Fjala e Kryeministrit Edi Rama, në inaugurimin e Qendrës Kombëtare Dispeçer dhe Sistemit të Ri të kontrollit SCADA/EMS:

Së pari, më lejoni të përshëndes të gjitha ata që janë në këmbë. Ata janë pjesa më e rëndësishme e këtij investimi. Vajza, djem, gra dhe burra, që me profesionalizëm dhe më në fund, me kushtet e krijuara do ta transformojnë këtë tru të ri të sistemit elektro-energjitik shqiptar, në një qendër strategjike graviteti për të gjithë ecurinë e mëtejshme të sistemit dhe mbi të gjitha, për të siguruar që reformat tona të zbatohen me një efektshmëri shumë të lartë. Ju përshëndes të gjithëve dhe ju uroj çdo të mirë, sepse jeni njerëzit që e keni mbajtur në këmbë këtë qendër, në kushte tmerrësisht të vështira.

Mua më kujtohet fare mire se si në mars të vitit 2014, kur së bashku me ministrin e Energjisë dhe me drejtorin e OST-së, të cilin gjej rastin ta falënderoj përzemërsisht për përkushtimin, profesionalizmin, por, mbi të gjitha, për vullnetin e tij të hekurt, vendosëm që ta transformonim këtë qendër nga një zonë e përmbytur, - këtu ka plot dëshmitarë të faktit që kjo zonë përmbytej me ujë. Ndërsa një kontratë, e nënshkruar 8 vjet më parë me qeverinë italiane për të realizuar këtë që kemi sot përpara syve, ishte braktisur plotësisht. Gjithçka kishte shkuar në drejtim të paditur.

Unë jam shumë krenar, sot, që Shqipëria ka një qendër të këtyre standardeve dhe që sistemi ynë elektro-energjitik disponon një tru elektronik të këtyre përmasave dhe të kësaj cilësie.
Jam shumë krenar, por ju siguroj që kjo nuk do të thotë se jam i kënaqur. Jam njeriu më i pakënaqur me të gjitha gjërat, sepse kam vetëdijen që kemi bërë shumë, por mbetet shumë më tepër për të bërë. Kjo nuk është thjeshtë për të thënë një fjalë rrethanash, por është një e vërtete që më udhëheq në punën time dhe na udhëheq në punën tonë.
Nuk kemi se si mos të jemi krenarë, kur në rrugën e reformave po i kthejmë publikut, hap pas hapi, mes shumë vështirësive, pak nga pak, atë çka shqiptarët po investojnë për reformat dhe atë çka kanë investuar për reformën jetike në sistemin elektro-energjitik. Një sistem, i cili ishte tërësisht i përmbytur nga borxhet, nga korrupsioni, nga hajdutëria dhe tërësisht i paralizuar në raport me ambicien e Shqipërisë për të qënë një vend normal europian, që aspiron të bëhet pjesë e familjes europiane.
Sot, falë përfundimit më këtë cilësi të këtij investimi strategjik, ju e keni integruar Shqipërinë në familjen europiane, pasi kemi hyrë në sistemin europian të monitorimit, konsumit, shpërndarjes dhe shkëmbimit të energjisë.

Puna për këtë projekt me një vlerë të konsiderueshme filloi në mes të vitit 2014 dhe sot, realizimi i këtij projekti ka sjellë anëtarësimin e Operatorit të Transmetimit në Rrjetin Europian të Operatorëve të Sistemit të Transmetimit për Energjinë Elektrike. Në këtë  aspekt, ne jemi të integruar në Bashkimin Europian.
Ndërsa përfitimet e drejtpërdrejta për vendin tonë, për publikun tonë, për ekonominë tonë dhe në rrugën e ndërtimit të mirëqenies për njerëzit tanë, janë mëse të qarta.
Kjo qendër na mundëson një shfrytëzim optimal të rrjetit të transmetimit, na mundëson një optimizmin në përdorimin e burimeve tona të energjisë. Duke e krahasuar me organizmin e njeriut, ky sistem siguron një qarkullim racional të gjakut në të gjithë organizmin, duke i dhënë fund, një historie keqshfrytëzimi dhe shpërdorimi të burimeve të prodhimit të energjisë, të cilat pa këtë sistem ishin jashtë kontrollit. Detyrimisht rritet cilësia e operimit dhe rritet besueshmëria në sistem. Besueshmëria në sistem që vjen si një hap i ri në rrugën e forcimit të besimit tek reforma rrënjësore që ne ndërmorëm,  na jep një pozicion shumë më të favorshëm negociues edhe me investitorët.

