Pas vërshimeve të  lumenjve Seman dhe Vjosë  gjatë javës së kaluar, tonelata me mbetje urbane dhe inerte pushtuan zonat bregdetare në Fier duke detyruar autoritetet vendore të nisin një aksion të gjerë për pastrimin dhe grumbullimin e tyre.

Aksioni nisi sot dhe do të vazhdojë deri në heqjen dhe largimin e të gjitha mbetjeve nga punonjës të Ndërmarrjes së Pastrimit me mjete dhe makineri të rënda.

Bëhet fjalë për tonelata me mbetje plastike, inerte dhe drusore të cilat janë  transportuar gjatë rrjedhës së lumenjve Vjosë dhe Seman duke përfunduar në detin Adriatik, në  Darëzezë dhe Seman. Kryebashkiaku Armando Subashi , pohon se duke qenë një hapësirë e madhe, aksioni do të vijojë.

"Ne kemi filluar një aksion pas prurjeve nga Vjosa dhe Semani. Gjatë këtyre ditëve ne kemi bërë një inspektim të dy zonave bregdetare (Seman dhe Darzezë).Shumica e ndotjeve janë drusore. Plazhet i pastrojmë jo vetëm gjatë beharit, por edhe në periudha të caktuar. Aksioni mumd të zgjasi për afro 15 ditë. Deri tani këtij aksioni nuk i është bashkuar asnjë qytetar, por shpresoj që të bashkohen si vullnetarë gjatë fundjavës. Jemi në në krye të detyrës dhe do ta mbyllim me sukses këtë proces", tha Subashi.

Aksioni pritet të zgjasë dy javë ku do të përfshihen përvec punonjësve, edhe mjete si skrep dhe eskavatorë  për largimin e mbetjeve.