Festa e Kurban Bajramit, Rama: Gëzuar! Meta: Mos ndalim përpjekjet për të shëruar plagët e shoqërisë! Basha: Mbizotëroftë shpresa për një Shqipëri të drejtë e të begatë

Falja e besimtarëve në Sheshin Skënderbej

Politika shqiptare ka uruar ditën e sotme festën e Kurban Bajramit, një festë e shenjtë për të gjithë besimtarët myslimanë. Kryeministri Edi Rama uroi besimtarët me një video nga xhamia e Et'hem Beut në kryeqytet. Po ashtu një urim për besimtarët mysliman e kishte edhe Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i cili thotë se traditat myslimane, janë vlerë e shtuar e kulturës, qytetërimit dhe humanizmit të shqiptarëve.

Presidenti i vendit, Ilir Meta me anë të një postimi në Facebook, ndërsa uron besimtarët, bën thirrje për sa më shumë mirësi, mirëkuptim, paqe, begati e dashuri në familjet tuaja dhe mes njëri-tjetrit. Kreu i PD-së, Lulzim Basha, thotë se duhet të mbizotërojë gëzimi, paqja dhe shpresa për një Shqipëri të drejtë e të begatë për të gjithë shqiptarët.

Urime nuk kanë munguar edhe nga përfaqësitë e huaja në vendin tonë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:04
Veliaj uron Kurban Bajramin për të gjithë besimtarët: Mirënjohje për ata që sakrifikuan në këtë vit të vështirë

 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj uroi sot besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit. Pas takimit me komunitetin Mysliman, Veliaj tha se viti që lamë pas ishte një vit i vështirë, ndërsa shprehu mirënjohjen e tij për të gjithë ata që kanë sakrifikuar për t'u ardhur në ndihmë personave në nevojë. Ai apeloi që të gjithë duhet të sakrifikojnë pak nga vetja e tyre për të ndihmuar të tjerët.

"Gëzuar festën, gëzuar Kurban Bajramin. Sot kam mirënjohje dhe falënderime dhe zemrën plot mirënjohje për të gjithë ata që kanë sakrifikuar, kanë sakrifikuar kohë, energji, mund në këtë vit të vështirë. Ata që kanë qenë mjek, infermierë, zjarrfikës, shërbimet e emergjencave. Mesazhi që mora sot dhe që u frymëzova nga të gjihtë vëllezërit edhe motrat e Komunitetit Mysliman është që jemi thërritur të gjithë të shërbejmë pak nga vetja jonë për të pasur një të mirë të përbashkët. Ne sot si bashki jemi angazhuar në të gjitha qendrat sociale, sidomos tek ato që i shërbejnë të moshuarve për të shërbyer një vakt dhe për të qenë pranë atyre që ndoshta më shumë sesa të tjerët ndjejnë mungesën”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku vizitoi edhe Komunitetin Bektashi, të cilin e uroi për festën e Kurban Bajramit.

Ora 09:24
Ambasada e SHBA uron Kurban Bajramin: Ditë reflektimi mbi angazhimin tonë të përbashkët për ndërtimin e komuniteteve paqësore dhe të begata

Foto e postuar në Facebook nga ambasada e SHBA

Ambasada e SHBA ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë në vendin tonë për festën e Kurban Bajramit. Me një postim në Facebook, ambasada e SHBA shkruan se kjo ditë ofron një mundësi për të reflektuar mbi angazhimin tonë të përbashkët për ndërtimin e komuniteteve paqësore dhe të begata.

"Në emër të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, iu shprehim urimet më të mira të gjithë atyre që festojnë Kurban Bajramin. Kjo ditë ofron një mundësi për të reflektuar mbi angazhimin tonë të përbashkët për ndërtimin e komuniteteve paqësore dhe të begata. Eid Mubarak", shkruhet në mesazhin e urimit të ambasadës së SHBA.

Ora 09:17
Soreca uron besimtarët myslimanë: Gëzuar Kurban Bajramin!

Foto e postuar në Twitter nga ambasadori Soreca

Ambasadori i BE, Luigi Soreca ka uruar besimtarët mysliman për festën e Kurban Bajramit. Me një postim në Twitter, Ambasadori Soreca shkruan: "Delegacioni i BE-së në Shqipëri i uron Kurban Bajramin të gjithë besimtarëve myslimanë në Shqipëri!"

Ora 08:47
Kryeministri Edi Rama uron besimtarët myslimanë: Gëzuar Kurban Bajramin

 

Kryeministri Edi Rama ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit. Në Facebook, Rama ka postuar një video nga xhamia e Et'hem Beut, ndërsa shkruan: "Gëzuar Kurban Bajramin".

 

Ora 21:52
Basha uron besimtarët myslimanë për Bajram: Mbizotëroftë shpresa për një Shqipëri të drejtë e të begatë

Kryedemokrati Lulzim Basha ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e Kurban Bajramit. Nëpërmjet një postimi në “Facebook”, Basha shkruan se duhet të mbizotërojë gëzimi, paqja dhe shpresa për një Shqipëri të drejtë e të begatë për të gjithë shqiptarët.

