Fatmir Haxhiu, Delacroix
i pikturës shqiptare

Fatmir Haxhiu, Delacroix <br />i pikturës shqiptare
TIRANE - Peneli i Fatmir Haxhiu hyri në historinë e artit realist shqiptar në periudhën e tretë të saj, atë pas Luftës së Dytë Botërore. Por për nga konteksti tematik dhe mesazhi edukativ historik i veprës së tij, piktura e Haxhiut lidhet me detyrat embrionale pikturës realiste shqiptare, që janë temat themeluese laike të artit të Rilindjes Kombëtare pas mesit të shek. 19 deri në Shpalljen e Pavarësisë më 1912. Piktura e tij përmban lidhjet e drejtpërdrejta me temën historiko-patriotike me frymë romantike të pikturës rilindëse, me përpjekjet dhe luftën për pavarësinë e Shqipërisë, të cilat bënë para së gjithash burim frymëzimi figurën e heroit kombëtar Skënderbeut, dimensioni i veprës historike të së cilit, iu desh edhe një herë Shqipërisë në finale, për t’u çliruar për jetë a vdekje nga Perandoria osmane dhe për të fituar Pavarësinë e vendit. Ashtu si në letërsi, edhe në artin rilindës, figura e Skënderbeut u paraqit si simbol i luftës për pavarësi, qoftë edhe me realizimet e para modeste të asaj kohe, si Portreti i Skënderbeut të piktorit korçar J. Panariti më 1883 dhe portretet e para në skulpturë mbi heroin kombëtar të realizuara nga Murat Toptani më 1899 dhe 1914. Në kushtet e ndalimit të artit realist nga administrata osmane, këto vepra ishin politikisht shumë domethënëse, por natyrisht shumë pak për artin realist shqiptar. Fatmir Haxhiu lindi më 1927, pra në periudhën e dytë të zhvillimit të artit realist shqiptar në periudhën formuese të shtetit të pavarur (1920-1939), kur arti realist shqiptar u angazhua në zbulimin, pasqyrimin dhe forcimin e karakterit historik të kombit tonë, në botën e brendshme të njeriut shqiptar dhe karakterin social të tij, nëpërmjet piktorëve si K. Idromeno, S. Xega, N. Martini, etj. dhe më pas, të S. Rrotës, V. Mios, A. Kushit, Z. Kolombit, etj. Veprat e tyre romantiko-impresioniste u karakterizuan nga dashuria për jetën, njeriun dhe tokën amtare, nga dhembshuria dhe shpesh herë trishtimi për njerëzit e varfër të popullit, por edhe nga qëndrimi kritik ndaj realitetit të kohës. Secili prej tyre e preku në një mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë temën historike, çka ishte një nevojë shpirtërore dhe besimi për forcimin e ndjenjës kombëtare dhe të mbrojtjes së pavarësisë së fituar, por piktura e kësaj periudhe nuk pati energjinë e duhur politike, sociale dhe ekonomike ta ngrinte atë në përmasa klasike monumentale. Vetëm në vitet 30’ piktura shqiptare hyri në një fazë të pjekur kërkimesh realiste me futjen në rrugën e krijimtarisë të piktorëve të shkolluar në këtë dekadë, por që veprimtarinë e tyre e zhvilluan Pasluftës. Ndër më të rinjtë e kësaj plejade, që u rreshtuan Pasluftës për të themeluar shkollën klasike të artit realist shqiptar, ishte edhe piktori i shquar dhe i pazëvendësueshëm Fatmir Haxhiu, peneli i betejave dhe i ndeshjeve luftarake fitimtare të popullit shqiptar në histori, vepra e të cilit plotësoi kolonën e batalistit në Forumin e historisë së pikturës realiste klasike shqiptare.

Sot mbushen 85 vjet nga dita kur miku im i madh Fatmir Haxhiu, të cilin arrita t’ia fitoja zemrën, lindi më 28 Dhjetor 1927 në Gjirokastër nga një familje qytetare e mesme nga qyteti i Përmetit. Prej vitit 1930 familja e tij u shpërngul në Tiranë. Kur ndiqte vitet e shkollës fillore “e Kuqe” në Tiranë (e cila ishte edhe shkolla ku mësova edhe unë shkrim e këndim më se 20 vjet më vonë mbas piktorit), mësuesi i tij patrioti i njohur Milto Sotir Gura i ka dhënë inkurajimet e para atij, tek e shihte këtë fëmijë që gjatë gjithë kohës vizatonte. (Tek patrioti i mirënjohur Milto Gurra kam patur fatin të mësohem edhe unë prej tij, gjithnjë në se 20 vjet pas piktorit, atëherë kur Plaku rilindës Gurra në pension, me lutjen e tim Éti, më tregonte privatisht mbi përmbajtjen dhe synimet e Revistës “Mituria” në vitet e botimit të saj). Piktori i ardhshëm doli shumë herët partizan, sapo kapitulloi Italia fashiste më 1943, partizan në Batalionin „Dajti“ dhe pastaj në Brigadën e Parë. Tërë jetën shfaqi ai kulturën qytetare në respekt të disiplinës ushtarake dhe zellin e rregullit shoqëror.

