Pesë autorë shqiptarë do të vijnë për publikun në skenën e Teatrit Metropol gjatë zhvillimit të edicionit të dytë të festivalit “Metrofest”. Por edhe pse festivali teatror “Metrofest” pritet të nisë në ditët e fundit e muajit tetor, pranë teatrit bëhet me dije ky sezon deri në dhjetor do të nxjerrë në dritë vepra shqiptare të shpluhurosura nga arkivi, por edhe vepra të njohura në mbarë botën. Projekti do të përfshijë aktorë karriere apo aktorë të rinj, regjisorë me eksperiencë apo regjisorë me potencial të ri artistik. Teatri Metropol në ditët e para të muajit tetor do të nisi edicionin e dytë të festivalit të dramës shqipe “Metrofest”, dhe për institucionin është një festival, i cili pas suksesit të vitit të kaluar, kësaj here shtrihet në dy javë aktivitete.
Drejtoresha e Teatrit Metropol, Jonida Beqo, është shprehur se të pesta premierat teatrore, që priten të vijnë në skenë janë produksione ekskluzive të institucionit. “Ashtu si në edicionin e parë, edhe sivjet Teatri Metropol, i dedikohet njohjes dhe vënies në skenë të dramaturgjisë shqiptare.
Qëllimisht ky festival nuk ka natyrë konkurruese, por e vë theksin tek laboratori i punës me veprën shqiptare. Të pesë premierat e këtij edicioni janë produksione ekskluzive të Metropolit, duke afruar profesionistë të teatrit nga të gjitha brezat për të hulumtuar dhe për t’i dhënë frymë dramës shqipe në skenë, afër publikut”, bën me dije Beqo.
Veprat shqiptare të këtij edicioni do të jenë “Rrajtë që lëvizin” nga Ernest Koliqi, “E bija e krahinarit” nga Kristo Floqi, “Kryet e hudhrës” nga autori Kristë Berisha, “Makaronat e shejtanit” nga Lazër Lumezi, “Prangat” nga autori Halil Laze. Gjithashtu netët e këtij festivali do të ndërthuren dhe me aktivitetet të tjera alternative.
Gjithashtu, sezoni i ri në Metropol do të vijoj më tej gjatë muajit nëntor me “Ditari i Ana Frank” i autorëve Frances Goodrich dhe Albert Hackett dhe “Sherlock Holmes dhe qentë e Baskervillit” e autorit Ken Ludëing vepër që do të vihet në skenë në fund të vitit.