Kur flitet për luftën në Ukrainë, vëmendja zakonisht shkon te fronti, bombardimet me dronë dhe armët por prej muajsh, Ukraina po paralajmëron për një tjetër betejë. Bëhet fjalë për mijëra fëmijë që janë marrë nga territoret e pushtuara dhe po rriten nën kontrollin rus. Sipas autoriteteve ukrainase dhe organizatave ndërkombëtare, bëhet fjalë për një proces që nuk ka të bëjë vetëm me zhvendosje gjatë luftës, por me përpjekje për t’u ndryshuar identitetin fëmijëve ukrainas.
Si nis gjithçka?
Sipas raportimit të Deutsche Welle, me fillimin e luftës, shumë fëmijë janë marrë nga territoret ukrainase të pushtuara nga Rusia, sidomos nga Donetsku, Luhansku, Zaporizhzhia dhe Khersoni. Një pjesë janë jetimë ose fëmijë nga institucione sociale. Të tjerë janë marrë gjatë evakuimeve, ndërsa disa kanë humbur kontaktet me familjet gjatë luftës. Ukraina thotë se deri tani ka identifikuar mbi 20 mijë djem dhe vajza të deportuar ose transferuar me forcë drejt Rusisë dhe territoreve nën kontrollin rus. Por sipas Kievit, numri real mund të jetë shumë më i madh.
Çfarë ndodh me ta në Rusi?
Sipas autoriteteve ukrainase, fëmijët vendosen në familje ruse, kampe, jetimore apo institucione shtetërore dhe më pas futen në programe që Ukraina i quan “riedukim”. Praktikisht, sipas Kievit, ata mësohen të identifikohen si rusë dhe jo si ukrainas. Në shumë raste marrin pasaporta ruse, ndjekin programe shkollore ruse dhe humbasin kontaktin me gjuhën, historinë dhe kulturën ukrainase. Prokuroria ukrainase thotë se në territoret e pushtuara po hiqen gradualisht elementët e identitetit ukrainas nga shkollat.
“Gjuha, historia dhe kultura ukrainase po shtypen sistematikisht”, deklaroi prokurori ukrainas Ruslan Kravchenko për DW.
Pse flitet për “indoktrinim”?
Sipas raportimit të DW, në territoret e kontrolluara nga Rusia veprojnë organizata rinore paraushtarake që promovojnë edukim patriotik pro-rus. Mes tyre përmenden “Yunarmiya” dhe “Voin”, ku të rinjtë trajnohen me armë dhe edukohen me besnikëri ndaj Rusisë. Autoritetet ukrainase pretendojnë se disa të rinj nga këto territore janë futur më pas në ushtrinë ruse dhe kanë luftuar kundër Ukrainës. Pra, sipas Kievit, problemi nuk është vetëm që fëmijët po largohen nga Ukraina, por se po rritet një brez që mund të mos ketë më lidhje me vendin e origjinës.
Pse OKB dhe Haga e konsiderojnë krim lufte?
Komisioni Hetimor i OKB-së për Ukrainën ka deklaruar se deportimi dhe transferimi i detyruar i fëmijëve përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe klasifikohet si krim lufte. Pikërisht për këtë arsye, Gjykata Penale Ndërkombëtare në Hagë lëshoi urdhër-arrest për presidentin rus Vladimir Putin dhe komisioneren ruse për të drejtat e fëmijëve, Maria Lvova-Belova. Akuza lidhet me deportimin e paligjshëm të fëmijëve ukrainas.
A po rikthehen fëmijët?
Po, por shumë ngadalë. Sipas Ukrainës, deri tani janë rikthyer pak më shumë se 2 mijë fëmijë. Procesi është i vështirë sepse shpesh nuk dihet ku ndodhen, disa kanë marrë identitet të ri dhe shumë zona janë nën kontroll rus. “Ata që kthehen janë të çorientuar dhe nuk u besojnë më të rriturve”, tha për DW Maksym Maksymov nga iniciativa “Bring Kids Back UA”. Për Ukrainën, beteja nuk është vetëm për territorin. Është edhe për një brez fëmijësh që, sipas saj, po rritet larg Ukrainës dhe me një identitet krejt tjetër.
Komente