Formimi i Haxhiut si piktor, studimet ne Zagreb

Formimi i Haxhiut si piktor është një shembull dokumentar për të kuptuar përpjekjet e artistëve në realitetin Shqipërisë së Pasluftës, i pasionit dhe entuziazmit vetjak për t’i shërbyer vendit me patriotizëm dhe sakrifica, ndaj mundësive të pakta reale për arsimimin e tyre në mungesë të shkollave të larta të profesioneve të atilla. Në nëntor 1945 shkon për studime ushtarake në Beograd në Shollën “Vojna Ucishte” ku për 6 muaj mori njohuri të përgjithshme ushtarake dhe pas ndarjes së degëve, vazhdoi studimet në Zagreb në shkollën e artilerisë tokësore “Oficirska Skola i Vojno Uciliste Zemaljske Artiljerije”. Gjatë kohës së studimit në Zagreb deri në fund të vitit 1947 njihet me një piktor kroat, i cili krijoi mundësinë të mësonte dhe të ushtronte pikturën në studion e tij. Me kthimin në atdhe, prej vitit 1948 deri më 1959 punoi me detyra të ndryshme në ushtri në specialitetin e artilerisë dhe në vitet 1956-59 si pedagog i taktikës së artilerisë në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve në Tiranë ( më vonë Akademia Ushtarake e Trupave Tokësore –Skënderbej). Fatmir Haxhiu u bë piktor në periudhën e themelimit të shkollës shqiptare të pikturës (1944-1960) dhe para se ai të diplomohej. Qysh me çlirimin e vendit, Fatmiri 17 vjeçar, gjithnjë i apasionuar pas pikturës, pati fatin dhe mundësinë të krijonte kontakte pikërisht me disa prej këtyre artistëve të talentuar dhe të shkolluar të asaj kohe të pikturës e skupturës shqiptare, me Sadik Kacelin, Odise Paskalin, Nexhmedin Zajmin, Andrea Manon, Llazar Nikollën, Kel Kodhelin, Foto Stamon, të cilët e ndihmuan atë në përgatitjen e tij teorike. Për herë të parë më 1949 merr pjesë në Ekspozitën Kombëtare të Pikturës , ku vlerësohet me çmimin e dytë. Nga mesi i viteve 50’ krijoi studion e parë ushtarake të artit në Shqipëri dhe botoi pareshtur ilustrime dhe pllakate në revistat e kohës dhe botimet e Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”. Më 1958 merr pjesë në Ekspozitën Kombëtare me kompozimin nga Lufta Çlirimtare Zonja Çurre 1958 (vaj në kanavacë 1,1 x 1,0 m, Galeria Kombëtare Arteve Tiranë-GKAT) vepër fituese e çmimit dytë në Konkursin Kombëtar 1987.

Si ndikoi shkolla shqiptare e pikturës

Në formimin e Haxhiut si piktor ndikoi tërësisht shkolla shqiptare e artit, e formuar në vitet 50’ si një sintezë e dy përvojave teorike dhe praktike, ajo e shkollave perëndimore të Paraluftës me atë të shkollave lindore të Pasluftës. Piktura realiste shqiptare mori Pasluftës së Dytë Botërore një kurs të ri, një përmbajtje të re dhe njëkohësisht zhvillimin më të madh. Karakteristikë e saj qe shpërthimi tematik më i madh se më parë, imponimi për një lidhje të ngushtë të artit me jetën e thjeshtë të masës dërmuese të popullsisë dhe me punën e tyre për ndërtimin e vendit të prapambetur, për kërkime në karakterin psikologjik të jetës historike shqiptare dhe pasqyrimin e saj në art me notë aktuale, për gjetjen e gjuhës komunikuese të pikturës me të gjitha nivelet kulturore të popullsisë dhe përdorimi i saj propagandistik në edukimin estetik të masave popullore me këtë lloj kulture qytetare. Karakteristikë ishte gjithashtu, vënia në veprim e të gjitha gjinive të artit të pikturës. Rëndësi të veçantë mori lëvrimi i kompozimit figural historik monumental, ku u hap edhe dritarja për angazhimin artistik të piktorit Fatmir Haxhiu.

