Fjala e kryeministrit Rama në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive

Në Prizren, në qytetin ku shqiptarët afirmuan të bashkuar të drejtën e tyre për të ekzistuar një shekull e gjysmë më parë, qeveritë tona nisen në 2014-n një rrugëtim që tashmë ka krijuar një hapësirë të re dhe të jashtëzakonshme bashkëpunimi. Duke bazuar politikbërjen tonë mbi realitetin e një toke, një populli, një ëndrre të përbashkët, sëbashku kemi transformuar kufirin, nga një hendek i madh ndarës, në një urë të re bashkëpunimi që forcohet dita ditës.

Nga ky bashkëpunim lindi dhe ideja për krijimin e hapësirës së përbashkët energjetike midis Shqipërisë dhe Kosovës.

Brenda pak javëve të ardhshme, ne do te jemi sëbashku në Tiranë për të vënë në punë linjën e interkonjeksionit që lidh përfundimisht autostradën energjetike midis Shqipërisë dhe Kosovës dhe çel një fazë të re për zhvillimin e kësaj hapësire të përbashkët. Por nga ana tjetër është prioritet strategjik i përbashkët, lidhja e Kosovës me gazsjellësin TAP, përmes territorit të Shqipërisë, duke vendosur hapësirën tonë në rrugët kryesore të kalimit të energjisë në Europë.

Në këto dy vite kemi krijuar një treg të përbashkët bujqësor, duke njësuar standardet dhe përshtatur metodat e legjislacionit në fushën e kontrollit ushqimor. Jo vetëm ia dolëm që më në fund, fëmijët tanë, të Shqipërisë dhe Kosovës të mësojnë gjuhën amë me të njëjtën abetare, por edhe e njehsuam sistemin parauniversitar, kurikulat tona, duke hedhur themelet e një arsimi mbarëkombëtar.

Nga ana tjetër, kemi nxitur bashkëpunimin shumë më intensiv universitar në fushën e kërkimit shkencor. Kalendari i përbashkët kulturor i Shqipërisë dhe Kosovës është tanimë një realitet, ku lëvizin lirisht artdashësit dhe kulturëdashësit, duke shfrytëzuar potencialin e jashtëzakonshëm të kësaj hapësire të bashkuar.

Në harkun kohor të dy viteve kemi konkretizuar edhe plot marrëveshje të tjera bashkëpunimi për turizmin, mjedisin, policinë apo sigurinë kombëtare. E më vjen mirë sot që e shoh me më pak zili policinë e Kosovës, jo sepse ajo është më pak e mirë se ç‘ishte kur unë thosha që tw marrim shembull nga Kosova, por sepse policia jonë i ngjan shumë më tepër asaj të Kosovës. E besoj që edhe në këtë drejtim ka ndihmuar bashkëpunimi dhe forca e shembullit të policisë suaj të shkëlqyer.

Marrëdhëniet tona të karakterizuara për shumë kohë nga mbështetja absolute diplomatike e Shqipërisë dhe nga vizita të ndërsjella për festa, për tituj nderi apo për ndonjë inaugurim, tashmë kanë hyrë në një fazë krejtësisht të re historike, të  një partneriteti strategjik në të gjitha drejtimet.

Prandaj, takimi i trete i qeverive tona sot, vjen si një ushtrim i zakonshëm pune për të analizuar atë çfarë kemi arritur dhe për të programuar vitin pasues. Është momenti për të shkuar më tutje sepse kemi bërë shumë, por ka ende shumë më shumë për të bërë. Për të përshpejtuar procesin e nisur të shembjes së të gjitha barrierave jo tarifore, njehsimit të politikave dhe strategjive në të gjithë sektorët dhe për të përmbushur ambicien tonë të përbashkët që të konsolidojmë themelet e një hapësire mbarëkombëtare në rajon. 

Rezultatet e punës së deritanishme janë vërtet shumë inkurajuese. Mjafton të nënvizojmë këtu se, në vitin e shkuar, shkëmbimet tregtare mes vendeve tona prekën për herë të parë kuotën e 200 milion eurove, një shifër ende larg asaj që mund të jetë shifra e ndërveprimit tonë në fushën e marrëdhënieve tregtare, por që për herë të parë e vendosi Kosovën si destinacionin e dytë më të madh të eksporteve shqiptare. Një rezultat i drejtpërdrejtë i punës tonë të përbashkët për të zgjeruar hapësirën e ndërveprimit tregtar.

