Fatos Çoçoli: Kursimi përtej kilovatit 800

Fatos Çoçoli: Kursimi përtej kilovatit 800

Foto ilustruese

Vetëm tre javë më vonë, nga 1 tetori 2022, si qytetarë, energjinë, përtej 800 kilovat-orëve të mbrojtur me 9.5 lekë kilovati, do ta paguajmë 42 lekë për kilovat, ose 4.5 herë më shtrenjtë. Duhet ta pohojmë të gjithë se, për shkak të çmimit të palëvizur të kilovat-orës për familjarët(9.5 lekë nga 1 janari 2015 e deri tani), energjinë elektrike e kemi abuzuar dhe keqpërdorur pothuajse të gjithë, edhe në këto 13 muaj të krizës së paparë energjitike botërore, shtator 2021-shtator 2022.

Konsumi i energjisë eletrike matet me vat në orë, ose me shumëfisha të tij, kilovat(një mijë vat), megavat(një mijë kilovat), gigavat(një mijë megavat),  apo teravat(një mijë gigavat).  Një llampë drite efiçiente konsumon 6 vat në orë, ose afërsisht 0.07 lekë energji elektrike. Një kondicioner normal konsumon 1.5 kWh, me një kosto prej 16.6 lekësh në orë. Familjet shqiptare konsumuan së bashku gjatë vitit të kaluar 2021, 3.1 miliardë kilovat-ore ose 3.1 Teravat. Pjesa tjetër e ekonomisë, përfshirë institucionet publike dhe kompanitë private, konsumuan 3.54 miliardë kWh ose 3.54 teravat. Në rrjet u hodhën gjithsej 8.4 miliardë kWh, nga të cilat, 6.6 miliardë u faturuan dhe afërsisht 1.8 miliardë kilovat-ore humbën(?!).

Po sa energji elektrike shpërdorojmë? Shpërdorimi fillon nga administrata jonë shtetërore, me dritat bashkiake të rrugëve që qëndrojnë ndezur ditëve të verës sapo çel dita, në 5.30 të mengjezit e deri në orën 8 të mëngjezit, kur vjen në punë punonjësi i elektrikut te bashkisë, që t’i fikë, apo me kondicionerët e zyrave që qëndrojnë ndezur edhe kur nëpunësit e dikastereve apo ata bashkiakë nuk janë në zyrë, që kur të vijnë, të “rrinë rehat(!?)”. Duke vazhduar me ne si qytetarë, që harrojmë drita ndezur në dhomat tona gjatë mbrëmjes e natës, apo derën e frigoriferit hapur, apo lajmë rroba me kazanin e lavatriçes të mbushur pak.

Prodhimi dhe bilanci energjitik

Mesatarisht, gjatë pesë viteve të fundit (2017-2021), kemi mbulur me prodhim si vend rreth 83 përqind të energjisë elektrike  që konsumojmë. Pra katër kilovat-orë nga çdo pesë kilovat-orë. Defiçiti mesatar shumëvjeçar është 17 përqind. Nga prodhimi i brendshëm, afër 60 përqind e sigurojmë nga tre hidrocentralet e Kaskadës së Drinit(Fierzë, Koman dhe Vau i Dejës), me kosto të ulët, si dhe 40% nga hidrocentralet private (Ashta, Devolli(HEC i Moglicës), katër hidrocentralet e Kurum, HEC-et e vogla, etj.), ku çmimi është më i lartë, afër çmimit të tregut ndërkombëtar.

Konsumojmë në vit 8.4 teravat ose 8.4 milionë megavat-orë(apo 8.4 miliardë kilovat-orë). Ka vite të mira hidrike, si përshembull viti 2018, apo edhe viti 2021, ku kemi prodhuar më shumë nga sa konsumojmë. Në vitin 2021 prodhuam 106.5 përqind të nevojave.