Janë bërë shumë koncesione në të shkuarën. Janë dhënë qindra të drejta për të ndërtuar HEC-e lart e poshtë nëpër Shqipëri, nga më të mëdhatë deri tek më të vegjlit. Por ne jemi shumë krenarë që në ato pak raste që ne kemi nënshkruar kontrata koncensionare, e para, i kemi dhënë fund praktikës së dhënies së garancive, nga ana e shtetit, për blerjen e energjisë privatit, në kurriz të konsumatorit dhe të buxhetit të shtetit; E dyta, kemi çelur rrugën për tregun e hapur dhe të lirë energjetik.

300 milionë euro do të investohen në sistem, për të rritur prodhimin e energjisë. Nga ana tjetër, sistemi ynë sot është i tillë që garanton ndërveprimin e Shqipërisë me vendet e tjera dhe brenda qershorit, ne do të jemi në eventin e jashtëzakonshëm, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Kosovën e jo vetëm për lidhjen e tregut, por edhe për forcimin e lidhjeve mes Shqipërisë dhe Kosovës, në rrugën e bashkimit kombëtar ekonomik, për të çelur dhe për të vënë në funksionim linjën e interkonjeksionit me Kosovën. Një tjetër investim strategjik ky, i vonuar për vite të tëra, që hap një perspektivë tërësisht të re për Shqipërinë dhe për Kosovën.

Përfundimi i lidhjes tjetër me Maqedoninë është objektivi ynë afatmesëm dhe garantimi përfundimtar i mundësive të plota për Shqipërinë, që të racionalizojë dhe optimizojë në funksion të ekonomisë dhe të mirëqenies së njerëzve tanë këtë pasuri të madhe kombëtare, që është pasuria që vjen prej burimeve të prodhimit të energjisë, e cila deri dje ishte mall pa zot.

Investimi i garantuar për të filluar ndërtimin e linjës së interkonjeksionit me Maqedoninë është as më shumë e as më pak, një tjetër përfitim që kemi marrë nga reforma, e cila na ka bërë të besueshëm në raport me partneret tanë ekonomikë ndërkombëtarë, por edhe shumë të besueshëm politikisht në rajonin tonë.
I gjithë ky proces është i lidhur edhe me çuarjen përpara të projektit madhor të TAP-it, që do të shtojë sigurinë energjetikë dhe do të ndihmojë drejtpërdrejtë në rritjen ekonomike dhe në hapjen e vendeve të punës. Por ne nuk kemi mbetur aty. Nga njëra anë po negociojmë me TAP-in , atë që paraardhësit tanë as nuk e çuan nëpër mend, pjesën që i takon Shqipërinë, me të njëjtat parametra dhe për të njëjtat arsye që Greqia dhe vendet e tjera e kanë marrë atë pjesë.

