç ishin të angazhuar në të mësuarit gjatë jetës, sipas statistikave të Eurostat.
Përqindjet më të larta janë shënuar në vendet e Europës Perëndimore dhe Veriore. Zvicra ka përqindjen më të lartë, me 31.6% të popullsisë 25-64 vjeç, që mësojnë gjatë gjithë jetës, e ndjekur nga Suedia me 29.2% të kësaj grupmoshe, aktive për të përvetësuar njohuri shtesë gjatë gjithë jetës së tyre. Finlandezët janë të tretët më të dhënë pas të mësuarit, ku rreth 28.5% e grupmoshës 25-64 vjeç mësojnë gjatë gjithë jetës, e ndjekur nga Danimarka me 23.5%, Estonia me 19.7%, Holanda me 19.1%, Franca me 18.6% dhe Austria me 15.1%./ Monitor

 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Espanyol rrezikon mbijetesën, Kumbulla: Kemi shumë ndeshje para, kam besim te ky ekip

Espanyol rrezikon mbijetesën, Kumbulla: Kemi shumë ndeshje para, kam besim te ky ekip