Filmi Falli 2 ka nisur rrugëtimin në kinematë shqiptare, duke shënuar një rekord shitjeje biletash. Në vetëm katër ditë nga premiera, janë shitur rreth 15 mijë bileta, një shifër që, sipas producentit, aktorit dhe regjisorit të filmit, Marjus Dervishi, i njohur me emrin skenik 'Zebërvoki' përbën rekordin më të lartë për kinemanë shqiptare në gjashtë vitet e fundit.
Dervishi, i ftuar në emisionin “Studio Live” në Report TV, u shpreh se reagimi i publikut në sallat e kinemasë ka qenë vendimtar për të.
“Kur shoh impaktin e publikut në kinema, them që ia kam dalë dhe e kam përmbushur misionin me sukses. Jam përpjekur që në fabulën e filmit të dytë të mos jem i drejtpërdrejtë në atë që përcjell, por të luaj me elementë dhe personazhe surprizë, të cilët realisht janë pëlqyer nga publiku”, tha Dervishi.
Sipas tij, “Falli 2” është ndërtuar si një komedi e jetuar dhe e përjetuar nga spektatori.
“Ka qenë një komedi e shijuar nga çdo person që e ka parë”, u shpreh ai, duke theksuar se suksesi i filmit lidhet drejtpërdrejt me lidhjen që krijon historia me publikun.
Një nga elementët më të spikatur të filmit është personazhi i Rraketikut, të cilin Dervishi e cilëson si “gjetjen” e filmit dhe si shtysën kryesore të komedisë.
Në film interpretojnë aktorët Behar Merja, Marjana Kondi, Margent Çaushi, Klejdis Shehu, Selma Bakalli dhe Xhoana Karaj.
Aktorja Marjana Kondi u shpreh për Report TV se përfshirja në këtë projekt ka qenë një përvojë shumë pozitive, duke e cilësuar punën me Marjusin në “Falli 2” si një eksperiencë fantastike.
Komente