Nga ana tjetër, ne kemi filluar punën intensive dhe ministri ynë i Energjisë po udhëheq procesin, për të siguruar gjithë elementet e duhur, në mënyre që të fillojmë edhe me gazsjellësin Adriatiko-Jonian, që do të lidhë vendin me Malin e Zi, Bosnjën dhe Kroacinë, krahas Korridorit Adriatiko-Jonian, apo asaj që ne e quajmë Korridori i Kaltër, rruga që ka marrë miratimin si projekti prioritar në kuadrin e bashkëpunimit rajonal, iniciuar me Procesin e Berlinit.
Gjendja e sektorit në këta 32 muaj ka ndryshuar rrënjësisht. Reforma tarifore në sistemit elektroenergjetik, zgjidhja me dinjitet, por edhe me seriozitet përpara gjithë partnerëve ekonomikë në treg, e konfliktit me CEZ-n dhe operacioni historik për të vendosur në binarët e ligjshmërisë marrëdhëniet mes konsumatorëve dhe operatorit të shpërndarjes na kanë sjelle në një pozicion jashtëzakonisht më të favorshëm. Jemi krenarë për këtë, por kjo nuk do të thotë që jemi të kënaqur. Jemi të parët që jemi të pakënaqur, sepse e kemi shumë të qartë se çfarë mbetet për t’u bërë. E ajo çka mbetet për t’u bërë, është pjesa e luanit, në kuptimin që e gjithë kjo përpjekje kombëtare e përbashkët duhet të materializohet drejtpërdrejtë si përftim në ekonominë e vogël familjare.
Nuk po hyj në shifrat e uljes së humbjeve në rrjet, as në shifrat e sasisë së energjisë së faturuar, apo në arkëtimet e faturave të energjisë, por po ju them vetëm një shifër; 68% më shumë këto të fundit sesa në vitin 2013. Është një kapërcim epokal.
Nëse në vitin 2012, OSHEE e mbylli me 320 milionë dollarë humbje, vitin 2015, kompania e mbylli me një fitim prej 70 milionë dollarë. Nëse deri kur ne e nisëm  këtë reformë, taksapaguesit, ata që paguanin energjinë, ata që paguanin edhe taksat, përveç energjisë, duhet të paguanin përmes buxhetit të shtetit, mesatarisht 150 milionë dollarë çdo vit, për të shlyer vjedhjen dhe për ta mbajtur sistemin në këmbë, jemi sot, në momentin kur jo vetëm nuk paguajmë 150 milionë dollarë si taksë për hajdutet, por investojmë 150 milionë dollarë. E kjo si rezultat i përpjekjes së përbashkët për ta kthyer sistemin nga një grope që thithte paratë e njerëzve më të ndershëm dhe atyre që asnjëherë nuk i bënin bisht ligjit, në një burim mirëqenie ekonomike dhe sociale.

Të gjitha këto na bëjnë krenarë, por të gjithë duhet ta dinë se unë si kryeministër i vendit jam njeriu më i pakënaqur sot, për arsyen e thjeshtë, sepse unë jam i vetëdijshëm për padurimin e njerëzve, për pritshmërinë e lartë, për sakrificat e tyre për të përballuar dhimbjet e reformave dhe plotësisht i vetëdijshëm sesa shumë akoma ka për të bërë.
Ne çelëm një epokë të re, duke vendosur një vijë të kuqe dhe duke e thënë qartë që energjia nuk është dielli apo shiu që prodhohet nga forca eprore, Zoti apo natyra - zgjidheni vete - dhe secili mund ta marrë sipas qejfit, pa e paguar. Energjia nuk është as mall elektoral, që partitë në pushtet e tregtojnë në këmbim të votave.

Energjia është një pasuri kombëtare, ndaj të cilës, të gjithë kemi përgjegjësi, të gjithë kemi detyrime dhe prej të cilës do të marrim mbrapsht përfitimet nga miradministrimi i kësaj pasurie. Ne ndërtuam mbi këtë vijë të kuqe, gjithë këtë proces. Një nga aspektet e procesit është edhe një shifër shumë e rëndësishme; rënia e sasisë së energjisë së konsumuar, pra, kursimi i energjisë si rezultat i rritjes së vetëdijes se, nëse e konsumon, duhet ta paguash, prandaj mos e konsumo më shumë sesa të duhet. Konsum katastrofik që erdhi si rezultat i faktit se ishte mall pa zot.

Rënia është drastike, pothuajse 7%. Por për vitin 2015, konsumi i energjisë elektrike nga konsumatorët familjarë për nivelin deri ne 300 kW është ulur në 42%. Ja se çfarë ka sjelle heqja e fashës! Asaj fashe që u vu për të mbrojtur të varfrit dhe pas të cilës u fshehën të gjithë spekulantët më të pasur. U fshehën të gjithë ata që jo se nuk kishin mundësinë ta paguanin energjinë, por gjeten shteg për të mos e paguar atë.

