Fjala e Kryeministrit Edi Rama, në Kuvend

Besoj që meriton disa minuta vëmendje Anketa më e fundit e Forcave të Punës e publikuar dje nga Instituti i Statistikave, e cila faktikisht provon atë që ne kemi argumentuar disa ditë më parë, lidhur me numrin e rritur ndjeshëm të të punësuarve të cilët figurojnë në librin e llogarive të Sigurimeve Shoqërore.

Sigurisht që, janë dy rrugë të ndryshme që, në këtë rast, çojnë në të njëjtin drejtim. Në drejtimin e konfirmimit faktik, plotësisht të verifikueshëm në shifra dhe kthjelltësish të lexueshëm në librat e llogarive të këtij shteti, se ka një rritje të punësimit që lidhet drejtpërdrejtë me lëvizjen në drejtimin e duhur, nga njëra anë të ndërtimit të një modeli të ri ekonomik dhe nga ana tjetër, të luftës kundër skllavërisë. Kuptuar, skllavëria si punësim në të zezë.

Por ajo që Anketa Tremujore e Forcave të Punës, e publikuar dje nga Instituti i Statistikës tregon qartësisht, bazuar në shifra krejtësisht të verifikueshme, është se krahasuar me Tremujorin e III-të të vitit 2013 shkalla e punësimit është rritur me 3.7 pikë përqindje. Shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është rritur me 4.8 pikë përqindje. Shkalla e papunësisë ka pësuar një rënie të lehtë, por tek shkalla e papunësisë, duhet të jemi të qartë se flasim për matjen e forcave të regjistruara si të gatshme për punë. Që do të thotë se ajo çka kemi thënë disa ditë më parë, përsëri verifikohet, ka një rritje të ndjeshme të besimit se mundësia për punë është më e madhe se ç’ishte. Çka i bën njerëzit në kërkim të një pune të regjistrohen si punëkërkues. Rritjen e regjistrimeve të punëkërkuesve ne nuk e shikojmë si rritje të papunësisë, por e shohim si rritje të forcave të gatshme për punë, në kushtet e rritjes së besimit. Ky është një vlerësim që nuk është subjektiv i yni, por është një vlerësim që kështu bëhet në të gjithë botën normale.

Krahasuar me Tremujorin e II-të të këtij viti, kemi një rritje të shkallës së punësimit me 1.8 pikë përqindje dhe kemi një rritje të shkallës së pjesëmarrjes në forcat e punës me 2.1 pikë përqindje. Gjatë Tremujorit të III-të të vitit 2014, totali i të punësuarve është rritur me 8.18 % krahasuar me Tremujorin e III-të të një viti më parë.

Në sektorin e bujqësisë numri i të punësuarve është rritur me 9.65% krahasuar më të njëjtin tremujor të një viti më parë.

Të punësuarit në sektorin e industrisë kanë pësuar një rritje vjetore me rreth 9.7%, nga ku 22% është rritja e punësimit në sektorin e industrisë përpunuese, çka ka qenë objektiv i qartë për të cilin ky Kuvend ka vepruar aktivisht me marrjen e masave ligjore në funksion të nxitjes së industrisë përpunuese. Nga ana tjetër, në sektorin e shërbimeve të punësuarit janë rritur me rreth 6%.

Në Tremujorin e III-të të vitit 2014 shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për popullsinë 15-64 vjeç është 63.4%. Për femrat shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 58% dhe për meshkujt 73%. Është një diferencë që flet për një plagë të rëndë dhe të trashëguar sociale, me të cilën beteja jonë sapo ka filluar, por për të cilën, sigurisht, do të bëjmë shumë më tepër.

Krahasuar me tremujorin pararendës, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është rritur me 2.1 pikë përqindje. Ky tregues, si për femrat ashtu edhe për meshkujt, përkatësisht me 2.9 dhe 1 pikë përqindje. Pra, çka ne kemi targetuar si të rëndësishme për të stimuluar rritjen e pjesëmarrjes së femrave në punë ka dhënë shenjat e para të rezultatit që ne kërkojmë.

