Fatos Tarifa: Shkolla “prit e qep”! Përse jam me gazetarin Carlo Bollino

Fatos Tarifa: Shkolla “prit e qep”! Përse jam me gazetarin Carlo Bollino

Gazetari Giorgio Mottola i emisionit "Report" i Rai 3 që realizoi emisionin për Shqipërinë

Sapo jam kthyer nga një udhëtim jashtë vendit dhe lajmi i parë që më tërheq vëmendjen në Tiranë nuk është Ilir Meta (Meta nuk është më një lajm për askënd), por reportazhi i një gazetari italian publikuar në RAI 3.

Lajmi mbi këtë reportazh ka zënë sot faqet e para të gazetave tona. Thuajse të gjitha thonë të njëjtën gjë. Por më tërheq vëmendjen një analizë e gazetarit të njohur Carlo Bollino, i cili prej shumë vitesh jeton e punon i respektuar në Shqipëri.

Bollino dhe unë nuk jemi miq, por e njoh dhe e çmoj për kulturën profesionale dhe objektivitetin e analizave të tij. Bollino është një shkollë më vete në gazetarinë shqiptare dhe unë me kënaqësi vë re se ka, aty-këtu, disa gazetarë shqiptarë—shumë pak, për hir të së vërtetës (ndër ta mund të përmend Skënder Minxhozin, Artur Zhejin dhe Sokol Ballën)—që me paanshmërinë e analizave të tyre të informuara aderojnë në të njëjtën shkollë me të.

Analiza e sotme e Bollino-s, një kritikë e mirinformuar dhe asgjësuese ndaj atij tipi gazetarie që ai vetë e quan “gazetari prit e qep”, ma shtojnë respektin për të, por edhe më kujtojnë se një “gazetari” e tillë nuk është tipike italiane, por është një dukuri gjerësisht e përhapur dhe jo vetëm në tabloidë, por edhe në gazeta ndër më të mëdhatë e më seriozet në botë, siç janë The New York Times, The Guardian etj.

Kritika e sotme e Carlo Bollino-s më solli ndërmend një kritikë të ngjashme që kam shkruar rreth 20 vite më parë kundër të njëjtit tip gazetarie “prit e qep” që ndesha në atë kohë në gazetën The New York Times, gazeta më e lexuar në botë (me rreth 15 milionë lexues në ditë).

Më 7 dhjetor 2003, kur shërbeja si ambasador i Shqipërisë në Uashington, m’u desh të hulumtoja për afro tri javë për të mësuar e për të zbardhur të vërtetën mbi një ngjarje, për të cilën ishte shkruar shumë në shtypin perëndimor. Ngasja ime u motivua prej një artikulli botuar në faqen e parë të The New York Times.

Ai artikull bënte fjalë për shkëmbimin e një fëmije rom në Shqipëri për një televizor. Autori i tij ishte Nicholas Wood, që punonte për atë gazetë.

I indinjuar nga përmbajtja e atij artikulli dhe nga metoda “investiguese” (pri e qep) e përdorur nga autori i tij, e ndjeva të domosdoshme t’i shkruaja kryeredaktorit të gazetës The New York Times. Me letrën time synoja të sqaroja drejtuesin e asaj gazete dhe opinionin publik amerikan lidhur me ngjarjen për të cilën kishte shkruar Wood.

Meqënëse letra ime ngrinte një shqetësim real dhe shërben si një ilustrim i asaj çka kuptojmë me diplomaci publike në veprimtarinë e një ambasadori, por edhe ngaqë shqetësimi që ngrija unë në atë letër përkon me shqetësimin për të cilin shkruan sot Carlo Bollino-s, e riprodhoj më poshtë të plotë për lexuesit e Ditës, duke huazuar si titull fjalët e tij.

I dashur Zotëri,

Ju shkruaj për t’ju shprehur pakënaqësinë time lidhur me artikullin e z. Nicholas Wood, “Për shqiptarët ndodh kështu: një fëmijë për një TV”, botuar në faqen e parë të The New York Times më 13 nëntor.

Para së gjithash, dëshiroj të sjell në vëmendjen tuaj faktin që ky artikull i z. Wood nuk është origjinal. Përmbajtja e tij është raportuar më parë—saktë dhe tërësisht—nga Roma, nga Sophie Arie, në gazetën e madhe britanike The Guardian, më 30 shtator, si një histori mbi trafikimin e fëmijëve dhe mbi një rrjet trafikantësh që u shkatërrua përmes bashkëpunimit mes zyrtarëve italianë dhe atyre shqiptarë.

BBC e mori këtë histori nga The Guardian ditën e parë, ndërkohë që e njëjta autore vijoi me një koment tjetër—përfshirë edhe një intervistë me nënën e fëmijës—që i raportoi nga Durrësi, në Shqipëri, dhe u botuan në The Guardian dy javë më vonë, më 14 tetor.

Zoti Wood, për të cilin, nëse më lejohet të them, kam fare pak respekt, e mori këtë histori ose nga The Guardian, ose nga BBC dhe shkroi versionin e tij, të cilin e botoi me një titull të deformuar në The New York Times, duke fyer të gjithë shqiptarët. Më vonë, në nëntor, korrespondentja e Associated Press për Europën Lindore, Danica Kirka, e mori artikullin e z. Wood dhe rishkroi edhe ajo versionin e saj, pa i pasur të gjitha faktet. Artikulli i saj u botua në disa gazeta amerikane në fundjavën e Ditës së Thanksgiving.

