Fatos Klosi: Amerikanët e kanë ‘halë në sy’ Berishën, ja mesazhi që i çuan me zhdukjen nga fotot e Baker

Fatos Klosi: Amerikanët e kanë ‘halë në sy’ Berishën, ja mesazhi që i çuan me zhdukjen nga fotot e Baker

Fatos Klosi

Vendimi i Departamentit Amerikan të Shtetit për futjen në listën e zezë të Sali Berishës dhe familjes së tij dhe shpalljen e tyre “non grata”, duke iu ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishte fundi i palavdishëm i një politikani që për 30 vite ka bërë historinë politike të demokracisë në Shqipëri.

Akuzat e tij për korrupsion dhe se ka minuar demokracinë , por dhe reagimi i vetë Sali Berishës ka shkaktuar mjaft debate në vend, pasi ish-kryeministri çdo ditë po shfaqet tejet aktiv, duke treguar se është proamerikan. Por për të mësuar më shumë rreth kësaj çështje, gazeta bisedoi dje me ish-kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi.

Ky i fundit gjatë një interviste për gazetën “SOT”, deklaroi se vendimi i SHBA është i kopsitur dhe se provat për akuzat ekzistojnë, pastaj është në dorë të drejtësisë shqiptare se si do të reagojë për rastin. Madje, zoti Klosi theksoi se amerikanët e kanë “halë në sy” Berishën dhe se sipas tij, me shpalljen “non grata” SHBA bëri hapin e parë që në Shqipëri nuk e bënte dot askush për ish-kryeministrin.

Sa i takon kujtesës që ambasada amerikane në Tiranë i bëri pak ditë më parë vizitës së ish-Sekretarit Amerikan të Shtetit, James Baker, i cili vizoi Tiranën 30 vjet më parë, në 22 qershor të vitit 1991 dhe faktit që ish-kryeministri Berisha nuk ishte prezent në fotot e publikuara në rrjetet sociale nga selia diplomatike, ish-kreu i SHISH deklaroi se ky ishte një mesazh i qartë për ish-liderin demokrat.

-Zoti Klosi, më 22 qershor u shënuan plot 30 vite nga dita kur ish-Sekretari Amerikan i Shtetit, James Baker zhvilloi një vizitë historike në Tiranë. Vizita e tij ishte e para e një udhëheqësi perëndimor pas lejimit të pluralizmit në Shqipëri, ndërkohë në sheshin “Skënderbej” atij iu bë një pritje madhështore nga qytetarët. Por në lidhje me këtë vizitë ka reaguar edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, e cila në rrjetet sociale kujton këtë ditë të shënuar, ndërsa ra në sy fakti që në fotot e promovuara nga selia diplomatike mungonte ish-kryeministri Sali Berisha. Si e shkoni faktin që ambasada ka hequr nga fotoja Berishën?

Vizita e Sekretarit Amerikan të Shtetit, James Baker në 22 qershor të vitit 1991, ishte një vizitë historike dhe tregonte se lidhjet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin mbetur gjallë te populli shqiptar. Fakti që rreth 300,000 shqiptarë mbushën sheshin “Skënderbej” duke i rezervuar një pritje madhështore, e ngulitur në kujtesën e të gjithëve, për mua tregon se ne jemi një popull pro-amerikan që e duam lirinë dhe demokracinë. Por për të dalë tek pyetja tuaj, dua të theksoj se ambasada përmes reagimit të saj që ka kujtuar vizitën e Sekretarit Baker, i ka dërguar edhe një mesazh Sali Berishës që për ta ai është person “non grata”. Pra, në kushtet kur amerikanët e kanë shpallur person të padëshiruar Saliun dhe familjen e tij, do të thotë se ai nuk ka vend si në rrjetet sociale, si në tokën amerikane dhe si në histori. Kjo do të thotë se një njeri siç është Saliu nuk hyn dot në tokën amerikan edhe në ambasadë nuk hyn dot, se kjo e fundit është tokë amerikane, pra e kam fjalën për mesazhet dhe reagimet. Por përtej kësaj, unë e lexoj si mesazh të fortë, pasi amerikanët nuk e kanë vënë kot “non gratin” për Saliun, pasi dinë shumë për të. Ndërkohë, po ta analizojmë me kujdes këtë çështje, tregon se për amerikanët kur je “non grata”, nuk ke vend më dhe se ata të kanë “halë në sy”. Pra, mos e lodhni veten kot, pasi për një gjë të jeni të sigurt, që Uashingtoni di shumë gjëra për Berishën, më shumë se ty dhe unë.