"Të dashur besimtarë myslimanë shqiptarë! Ju uroj nga zemra Gëzuar për shumë vjet festën e Kurban Bajramit!

Sakrificat dhe lutjet tuaja qofshin të pranuara! Në familjet tuaja mbizotëroftë gëzimi, paqja dhe shpresa për një Shqipëri të drejtë e të begatë për të gjithë shqiptarët! Tradita juaj e ndarjes së të mirave me të afërmit dhe fqinjët në nevojë është shenjë e madhe e përgjegjësisë që ju ndjeni ndaj vendit.

Zoti ju bekoftë juve dhe familjeve tuaja! Zoti e bekoftë Shqipërinë", shkruan Basha.

Ora 21:12
Festa e Kurban Bajramit, Meta: Të mos ndalim përpjekjet për të shëruar plagët e thella të shoqërisë, varfërinë e korrupsionin

Presidenti Ilir Meta ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë në kuadër të Festës së Kuban Bajramit. Përmes një postimi në 'Facebook', Meta bën thirrje për sa më shumë mirësi, mirëkuptim, paqe, begati e dashuri në familjet tuaja dhe mes njëri-tjetrit. Sipas Metës, nuk duhet t'i ndalojmëpërpjekjet për të shëruar plagët e thella të shoqërisë, varfërinë e korrupsionin

"Gëzuar Kurban Bajramin!

Urimet më të mira për të gjithë besimtarët dhe qytetarët shqiptarë kudo ndodhen, me rastin e kësaj feste të shenjtë dhe vëllazërore, që na fton në sakrifica për forcimin e solidaritetit mbarëkombëtar dhe kapërcimin e çdo pengese, që frenon ndërtimin e një Shqipërie plotësisht europiane! Sa më shumë mirësi, mirëkuptim, paqe, begati dhe dashuri në familjet tuaja dhe mes njëri-tjetrit! Të mos ndalim përpjekjet për të shëruar plagët e thella të shoqërisë, varfërinë, korrupsionin, padrejtësitë, arrogancën dhe arbitraritetin dhe të kujdesemi e të mendojmë më shumë për të mirën e përbashkët, jetimët, të moshuarit, të vetmuarit, të sëmurët dhe për këdo në nevojë. 'Tek Zoti nuk arrin as mishi, as gjaku i tyre (kurbanëve)  por devotshmëria dhe përkushtimi Juaj'. Kuran

Zoti ua pranoftë adhurimin dhe lutjet", shkruan Meta.

Ora 19:25
Ruçi, uron besimtarët me rastin e Kurban Bajramit: Traditat myslimane, vlerë e shtuar e kulturës, qytetërimit dhe humanizmit të shqiptarëve

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka uruar sot besimtarët myslimanë me rastin e Kurban Bajramit. Ruçi thotë se traditat myslimane, janë vlerë e shtuar e kulturës, qytetërimit dhe humanizmit të shqiptarëve.

“Me rastin e Kurban Bajramit, kësaj dite të bekuar, u uroj të gjithë besmitarëve myslimanë shëndet dhe lumturi në vatrat familjare.

Dita e Kurban Bajramit është dita e rritjes shpirtërore, faljes dhe bashkimit. Është një ditë meditimi. Reflektimet e çdo besimtari le të bashkohen e të shkrihen në reflektimet e shoqërisë, dhe të klasës politike, dhe t’i shtyjnë të gjithë të punojnë më shumë për një Shqipëri më të mirë.

Shqipëria u është mirënjohëse komunitetit mysliman dhe të gjithë besimtarëve sepse myslimanët shqiptarë janë ndër komunitetet më progresive të 1.5 miliardë besimtarëve myslimanë të planetit.

Myslimanët shqiptarë janë një komunitet fetar, human, tolerant dhe progresiv, të dedikuar për bashkëjetesën, paqen dhe drejtësinë sociale, të angazhuar në luftën ndaj varfërisë, pabarazisë dhe vështirësive të jetës.

Traditat myslimane janë një vlerë e shtuar e kulturës, qytetërimit dhe humanizmit të shqiptarëve.

Besmitarët myslimanë kanë ndarë me të gjithë besimtarët dhe qytetarët shqiptarë sakrificat, përgjegjësitë dhe kontributet për avancimin e Shqipërisë, rritjen e mirëqenies, lartësimin e vlerave të shqiptarëve, për paqen, drejtësinë, barazinë dhe dinjitetin e të gjithë qytetarëve.

Mirënjohje të thellë për mbështetjen që komuniteti dhe besimtarët myslimanë u dhanë besimtarëve dhe të gjithë qytetetarëve për t’i mbijetuar pandemisë.

Sot është dita të gëzojmë të gjithë dhe gëzime paçi ngahera në familjet tuaja.”, shkruan në mesazhin e urimit Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

J.SH./B.K./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Rihapet çështja Gërdeci, a mendoni se do të bëhet drejtësi për këtë tragjedi?

Komento

Komente

  • eu usa: 20/07/2021 12:51

    AKOMA JASHTE KY HUAJDUT

    Përgjigju


×

Lajmi i fundit

John

Ndihmoi për ndërtimin e tij, Dua Lipa poston videon e kopshtit të ri në Tiranë