Një atmosferë e veçantë artistike pushtoi këtë fundjavë Korçën. Artdashësit mirëpritën koncertin e Filharmonisë së Kosovës në një aktivitet që solli më pranë dy vendet tona përmes muzikës klasike dhe krijimtarisë shqiptare.
Programi artistik përfshiu vepra të kompozitorëve të njohur, por një vend të veçantë zuri edhe repertori shqiptar, i sjellë nga kompozitorë kosovarë dhe shqiptarë. Emocion të veçantë krijoi interpretimi i “Serenatës Korçare”, e orkestruar në një version të ri nga Gridi Kraja, që u prit me duartrokitje nga publiku.
Gjatë fjalës së tij, dirigjenti Baki Jashari u shpreh se vizita e parë në Korçë ishte një emocion i veçantë për të dhe për orkestrën, duke vlerësuar qytetin për traditën kulturore dhe publikun artdashës.
“Shumica e anëtarëve të Filharmonisë së Kosovës që ishin sonte këtu, janë për herë të parë në Korçë. Edhe unë isha për herë të parë në Korçë që ta vizitonim këtë qytet madhështor, historik, siç e dimë të gjithë dhe bashkë me të tjerët ndava një emocion krenarie”, tha dirigjenti Baki Jashari.
Përfaqësuesit e Filharmonisë së Kosovës theksuan se ky koncert shënon fillimin e një bashkëpunimi kulturor mes Korçës dhe Prishtinës, i cili pritet të vazhdojë me aktivitete të tjera artistike në të ardhmen, përfshirë edhe koncertin e Orkestrës së Korçës në Prishtinë.
Koncerti u prit me interes të madh dhe u kthye në një tjetër dëshmi të lidhjes kulturore dhe artistike mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Komente







