Fjalimi i sotëm i Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Mbledhjen themeluese të Bordit të Paqes për Gazën në Uashington D.C. përbën një moment me peshë diplomatike dhe politike, si për vetë Shqipërinë, ashtu edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Në një kohë kur konflikti në Lindjen e Mesme vijon të mbetet një nga çështjet më delikate të sigurisë globale, pjesëmarrja e një vendi të vogël si Shqipëria në projekte dhe tryeza të tilla dëshmon rritjen e rolit diplomatik dhe angazhimit tonë n në çështje ndërkombëtare me ndikim global.
Dimensioni diplomatik dhe imazhi ndërkombëtar
Prania e një drejtuesi shqiptar në një forum të fokusuar tek paqja dhe stabiliteti në Gaza shërben për të forcuar profilin ndërkombëtar të Shqipërisë, si një vend që mbështet dialogun, përfshirjen shumëpalëshe dhe zgjidhjet paqësore. Kjo rrit besueshmërinë e vendit në arenën ndërkombëtare dhe konsolidon marrëdhëniet me partnerët strategjikë, veçanërisht me SHBA-të.
Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe aspiron të luajë një rol aktiv në stabilitetin ndërkombëtar. Fjalime të tilla theksojnë kontributin politik dhe diplomatik të vendit në mbështetje të paqes, duke e vendosur Shqipërinë si një zë moderues dhe bashkëpunues në skenën globale.
Mesazh humanitar dhe solidaritet ndërkombëtar
Çështja e Gazës ka edhe dimension të fortë humanitar. Një fjalim që adreson nevojën për paqe, ndihmë humanitare dhe stabilitet politik reflekton traditën shqiptare të solidaritetit dhe mbështetjes për zgjidhje paqësore të konflikteve.
SHBA-të dhe Uashingtoni mbeten qendra kryesore të vendimmarrjes globale për shumë çështje sigurie dhe diplomacie. Një prani aktive e drejtuesve shqiptarë si kryeministri Rama dhe Presidentja e Kosovës Vjollca Osmani në forume të tilla forcon marrëdhëniet strategjike me SHBA-të dhe rrit mundësitë për bashkëpunim politik, ekonomik dhe të sigurisë për të dyja vendet tona.
Shqipëria shpesh është perceptuar si faktor stabiliteti në Ballkan. Angazhimi në diskutime globale për paqen i jep vendit një dimension më të gjerë diplomatik dhe kontribuon në ndërtimin e një imazhi konstruktiv për rajonin.
Drejtësia ndërkombëtare dhe perceptimi publik i padrejtësisë me drejtuesit e UÇK-së
Përmendja nga kryeministri i Shqipërisë në Uashington D.C. e padrejtësisë së madhe me pretencën(kërkesën) e prokurorëve në gjyqin në Gjykatën Speciale të Hagës për 180 vite burg ndaj katër drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ka një peshë të veçantë politike, diplomatike dhe historike.
Kjo ngjarje mbetet tejet e ndjeshme për shqiptarët në rajon dhe lidhet drejtpërdrejt me interpretimin e historisë së konfliktit në Kosovë, me drejtësinë ndërkombëtare dhe me stabilitetin politik në Ballkanin Perëndimor.
Për ne dhe jo vetëm për shqiptarët, por edhe për ish-drejtues të NATO-s dhe diplomatë perëndimore, UÇK përfaqëson rezistencën ndaj represionit dhe tentativës për genocid të Millosheviçit në Kosovë gjatë viteve ’90-të të shekullit të kaluar.
Përmendja e padrejtësisë ekstreme të pretencës në një forum të tillë ndërkombëtar si Mbledhja e themelimit të Bordit të Paqes për Gazën në Uashington përfaqëson përpjekje më të fortë deri tani, për të mbajtur në vëmendje ndërkombëtare perceptimin se lufta e Kosovës kishte karakter çlirimtar dhe se trajtimi i drejtuesve të saj duhet të jetë i drejtë, i paanshëm dhe i balancuar.
Gjykata Speciale e Hagës është krijuar me mbështetje ndërkombëtare dhe synon trajtimin e pretendimeve për krime lufte. Shpesh, sidomos gjatë dekadës së fondit, disa gjyqe dhe procese në Hagë kanë krijuar perceptimin(ndijimin) se proceset gjyqësore mund të kenë edhe dimension politik.
Shqipëria e ka konsideruar historikisht mbështetjen për Kosovën si pjesë të politikës së saj të jashtme. Trajtimi publik i kësaj çështjeje nga një drejtues shqiptar në një forum ndërkombëtar me peshë të tillë të jashtëzakonshme sa Mbledhja Themeluese e Bordit të Paqes së Gaza-s, është dhe duhet të shihet si shenjë solidariteti politik dhe institucional i Shqipërisë me Kosovën, duke ruajtur njëkohësisht ekuilibrin diplomatik.
Çështjet që lidhen me Kosovën mbeten të ndjeshme në marrëdhëniet rajonale. Diskutimi i tyre në qendra vendimmarrjeje si Uashingtoni mund të kontribuojë në ruajtjen e fokusit ndërkombëtar mbi stabilitetin e Ballkanit dhe nevojën për dialog e bashkëpunim.
Duke e ngritur këtë temë në SHBA, Shqipëria synon të tregojë se mbetet e angazhuar në diskutime të hapura për drejtësinë, historinë dhe stabilitetin rajonal, duke ruajtur orientimin euroatlantik dhe bashkëpunimin me aleatët strategjikë.
Komente











Nje "I lumte" e forte per integritetin dhe patriotizmin e Edi Rames!
Përgjigju