Më 14 mars 2025 do të hapet Tuneli i Murrizit, vepra kryesore e Rrugës së Arbrit, për përdorim për të gjitha automjetet, ndërkohë që do të vijojë puna në tunelin ndihmës, atë të emergjencës.

Tuneli i Murrizit, me gjatësi prej 3,78 kilometra, përfaqëson një nga tunelet më të vështirë të hapur në Ballkanin Perëndimor, për shkak të formacionit gjeologjik mbi të cilin u punua, me prani të jashtëzakonshme ujrash nëntokësorë.

Hapja e këtij tuneli e bën të përdorueshme të gjithë Rrugën e Arbrit, një nga rrugët kombëtare më të rëndësishme, e cila do të shënojë rritje ekonomike dhe të sektorit të turizmit për të gjithë Verilindjen e Shqipërisë.

Aktualisht po punohet për detajet e fundit të përfundimit të tunelit, si dhe instalimin dhe montimin e pajisjeve të nevojshme dhe hedhjen e shtresave asfaltike në segmentin dalës të tunelit.

Tuneli i Murrizit përbëhet nga dy tunele, ai i trafikut dhe ai i emergjencës. Ky tunel ka 11 dalje.

Të dhënat e Rrugës së Arbrit

Në tërësi Rruga e Arbrit ka 7 tunele, me gjatësi totale 8,5 km.

Rruga e Arbërit do të bëhet një korridor lidhës i rëndësishëm Lindje-Perëndim në Ballkanin Perëndimor. Jo vetëm do të afrojë qytetarët e Tiranës e gjithë Shqipërisë me Dibrën dhe Maqedoninë e Veriut, por do të jetë një arterie e zhvillimit ekonomik dhe të turizmit të Shqipërisë dhe Dibrës së Madhe në Maqedoninë e Veriut.

Rruga e Arbërit lidh rajonet lindore dhe verilindore të Shqipërisë, duke përmirësuar transportin e banorëve që jetojnë në zonat në të cilën kalon rruga, si dhe siguron transportin e burimeve natyrore nëntokësore, siç është kromi, nga Bulqiza, për në portin e Durrësit, ku ky krom më pas eksportohet.

Përfundimi i këtij aksi rrugor brenda 15 marsit të këtij viti, me një gjatësi rreth 74 km, do të shkurtojë në mënyrë të ndjeshme rrugën ekzistuese që përdoret sot nga Tirana për në Peshkopi, me gjatësi 180 km. Jo vetëm përfitojmë një rrugë të re me standarde evropiane, por edhe shkurtojmë kohë dhe arrijmë në Dibër dy herë e gjysmë më herët nga sa e bënim më parë.

Rruga do të shtojë ndjeshëm nivelin e jetesës dhe do të gjallërojë ekonominë e zonave në të cilat kalon, kryesisht në Qarkun e Dibrës, i cili ka një popullsi rreth 130,000 banorë. Rruga e Arbërit lidh jo vetëm rajonet lindore dhe verilindore të Shqipërisë duke përmirësuar transportin dhe jetën e banorëve që jetojnë në zona, të cilat kanë qenë shumë pak të zhvilluara dhe gati të izoluara deri tani, por, nga ana tjetër, ky aks rrugor kombëtar dhe strategjik, do të jetë rruga më e shkurtër që lidh Tiranën me Dibrën e Madhe në Maqedoninë e Veriut, dhe më tej me Tetovën dhe Shkupin.

Gjurma e "Rrugës së Arbërit", që në historinë e popullit tonë njihet si rruga e Karvaneve, ose pjesë e rrugës së vjetër romake Egnatia, e cila e ka lidhur historikisht Tiranën me Dibrën, më 15 mars 2025 do të bëhet pjesë e Korridorit të Tetë paneuropian.

Kjo vepër është në përputhje me programin e qeverisë shqiptare për përmirësimin e kushteve të jetesës të zonave më pak të zhvilluara, duke modernizuar dhe zhvilluar infrastrukturën. Ajo po ndërtohet sipas standardeve optimale evropiane. Investimi në të, krahas dhjetra veprave të artit dhe rrugëve dytësore, parashikon edhe mbjelljen e pemëve në të dyja anët e rrugës.

Rruga e Arbërit-pjesë e Korridorit të Tetë

Vazhdimi i Rrugës së Arbrit në territorin e Maqedonisë së Veriut do të realizohet përmes kufirit shtetëror në Gjoricë, ku rruga kalon për në qytetin e Dibrës. Distanca nga Dibra deri në Gostivar është 65 kilometra, nga Gostivari deri në Tetovë 25 kilometra, kurse nga Tetova në Shkup 45 kilometra. Kështu, distanca totale nga Tirana deri në Shkup, përmes Peshkopisë dhe Dibrës, do të jetë rreth 210 kilometra.

Në këtë mënyrë, Rruga e Arbërit bëhet pjesë e pandarë e Korridorit të Tetë. Rruga do të përshkohet me shpejtësi mesatare 80 km/orë, duke mënjanuar në maksimum ngjitjet malore, pavarësisht se përgjatë saj, ajo ndërpret vargmale me lartësi mbi 1500-2000 metra.

Është një rrugë mjaft panoramike dhe tërheqëse për turistët. Dibranët e kanë ëndërruar për dekada me rradhë këtë rrugë, e cila vonoi të realizohej. Në vitin e kaluar, zonën e Matit, Bulqizës dhe Dibrës e kanë vizituar 88 mijë turistë. Në sajë të Rrugës së Arbërit, brenda pak vitesh, këto zona kaq të bukura e mikpritëse të Verilindjes së Shqipërisë, do të vizitohen nga një numër dhjetë herë më i madh turistësh.

Qytetarët dhe ekonomia e këtyre zonave presin me padurim përfundimin e Rrugës së Arbërit më 15 mars, për të vendosur të gjitha shanset e zhvillimit në prodhimin dhe përpunimin në shkallë industriale të frutave dhe perimeve të njohura të rajonit, si dhe në turizmin rural, bazuar në bukuritë natyrore, mikpritjen e jashtëzakonshme dibrane dhe jetën e gjallë e plot tradita të qyteteve dhe fshatrave të Qarkut Dibër.