Fatbardh Smaja, regjisori i
suksesshëm i Teatrit “Migjeni”

Fatbardh Smaja, regjisori i<br />suksesshëm i Teatrit “Migjeni”
Teatri i Shkodrës, cilësohet si një prej teatrove më të suksesshëm i artit shqiptarë. Prej andej kanë dalë mjaft artistë të shquar të skenës dhe ekranit.
Nuk mund të harrohen Zef Jubani, Tinka Kurti, Çesk Vuksani, Qazim Lila, Lin Gjonej, Zef Maka, Zef Mirashi, Marie Buçi, Ndoc Harapi, Rrok Sheldia,Serafin Fanku e deri te më të rinjtë si Rikard Larja, Paskualina Gruda,Merita Smaja etj. Po kështu, në këtë teatër kanë debutuar dhe mjaftë regjisorë të shquar si  Andrea Skanjeti, Lec  Shllaku, Esat Oktrova, Paulin Sekuj dhe më vonë  Serafin Fanko, Edmond Mëhilli e Bruno Shllaku etj.

Por sot dua të sjell një tjetër regjisor të suksessshëm në plejadën e fundit, Fatbardh Smajën.

fatbardh smaja

Fatbardh Smaja, një nga regjisorët më të vlerësuar nga publiku, sjell çdo vit në skenat e teatrove shqiptar, vepra të një rëndësie të madhe kombëtare dhe ndërkombëtare, ku tematika dhe mesazhi i përcjellë, e veçon shfaqjen.
 
Fatbardhi i ka ofruar publikut shqiptar shfaqje të larmishme duke përfshirë këtu shfaqen më të fundit,  “Rëndësia e të qenit i sinqertë”. Publiku e mirëpriti me shumë duartrokitje dhe vlerësimet maksimale nuk munguan. Ai shprehet për këtë shfaqe si një arritje për skenën e teatrit “Migjeni”, e cila mori dhe disa çmime në konkursin e teatrove në Preshevë.

fatbardh smaja

Smaja  thotë se se “Rëndësia e të qenit i sinqertë”, është një lojë nga Oscar Wild. Ajo është shfaqur për herë të parë më 14 shkurt 1895 në Teatrin St James në Londër. Një komedi e absurdit në të cilën protagonistët janë persona fiktive që përpiqen t’i shpëtojnë detyrimeve të rënda sociale. Duke punuar brenda konventave sociale, Viktoriane të Londrës, temat kryesore të cilat ajo trajton janë institucione serioze si martesa.

Kjo vepër shënon kulmin e karrierës artistike të Wilde.Një farsë ku personazhet reale vihen në rrethana absurde, ashtu si jeta na vendos shpesh edhe në ditët e sotme e shumë gjëra të rëndësishme e humbin vlerën e tyre të vërtetë. Në kontrast me shumë teatro të kohës, “Rëndësia e të qenit i ndershëm”,  nuk merret me çështje serioze sociale dhe politike, diçka për të cilën kritikët e kohës kishin dyshime.

Edhe pse të pasigurt për seriozitetin e Wilde si dramaturg, ata i’a vlerësuan dramës zgjuarësinë, humorin dhe popullaritetin me audiencën. E pikërisht për këtë humor të mencur, ne e sollëm veprën për publikun shkodran dhe atë shqiptar dhe nuk u gabuam. Ata e kuptuan dhe e shijuan këtë lloj humori që vjen nga një autor i madh e i mprehtë si Oscar Wild.

“Unë si regjisor u përpoqa të zgjedh aktorë që të kenë karaktere e mosha të ndryshme për të kontrastuar me njeri-tjetrin, për t’ë nxjerrë në pah pikërisht larmishmërinë që rolet e kishin që në shkrim nga autori. E vërtet por po të shohësh shfaqjen ajo që vihet re është përvijëzimi i qartë i karaktereve, skalitja bukur e botës së brendëshme, e cila më pas u pasurua edhe paraqitjen e jashtme, në mënyrë që personazhet të vinin sa më besueshëm e sa më të sinqertë, gjë që u realizua më së miri nga aktorët”, shprehet regjisori Smaja.