Kemi shumë për të bërë dhe mezi pres që brenda qershorit t’ju japim shqiptarëve një lajm që e kanë pritur 25 vjet. Do të paguajnë atë që konsumojnë dhe faturat aforfe nuk do ekzistojnë më. Është një lajm me rëndësi të madhe, jo thjeshtë ekonomike, por mbi të gjitha me një rëndësi të madhe për barazinë përpara ligjit dhe detyrimeve të secilit.
Nuk mundet të ndërtojmë një shtet serioz dhe të bëhemi një vend serioz, me një shoqëri serioze, me fatura aforfe dhe duke i faturuar dikujt që është i rregullt më shumë sesa ka konsumuar. Aq më tepër sot, kur kemi vetëdijen e plotë se me hir a me pahir, me dëshirë a gjysmë dëshirë, masivisht shqiptarët e mbështetën reformën dhe masivisht, prindërit vendosën që të mos “shqyejnë” të ardhëm e fëmijëve, të mos jetojnë në kurriz të fëmijëve. Që do të thotë të mos stërkonsumojnë sot, duke vjedhur apo duke mos paguar, për t’ia lënë pas, gropën hapur, gjeneratës tjetër.

Por nuk është vetëm heqja e aforfeve, është edhe ndarja e sukseseve. Ky nuk është një sukses për të cilin ne qeveria, ne partitë që qeverisim, pretendojmë monopolin. Ky është një sukses i përbashkët i qeverisë dhe i gjithë atyre familjeve dhe konsumatorëve që e bënë të mundur këtë sukses, duke iu nënshtruar përfundimisht, rendit ligjor në sistem. Është sukses i përbashkët i gjithë atyre pensionistëve, i gjithë atyre invalidëve, i gjithë atyre familjeve në nevojë, i gjithë atyre prindërve aspak të pasur, që kurrë nuk i bënë bisht faturës së energjisë, por është edhe sukses i përbashkët me ata 320 mijë konsumatorë që pranuan të nënshkruajnë marrëveshjen e re dhe të shlyejnë hap pas hapi, detyrimet e tyre të prapambetura.

Këtë sukses të përbashkët, ne duam ta ndajmë, edhe se e kemi detyrim, me më shumë investime. Kam pasur krenarinë që bashkë me ministrin e Energjisë të shkojmë në zona ku prej 20 e kusur vitesh, energjia mbeti një luks, ndezja e dritës mbeti një luks, pa llogaritur që kur drita ndizej, dridhej sikur të ishte në ethet finale përpara fikjes. Në ato zona po bëjmë investime masive, të cilat jo vetëm do të çojnë energjinë me cilësi të plotë, por pa aforfe dhe duke siguruar barazinë e të gjithëve përpara ligjit.
Vetëm një gjë duhet të jetë e qartë: Kush mendon se mund të vazhdojë akoma t’i ikë këtij detyrimi të madh kombëtar, publik, por dhe individual në raport me këtë pasuri të madhe, duke thyer matësin, do të ndëshkohet ashpërsisht. Askush nuk do të fitojë asgjë nga thyerja e matësit!

Po bëjmë një investim masiv, për të bërë të mundur që më në fund, pas 20 e kusur vitesh, të gjithë konsumatorët të kenë matësin e tyre. Edhe kjo është një mundësi që na e krijoi reforma dhe fakti që nuk kemi më nevojë të harxhojmë para për të mbushur gropën e vjedhjeve, por paratë mund t’i harxhojmë për të përmirësuar sistemin. Por matësit, secili duhet ta dijë se janë aty si kontribut i shoqërisë, i të gjithë atyre që e paguajnë energjinë elektrike dhe i atyre që paguajnë taksat. Askush nuk duhet të guxojë të mendojë se duke thyer matësin, mund të vazhdojë të marrë energji pa u ndëshkuar. Ndëshkimet do të jenë shumë të ashpra.

Ne jemi gjithashtu shumë krenarë për faktin se e bëmë këtë reformë pa e rritur çmimin e energjisë. Fakt ky, i konstatuar botërisht nga organizma ndërkombëtarë. Fakt ky, i konstatuar publikisht edhe nga ERE, në një analizë profesionale të qartë: Nuk është rritur çmimi i energjisë, përkundrazi, ka pësuar një ulje të lehtë. Por a mjafton? Nuk mjafton. A jemi të kënaqur? Absolutisht jo. Ne duam të shkojmë më tutje; Duam të shkojmë drejt uljes së mëtejshme të çmimit dhe drejt përmbushjes së zotimit për TVSH-në e energjisë së konsumatorëve familjare.

