Fatos Çoçoli: Mbetjet e rrezikshme, ato toksike dhe qeveria shqiptare

Fatos Çoçoli: Mbetjet e rrezikshme, ato toksike dhe qeveria shqiptare

Anija 'Maersk'

Për menaxhimin e mbetjeve, Shqipëria ka një legjislacion të gjerë. Ligji bazë është ligji nr.10 463, datë 22.9.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” i vitit 2011, i cili synon parandalimin e mbetjeve, riciklimin dhe asgjësimin e tyre, për mbrojtjen e shëndetit të njeriut, duke mos vënë në rrezik ujërat, ajrin, tokën, tokën bujqësore, bimët dhe kafshët.

Janë 35 ligje, vendime të Këshillit të Ministrave dhe udhëzime të ministrive të linjës, për menaxhimin e mbetjeve. I gjithë legjislacioni synon grumbullimin e sigurt, riciklimin si dhe asgjësimin, përmes operacioneve të sigurta të mbetjeve që nuk rikuperohen. Një pjesë e legjislacionit parashikon rregulla të hollësishme për ambalazhimin e mbetjeve të rrezikshme, transportimin dhe trajtimin e tyre.

Jo çdo mbetje e rrezikshme është toksike, e dëmshme për njeriun dhe mjedisin

Mbetjet e rrezikshme tek ne, si në çdo vend tjetër në botë, prodhohen nga industria, por edhe nga aktivitete si shëndetësia, etj.. Mbetjet e rrezikshme përbëhen nga prani elementësh ndotës apo helmues për mjedisin dhe për shëndetin e njeriut në mbetjet industriale, në mbetjet spitalore, ne vajrat industrialë apo në mbetje ndërtimore.

Cilat mund të jenë mbetje të rrezikshme?
Mbetje nga aktiviteti industrial
Mbetje nga industria e minierave
Mbetje nga aktiviteti i ndërtimit
Mbetje nga aktiviteti spitalor, etj.

Konventa e Bazelit e vitit 1989, parashikon kushte shumë të veçanta të transportimit të mbetjeve të rrezikshme. Ato duhet të jenë kushte të posaçme për transport. Jo çdo kompani transporti mund te transportojë mbetje të rrezikshme.

Është e rëndësishme të theksohet se qoftë Konventa e mësiperme e Bazelit për kontrollin e lëvizjeve ndërkufitare të mbetjeve të rrezikshme dhe asgjësimin e tyre, qoftë dhe aktet rregullatore të Bashkimit Evropian apo ato kombëtare për eksportin, tranzitimin dhe klasifikimin e mbetjeve, nuk ndalojnë kurrsesi transportin dhe eksportin e këtyre mbetjeve të rrezikshme, në rastin kur ato nuk janë toksike, por vetëm rregullojnë protokollet dhe procedurat e posaçme të autorizimeve dhe të kontrollit të eksportit të tyre.

Mbetjet industriale eksportohen rregullisht nga Durrësi

Tek ne si kudo, kompanitë vendase paguajnë kompani të huaja të specializuara transporti, për dërgimin si eksport të ngarkesave me lëndë të rrezikshme(por jo toksike) jashtë Shqipërisë, në rast se këto ngarkesa kanë vlerë tregtare. 

Zakonisht këto dërgesa, sidomos kur bëhet fjalë për mbetje industriale,  janë kryer përmes konteinerëve rifuxhio(të mbyllur) në portin e Durrësit. Dërgesat janë transportuar rregullisht në vendet tranzit dhe në destinacionet përfundimtare. Deri tani, nuk ka patur reklamime nga autoritetet portuale të porteve ku dërgesat tranzitohen apo destinohen. Pra, asnjë reklamim apo ankesë, nëse dërgesat kanë patur natyrë toksike apo jo.

