Dëmi më i madh ekonomik i demonstratave të dhunshme në Tiranë gjatë periudhës 13–16 tetor 2026 mund të mos jetë ai që shihet në pamjet televizive. Ai mund të shfaqet në ditët dhe muajt e ardhshëm, përmes anulimit të rezervimeve turistike, uljes së numrit të vizitorëve, shtyrjes së investimeve dhe dobësimit të imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë.
Një vitrinë e thyer, një kioskë e djegur apo një biznes i detyruar të mbyllë qepenat përfaqësojnë dëme të drejtpërdrejta. Por kur pamjet e dhunës shpërndahen në mediat ndërkombëtare dhe në rrjetet sociale, pasoja mund të shtrihet shumë përtej vendit ku ndodhi incidenti.
Një turist që sheh pamje të përplasjeve me siguri zgjedh një destinacion tjetër. Një operator turistik i huaj pezullon një paketë udhëtimi. Një kompani e huaj shtyn një vizitë për vlerësimin e një investimi. Një konferencë ndërkombëtare vendos të zhvendoset në vend tjetër.
Në secilin rast, Shqipëria rrezikon të humbasë të ardhura që nuk rikuperohen lehtë.
Për këtë arsye, diskutimi për sigurinë publike nuk është vetëm një çështje rendi apo politike. Ai është një çështje ekonomike, që lidhet me punësimin, të ardhurat e bizneseve, investimet dhe mirëqenien e qytetarëve.
Turizmi shqiptar përballë një rreziku humbje prej miliarda eurosh aktivitet ekonomik
Industria turistike shqiptare parashikohej të gjeneronte gjatë vitit 2026 rreth 6.3 miliardë euro volum aktiviteti të formalizuar dhe rreth 2.7 miliardë euro nga veprimtaria turistike informale. Një vëllim xhiroje rreth 28 përqind të prodhimit kombëtar të vendit.
Këto shifra japin një ide për përmasat e interesave ekonomike që lidhen me turizmin. Kjo industri përfshin një zinxhir të gjerë veprimtarish: hotele, bujtina, restorante, bare, transport, guida, agjenci udhëtimi, tregti, aktivitete kulturore dhe shërbime të tjera.
Një rënie e numrit të turistëve nuk prek vetëm strukturat e akomodimit. Ajo prek edhe furnitorët, fermerët që u shesin produkte restoranteve, shoferët, punonjësit sezonalë, dyqanet dhe bizneset e vogla që varen nga shpenzimet e vizitorëve.
Në një ekonomi si e jona, ku turizmi ka marrë rol gjithnjë e më të rëndësishëm, siguria dhe imazhi i destinacionit janë pjesë e drejtpërdrejtë e konkurrueshmërisë së ofertës turistike shqiptare. Ajo sot qëndron e dëmtuar rëndë, nëse trazirat vazhdojnë
Tirana, porta hyrëse dhe destinacioni kryesor i turizmit urban
Tirana nuk është vetëm qendra administrative dhe politike e Shqipërisë. Ajo është një destinacion i rëndësishëm për turizmin urban, udhëtimet e biznesit, konferencat, vizitat kulturore dhe qëndrimet e shkurtra të turistëve të huaj.
Kryeqyteti shërben gjithashtu si pikë nisjeje për vizitorët që udhëtojnë drejt qyteteve të tjera, bregdetit, zonave malore dhe parqeve natyrore.
Kjo do të thotë se një problem serioz i perceptimit të sigurisë në Tiranë ndikon fort edhe tek imazhi i destinacioneve të tjera shqiptare.
Humbja e mundshme nga anulimet e rezervimeve turistike dhe reduktimi i vizitave vlerësohet në rreth 260 milionë euro, nëse dhuna dhe vandalizmi vazhdojnë dhe ndikojnë ndjeshëm në kërkesën turistike.
Kjo shifër duhet kuptuar si një skenar rreziku, jo si një humbje e provuar apo e matur deri më 16 tetor 2026.
Turizmi ka një efekt zinxhir në ekonomi. Kur një turist anulon një qëndrim në Tiranë, humbja nuk është vetëm pagesa e dhomës së hotelit. Anulohen edhe darka në restorant, transporti nga aeroporti, blerjet në dyqane, vizitat kulturore dhe shërbimet e guidës.
