Fatos Klosi:Grabitësit e Rinasit
kishin informatorët e tyre

Ish-Kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, shprehet se grabitja e djeshme në aeroportin e Rinasit ka bashkëpunëtorë në radhët e kompanisë së sigurimit, por nuk përjashtohet edhe në radhën e punonjësve të Bankës. I ftuar në "45 minuta" nga Denis Minga në Report Tv, Klosi tha se grabitësit kanë pasur informacion të plotë për lëvizjen e parave. "Autorët e grabitjes kanë pasur informacion. Ka punonjës të korruptuar që kanë nxjerrë informacione se do transportohet një shumë e caktuar parash", u shpreh Klosi.  
 
Ai theksoi se mekanizmi i grabitjes dhe njoftimi me vonesë i Policisë së Shtetit, tregon për skenar të organizuar. "Porta ku ka ndodhur grabitja është shumë e thjeshtë, porta Cargo e cila vetëm një menteshë dhe një dry, të cilin e kanë hequr fare. Lajmërimi që iu bë Policisë, u bë me mjaft vonesë. Pra, ka pasur një dëshirë për të vjedhur nga ata që e kanë pasur në dorë. Porta 'Cargo' hapet shumë herë në ditë, pasi të gjitha materialet që vijnë në rrugë ajrore aty do të kalojnë", tha Klosi.  
 
Ai theksoi se përgjegjësia e grabitjes bie mbi firmën private që ruan aeroportin, por edhe mbi policinë e shtetit.
 
"Aeroportet në këtë pistë janë objektet më të ruajtura, pasi edhe terrorizmi aty godet, pasi aty bëhet shumë bujë. Janë në qendër të vëmendjes edhe nga media e opinioni publik. Këta mund të ishin edhe terroristë. Përgjegjësia është e atyre që kanë marrë përsipër aeroportin e Rinasit. Qoftë edhe kompania. Duhet parë nëse policia i ka parametrat për ruajtjen e aeroportit. Shteti ka detyrimin që policinë private ta mbajë nën kontroll, për efiçencën e tyre. Firma funksionon vetëm kur vijnë paratë? Ndaj duhet kontroll i rreptë", deklaroi më tej, ish kreu i SHISH, Fatos Klosi.  

Z.Klosi, a keni një ide çfarë ka ndodhur dje në aeroportin ndërkombëtarë "Nënë Tereza"?
Grabitësit kanë pasur informacion. Kanë pasur informacion se kur do shkonin paratë në aeroport. Ata kanë pasur kohë dhe kishin një plan. Kjo do të thotë se mund të kenë marrë informacion nga punonjës të korruptuar të bankës, të aeroportit etj. Ngjarja ishte shumë e thjeshtë por që tregon se ka probleme të mëdha të sigurisë. Ata kanë hyrë nga një portë, mesa duket nuk paska pasur njerëz. Është një portë e thjesht. Këtu ka defekt të kompanisë që ka marrë përsipër të mbrojë aeroportin. Ata që duhet të kenë pasur vëmendjen në punë, nuk e kanë pasur.
 
Pas ngjarjes së Stambollit u vendos siguria e Policisë vetëm në terminal? Mund t'i kërkohet Policisë që të ruhet i gjithë aeroporti?
Mund t’i kërkohet, por që ka kritere për vendosjen e tyre në aeroporte. Është një numër i kufizuar policësh. Kompania që siguron aeroportin duhet të jetë një kompani serioze sepse ata paguhen shumë për këtë gjë. Përgjegjësia është e tyre, si firma gjermane por sigurisht që përgjegjësi ka edhe policia e shtetit. Sigurisht që policia i monitoron, ju jep licensat.
 
Policia ka për detyrë të monitorojë edhe Policinë private?
Sigurisht, të gjitha policitë private e marrin licencën nga policia e shtetit. Ajo nuk ka vetëm për detyrë dhënien e licencën por edhe kontrollin e tyre. Të gjithë policët që punojnë në policitë private duhet të kenë të njëjtat parametra me atë shtetërore.
 