Historia e dy ngarkesave për në Tajlandë dhe Kinë

Nga ana tjetër, është mëse e vërtetë po ashtu, që, në fillim të gushtit 2024, Rrjeti i Veprimit të Bazelit (BAN), një OJQ ndërkombëtare  që bën fushatë dhe ushtron kontroll në të gjitha dërgesat botërore me anije dhe jo vetëm, kundër eksporteve të mbetjeve toksike, raportoi se 816 tonë mbetje të rrezikshme furre u dërguan nga Shqipëria në Tajlandë dhe Kinë, në bordin e dy anijeve me kontejnerë të kompanisë së mirënjohur ndëkombëtare të transportit Maersk.

BAN deklaroi se anijet besohej se mbanin pluhur toksik të furrës së çelikut, të mbledhur nga filtrat e kontrollit të ndotjes. Të dyja dërgesat ishin të destinuara, njëra me ngarkesën e emërtuar oksid/hidroksid hekuri (lëndë që nuk klasifikohet toksike), për t'u dorëzuar në Portin Laem Chabang në provincën Chon Buri, Tajlandë dhe tjetra me ngarkesën e emërtuar koncentrat zinku(po ashtu lëndë që nuk klasifikohet toksike), për në Portin e Nanning, në Kinë. Si autoritetet portuale tajlandeze, ashtu dhe ato kineze i bllokuan ngarkesat, pasi u njoftuan nga BAN.

Reagimi i drejtë i qeverisë sonë

Qeveria jonë, përmes një njoftimi për shtyp të përbashkët të djeshëm të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, deklaroi se, në këto rrethana, nuk mundet që Shqipëria të pranojë a priori rikthimin e ngarkesave të tilla, vetëm mbi bazën e dyshimeve e të spekullimeve, pa realizimin e analizave shteruese dhe provave ligjore të besueshme dhe të verifikueshme.

Ky është një veprim i drejtë. Në lojë nuk është kosto e dërgimit apo e rikthimit të anijeve, por imazhi i vendit dhe i strukturave ligjzbatuese të tij. Nuk ka asnjë të dhënë apo tregues, apo indicie, që autoritetet tona portuale, doganore apo të policisë kufitare detare të jenë sjellë jo në përputhje me ligjin, në të dyja rastet e dërgesave ndërkombëtare të nisura nga Porti i Durrësit.

Është shumë mirë po ashtu, që qeveria reagoi menjëherë dhe fort, me shkëmbim intensiv të informacionit dhe duke hapur një hetim të përbashkët me Zyrën e Bashkimit Evropian kundër Mashtrimit (OLAF).

Veprimi me kokë poshtë i Kurum International

Reagimi i gabuar dhe krejtësisht jo i dobishëm për investuesin e huaj, është ai i kompanisë turke Kurum International, nga e cila ka ardhur ngarkesa e deklaruar me oksid apo hidroksid hekuri, ngarkesë e dërguar për në Tajlandë. Kompania Kurum pushoi dje punën në uzinat e saj, duke deklaruar si arësye remontin e uzinave dhe duke lënë përkohësisht pa punë 500 punonjësit shqiptarë të këtyre uzinave. Nuk është e vështirë për të bërë lidhjen mes ndërprerjes së  punës nga Kurum International dhe reagimit të fortë dhe të drejtë të qeverisë shqiptare, për t’u thelluar dhe për të hetuar më shumë, në rastin e denoncuar nga Rrjeti i Veprimit të Bazelit të dërgesës së oksid/hidroksid hekurit në Tajlandë. 

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Anti-berishistët mbledhin firmat për partinë e re, a do të mbështetet?



×

Lajmi i fundit

Kurum mbyll dyert pas skandalit me mbetjet, ish-ministri Malaj: Kërcënon të lërë qindra familje pa punë, kriminale! Qeveria të mos e tolerojë

Kurum mbyll dyert pas skandalit me mbetjet, ish-ministri Malaj: Kërcënon të lërë qindra familje pa punë, kriminale! Qeveria të mos e tolerojë