-Dakord! Por ish-kryeministri Sali Berisha pretendon të kundërtën. Përveçse thotë se është i pafajshëm sa i takon vendimit të DASH për të, në rrjetet sociale ai e ka shitur vizitën e ish-Sekretarit Amerikan të Shtetit, James Baker si prodhim të tijin, ku qytetarët në sheshin “Skënderbej” në 22 qershor të ‘91 i nxori ai dhe se ai ka pasur raporte të mira me amerikanët. Keni një koment?

Amerikanët kanë mbajtur një qëndrim për Berishën, siç është vendimi për ta shpallur person “non grata” dhe kjo është një gjë shumë e madhe. Nuk të shpallin amerikanët kot person të padëshiruar. Kështu që në rastin e Berishës ata kanë hetuar shumë, përpara se të merrnin vendimin. Amerikanët përpara se të hedhin një hap mendohen shumë dhe në rastin e Saliut, por edhe të personave të tjerë, Departamenti Amerikan i Shtetit ka prova dhe fakte që merr kësisoj vendimesh. Kështu që, fakti që Berisha po bën si pro-amerikan, tregon se ai është tmerruar. Sali Berisha gjithmonë ka treguar se unë jam proamerikan dhe përmes këtyre lëvizjeve të fundit, ai kërkon të tregohet i pafajshëm dhe gjithashtu kërkon t’i thotë opinionit publik se është i pafajshëm dhe se amerikanët janë ngutur që kanë marrë vendimin për ta shpallur atë “non grata”. Por e vërteta është krejt ndryshe dhe se qytetarët në shesh dolën 30 vjet më parë jo nga Berisha, por nga ndenja pro-amerikane dhe etja për demokraci që kishin. Si të ishte Saliu, si të ishte dikush tjetër në krye të opozitës së asaj kohe, Sektari Amerikan do ta vizitonte Shqipërinë dhe mesazh do t’i jepte. Pra, si përfundim pretendimet e Berishës nuk qëndrojnë dhe se Saliu gjithë jetën do të thotë që: “Në kam miq senatorë e kongresmenë dhe se këta që janë sot në pushtet në Amerikë i kanë rënë në qafë kot”. Nga ana tjetër, dua të theksoj se Berisha është njeri i prapaskenave, i kulisave dhe që i pëlqen të bëjë karrierë, duke shfrytëzuar situatën dhe syrgjynosur kundërshtarët. Berisha është njeriu dhe politikani që i bën të tërë për të dalë në krye. Saliu është një karrierist tipik. Kështu që besoj se duke pasur këto aftësi, ai po shfrytëzon momentalisht situatën për t’u rikthyer në krye të Partisë Demokratike që të jetë “imun” ndaj amerikanëve dhe akuzave të ngritura prej tyre për të. Por nuk besoj se do ia dalë.

-Po lëvizjet e fundit të Berishës që nga një anë shfaqet si pro-amerikan dhe nga ana tjetër hedh në gjyq amerikanët, këtu e kam fjalën për Sekretarin Blinken, si i shikoni?

Unë e kamë thënë edhe herë të tjera që Berishës i pëlqen blofi dhe e ka luajtur gjithë kohën. Me hedhjen në gjyq Berisha luan blofin, pasi kërkon të dërgojë një mesazh para njerëzve të tij, para atyre që e kanë mbështetur, duke treguar që “shiko, unë jam i ndershëm, bile guxoj të hedh në gjyq Sekretarin e Shtetit, guxoj të kërkoj të drejtën time, në nivele të tilla të larta, që shqiptarët se imagjinojnë dot”. Saliu është i vetmi që e ka bërë këtë gjë. Dallohet që është një blof. Për mua është absolutisht një blof. Nuk ka shanse të bëhet gjyq, kur një palë është Departamenti i Shtetit dhe pala tjetër…

-A rrezikon që Berisha të jetë subjekt i Prokurorisë Speciale, pas akuzave të Departamentit Amerikan të Shtetit se ka qenë i përfshirë në korrupsion dhe ka minuar demokracinë?

Amerikanët kanë akuzuar publikisht Sali Berishën si i përfshirë në korrupsion dhe tashmë mendoj se këto akuza duhet t’i vlerësojë Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Kështu që nuk kam ndonjë koment tjetër.

-Pas Berishës a do ketë të tjera shpallja “non grata”?