Nëse bizneset turistike humbasin të ardhura, ato ulin porositë ndaj furnitorëve, shkurtojnë orët e punës ose shtyjnë punësimet. Kështu, një goditje fillestare përhapet tek bizneset e tjera. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për bizneset e vogla, të cilat kanë rezerva më të kufizuara financiare dhe mund ta përballojnë më me vështirësi një periudhë të papritur rënieje të aktivitetit.
Bizneset në qendër të Tiranës: dëme materiale dhe humbje të aktivitetit
Për tregtarët dhe sipërmarrësit në zonat ku zhvillohen demonstrimet e dhunshme të vandalëve me shkatërimet dhe plaçkitjet e tyre, pasojat mund janë të menjëhershme. Dëmtimi i vitrinave, dyqaneve dhe pajisjeve krijon kosto riparimi. Mbyllja e përkohshme sjell humbje shitjesh. Punonjësit nuk shkojnë në punë për arsye sigurie, ndërsa klientët shmangin zonën, edhe pasi situata të jetë qetësuar.
Janë dy kategori dëmesh reale: dëmi i drejtpërdrejtë material dhe humbja e të ardhurave që do të ishin realizuar në kushte normale. Të dyja dëmet sot llogariten në 8-10 milionë euro në bastisjet në 15 degë bankash, 78 njësi tregtare dhe biznese të ndryshme, nga ato të celularëve tek kioskat.
Dëmi i deritanishëm në financat publike me shkatërrimin e 168 semaforëve të qendrës dhe rrugëve kryesore të Tiranës është në nivel 18 milionë euro. Në total, financat publike me dëmtimet e tjera të institucioneve të Shtetit(djegjet, thyerjet, shkatërrimet, e deri tek 250 koshat e hedhurinave), shkon në 55 milionë euro.
Investimet e huaja: dëmi që mund të shfaqet muaj më vonë
Një nga pasojat më të vështira për t'u matur, të paqëndrueshmërisë dhe humbjes së imazhit të sigurisë së vendit është ndikimi tek investimet e huaja direkte.
Vendimet për investime merren pas analizimit të tregut, kostove, fuqisë punëtore, taksave, infrastrukturës, sistemit ligjor dhe rreziqeve politike e të sigurisë. Një episod dhune nuk e anulon automatikisht interesin e një investitori, por përsëritja e incidenteve dhe pasiguria për reagimin institucional ndikojnë fort në vlerësimin e rrezikut.
Një kompani mund të shtyjë një vizitë, të kërkojë garanci shtesë ose të zgjedhë një treg alternativ. Në raste të tilla, humbja mund të mos shfaqet menjëherë në statistikat e investimeve, por në projektet që nuk realizohen apo që shtyhen.
Në tërësi, ajo mund të shkojë deri në 250 milionë euro, në frenimin e investimeve të huaja direkte, të cilat për periudhën janar-qershor 2026 ishin 1.14 miliardë euro.
Për Shqipërinë, sfida është që të mos lejojmë që një krizë e përkohshme e sigurisë të kthehet në një perceptim afatgjatë të paqëndrueshmërisë.
A po synohet paralizimi i jetës ekonomike të vendit?
Nëse bizneset mbyllen nga frika, nëse shërbimet ndërpriten dhe nëse punonjësit nuk mund të shkojnë në punë për shkak të vandalizmave dhe huliganëve, atëherë jeta ekonomike pësojë një çrregullim real.
Ekonomia nuk funksionon vetëm përmes kapitalit, mallrave dhe shërbimeve. Ajo mbështetet edhe te siguria, parashikueshmëria dhe besimi. Kur qytetarët druhen të dalin nga shtëpia, kur bizneset nuk janë të sigurta nëse mund të hapin dyert dhe kur punonjësit shqetësohen për udhëtimin drejt vendit të punës, pasojat shtrihen në disa drejtime.
Nëse këto pasoja mbeten të kufizuara në kohë dhe hapësirë, ndikimi makroekonomik mund të jetë i përballueshëm. Nëse përsëriten dhe përhapen, rreziku për besimin e bizneseve dhe konsumatorëve bëhet serioz.





Komente
Komento