Ndërkohë Pasluftës deri në vitet 60’ ushtronin krijimtarinë e tyre të spikatur edhe të tjerë piktorë të talentuar dhe të përkushtuar si B. Sejdini, K. Kodheli, G. Madhi, etj., të cilët trajtuan me ekspresivitet dramatik heroizmin e popullit shqiptar për ekzistencë kombëtare, me heroizëm epik Luftën Çlirimtare kundër nazizmit dhe me optimizëm punën për mbrojtjen, rindërtimin dhe qytetërimin e vendit. Ata u bënë frymëzimi, mbi të cilin Haxhiu më i ri u mbështet në vitet 50 në meditimin për konceptin dhe gdhëndjen e artit të tij. Me hapjen e Institutit të Lartë të Arteve më 1959 kreu me rezultate të shkëlqyera studimet e larta, të cilat i përfundoi më 1965 me temë diplome, tablonë Kalimi i Divizionit të Parë në Veri 1965 (vaj 3 x 2 m, Shtëpia e Ushtrisë Popullore), për të cilën, i ka rezistuar kohës vlerësimi i kritikut të artit Llambi Blido, se kjo tablo „është regjistruar në historikun ende të pashkruar të shkollës sonë të lartë të artit, si një ndër arritjet më të shkëlqyera“. Këtë vlerësim të saktë të kritikut tonë, do t’a aktualizoja me pyetjen, se “kur një diplomë tjetër në shkollat tona të larta të artit, do të shfaqë seriozitetin, përkushtimin dhe përgatitjen profesionale si ky shembull?”. Formimi i Fatmir Haxhiut në rrugën e piktorit profesionist përbën një shembull të veçantë në historinë e formimit arsimor të artistëve shqiptarë, sepse bashkohen në një pikë, rruga e gjatë më se 20 vjeçare e prodhimtarisë së tij me punë si piktor (1944-1965), paraqitjen prej tij të një diplome profesionale dhe në të njëjtën ditë, edhe afirmimi i tij si piktor profesionist (1965).

Tematika historike e pikturës

Veprimtaria e Fatmir Haxhiut shtrihet kryesisht në vitet 60’-80’, kur piktura shqiptare, ose më saktë shkolla e formuar shqiptare e pikturës, i forcoi themelet e saj realiste dhe funksionin e saj kryesor për të qenë e komunikueshme më shtresat dominuese të shoqërisë. Ai u gjend midis individualiteteve të krijuese të kohës, S. Shijaku, V. Kilica, F. Haxhiu. K. Dilo, A. Zajmi., I lulani, Z. Shoshi, etj., të cilët të gjithë bashkë erdhën duke e thelluar në mënyrë të ndjeshme karakterin kombëtar të artit, në vizatimin realist e dinamik, në poetikën piktorike, në koloritin e pasur plot dritë dhe kontrast grafik, etj. Gjatë të gjithë kësaj periudhe, krijimtaria e Haxhiut do të përqendrohet në temën historike dhe veçanërisht në atë Luftës së popullit shqiptar për mbrojtjen e ekzistencës së tij qysh nga koha e Skënderbeut. Ai u specializua në pikturën monumentale, në veçanti në pikturën e betejave historike, dhe pikturoi një numër tablosh kompozicionale me figura në madhësi të mëdha - rreth 70 punime, të shpërndara nëpër galeri, muzeume dhe institucione të ndryshme të Shqipërisë. Haxhiu u bë një nga përfaqësuesit e pikturës historike bataliste shqiptare. Krijimtaria e tij në gjininë e pikturës monumentale përfshin një numër të madh kompozimesh figurale në përmasa të mëdha. Tematika e tij përqendrohet në tre momentet kyçe të historisë së Shqipërisë; E para, në epokën e luftërave shqiptaro-osmane nën udhëheqjen e Skënderbeut (shek. 15) me vepra të tilla, si Me shpatë në dorë 1978 (vaj në kanavacë 4,5 x 5,5 m, Galeria Kombëtare e Arteve Tiranë-GKAT), në artin e së cilës vëzhgues kritikë kanë zbuluar Delacroix-në shqiptar. Ashtu si në këtë tablo monumentale, e gjithë vepra e tij krijuese, bazohet në një gjuhë shumë të qartë piktorike, ajo është dinamike, e thjeshtë dhe e qartë, si tabloja tjetër Bashkimi i Principatave Shqiptare 1982 (afresk 8 x 2,5 m, Muzeu Historik Kombëtar Tiranë), vepër fituese e çmimit të parë në Konkursin Kombëtar. Personazhet e Haxhiut janë tipa të vërtetë jetësorë me karakteristika të theksuara shqiptare, bindës për rolin që kanë marrë të luajnë në fushën piktorike të tablosë, psikologjikisht në harmoni me rolin që krijojnë në funksion të idesë qendrore të veprës. E dyta tematikë ku ai përqendrohet përbëjnë përpjekjet popullore për pavarësinë kombëtare nga Perandoria Osmane, si për shembull kompozimi monumental Tokë e zhuritur 1985 (vaj në pëlhurë 4 x 3 m, Muzeu Historik Tropojë); E treta është veprimtaria e tij e gjërë me temën e Çlirimit të vendit në Luftën e Dytë Botërore nga fashizmi dhe nazizmi, të cilën ai e përjetoi edhe vetë si pjesëmarrës i saj, si e tregon ai në tablonë kompozicionale Skroskë-1944 1966 (vaj në pëlhurë 2 x 3 m, GKAT), vepër fituese e çmimit të parë në Ekspozitën Kombëtare të vitit 1966 dhe e Çmimit I të Republikës; apo në veprën me theks emocionues Tenda e Qypit 1969 (vaj në pëlhurë 5,0 x 2,8 m, Pallati i Pritjes Durrës) vepër fituese e çmimit tretë në Konkursin Kombëtar 1969. Në trajtimin e temës së Luftës Çlirimtare ai është ndalur në momentet kyçe të saj duke iu referuar ngjarjeve thelbësore dhe personazheve që kanë luajtur rol vendimtar për fatet e atdheut, si vepra Çajmë rrethime 1978 (vaj në pëlhurë 2,2 x 2,0 m, GAKT) vepër fituese e çmimit të parë në Konkursin Kombëtar 1978. Fuqi të madhe komunikuese i jep atyre vizatimi mjeshtëror realist i figurave në lëvizje dinamike elokuente, ngarkesa psikologjike e portreteve, materializimi i formës nëpërmjet ngjeshjes së ngjyrës, thellësia e atmosferës dhe gama e gjerë e ngjyrave në marrëdhënie të qarta tonale, si në tablonë Ditët e Mësymjes Pranverore 1968 (vaj 2,65 x 2,0 m, GKAT) vepër fituese e çmimit dytë në Konkursin Kombëtar. Krijimet Fatmir Haxhiut përshkohen nga vërtetësia historike, nga balanca kompozicionale e një numri të madh figurash në tablo, secila pa përjashtim e angazhuar në lëvizjen me karakter individual, me potencë energjie në formimin e dramaticitetit të ngjarjes. Shumë prej veprave të tij, për vlerat e tyre historike dhe artistike janë tashmë të njohura edhe në brezat e rinj. Ato kanë fituar popullaritet dhe janë nderuar me çmime republike dhe me çmime kombëtare, janë bërë përveç të tjerave edhe dokumente historike.