Gjatë Tremujorit të III-të të vitit 2014 shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç është 45.1%. Ndërsa ajo për popullsinë 30-64 vjeç është 73.2%. Në këtë diferencë të madhe ne shohim pasojën më të kuptueshme dhe më dramatike të një politike qorre, çoroditëse, të bazuar vetëm tek lukunia e diplomave falsë dhe tek rënia tragjike e arsimit profesional në vitet e shkuara. Sepse nëse shkalla e punësimit për grupmoshën 30-64 vjeç është 64%, shkalla e punësimit të të rinjve të grupmoshës 15-29 vjeç është vetëm 30%. Kjo është një plagë alarmante që ne e trashëgojmë dhe me të cilën duhet të merremi shumë seriozisht. Besoj që çka ne kemi bërë si një ndryshim dramatik në drejtimin e duhur, duke kthyer sytë dhe duke vendosur shumë më tepër vëmendje dhe financa tek arsimi profesional, është përgjigja e duhur për të marrë pas disa vitesh një rezultat shumë më të pranueshëm sesa ky rezultat tragjik që kemi sot.

Gjatë Tremujorit të III-të të vitit 2014, 43.1% e të punësuarve janë të angazhuar në sektorin e bujqësisë dhe 23.4% janë në sektorin e shërbimeve të tregut. Nuk është e rastësishme dhe nuk është pa lidhje çka ne shohim si rezultat i politikës sonë të re, në mbështetje të bujqësisë dhe mbi të gjitha në mbështetje të eksporteve. Rrija e ndjeshme e eksporteve në bujqësi gjatë këtij viti është, ndër të tjera, dhe rezultat i rritjes së pjesëmarrjes së forcave të punës në punësimin e drejtpërdrejtë në fshat.

Punësimi në sektorin e shërbimeve të tregut përbën vetëm 16.1% të punësimit total. Kemi një rezervë të jashtëzakonshme në industrinë përpunuese, ku rritja ka qenë më e larta gjatë gjithë këtij viti, 22%, por ku sot kemi ende vetëm 8.5% të të punësuarve gjithsej në Republikën e Shqipërisë. 

Këtu është edhe një hapësirë shumë e madhe për të vazhduar të veprojmë energjikisht për të stimuluar investimet prodhuese në industrinë përpunuese. Duke filluar nga manifaktura, padyshim e shprehur në rritjen eksponenciale të fasonëve, por duke u shtrirë në të gjithë sferën e industrisë përpunuese.

Ritmi i rritjes së punësimit sipas sektorëve, jo më krahasuar me një vit më parë, por krahasuar me Tremujorin e II-të të këtij viti është 7.8% në industrinë përpunuese dhe 2.3% në bujqësi. Pra, hapësira e punësimit në industrinë përpunuese është shumë e gjerë dhe me një potencial shumë të madh.

Dua të ndaj me ju një shifër që provon më së miri atë çka thashë pak më parë. Po të analizojmë të punësuarit me arsim të mesëm, shkalla e punësimit mes tyre, sot, është më e lartë për personat me arsim të mesëm profesional. Praktikisht, personat që kanë bërë arsim të mesëm profesional janë 65% e të punësuarve me arsim të mesëm. Ndërsa ata që kanë arsim të përgjithshëm janë vetëm 46%. Jemi ende në kushtet kur kemi shumë hapësirë, edhe këtu. Jam i bindur se në 3 vitet e ardhshme do të kemi një rritje të mëtejshme të shkallës së të punësuarve me arsim profesional të mesëm dhe një ulje të shkallës së të punësuarve me arsim të përgjithshëm. Kjo është arsyeja pse duhet t’i japim një theks gjithmonë e më të fortë arsimit profesional, për t’ju dhënë një alternativë gjithmonë e më të qartë atyre të rinjve dhe të rejave që nuk kanë mundësi për të vazhduar universitetin për njëmijë e një arsye.

Pasja e një sistemi arsimor në vitet e fundit me vetëm një korsi dhe të gjithë “o burra”, duke hipur mbi njëri-tjetrin për të hyrë në derën e universiteti, na ka sjellë në këtë raport katastrofik mes të punësuarve të grupmoshës 15-30 dhe të atyre të grupmoshës 30-64. Ndërkohë që, çelja e korsisë alternative dhe rritja e numrit të shkollave të arsimit profesional në bashkëpunim me sipërmarrjen, dhe krijimi i një sistemi të arsimit profesional që nuk është sistemi sklerotik i “punë me dru”, “punë me metal”, pa lidhje me tregun, por që është funksion i kërkesave të tregut, është një nga përgjigjet më adekuate kundër papunësisë.

Në Tremujorin e III-të të 2014-ës kemi përballë nesh, sot, një numër personash në të gjithë  grupmoshën e konsideruar aktive, 15-64 vjeç, që kërkojnë punë në mënyrë aktive, -nuk rrinë në shtëpi dhe çojnë mamanë ose gjyshin te oborri i partive për të kërkuar punë për djalin dhe për nipin, - regjistrohen si të papunë dhe vazhdojnë të kërkojnë punë, është 219 585 persona. Ajo çka mbetet një problem shumë i madh dhe për të cilin duhet të gjejmë rrugët e përshtatshme, të shpejta dhe cilësore është kualifikimi i forcave të punës. Kemi një nivel kualifikimi tragjik në forcat që kërkojnë punë në mënyrë aktive në administratën publike.