Absolutisht po! Ka shumë zyrtarë, që kanë pasur poste të larta në Shqipëri që mund të përfshihen në vendimet e DASH.

-Po raportet Berisha-Meta si i shikoni dhe do vijojnë të jenë të njëjta, sidomos pas shpalljes “non grata” të ish-kryeministrit demokrat nga Departamenti Amerikan i Shtetit 19 majin e këtij viti?

Ilir dhe Saliu kanë pasur gjithmonë raporte të mira. Por fakti që kanë rënë në heshtje, tregon se vendimi i DASH si duket i ka trembur. (Qesh).

-A kanë amerikanët dhe vendet partnere dosje për të korruptuarit shqiptarë?

Shumë! Madje më shumë se sa mendoni ju. Amerika është shteti më i fuqishëm i botës dhe fakti që ata shpallin një ish-kryeministër shqiptar “non grata”, tregon se ata dinë shumë dhe kanë shumë të dhëna për zyrtarët dhe politikanët e korruptuar shqiptarë. Amerikanët dinë edhe çfarë numri e ke këmbën ti…

-Po Berisha rrezikon të jetë subjekt i organeve të reja të drejtësisë, duke qenë se shumë dosje të bujshme si “Gërdeci” dhe “21 Janari” janë rihapur nga Struktura e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit?

Unë them që Sali Berisha duhet të jetë i rrezikuar nga SPAK, pastaj është apo jo këtë nuk e kam shumë të sigurt sepse ai është vërtet një burrë shumë i zoti. Berisha është sipas asaj fjalës së urtë: “Di të vjedhësh? Di. Di të fshehësh? Nuk di”. Mos vidh pra. Berisha është i zoti, ai nuk ka lënë dokumente. Ai edhe në Këshillin e Ministrave kur ka qenë në pushtet, ka firmosur vetëm vendime kolektive. Kështu që Berishën nuk e kap dot. Por ka mekanizma të tjerë plot. Nëse ka krim në valle, krimi nuk është vetëm tek një njeri. Nuk e bën dot një njeri i vetëm. Ajo që ka ndodhur ka implikuar edhe emra të tjerë dhe mbase kështu dalin edhe emrat e atyre që kanë qenë të zotë të fshehin gjurmët. Pra, ka ardhur koha që ngjarjet e rënda të hetohen. Unë nuk mund të them dot Berisha, por për mua Saliu ka përgjegjësi për këto krime. Pastaj do të dalë përgjegjësia në rrafshin ligjor, unë e them në konceptimin moral dhe njerëzor, që Sali Berisha ka përgjegjësi për “Gërdecin”. Berisha është “peshkaqen”, jo “peshk”. Kjo do të thotë se prokurorët e SPAK-ut duhet të tregohen të guximshëm dhe të mos frikësohen më përpara Saliut dhe kujtdo tjetër që ka kryer krime dhe ka bërë korrupsion në Shqipëri. Megjithatë, dua të shtoj se nga dënimi i Berishës dhe kujtdo që ka bërë krime dhe korrupsion, fitojnë qytetarët dhe Shqipëria, në mënyrë që këto gjëra të mos përsëriten më. Pra, ka ardhur koha që ngjarjet e rënda të hetohen, sikundër janë 2 dosjet e sipërpërmendura.

-Le të përqendrohemi tek reforma në drejtësi. Si ju duket ecuria e reformës?

Fakti që drejtësia ka nisur të lëvizë është një ogur i mirë. Gjithmonë fillimet janë të vështira, por unë jam i sigurtë që po filluan ato do të vijojnë me intensitet të lartë. Reforma në drejtësi dhe organet e reja të dala prej saj mbështeten nga ndërkombëtarët dhe besoj se do të vijnë ditë të vështira për politikanët dhe gjyqtarët e prokurorët e korruptuar. Arrestimet e ditëve të fundit në radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, janë një mesazh i qartë që nuk ka më livadhisje dhe ushtrim të korrupsionit. Kjo do të thotë se përderisa ka nisur goditja në sistemin e drejtësisë, ku prokurorët e SPAK nuk po tolerojnë as kolegët e tyre, besoj se ata do të jenë edhe më të ftohtë me politikanët. Nuk turpërohen më dhe nuk kanë frikë prokurorët, pasi ata kanë mbështetjen e ndërkombëtarëve dhe besoj do ta çojnë përpara luftën kundër korrupsionit në Shqipëri. Pra, ka ardhur koha që prokurorët e SPAK të mos tremben, por të guxojnë dhe të çojnë para drejtësisë gjithë kastën e zyrtarëve të korruptuar në Shqipëri, pasi nëse nisin procedim penal ndaj një zyrtari apo politikani të korruptuar, ata nderojnë veten në radhë të parë dhe respektojnë ligjet e vendit.