Duke parapëlqyer temat historike, të cilat i trajtoi me intensitet më shumë se tre dekada, piktori Fatmir Haxhiu zgjodhi gjininë më komplekse dhe më të vështirë, tablonë kompozicionale monumentale, me të cilën shpalosi aftësinë e tij si artist dhe guximin e tij si qytetar e patriot i këtij vendi. Me ndërgjegje ndoqi rrugën e realizmit tradicional të pikturës shqiptare, duke hapur me dije profesionale dhe punë të mundimshme të çmuar nga bashkëkohësit e tij, shtegun e veprës bataliste të artit tonë. Punoi dhe ndoqi deri në fund me tendencë formimin e stilit individual të dallueshëm, duke e ruajtur dhe gdhendur atë vepër pas vepre në përputhje me temën që trajtoi, gjithnjë duke rritur kërkesat drejt një arti bashkëkohor figurativ gjithnjë me profilin e jashtëm të një ushtaraku shembullor dhe karakterin shpirtëror të një piktori fatalist patriot klasik.

Fatmir Haxhiu është një nga piktorët e spikatur të shkollës shqiptare, që dha kontribut të pazëvendësueshëm në formimin e artit realist klasik shqiptar me veprën e tij bataliste me temperament kombëtar. Ai e ngjeshi veprën e tij monumentale të ndërthurur me dinamikë në një kompozim me ritëm mjeshtëror, me një vallëzim figurash të pafund secila e veshur nën vizatimin ekspresiv, me kontraste grafike dhe pasuri impresioniste të paletës së pasur koloristike, aq sa u shfaq me dashje apo pa dashje një shëmbëllim me artin e Delacrix-së, një urëzë lidhëse me artin evropian.

gjergj frasheri(Foto, autori Gjergj Frashëri)

(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Një muaj më parë KPK e konfirmoi në detyrë, kush është kryeprokurori i Vlorës që u kap nga SPAK

Një muaj më parë KPK e konfirmoi në detyrë, kush është kryeprokurori i Vlorës që u kap nga SPAK