Tabela 1: Prodhimi i energjisë elektrike
Viti 2017- Vit i thatë                                    5.3 teravat-orë(milionë megavat-orë)
Viti 2018- Vit “i njomë”(me rreshje)            9.3 teravat-orë (TW/h)
Viti 2019- Vit i thatë                                    6.1 teravat-orë (TW/h)
Viti 2020- Vit normal                                   7.8 teravat-orë (TW/h)
Viti 2021- Vit “i njomë”(me rreshje)             8.9 teravat-orë (TW/h)

Mirëpo, paradoksalisht, edhe pse mund të prodhojmë më shumë, nuk arrijmë të kemi “magazinë” për të mbajtur, ruajtur energjinë e tepërt që prodhojmë në disa muaj të vitit. Na duhet, ose ta shesim lirë(sikurse ndodhi në muajt prill-maj 2021, ku shitëm 31 përqind të energjisë së prodhuar), ose ta derdhim ujin e tepërt(duke përmbytur, në disa raste), për të mos rrezikuar digat.

Tabela 2. Bilanci i energjisë elektrike 2022 
1.Prodhimi kombëtar vjetor VIT TEJET I THATË:       5.2 teravat(parashikim)
2.Nevojat për energji elektrike(konsumi)                    8.4 teravat(parashikim)
3.Nevojat për import                                                    3.2 teravat (39%

Pjesa e mbetur e energjisë mbulohet nga importi. Çmimi mesatar aktual(në 9 ditët e para të shtatorit 2022) i importit të energjisë elektrike, sipas të dhënave të bursës së Budapestit, është 493 euro për Megavat-orë.   Rrjedhimisht, kosto që qytetarët do të duhej te paguanin për energjinë do të duhej të ishte pikërisht 42 lekë/kilovat-orë, si mesatare e ponderuar e çmimit të prodhimit nga shteti, çmimit të prodhimit nga privati dhe çmimit të sasisë së importuar, plus kostot e transmetimit dhe shpërndarjes, si dhe, më e rëndësishmja, kostot e humbjeve të energjisë në rrjet.

Humbjet: 1.4 herë më shumë se sa defiçiti energjitik

Shqipëria ka pasur një defiçit mesatar vjetor prej afro 1.2 teravat(TW/h) energji elektrike përgjatë pesë viteve të fundit, me luhatje nga 2.9 TW/h në vitin 2017, në plus 0.9 TW/h në vitin 2018. Ndërkohë, humbjet e energjisë elektrike janë luhatur në 1.6-1.9 TW/h në vit, pra afërsisht 1.4 herë më të larta se sa defiçiti. Shkaqet e humbjeve të energjisë elektrike në masën 20 përqind e të gjithë energjisë së hedhur në rrjet, janë një histori triller dhe mister i vërtetë tek ne. Fillojnë nga fija e telit brenda sahatit matës të energjisë e deri tek “bashkëpunimi” mafioz numërues sahati-sipërmarrës apo familjar që paguan nën dorë. Në botë, norma e zakonshme e humbjeve është 5 përqind e energjisë së hedhur në rrjet. Zyrtarisht, tek ne në Shqipëri, dy të tretat e humbjeve janë teknike, pra për shkak të pajisjeve të rrjetit dhe jo vjedhje.

Tabela 3. Energjia: sa humbim dhe sa vidhet
Humbjet teknike:
1. Mesatarja e humbjeve teknike në botë:            5%
2.Humbjet teknike në Shqipëri:                            13.7%
·Humbim afro 3 herë më shumë se bota. Diferenca janë me qindra miionë euro importe!
Humbjet jo-teknike(vjedhjet):
1.Mesatarja e humbjeve jo-teknike në botë:        2%
2.Humbjet jo-teknike në Shqipëri:                        6.3%
·Vjedhim mbi 3 herë më shumë se bota. Diferenca janë 172 mln euro importe!