Duke ju shkruar si një diplomat, unë jam i vetëdijshëm se duhet të bëj kujdes me gjuhën që përdor. Unë në asnjë mënyrë nuk fajësoj gazetën tuaj të respektuar për artikullin e z. Wood botuar më 13 nëntor. Sidoqoftë, nuk mund të hesht kur shoh se si një artikull sensacionalist—“një fëmijë për një TV”—është shndërruar në një legjendë urbane, duke humbur kontekstin e saj, ndërsa gazetarët, përfshirë edhe z. Wood, vijojnë ta huazojnë subjektin e këtij artikulli nga njëri-tjetri dhe të përdorin një anekdotë për të dhënë gjykime përgjithsësuese.

Unë nuk them se z. Wood ka bërë plagjiarizëm. Duket se ai vetë e ka raportuar një pjesë të artikullit të tij nga Shqipëria. Por ai nuk thotë dhe nuk përmend një numër faktesh që janë esencialë për historinë që ai rrëfen. Dhe faktet që ai nuk sjell kanë qenë publikisht të disponueshëm në kohën kur ai botoi artikullin e vet në The New York Times në nëntor, pasi historia në fjalë kishte qenë publikuar fillimisht, në shtator, nga The Guardian. Të gjithë faktet ishin po ashtu të disponueshëm në faqen zyrtare online të The Guardian.

Faktet thonë një histori shumë të ndryshme dhe më të mirë. Ky fëmijë u gjend dhe i tërë rrjeti i trafikantëve u shkatërrua si rezultat i bashkëpunimit të suksesshëm mes policisë shqiptare dhe asaj italiane. Ky nuk ishte, siç thotë z. Wood, rezultat thjesht i një aksioni të izoluar policor lokal.

Historia u bë e njohur sepse i tërë rrjeti trafikues u shkatërrua pas një investigimi të përbashkët shqiptaro-italian, që zgjati një vit. Ky ishte një sukses i madh dhe pikërisht ajo që qeveria shqiptare ka marrë përsipër të bëjë—një rezultat i drejtpërdrejtë i një plani veprimesh kundër trafiqeve ilegalë.

Nëse z. Wood do t’i kishte kushtuar pak vëmendje asaj që kishte raportuar gazeta The Guardian gjashtë javë më parë, ai do ta kishte ditur se, si rezultat i bashkëpunimit të suksesshëm mes policisë shqiptare dhe asaj italiane, qindra anëtarë të rrjetit të trafikantëve u arrestuan një vit pasi rrjeti u shkatërrua dhe se policia vazhdoi aksionin e saj derisa u gjetën viktimat.

Ky djalë i vogël nuk ishte viktima e vetme që u gjet. Çifti italian që e kishte marrë atë u arrestua, ashtu sikurse edhe babai i tij në Shqipëri, ndërsa fëmija u mor në mbrojtje dhe në kujdestari.

I gjithë ky informacion ka qenë i disponueshëm në gazetën The Guardian në Angli gjashtë javë para se versioni i pjesshëm i z. Wood të botohej në faqen e parë të gazetës The New York Times. Versioni i njëanshëm i z. Wood, i cili mjaftohet vetëm me incidentin skandaloz që ka të bëjë me këtë djalë të vogël, nuk u botua deri në nëntor, në një kohë pra, kur i gjithë ky informacion dhe informacione të reja lidhur me suksesin e Shqipërisë në luftën kundër trafiqeve ilegale ishin bërë publikë dhe të disponueshëm.

Z. Wood priti deri në fund të raportit të tij për të përmendur faktin që në Shqipëri u krijuan 12 njësi për luftën kundër trafikut, por pa shpjeguar Planin Kombëtar të Veprimit të Shqipërisë, si edhe lidhjen e drejtpërdrejtë të këtij plani me arrestimet e bëra.

Ai e quan Shqipërinë një “vend tranzit”, ndërkohë që Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara kishte arritur në konkluzionin—dhe ishte në procesin e botimit të tij—se Shqipëria e kishte përmirësuar seriozisht statusin e saj si një vend tranzit dhe kishte ndërmarrë nisma serioze dhe efektive për të luftuar trafikimin.

Është për të ardhur keq që ndonjëherë gazetarë të papërgjegjshëm u ofrojnë qytetarëve amerikanë një informacion të shtrembëruar dhe iluzor. Artikulli i z. Wood është një shembull skandaloz i këtij lloji të shëmtuar gazetarie. Ai përmban në vetvete shpifje, një gazetari dukshëm joprofesionale (për shkak të mungesës së kontekstit), paragjykime dhe steriotipizim.

Dhe një vend si Shqipëria, që është miku më i mirë e më besnik i Shteteve të Bashkuara dhe që po bën një progres të konsiderueshëm në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, nuk meriton një goditje të tillë pas shpine nga The New York Times, gazeta kryesore e Amerikës.

Sinqerisht,

Fatos Tarifa

/Gazeta Dita/

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Hope: 24/04/2024 22:49

    Profesori meriton të jetë Presidenti i ardhshëm!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Marrëveshja për emigrantët, Tajani: Me Shqipërinë synojmë një betejë të përbashkët kundër trafikut të qenieve njerëzore

Marrëveshja për emigrantët, Tajani: Me Shqipërinë synojmë një betejë të përbashkët kundër trafikut të qenieve njerëzore