Të gjithë duhet ta kuptojmë se, nëse ka një njeri në këtë vend, që është i dëshiruar më shumë se kushdo tjetër që këto gjëra të bëhen menjëherë, sa hap e mbyll sytë, ky jam unë. Por kjo nuk është e mundur. Kush thotë të kundërtën, bën shaka. Tallet. Bën cinikun, duke dashur të shfrytëzojë padurimin dhe pritshmërinë e lartë, për të cilën, unë jam shumë krenar që mbetet ende shumë e lartë për qeverinë tonë. Por ne jemi në atë rrugë, drejtimi është i duhuri, vendosmëria është e duhura dhe padyshim, më e rëndësishmja, vizioni është i duhuri.

Falënderimi për qeverinë italiane nuk është i rastit. Qeveria italiane, në gjithë këto 24 vite tranzicion, pavarësisht se kush ka qeverisur në Itali, e matja apo e djathta, ka qenë dhe mbetet partneri ynë më kuptimplotë në çdo përpjekje. Jo thjesht partneri, por një vend mik, një qeveri mike, një popull mik që ka kontribuuar për Shqipërinë edhe përtej interesa të veta ekonomike. Kooperacioni italian nuk është interes i drejtpërdrejtë ekonomik i Italisë. Janë para të popullit italian, që bujarisht, qeveritë e Italisë i kanë vënë në dispozicion të popullit shqiptar. Sigurisht që investitorët italianë do të përfitojnë nga këto transformime, por ky është një përfitim indirekt.

Jam shumë i keqardhur që një projekt si ky, i cili mund të ishte realizuar në vitin 2008, 2009 e deri në 2013-n, realizohet sot. Kjo, për mungesë të plotë vizioni, mungesë të plotë vullneti e mbi të gjitha, për një arsye thelbësisht kulturore: Deri dje, energjia ishte mall elektoral për ata që qeverisnin, sot është një pasuri kombëtare, e çmuar si e tillë dhe për të cilën, të gjithë kemi detyrimet tona. Konsumatorët kanë detyrimet e tyre, autoritetet kanë detyrimet e tyre.

Shumë faleminderit ambasadorit e përmes ambasadorit, qeverisë italiane. Jam i bindur që, pavarësisht se nganjëherë për fat të keq harrohet kjo, Italia vazhdon dhe mbetet jo një partner, por një mik me një rëndësi të madhe. Një mik që e kemi pasur pranë në ditët më të vështira, në orët më të kobshme të kësaj periudhe historike, ku kemi parë jo pak të këqija dhe do vazhdojmë të punojmë ngushtësisht me Italinë, do vazhdojmë të çojmë përpara të gjitha projektet e prapambetura, të cilat tanimë janë vënë në rrugën e zgjidhjes.

Shumë faleminderit drejtorit të OST-së. Kam shumë fjalë sinqerisht të ndjera dhe të mira për të, por do mjaftohem të them se është shembulli i profesionalizmit dhe i vendosmërisë. Mbase mund të duket e tepërt, por nuk është e tepërt, dua të falënderoj ministrin e Energjisë për lidershipin dhe vendosmërinë e tij, si dhe për faktin shumë të rëndësishëm, që mbas meje është i dyti njëri më i pakënaqur në Shqipëri për situatën ku jemi. Jo sepse nuk kemi bërë shumë, por sepse e dimë shumë mirë që kemi shumë për të bërë dhe jemi shumë të vetëdijshëm si askush tjetër, që njerëzit kanë plotësisht të drejtë, që çdo ditë të presin më shumë. Padurimi i tyre është plotësisht i justifikuar, sepse janë tallur, janë nëpërkëmbur, janë tërhequr zvarrë vite e vite të tëra. Ata kanë një të drejtë të madhe të presin nga ne, se po nuk e bëmë ne, më vjen keq ta them, askush tjetër nuk e bën dot.
 

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

RENEA aksion ‘blic’ në Vlorë, rrethojnë zonën e Ujit të Ftohtë! Kontrolle në hotelin ky dyshohet se ndodhen 2 persona të shumëkërkuar! Policia lokale nuk ishte njoftuar