Është për keqardhje varja në gozhdë e dorezave nga njëri prej kandidatëve për postin e të parit të Prishtinës. Nuk ka asnjë fije dyshimi që Besnik Tahiri e ka tëholluar mirë e mirë këtë punë para se ta shpallte vendimin e tij.

“Nuk do të kandidoj më për kryetar të Prishtinës”, ka deklaruar ai. Këtë vendim të rëndë, Besniku e ka marrë pas dështimit për herë të dytë në garën për të parin e kryeqytetit. “Nuk kam çka t’i jap më shumë qytetit. Krejt çka kisha e kam dhënë”, ka theksuar kandidati i AAK-së.

Duke pasur parasysh seriozitetin me të cilin i është qasur garës, sidomos faktin se fushatën e nisi shumë kohë para se ajo të fillonte zyrtarisht, vërtet është për keqardhje dorëzimi i tij. Edhe dëshpëruese. Jo vetëm për të.

Vendimi i tij mund të përçojë mesazh të keq edhe për secilin kandidat tjetër, të ri në moshë, e të shkolluar në institucione prestigjioze universitare të Perëndimit.

Por, cilat janë arsyet që Besnik Tahirit nuk i shkrepi as në zgjedhjet e 3 nëntorit? Fajin s’mund t’ia lësh as mosangazhimit të tij, duke e ditur se ai s’ka lënë “kapixhik” të kryeqytetit pa trokitur për ta shpërfaqur vizionin e tij, e as mungesës së njohurive për menaxhimin e një qyteti, ngaqë, me sa di unë, nuk ka njeri me shkollim më adekuat se ai për qeverisje lokale. Shtoji kësaj faktin se shkollimin në këtë drejtim e ka kryer në një prej universiteteve më me renome në Evropë.

Faji s’mund t’i vihet as formacionit në kuadër të të cilit ka garuar, meqë në skenën politike kosovare nuk është fillestar. As kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili, për dallim nga liderë të ndonjë partie tjetër, nuk e rikandidoi Besnikun sa për adet, apo edhe për ta “djegur” si personalitet.

As koha kur mori përsipër barrën për të garuar nuk është fajtore. As votuesit. As rivali më i madh politik, Isa Mustafa. E pamë. Rasti i Shpend Ahmetit dëshmoi se Prishtina nuk është më çerdhja e pakontestuar e LDK-së. As kreu i saj nuk konsiderohet më si një arrë e pathyeshme.

Shkaqet e mospërparimit të Besnikut, por edhe të bashkëpartiakëve të tij në komuna të tjera, duhet kërkuar në një plan më të gjerë.
Një përgjigje eventuale do të mund të merrnim po qe se do të arrinim të kuptonim arsyen e vërtetë të njoftimit se nuk do të rikandidonte për kryetar të Suharekës të bërë fiks një vit para mbajtjes së zgjedhjeve lokale nga Blerim Kuçi.

Nuk duhet harruar se ky i fundit është një personalitet i respektuar jo vetëm ndër bashkëpartiakë, por edhe nga formacionet e tjera politike suharekase. Kurse, shpjegimit të tij se “kështu (për një mandat të vetëm) kam premtuar në fushatën e vitit 2009”, zor t’i besohet sepse patjetër që ndonjë projekt komunal do t’i mbetej i papërfunduar.

Për të pasur një pasqyrë më të qartë për dështimin e plotë të Besnik Tahirit në garën për Prishtinën mund të kemi nëse analizojmë rezultatet jo fort të favorshme për AAK-në në qytetet që konsideroheshin si bastion i saj, Pejë e Gjakovë. A mund të kenë pasur refleksione në kryeqytet puna ose mospuna në dy qytetet më të mëdha të Dukagjinit? Mbase.

Ndoshta edhe qëndrimi i paqartë i Aleancës në raport me PDK-në, herë për bashkëqeverisje e herë për ta rrëzuar atë nga pushteti qendror, mund të kenë pasur reperkusione në fatin e Besnik Tahirit. Ndoshta ka edhe ndonjë gjë tjetër, më të thellë, në këtë mesele. Kush e di! Por, vendimi i 4 nëntorit i Besnikut (por eventualisht edhe i ndonjë bashkëmoshatari të tij nga komuna të tjera) për t’u dorëzuar nuk është për t’u admiruar!

Marrë nga "Zëri"