Pas 21 ditësh protestash të pandërprera në Tiranë, mbrëmë, organizatorët apo grupe protestuesish, paralajmëruan se, nëse qeveria nuk do të japë dorëheqjen brenda afatit të shpallur prej tyre, pra brenda ditës së sotme, ata do të kalojnë në fazën e mosbindjes civile.
Kalimi në mosbindjen civile ngre pikëpyetje të rëndësishme jo vetëm për të ardhmen e vetë protestës, por edhe për ndikimin që një përshkallëzim i tillë mund të ketë mbi sigurinë e vendit, mbi qendrueshmërinë e tij, mbi gjasat e integrimit në Bashkimin Evropian dhe në tërësi, në jetën politike, ekonomike dhe institucionale të vendit.
Çfarë është mosbindja civile?
Mosbindja civile është një formë proteste që konsiston në refuzimin e zbatimit të disa rregullave publike, vendimeve ose procedurave, të konsideruara të padrejta nga protestuesit. Në historinë moderne, ajo është përdorur si instrument presioni politik në vende të ndryshme dhe në kontekste të ndryshme.
Për shembull, në formë reagimi ndaj mos-dorëheqjes së qeverisë, protestuesit mund të bllokojnë sërisht, sikurse e bënë pak ditë më parë për një orë arterien jetike të transportit në vend, autostradën Durrës-Tiranë. Mund ta bllokojnë për shumë orë rradhazi apo me afat të pacaktuar. Mund të bllokojnë akse të tjera jetike rrugore të vendit që të sjellin në Tiranë.
Ekziston një dallim i rëndësishëm midis mosbindjes civile paqësore, e cila synon të sensibilizojë opinionin publik, dhe veprimeve që çojnë në bllokimin e institucioneve, paralizimin e shërbimeve apo cenimin e të drejtave të qytetarëve të tjerë.
Protestuesit, ndoshta duke mos i ditur llojet e mosbindjes civile, nuk e kanë cilësuar si do të jetë ajo, si kundërpërgjigje e mos-doreheqjes së qeverisë. Nëse mosbindja civile e paralajmëruar do të ofrojë veprime me përmbajtje bllokimi aksesh dhe dhune, vendi ynë do të humbasë for në qendrueshmërinë dhe sigurinë e tij. Dhe bashkë me të, humbësja kryesore do të jetë industria numër një e vendit, turizmi. Kjo industri na jep çdo ditë vere 38 milionë euro të ardhura.
Nëse pronotimet për në Shqipëri bien për shkak të alternativës së dhunës që mund të marrë protesta, humbjet brenda vetëm një muaji mund të shkojnë mbi 300 milionë euro me pak për dhjetëra mijëra familje shqiptare që kanë të ardhura të qendrueshme nga turizmi.
Nga protesta simbolike tek përshkallëzimi i tensionit
Një protestë 21-ditore përfaqëson një akt të gjatë rezistence dhe këmbënguljeje politike. Por kur objektivi kalon nga shprehja e pakënaqësisë në përpjekjen për të detyruar dorëheqjen e qeverisë, përmes presionit të vazhdueshëm në rrugë, protesta hyn në një fazë të re.
Mosbindja civile mund të çojë në bllokim të rrugëve dhe akseve kryesore kombëtare, në ndërprerje të aktivitetit normal ekonomik, në vështirësi më të mëdha në qarkullimin e qytetarëve dhe mallrave, në përplasje më të forta politike dhe sociale, si dhe në rritje të tensioneve mes institucioneve dhe protestuesve. Këtë duam me thirrjet-kërkesa për “Një Shqipëri ndryshe”?
Në këtë situatë, vëmendja mund të largohet nga kauza fillestare dhe të përqendrohet tek pasojat e tensionit dhe konfliktit të krijuar.
Shqipëria ndodhet në një moment ku ekonomia, turizmi dhe investimet e huaja konsiderohen ndër shtyllat kryesore të zhvillimit të saj. Çdo periudhë e gjatë pasigurie politike apo sociale mund të ndikojë negativisht në perceptimin e investitorëve.
Këtë duam ne për vendin tonë? Nëse mosbindja civile shoqërohet me bllokime të zgjatura apo tensione të vazhdueshme, mund të krijohen sinjale negative për aktorët ekonomikë, veçanërisht në sektorët e turizmit, transportit dhe investimeve strategjike.
Sot Shqipëria ka disa objektiva madhore strategjike, si vijimin e procesit të integrimit të shpejtuar në Bashkimin Evropian, forcimin e shtetit të së drejtës, tërheqjen e investimeve të huaja, zhvillimin e infrastrukturës moderne dhe rritjen e rolit të saj në projektet rajonale dhe euroatlantike.
Çdo krizë e gjatë politike rrezikon të zhvendosë vëmendjen nga këto përparësi të venbit tonë. Partnerët ndërkombëtarë vlerësojnë pluralizmin dhe lirinë e protestës, por njëkohësisht presin që konfliktet politike të adresohen përmes dialogut dhe mekanizmave demokratikë.
A është mosbindja civile zgjidhje, apo rrugë pa dalje?
Organizatorët e protestës ndoshta mendojnë se mosbindja civile është një mjet legjitim, kur institucionet kryesore të Shtetit nuk po i dëgjojnë kërkesat e tyre. Pa u shqetësuar, ndoshta, se presioni i vazhdueshëm jashtë institucioneve mund të dobësojë kulturën demokratike në vend, të forcuar pikësisht këto ditë nga protesta e tyre paqësore.
Në momentin që ata do t’i dorëzohen tërheqjes nga format e mosbindjes civile me veprime bllokuese(pra, duan, s’duan, të dhunshme), atëhere ata shndërrohen, edhe pa e kuptuar, në pjesë të problemit dhe krijojnë shembuj problematikë për të ardhmen, të krijuar deri tani nga opozita formale e shashkave dhe molotovëve, të cilën kanë bërë mirë që nuk e kanë qasur mes tyre.
Në një demokraci funksionale, ndryshimet politike afatgjata zakonisht arrihen përmes organizimit politik, debatit publik, zgjedhjeve dhe forcimit të institucioneve. Kur mungon një alternativë e qartë politike dhe fokusi mbetet vetëm tek rrëzimi i qeverisë, rritet rreziku që energjia qytetare të mos prodhojë një zgjidhje konkrete, por t’i bëhet barrë zhvillimit të qendrueshëm të vendit.
Komente