Marrëveshja që do të nënshkruajmë sot për hetimin e përbashkët doganor dhe tatimor, si dhe ajo për partneritetin kufitar, koordinon përpjekjet tona për të formalizuar dhe integruar ekonomitë tona. Hapat e mëtejshëm që po hedhim për të krijuar një pikë doganore të Kosovës në Portin e Durrësit, për të harmonizuar akcizat, unifikuar çmimet e referencave për transportet, si dhe për të krijuar korridorin e gjelbër për eksport-importin e produkteve sezonale bujqësore, padyshim, do t’i japin një hov të ri bashkëpunimit ekonomik mes dy shteteve tona.

Krijimi i Qendrës së Trajnimeve Rinore dhe njehsimi i reformave në inovacion dhe administratë do të bëjnë që Shqipëria dhe Kosova ta zgjerojnë më tej bashkëpunimin ndërinstitucional, duke hedhur, jo vetëm bazat për krijimin e një administrate moderne, me standarde dhe proceduara të njehsuara sipas shembullit të vendeve të BE, por edhe për një ndërveprim të domosdoshëm në nivelin njerëzor mes të gjithë nëpunësve publikë këtej dhe andej bjeshkëve.

Shpallja e Liqenit të Fierzës si zonë e mbrojtur e interesit të përbashkët, përbën hapin e parë drejt zhvillimit konkret të një platforme turistike ndërkufitare. Qëllimi ynë është ta shtrijmë këtë bashkëpunim gjatë gjithë basenit ku kalon lumi Drin.

Ndërkohë, nga ana jonë, i kemi dhënë një shtytje të fortë edhe projektit ndërkufitar të Alpeve, në bashkëpunim me komunën e Gjakovës.

Për herë të parë vendet tona kanë tashmë një strategji të përbashkët për ruajtjen e mjedisit, duke u bërë bashkë për monitorimin e cilësisë së ajrit, ujit, tokës dhe për mbrojtjen e natyrës dhe administrimin e zonave të mbrojtura, si dhe përdorimin e qëndrueshëm të burimeve tona natyrore.

Shqipëria dhe Kosova kanë qenë gjithmonë bashkë, në ditët e tyre të mira dhe të vështira. Por, për herë të parë këtu, në Prishtinë, sot ne do të firmosim një platformë që sanksionon bashkëpunimin tonë në rastin e fatkeqësive natyrore.

Zonja e zotërinj, motra e vëllezër!

Para pak ditësh u zhvillua në Tiranë takimi i Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Ndonëse konflikti në Ukrainë, kriza e refugjatëve dhe kriza e besimit që po përjetojnë shumë vende evropiane ishin temat kryesore të axhendës, nuk ishim vetëm ne, përfaqësuesit e Shqipërisë, që theksuam nevojën e institucionalizimit të marrëdhënieve të NATO-s me Kosovën. Konteksti gjeopolitik kompleks, influencat e aktorëve të tretë në rajon, por dhe jetësimi i synimit legjitim të Kosovës për transformimin e Forcave të Sigurisë të Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës, imponon një marrëdhënie të re, cilësisht të përtërirë me aleancën dhe Shqipëria, pa asnjë diskutim, është avokati më i fuqishëm i Kosovës në gjirin e Aleancës.

Bashkimi i forcave tona është një domosdoshmëri. Ne na duhet të jemi të vetëdijshëm në çdo moment se duhet të jemi bashkë për t’i nxitur partnerët europianë të kuptojnë deri në fund dhe të pranojnë si të pashmangshme nevojën e integrimit sa më shpejt të Ballkanit, jo si një nevojë thjesht e jona, por si një projekt strategjik europian, jo si një vazhdë e një procesi të burokratizuar integrimi, por si një domosdoshmëri për një Europë më të sigurte, me një Ballkan plotësisht të integruar në të.

Për shumë vite me radhë ne kemi bashkuar zërin tonë me tuajin për padrejtësinë e madhe të izolimit të Kosovës, si vendi i fundit europian dhe njëkohësisht shteti më i ri i Europës që kishte nevojë për viza për të udhëtuar në kontinent. Lajmi për liberalizimin e vizave na ka çliruar të gjithëve, por ka çliruar edhe BE nga një turp i madh. Ndërkohë që njohja e Kosovës nga UEFA dhe FIFA në muajin prill çelin një kapitull tërësisht të ri, jo vetëm për Kosovën, por edhe për vetëdijësimin e gjithkujt tjetër që ende e sheh Kosovën me bisht të syrit.

