TIRANE - Kur Fan Noli festoi 80-vjetorin e lindjes, në një takim mes anëtarëve të shoqërisë “Vatra” mbajti një fjalim ku u fokusua tek miqësia me Faik Konicën.  Nga ky fjalim është shkëputur një audio, të cilën gjithashtu e ka bërë të njohur për publikun studiuesi Ilir Ikonomi. Regjistrimi i vitit 1962,  tregon Fan Nolin, i cili flet për Faik Konicën para shumë të pranishmëve në këtë përkujtimore. Mes batutave dhe humorit të rrallë ai tregon për mikun e tij dhe maninë e Konicës për të nisur dhjetra vepra e për ti lënë pastaj në mes….

Më poshte po sjellim të plotë fjalën e Nolit, zbardhur me besnikëri sipas origjinalit.
“Në Harvard kemi koleksionin e gazetës së Faik Konicës ndjesë pastë “Albania”. Faiku ka pasur shumë kusure dhe kusuri i tij më i madh ishte që bënte shokë lehtë, edhe miq. Por të nesërmen pastaj që të gjithë ato shokë i bënte armiq.

Kur mbajta një fjalë në parlament, (dhe një nga shkokët e parlamentit që ndodhet këtu duhet ta mbajë mend) se e shanin Faikun dhe u thashë: mire, të gjithë këto të këqia i ka, por ka edhe shumë të mira. Dhe mbajta ndoshta një nga ato fjalët më të mira që kam mbajtur në jetën time, dhe perëndia e di që kam mabjtur shumë fjalë, por nuk doli asnji që të duartrokasë për ato që thashë për Faikun. Asnjë mik s’kishte atje brenda, përveç meje, ai që fliste në favor të tij.

Sidoqoftë dikush, këtu në “Vatër”, tani e kujtojnë këtë njeri, të cilin pothuaj e urrenin  të gjithë dhe u përpoq të shkruajë një libër mbi të. Dhe kjo ishte gjëja më e zorshme për të bërë për Faikun. S’ka gjë më të zorshme, se sa të shkruash një libër për Faikun. Faiku niste një vepër dhe e linte në mes dhe e harronte pastaj, nuk e vazhdonte.

S’ka mbaruar asnji nga ato libra që ka nisur. Kishte shumë pare, njëmijë pare, por që të gjithë ato pare mbaronin me dy tre fraza. I niste, pastaj, kur ne e pyesnim pse ore si shkruan na thoshte: Mirë që i shkruaj po kush i këndon? I thoshim, aman po shkruaji se i këndon ti, i këndoj edhe unë. Sidoqoftë ndodhet këtu një njeri, jo miku i tij por një njeri që nuk i fliste kurrë, e kishte armikun më të tmerruar dhe ai ia shkroi librin, Qerimi, (qeshje në sallë).

Ishte një punë shumë e zorshme se duhej të mblidhte gjithë ato gjëra që i kishte nisur Faiku e i kishte lënë në gjysmë dhe ti vinte në një formë. I vuri. Trimëri shumë e madhe, unë nuk do të mundja ta bëja. Unë shkrova vetëm një parathënie të shkurtër. “Albania filloi” të botohej më 1897 dhe u mbyll më 1909. Sa vjet bëhen? 12 vjet. Historia e Rilindjes Shqiptare në këto 12 vjet mund të gjendet vetëm në ‘Albanian’ e Faikut….

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 24.07.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)