Me hyrjen në fuqi të ligjit të dakordësuar me Komisionin Europian, - 1 ndër 3 ligjet e famshme të pranverës, për administratën publike, - kemi një sistem krejtësisht të ri aplikimi dhe konkurrimi, krejtësisht të pavarur nga ministritë dhe nga politika. Por çfarë ndodh?! Në valën e parë të konkurseve mbi 5 mijë konkurrentë për 150 vende, arritën të mbushin vetëm 38 pozicione, ndërkohë që për të gjithë pozicionet e tjera nuk fitoi askush. Nga një anë kjo tregon se konkurset janë të garantuara për ata që janë më të zotët, por nga ana tjetër kjo tregon që ata që konkurrojnë kanë një problem të madh për të zgjidhur, që është kualifikimi. Gjithë ato diploma prej “kristali” që kanë marrë për vite të tëra, tani po ju vijnë me një faturë të madhe zhgënjyese të pamundësisë për të qenë në lartësinë e duhur. 7 mijë e më shumë aplikime të reja janë tani për vendet që janë rifutur në konkurrim. Shpresojmë që të kemi mundësi që t’i mbushim këto pozicione, sepse ka ende sot, Ministri që kanë pozicione bosh. Por çka ne duhet të bëjmë është të rrisim vetëdijen se këta njerëz duhet të punojnë për kualifikimin. Ndërsa i njëjti problem shfaqet në nivelin e industrisë. Kualifikimi i forcave të punës që industria kërkon dhe në mungesë të një rrugëtimi në një sistem normal të arsimit profesional që nuk ka ekzistuar, shumë raste kemi që investitorët, të huaj apo vendas, hapin brenda investimit të tyre edhe portofolin e arsimimit apo trajnimit profesional.

Sidoqoftë, për ta mbyllur, Anketa e Forcave të Punës është një lajm shumë i mirë dhe shumë inkurajues për “Aleancën për Shqipërinë Europiane” dhe për këtë shumicë të përfaqësuar sot në Kuvend, që të çojmë më tutje programin tonë të punësimit duke vazhduar  të insistojmë tek industria përpunuese; duke vazhduar të insistojmë tek prodhimi vendas në bujqësi, blegtori dhe në tërësi në fshat; duke vazhduar të insistojmë tek suksesi i domosdoshëm, për jetë a vdekje, i operacionit të rimarrjes nën kontroll, në radhë të parë të burimeve energjetike të vendit, por edhe të burimeve natyrore në tërësi. Sepse i kemi të gjitha mundësitë që në këto drejtime të krijojmë me shpejtësi vende të reja pune dhe që sot një vit të kemi një rritje ende më të madhe të forcave të punës të përfshira në punë dhe të forcave të punës që aktivisht kërkojnë punë. 

Por padyshim, nuk duhet lënë mënjanë, por përkundrazi, duhet parë me shumë vëmendje tanimë, një sektor ku jemi ende mbrapa, turizmi. Jemi ende mbrapa, sepse në këtë sektor kemi një hapësirë të madhe të pashfrytëzuar të punësimit. Pikërisht për të stimuluar këtë sektor ne do të sjellim shumë shpejt në Parlament projektin e ri ligjor, bashkë me projektin e ri të stimulimit të investimeve të huaja.

Jemi vetëm në ditët e fundit të pritjes së konfirmimit përfundimtar nga IFC-ja, pasi kemi pasur një debat shumë të madh, fillimisht, për qasjen shumë agresive që ne kemi vendosur të kemi në raport me turizmin dhe me investimet e huaja. Për t’i hapur rrugë përfundimisht lehtësimit të procedurave për të gjithë ata që duan të investojnë në Shqipëri dhe për të gjithë ata që duan të investojnë në këtë sektor, dhe për t’i dhënë fund kalvarit të jashtëzakonshëm me të cilin janë përballur dhe nga ku kanë dalë të zhgënjyer dhe kanë marrë arratinë nga Shqipëria, si mundësi investimesh, shumë e shumë investitorë të huaj, në të shkuarën.

Faleminderit!

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Plagosje, aksidente dhe dhunë në familje, 12 të arrestuar brenda 24 orëve në Tiranë! Një i vdekur dhe 5 të plagosur nga aksidentet