Ëndrra jonë bashkimi kombëtar përmes BE, e bazuar mbi politikëbërjen mbi realitetet dhe jo nisur nga emocionet apo nga nevojat për të shfrytëzuar varfërinë dhe pakënaqësinë e njerëzve duke yshtur nacionalizmin primitiv, është një frymëzim i përhershëm i yni.

Në fillim të viteve 1900 Isa Boletini thoshte se “diplomacia e vërtetë mbështetet mbi udhën e  mesme, të cilën e gjejnë vetëm ata që dinë me pajtue të drejtat dhe nevojat e atdheut të vet, në kushtet e politikës së përgjithshme”. Një shekull më pas me këto fjalë ne mund të vazhdojmë përpara të vendosur drejt BE, dhe të përshkruajmë më si miri qëndrimin e bazuar mbi arsye të diplomacisë sonë dhe të vetë rrugës sonë drejt ëndrrës së përbashkët, që të jemi të bashkuar në flamurin e BE.

Realitetet më shumë se pasionet i drejtojnë sytë e Shqipërisë nga Kosova me projektin përbashkues të një populli, jo më të fragmentuar, por njëkohësisht të një Ballkani jo më fragmentar, por të unifikuar nga sinergjitë e përbashkëta, nga strategjitë gjithëpërfshirëse në një terren të kultivuar nga bashkëjetesa. Era e re e marrëdhënieve të Shqipërisë me Serbinë i shërben pikërisht këtij qëllimi jetik për rajonin ku jetojmë, por edhe të drejtës së gjeneratës tjetër në tërë rajonin për të jetuar në paqe, në siguri dhe në bashkëpunim.

Nga ana tjetër, Shqipëria mbështet pa asnjë ngurrim avancimin e dialogut të Kosovës me Serbinë si një mënyrë për të thelluar bashkëpunimin në rajon, duke na imponuar të gjithëve ne një koordinim gjithmonë e më të ngushtë mes nesh, e nga ana tjetër ne e kemi inkurajuar dhe do ta inkurajomë lidershipin tuaj për të shkuar përpara në këtë dialog sepse është një dialog që ndoshta më shumë se asgjë tjerë e lartëson Kosovën me dijen shtetformuese të Kosovës dhe vizionin e Kosovës, si një vend i paqes dhe i harmonisë mes të gjithëve, në sytë e të gjithë partnerëve dhe miqve të Kosovës.

Shqiptarët në rrugëtimin e marrjes  së plotë të gjitha të drejtave që iu përkasin duan sa më shumë ekuilibër dhe asnjë prishje ekuilibri. Por, ne nuk do të reshtim së nënvizuari se të drejtat e plota të shqiptarëve të Maqedonisë dhe jetësimi në frymë dhe në germë  Marrëveshjes së Ohrit janë një domosdoshmëri për një Maqedoni që ne e duam të fortë, e duam stabile, e duam pjesë të të gjitha proceseve të integrimit, qoftë në BE dhe qoftë në NATO.

Nga ana tjetër, ne nuk do të reshtim se nënvizuari se të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duhen të respektohen të paktën po aq sa dhe të drejtat e pakicave të tjera në Kosovë dhe Shqipërisë. Cilido që do të dijë më shumë, sesi mund të respektohen të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, le të marri shembull sesi Kosova i respekton të drejtat e serbëve në territorin e saj.

Dy ditë më parë, me rastin e 80 vjetorit të lindjes të një prej artistëve më të mëdhenj që ka njohur ndonjëherë rajoni ynë, Bekim Femiut, unë dhe Kryeministri i Serbisë u bashkuam në një telegram të përbashkët, ku secili prej nesh dakordësohej në pikën që cilindo rrugëtim të jetës zgjedhim për të qenë bashkë, ajo rrugë do të jetë veçse një pasuri më shumë për ne, shqiptarët dhe serbët.

Deri pak kohë më parë, përpara sesa të hynim edhe në Procesin historik të Berlinit, dy vendet tona nuk do të ishin në gjendje të dakordësoheshin as edhe për tekstin e një telegrafi të thjeshtë për një aktor botërisht të njohur. Ndërsa sot jemi në gjendje të dakordësohemi për shumë e shumë më tepër.

Procesi i Berlinit është duke bërë të mundur ripajtimin më të madh që Europa ka njohur që prej kohës kur Gjermania e Franca lanë pas të shkuarën e hidhur, për t’u shndërruar në dy lokomotivat themeluese të Bashkimit Europian.

Nën shembullin  franko-gjerman, ne besojmë se shqiptarë dhe serbë mund të bëjnë  të njëjtën gjë për Ballkanin dhe të japin një shembull të ndritshëm për gjithë Europën e sotme.

E nga ana tjetër jemi të bindur se Procesi i Berlinit, që udhëhiqet në korridoret e përbashkëta rrugore, energjetike apo kulturore dhe që krijon premisa të shkëlqyera për të ngritur ura bashkëpunimi mbi lumenjtë e urrejtjes e gjakut të së shkuarës, është shansi ynë i madh historik. Shans të cilin ne jemi të vendosur të mos e humbasin, sepse nuk mund të humbasim të drejtën e  gjeneratës tjetër për të jetuar në një rajon shumë më të fortë ekonomikisht, shumë më të denjë politikisht dhe shumë më të admiruar kulturalisht.

Krijimi i tregut të përbashkët të Ballkanit Perëndimor, një vizion i shprehur nga Shqipëria në këtë Proces, do të nxisë dhe frymëzojë vendet tona në intensifikimin e  bashkëpunimit midis tyre, për të qenë shumë më të hapur ndaj investimeve, për t’i rrëzuar të gjitha barrierat tregtare në gjithë rajonin, duke e kthyer rajonin në një model ndërveprimi, të ngjashëm si dy pika uji me bashkëveprimin në hapësirën e Bashkimit Europian, pavarësisht se ende nuk jemi anëtarë të Bashkimit Europian dhe duke lehtësuar lëvizjen e forcës punëtore të kualifikuar dhe profesionistëve.

Të dashur miq,

kemi arritur të bëjmë shumë dhe të bëjmë shumë realitet, gjëra që dy vite më parë mund të dukeshin thjesht e vetëm premisa propagandistike. Megjithatë jam i bindur se mund të bëjmë shumë dhe shumë më mirë.

E shkuara jonë e hidhur dhe e përçarë, dekada të mungesës së komunikimit, vrulli për të zbuluar botën dhe vështirësitë e tranzicionit në rindërtimin e shtëpive tona na kanë mbajtur shpesh dhe gjatë të veçuar. Por kjo nuk ka si të ndodhë më.

Edhe Samiti i parë i Diasporës Shqiptare, që ne po e organizojmë në bashkëpunim me qeverinë e Kosovës dhe do ta mbajmë në Tiranë, në nëntor, do të jetë një tjetër hapësirë që do të na bëjë të mundur të komunikojmë jo vetëm mes vedi, por edhe me të gjithë ata që, duke jetuar jashtë Shqipërisë e Kosovës, kanë bërë për Shqipërinë e Kosovën si emigrantë, atë që askush tjetër nuk mund ta bënte përveç tyre.

 

Ngritja e urave të njohjes dhe komunikimit të dijes mes shqiptarëve kudo në botë është një investim strategjik, që do ta bëjmë më shumë, më mirë dhe sëbashku, për të ardhmen tonë të përbashkët.

Në mbyllje të fjalës time dua të sjell fjalët e një albanologu të madh, Maximillian Lambertz, i cili dikur pat thënë:

“Historia e vërtetë e njerëzimit do të mund të shkruhet vetëm kur shqiptarët të lejohen të marrin pjesë në shkruarjen e saj.”

Sot, këtu nga Prishtina, askush nuk na pengon që të bëhemi edhe ne pjesë të shkrimit të historisë së re të Ballkanit e të Europës moderne, demokratike, të barabartë për të gjithë, të mëdhenj apo të vegjël, të vjetër në familjen europiane apo më të rinjtë ndër të, duhet vetëm të vendosim njëzëri se çfarë do të shkruajmë dhe të bëjë çmos që ajo që shkruajmë, të përputhet me realitetin që sëbashku duhet, mund  dhe do të ndërtojmë.

Shumë faleminderit! 

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Forcat RENEA aksion ‘blic’ në Vlorë, rrethojnë zonën e Ujit të Ftohtë! Kërkohen persona me rrezikshmëri të lartë