fatbardh smaja

Një punë e mirë është bërë edhe me të folurin e qartë e të bukur nga aktorët, sepse kjo pjesë ‘forcën’ e ka tek fjala, ndaj ajo duhet të tingellojë sa më bukur dhe elegante. Në këtë shfaqje krahas aktorëve me përvojë si: Rita Gjeka, Merita Smaja, Enver Hyseni, si dhe aktorët më të rij, por që tashmë kanë treguar me punën e tyre se kanë shumë talent e vlera si Jozef Shiroka, Sara Smaja, Simon Shkreli, Ergys Bamci por edhe më të rinjtë që janë ende student, Nikolin Ferketa e Ina Morinaj.
Por Smaja konstaton edhe problematikat e shumta që ka teatri shqiptarë në përgjithësi dhe ai i shkodrës në veçanti.

” Një shfaqje është një projekt i teatrit, në rastin tonë i një teatri vendor, që varet nga Bashkia, pra problem i parë janë të ardhurat, buxheti që nevojitet për të realizuar një projekt të tillë. Jo gjithmonë një regjisor i gjen aktorët e duhun për pjesën në trupën që ka në dispozicion, ndaj fillon kërkimi, e pikërisht duhet kërkuar atje ku pagesat janë më të vogla, ku dëshirat janë të mëdha e talenti është, por shpesh nuk është e lehtë t’i gjesh të gjitha! Ndaj në të shumtën e rasteve regjisori bën kompromise me veten e me të tjerët që të arrijë më të mirën e mundshme (për fat të keq ) por ky është fakt dhe realitet që unë si regjisor duhet të përballem e të fitojë mbi të.

E më pas fillon odiseja e realizimeve të skenografisë, kostumeve grimit parukeve, që është vërtet një mundim i madh sepse kurrë nuk bëjmë atë që unë kam në mendje për shkak të buxhetit të munguar. Pikërisht kjo që unë shpreha më lart e që për mua është thelbi i realizimit të një shfaqjeje teatrale, e një vëmendje më e madhe nga shteti për teatrin, sepse nëse flasim për kulturë të një vendi teatri është ai që e thotë me zë plotë këtë fakt”.

Ai e përkufizon si një vit të pasur artistic vitin 2014, me shumë suksese e çmime, me arritje të dukshme ku spikasin talentet e reja, por një vit shumë i varfër ekonomikisht, ku një artist mezi ja del të mbijetoj.

Për planet e së ardhmes, Fatbardhi thot se janë të shumta,por të vështira. Sapo përpiqemi që ato t’i bëjmë realitet përballemi me pengesa gjigande. E megjithatë, pavarësisht pengesave, unë kam plane, që shpresoj të më realizohen, e mendoj se do ja arrij. Ja arrij se kam në krah aktorë që vlojnë nga dëshira e pasioni për të dalë në skenë e për të punuar në cfarëdo lloj kushti, e unë për këtë i falenderoj sepse gjithmonë jam mbështetur tek ata e më kanë nderuar duke dhënë maksimumin e tyre, e kanë realizuar atë që unë kam dashur.

Ndaj i premtoj publikut se edhe këtë vit të ri 2015 do ndjekin vepra dinjitoze e shfaqje shumë të bukura. Ai përmend disa nga projektet e tija skenike. E ndër to dramën komike, “Njeriu që pa vdekjen me sy” e Viktor Eftimiut dhe “I sëmuri për mend”, i Molierit, dy komedi klasike që i flasin bukur kohës së sotme.
Me që jemi në teatrin e Shkodrës që mban emrin e njërit prej kolosëve të letërsisë shqipe Migjenit, nuk mund të mos më kujtohen fjalët e Zeneli të vogël në skicën me të njëjtin titull-‘Zeneli” i Migjenit, kur  mësuesi i vet në shkollën e vogël grisur stuhije në Pukën e thellë, i flet Zenelit për të mirat e shumta që do vijnë paskëtaj.
Edhe  Bardhi( siç e thërresin Fatbardhin), shpreson se do t’i gjej fondet për të vënë në skenë këto dy kryevepra botërore.

Marrë nga ATSH

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Himara nesër në zgjedhje, policia publikon planin e masave: 52 efektivë ruajnë 36 qendrat e votimit 

Himara nesër në zgjedhje, policia publikon planin e masave: 52 efektivë ruajnë 36 qendrat e votimit