-Meqenëse jemi këtu, pak ditë më parë ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim bëri thirrje, ndërsa deklaroi se reforma në drejtësisë nuk ka kthim pas dhe se politika sipas saj, duhet t’i mbajë larg duart nga organet e reja të drejtësisë. Si e lexoni ju këtë mesazh të fortë të ambasadores Kim?

Deklarata e ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim është një mesazh i qartë që reforma në drejtësi nuk ka kthim pas dhe se ajo do të godasë pa mëshirë si majtas ashtu edhe djathtas. Amerikanët nuk do të lejojnë një reformë në drejtësi dhe një sistem drejtësie me dy standarde. Politikanët dhe zyrtarët e korruptuar për mua nuk duhen parë nga bindja politike, por duhen gjykuar dhe dënuar për aferat që kanë kryer. Kështu që reagimi i ambasadores Kim është i qartë si drita e diellit që amerikanët që kanë investuar për reformën në drejtësi, nuk do të lejojnë kapjen e saj nga politikanët dhe pushtetarët. Kam besim që reforma do ecë përpara, sepse shoh edhe që politikanët po tremben. Ata janë të trembur. Të gjitha sjelljet e pazakonta të të gjithë politikanëve të mëdhenj e tregojnë këtë. Është një periudhë sjelljesh të pazakonta dhe këto tregojnë që ata diçka dinë. Sigurisht që dinë diçka më shumë se neve sepse kanë kontakte dhe mbase edhe ua kanë thënë nga pak me shaka që janë të rrezikuar. Kështu që nga kjo nisem të besoj që do të bëhet. Pavarësisht trembjes së tyre, duhet thënë se politikanët nuk e ndalojnë dot reformën. Madje, nëse do të bënin tentativa për ta ndaluar në këtë periudhë, do të binin në sy akoma më shumë dhe do të tregohej qartazi që janë të trembur. Sepse natyrisht, ndërkombëtarët që i trembin kanë prova, por hetime nuk janë bërë. Fakti që janë trembur, ata e dinë më mirë se të gjithë se çfarë kanë bërë. Këto prova që janë mbledhur janë në duart e ndërkombëtarëve. Por nga ana tjetër edhe populli këtë po pret, që gjithë të korruptuarit të futen brenda dhe të japin llogari. Kjo është e gjitha.

-Pak ditë më parë Kuvendi i Shqipërisë shkarkoi me 104 vota presidentin Ilir Meta nga detyra. Sot që flasim vendimi i Parlamentit ka shkuar në Gjykatën Kushtetuese, e cila është hallka e fundit që vendos nëse presidenti Ilir Meta do të largohet ose jo nga Presidenca. Keni një koment?

Unë e thashë edhe pak ditë më parë për gazetën tuaj, por e kam thënë edhe për media të tjera që vendimi i Kuvendit të Shqipërisë, i cili e shkarkoi presidentin Ilir Meta nga detyra me 104 vota ishte i drejtë. Iliri kishte kohë që nuk ishte president, pasi ishte larguar nga ai post duke u marrë me politikë. Madje, mendoj se arsyeja kryesore që e penalizoi Metën këtë herë ishte fakti që ai u kthye në një president partiak dhe politik, duke shkelur me të dyja këmbët Kushtetutën. Kështu që pa u zgjatur, Meta e meritonte shkarkimin nga Kuvendi. Ndërsa sa i takon vendimit që do të marrë Gjykata Kushtetuese për shkarkimin ose jo të Ilir Metës nga posti i kreut të shtetit, kjo duhet parë. Unë nuk i komentoj vendimet e gjykatave dhe thjesht na duhet të presim çfarë do të ndodhë.

-Si e shihni situatën brenda PD? Më 13 qershor, zoti Lulzim Basha u rikonfirmua sërish në krye të Partisë Demokratike.

Zgjedhjet në PD ishin formale, pasi unë isha i sigurt që Luli do rizgjidhej sërish në krye të Partisë Demokratike. /SOT

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

'Shkodra Elektronike' fitoi Fest 63, kryetari Beci mirëpret këngëtarët në ambientet e bashkisë

'Shkodra Elektronike' fitoi Fest 63, kryetari Beci mirëpret këngëtarët në ambientet e bashkisë