Diferenca mes humbjeve në kuota normale 6% dhe asaj aktuale (13%, shumica shpërdorim) është e barabartë me 0.6 TW/h, ose 600 milionë megavat-orë, ose 2.4 miliardë euro, me çmimin e sotëm ndërkombëtar të energjisë. Pra, shpërdorimi i energjise tek ne kushton të paktën 1.8 miliardë euro!

Përse duhet të kursejmë fort

Ja përse duhet të kemi një rregjim të rreptë kursimi. Nëse vjeshta dhe dimri i këtij viti do të jenë me rrjeshje të pakta, pra një vit i keq për prodhimin e energjisë, do të na duhet të paguajmë 30 apo 40% të energjisë së konsumuar me çmimin mbi 400 euro për MW/h. Nëse ndodh kështu, Shqipërisë do t’i duhet të importojë 0.25 apo 0.3 TW/h energji, me një kosto totale prej 1.2 miliardë euro. Në rast se kursejmë fort, këtë shifër mund ta përgjysmojmë! Edhe në humbjet joteknike, pra vjedhjet, situata është e ngjashme. Kuota e pranueshme është 2%, shifër kjo e dhënë në Planin e Rimëkëmbjes, ndërkohë që aktualisht vjedhjet janë në masën 6.3%. Diferenca është e barabartë me 172 milionë euro, me çmimet aktuale të importit.

Kursimi është kryefjala e krizës së sotme energjitike. Qeveria po na ndihmon duke na mbajtur deri në 800 kilovat-orë çmimin e tetë viteve më parë, 1 janarit të vitit 2015. Gati bëri harakiri me ujët e Kaskadës se Drinit, duke vijuar të prodhonte e prodhonte, qe te mos na rriste çmimin, ngaqe kosto e importit te energjise u tetefishua, ne krahasim me importin e gushtit 2021.  Rezultati ishte që në mars të këtij viti, ujët në Kaskadën e Drinit ishte në nivelin historik më të ulët për muajin  mars. Atëhere qeveria nisi importet dhe nga 1 janari 2022 deri në fund të gushtit 2022, ka shpenzuar 280 milionë euro më tepër në importet e energjise.

Tani, çdo familje jonë me të ardhura të pakta, modeste ose edhe të mesme, pra jo pasunare (jemi të tillë 70 përqind e numrit të familjeve shqiptare dhe 28 përqind familje të varfëra), do të mendohet dy herë, përpara se sa të mbajë kondicionerin ndezur kohë e pa kohë. Do të shikojmë me qindra herë sahatin e energjisë elektrike dhe rrotullimet e tij, sidomos në 10 ditorin e fundit të muajit, kur konsumi mund t’i afrohet pragut të 800 kilovatëve. Do të nisim të kursejmë fort. Kurse kursimi në administratën tonë shtetërore vjen vetëm me gjoba të forta mbi pagën e seicilit shpërdorues.

Kush do të shpenzojë energji jo për gjërat më të domosdoshme, do ta ketë kilovat-orën, duke filluar nga kilovat-ora e 801-të, 4.5 herë më të lartë, ose 42 lekë. Është morali i vijimit të ndihmës për të varfërit dhe familjet shqiptare modeste e me të ardhura të mesme, pa rrënuar buxhetin e shtetit. Për pasunarët, ata mund ta kenë energjinë  pafund, edhe dy mijë kilovat-orë të shpenzuar në muaj, por do ta paguajnë fashën nga 801 kilovat-orë e më lart, me 42 lekë për kilovat-orë. Ose do t’u shkojë fatura e energjise elektrike 60 mijë lekë të rinj në muaj. Derisa sa kanë para, sigurisht qe mund ta përballojnë. Edhe pse, është e sigurtë, shumica do të jenë të parët që do të ankohen fort, siç dinë të ankohen zengjinët tanë të rinj. Ndërkohë, fasha 801 kilovat-orë e lart do të disiplinojë dhe ulë ndjeshëm shpenzimin e kotë të energjisë nga familjet tona, sidomos ato me të ardhura të mesme.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës