Fjala e KM Rama në mbrëmjen përkujtimore dedikuar shkrimtarit, publicistit e përkthyesit Ardian Klosi‏

Në fakt mua më ndodh shumë rrallë që ta kem vështirë të flas dhe kjo është një nga ato herë.

Ajo që ma vështirëson edhe më shumë fjalën është fakti se kemi bërë një premtim mes nesh, me Ardianin që kush do mbetej mbrapa nuk do bëhej qesharak, duke u bërë shumë serioz, duke folur për tjetrin që kishte ikur para. Bëra një provë, i thashë këtyre ndihmësve të çmuar që kam që të më bënin një draft.  Kur lexova draftin, thashë sikur ta lexoj kështu siç e kanë bërë, - ata e kanë bërë shumë mirë me të tyren, - betimi është shkelur. Kështu që mendova që të them disa fjalë duke kombinuar atë që kanë shkruar seriozisht ndihmësit e mi dhe atë që më takon mua të them për të mbajtur premtimin. 

“Bëhu i ditur që të jesh i lirë” shkruante Ardiani, duke cituar një shprehje latine në një artikull në vitin 2008. Kështu fillon drafti i ndihmësve të mi dhe vazhdon - Ardian Klosi njihet si publicist, albanolog, shkrimtar dhe përkthyes.

Në fakt, - vazhdoj unë tani, - unë e kam njohur si një shpirt të trazuar shumë dhe me një mendje tejet të mprehtë. Citimi i fjalës latine “Bëhu i ditur që të jesh i lirë”, ishte përpjekja që përmes dijes, ai vetë të çlirohej nga injorantët të cilët e mundonin jashtëzakonisht shumë dhe ia rëndonin në mënyrë shumë të madhe nganjëherë vetë gjendjen e tij të trazuar nga natyra.

Ai ka dhënë një kontribut të madh në përkthimin e gjuhës shqipe, duke sjelle veprat e autorëve të mëdhenj, Friedrich Dürrenmatt, Max Frisch, Mark Twain, Franz Kafka, Bertolt Brecht, Heinrich Böll, Georg Büchner, Ernest Gellner dhe François Pouqueville, - thonë ndihmësi e mi me të drejtë, kështu është. Por arsyeja pse Ardiani përkthente mendoj unë, ishte një nevojë për higjene. Jam i bindur se nëse Ardiani do të ishte dikush tjetër dhe nuk do të kishte atë trazim të madh që i vinte nga së brendshmi, por që i agravohej shumë nga injoranca dhe pisllëku, nuk do të kishte përkthyer. Po ashtu për shkak të nevojës për të bashkëjetuar që nuk e plotësonte dot normalisht në mjedisin që zgjodhi të jetonte me natyrën që kishte, përkthimi për Ardianin ishte nevoja për të bashkëjetuar në një shoqëri me njerëz të tjerë që i zgjidhte vetë në bibliotekë dhe me të cilët pastaj bënte një rrugë së bashku dhe pastaj fliste me ta. Ardiani komunikonte me ta. Ishte një lloj rruge në arrati, ashku sikundër ishte një lloj flirti me të vdekurit.

Vdekja ishte një fuqi, që tek Ardiani nuk vepronte siç vepron normalisht tek njerëzit në mënyrë të vetëdijshme, por vepronte edhe në mënyrë të pavetëdijshme. Ardiani, vdekjen e kishte vazhdimisht me vete dhe nuk e shmangte. Për Ardianin kemi folur për vdekjen shumë herë dhe në flirtin me këta të vdekur që i zgjidhte vete, trazimi i tij rritej dhe mendja e tij e mprehte që kishte nuk ia lehtësonte, por ia rëndonte trazimin.

Veprimtaria e tij përkthyese u nderua me shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Në fakt, Ardiani ishte shumë indiferent ndaj çmimeve. Arlinda me siguri do të gjeje si arsye që unë se kam mbështetur sa duhet faktin që Vetonit i dha një copë letër në dorë, për një çmim kaq të madh. Por e vërteta është që çfarëdolloj statuje apo figure që të kishim bërë, do ta bënte çmimin për Ardianin, qesharak. Ndërkohë që ajo copa e letrës, certifikata që mori Vetoni në dorë, është edhe mënyra më e jashtëzakonshme për të bërë gjënë duhur dhe për të mos ngacmuar sensin e aversionit që ai kishte ndaj seriozitetit. Kështu që shpresoj që Vetoni atë certifikatën ta vendosë  në kornizë, në mur, ashtu si vendoseshin ato fletët e lavdërimit të partisë, sepse kështu do ia bënte qefin edhe Ardianit.

Vazhdon me faktin që Ardian Klosi njihet gjithashtu për angazhimin e tij të përditshëm në aktivitete të shoqërisë civile, çështje të trashëgimisë kulturore dhe të mjedisit dhe nënvizon se kur ishte rasti i Piramidës, ai ishte në krye të mbledhjes së firmave kundër prishjes së këtij objekti.

Në fakt, Ardiani qysh në krye të herës, qëkur e kam njohur unë, që në kontaktin e parë, i përsëriste një shkolle që nuk e pranonte intelektualin si koncept jashtë angazhimit. Faktikisht, për Ardianin, John Lenon, për të cilin ai organizoi edhe atë 10-dhjetorin e famshëm të vrasjes, që ishte edhe momenti kur në Akademinë e Arteve u përshkallëzua lëvizja kundër regjimit të atëhershëm e konsideronte shumë më intelektual, sesa shumë të tjerë që mund të kishin shkruar shumë libra dhe mund të ishin thelluar shumë në rrugën e tyre të të menduarit.

Për Ardianin, intelektuali ishte njeri që jetonte i lidhur me politikën, jo si politikan, por si kundërpushtet. Kështu ndodhi në atë kohë, sepse, kur fillo lëvizja u fol shumë “intelektualët, intelektualet, intelektualët” dhe Ardiani e kishte makth këtë gjë dhe përktheu librin e Vaslav Havel, “Të rrosh me të vërtetën”. Dhe për Ardianin, intelektuali ishte ai që rron me të vërtetën. Kur diskutonim se çfarë është ai që di shumë, që shkruan dhe thellohet, ai thoshte është njeri inteligjent, por jo intelektual.

Një eveniment si ky, - thonë ndihmësit e mi, - i jashtëzakonshëm kulturor, i përcjelljes së mesazheve me anë të artit të fjalës së shkruar, ishte eventi i “Tirana Open”, panairi i librit, të cilin ai e kërkoi shumë dhe u mundua shumë, bashkë me disa miq të tjerë. Ishte një nga ato shfaqet e utopisë së tij për t’u socializuar me të tjerët dhe për të bërë gjëra të përbashkëta. Përpiqej që të bashkonte njerëz, të bënte gjëra dhe gjithmonë dilte i dëshpëruar nga këto iniciativa dhe pastaj ikte në rrugën e tij, në flirtin e tij me të vdekurit.

Për nder të tij jepet edhe çmimi “Arian Klosi” në fushën e letrave. Fituesi i parë i këtij çmimi ishte Ardian Vehbiu, me veprën e tij  “Sende që nxirrte deti”, - këtë e kanë shkruar ndihmësit e mi. Unë, Ardian Vehbiun e kam njohur nga Ardian Klosi dhe për mua, Ardian Vehbiu ka qenë fizikisht i materializuar deri vonë. Kisha një Ardian fizikisht të materializuar përballë meje dhe një Ardian tjetër. E më dukej sikur njëri flirtonte me të vdekurit dhe tjetri flirtonte me të marrët. Njëri flirtonte me të vdekurit që e kishin marrë jetën shumë seriozisht, tjetri me të marrët e lumtur të Realizmit Socialist, me personazhet e të gjitha ngjyrave që e jetojnë jetën bukur në atë marrëzinë e konformizmit, pavarësisht nëse është konformizëm i regjimit apo konformizëm i sistemit demokratik, të themi.

Në këtë binom ishte një tërheqje e jashtëzakonshme për mua, sepse njëri, siç thashë, nuk ishte fare fizikisht, unë nuk e  njihja, e kam njohur fare vonë Ardian Vehbiun, tjetri ishte prezent, por ishte sikur ishte bashkë me një hije. Sa herë që kishte nevojë për t’u rilidhur me botën e të marrëve të lumtur, Ardiani thoshte Vehbiu, sikur thërriste një mbiemër të dytë të vetin.

Ndarja e tij nga jeta ishte një fatkeqësi për kulturën shqiptare, ndërsa gjykimi për të është rëndom, ai i njeriut të madh e të artë. Në fakt, edhe këtu, unë jam dëshmitar i faktit që ne kemi folur shumë herë për mënyrën si mund të ndodhte gjëja. Unë gjithmonë i thosha se unë e parafytyroj që ti do vrasësh veten. Dhe gjithmonë kjo merrej me të qeshur dhe unë asnjëherë me vetëdije nuk e kisha menduar këtë gjë, që kështu do të ndodhte. Kur ai ndërtonte shtëpinë tek liqeni, thoshte do bëj një papafingo aty lart. Mirëpo, shtëpia ishte vendosur në një pozicion që nuk kishte asgjë rreth e rrotull dhe zakonisht, kur unë shkoja ndonjëherë, ishte muzg dhe kishte një qetësi të jashtëzakonshme dhe i thosha se pak a shumë në këtë orë, këtu lart do të ndjehet një krisëm e thatë, pastaj do të ngrihen dy rosa nga pasqyra e liqenit dhe pastaj do të merret vesh që i madhi Ardian Klosi nuk na tha lamtumirë, por na tha “Ik pirdhuni!”

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Zjarri përfshin Parkun Kombëtar të Qafë-Shtamës, e vështirë të ndërhyhet nga terreni! Në operacion edhe 50 forca të ushtrisë