Ju mendoni që pas kësaj ngjarje shteti shqiptar duhet të rishikojë kontratën për sigurinë e aeroportit me firmën koncesionare?
Shteti ka çdo tagrin për çdo gjë që i duhet. Ai ka detyrimin që policitë private brenda dhe jashtë aeroportit ti mbajë nën kontroll. Sot shteti tha që nuk mban përgjegjësi.
 
Kur ishit kreu i SHISH, aeroportin e ruante vetëm Policia e Shtetit?
Në atë kohë e ruante NATO, edhe neve kishte raste që nuk na linin të hynim.
 
Çfarë tregon grabitja e Rinasit për sigurinë kombëtare?
Kjo është një provë që diçka nuk ecën. Aeroportet në çdo vend goditen, por që duhen marrë masa të ndryshojë siguria. Ngjarje të tilla kërkojnë organizim, duhet të kesh informacion që ta planifikosh një ngjarje të këtyre përmasave. Të arrish në një organizim të tillë grabitësit mund të quhen profesionistë.
 
Sa përgjegjësi ka Shërbimi Informativ?
Shërbimi informativ nuk merret me ngjarje të veçanta. Shërbimi ndjek linjën e luftës kundër krimit të organizuar por nuk merret me ngjarje të veçanta. Sigurisht kur ka informacion duhet të bashkëpunojë me institucionet e tjera ligj zbatuese.
 
Çfarë duhet përmirësuar në sigurinë kombëtare?
Gjithçka duhet përmirësuar.
 
Pse, së është në pikën zero?
Jo sigurisht që jo por që ka vend për përmirësime.
 
Flasim pak për reformën në drejtësi, pritja e ambasadës amerikane, ku mesazhet për politikën shqiptare i dha një prokuror amerikano-shqiptar, tregon se amërikanët nuk e kanë shaka reformën?
Unë jam i sigurt që nuk e ka me shaka ambasada amerikane. Mua po më vjen mirë që ata po impenjohen seriozisht. Amerikanët në Shqipëri konsiderohen si shpëtimtarët, si në Konferencën e Paqes dhe Kosovës. Mbase na shpëtojnë edhe kësaj radhe sepse e kanë marrë seriozisht. Ata po luftojnë fortë për sa kohë e caktuan datën.
 
A e kanë frikë politikanët tanë diplomacinë amerikane?
Ky është fillimi i një fundi. Unë mendoj se kundërshtarët e reformës do të provojnë edhe pak të rezistojnë. PD ka frikë sepse këtë kapje që i ka bërë drejtësisë, nuk do e ketë më. Ata kanë bërë shumë zullume. Ambasadorët shprehet se sa herë propozohet diçka PD është kundër gjithmonë.
 
Ju besoni se në 21 korrik reforma do të votohet?
Unë mendoj që nuk do të turpërohen dhe do të votohet Refoma në Drejtësi.
 
E keni një pikëpamje pse u godit Stambolli?
Stambolli është pikë kyçe tregtare. Kjo është e para. E dyta është se Presidenti Erdogan ka mbajtur një qëndrim të dyshimtë për ISIS. Gjithë filozofia e ISIS është të bëjë bujë. Është filozofia e tyre të bëhen protagonist. Ata kanë zgjedhur Stambollin për një hakmarrje ndaj Erdoganit sepse në fillim i toleroi por më pas jo.
 
Po këtu në Shqipëri a mund të ketë terren ISIS? A ka rrezik?
Ne jemi vend i vogël dhe nuk mund të përbëjë rrezik për sulme. Ne nuk kemi myslimanë të përbetuar, ne kemi fe sipërfaqësore. Nuk është ambienti i përshtatshëm.
 
A kemi ne aftësinë për të kontrolluar situata të vështira nesër?
Po sigurisht që po. Edhe në qoftë se nuk i ka, shteti i gjen mënyrat.
 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kina, sanksione ndaj 7 kompanive si kundërpërgjigje ndaj ndihmës ushtarake amerikane për Tajvanin

Kina, sanksione ndaj 7 kompanive si kundërpërgjigje ndaj ndihmës ushtarake amerikane për Tajvanin