Fjala e Kryeministrit Rama, në takimin “Të pastrojmë më tej Shqipërinë”, në Sarandë

Së pari,  më vjen shumë mirë që me jepet mundësia t’ju takoj të gjithëve si protagonistë të shkëlqyer të një rezultati shembullor në zgjedhjet e 21 qershorit sepse nuk kemi pasur mundësi të shikohemi kështu të gjithë bashkë.

 

Dua tju shpreh mirënjohjen e thellë për angazhimin, për përkushtimin dhe për cilësinë e lartë të punës, që ju të gjithë sëbashku, në një harmoni shembullore gjeneratash, territoresh, komunitetesh, arritët të bëni.

 

Sot, Partia Socialiste në këtë territor, është kthyer në një model dhe sigurisht kjo është merita e të gjithëve ju. Ndaj ju falënderoj me mirënjohje dhe respekt dhe uroj e besoj fort, që bazat e vendosura në një proces ripërtëritjeje të nisur prej kohësh dhe në një reflektim shumë serioz të këtij modeli tek standardet e mirëqeverisjes në nivelin vendor, do të na shërbejnë për të vazhduar më tutje hapjen, zgjerimin, rritjen dhe fuqizimin e Partisë Socialiste në të gjithë këto territore, ku tanimë kemi detyrimin e madh që buron nga besimi që na dha çdo komunitet. Shumë faleminderit të gjithëve ju!

 

Nga ana tjetër, dua të ndaj me ju në këtë proces disa aspekte shumë të rëndësishme, që lidhen jo thjesht me nevojën që ne të çojmë përpara një traditë të Partisë Socialiste, - traditën e reflektimit dhe të transformimit të vazhdueshëm, traditën e ripërtëritjes, që është në ADN-në e forcës tonë politike, qysh prej lindjes së saj, - por edhe me faktin se ne sot jemi në një proces riorganizimi, hapjeje dhe zgjedhjesh brenda në Partinë Socialiste në ndërkohën, që jemi në një moment kyç të mandatit tonë qeverisës.

 

Moment kyç, sepse kemi mbyllur gjysmën e parë të mandatit, duke hapur kantieret e reformave në çdo sektor dhe kemi nevojë sot, që pjesës së dytë të mandatit ti japim një shtysë të re, duke i çuar përpara me kurajë të madhe, me vendosmëri të madhe, por mbi të gjitha me një energji edhe më të madhe popullore, reformat që nuk përcaktojnë fatin e zgjedhjeve të ardhshme, por përcaktojnë fatin e gjeneratës tjetër. Ashtu sikundër mungesa e këtyre reformave, shtyrja në kohë në mënyrë qorre, të papërgjegjshme, tradhtare e këtyre reformave përcaktoi në këto 25 vjet fatin e gjeneratës të atyre që lindën në momentin e ndryshimit dhe sot meritojnë në Shqipëri më të mirë.

 

Meritojnë një Shqipëri më të drejtë, meritojnë një Shqipëri më solidare, meritojnë në Shqipëri ku merita mos të ishte në diskutim dhe ku gjithsekush të kishte mundësi, që sipas meritës të kërkonte vendin e tij dhe të mos pengohej nga të gjithë llojet e kanaleve dhe greminave të korrupsionit, klientelizmit, nepotizmit dhe të gjithë atyre fenomeneve që u zhvilluan si një kancer në trupin e organizmit të shoqërisë sonë për shkak se nuk pati reforma.

Atyre fenomeneve që i katandisën drejtoritë në institucionet e vendit tonë, në mekanizma të një korrupsioni të paparë; që i kthyen drejtoritë arsimore në strofulla parash për një vend pune në arsim; që i kthyen spitalet në farmaci ku shitej vetëm një ilaç, korrupsioni; që i kthyen sektorët e jetës sonë në organe të kapura nga metastazat e këtij kanceri të keqqeverisjes, në mungese të reformave që i japin rrugë ndërtimit të shtetit dhe që e bëjnë shtetin të fortë dhe e mbrojnë nga tentativat, tundimet, përpjekjet e çdo pushteti politik për ta vënë në kontroll sistemin e funksionimit të institucioneve, përmes korrupsionit.

 

Pak më parë foli këtu ministri i energjisë. Është një katastrofë sektori jetik i furnizimit me dritë të shtëpive, të institucioneve, të spitaleve, të shkollave të sipërmarrjeve, i marrë peng tërësisht nga korrupsioni dhe nga mungesa e plotë e përgjegjshmërisë për të ndërtuar një shtet që t’iu shërbej normalisht njerëzve me energji elektrike. Duke pranuar mënyrën më të paturpshme që në mes të Europës të kalonin vitet me një popull të ndarë në budallenj, që e paguanin energjinë dhe në të zgjuar që e vidhnin energjinë.

Duke pranuar që gjysma e popullit t’ia hidhte gjysmës tjetër dhe ndërkohë qeveritë dhe politikanët t’ia hidhnin të gjithë popullit duke bërë sikur çonin përpara Shqipërinë dhe duke ndërtuar një kështjellë në rërë, një shtëpi pa themele.

 

Rëndësi të madhe sot ka ky proces sepse ne na duhet një parti socialiste edhe më e fortë, dhe jo thjesht numerikisht. Ne kemi vënë një objektiv, që të jemi 150 mijë shqiptarë dhe shqiptare të të gjitha moshave, të të gjitha territoreve, brenda apo jashtë Shqipërisë, që në 25 vjetorin e Partisë Socialiste të numërohemi si anëtarë dhe anëtare të Partisë Socialiste.

Por ky nuk është një objektiv numerik. Nuk është thjesht tek numri, por tek përbërja, tek struktura sociale, tek fuqia reflektuese e shoqërisë që duhet të ketë Partia Socialiste. Kjo do të thotë që organizatat socialiste nuk mund të jenë askund organizata familjare, një familje një organizatë, organizata të një fisi, organizata të një pallati, organizata të bëra me tre veta, që e mbajnë peng prej vitesh e vitesh të tëra atë strukturë që është struktura bazë e komunikimit dhe e ndërveprimit të Partisë Socialiste me komunitetin në një qendër votimi.

 

Kjo do të thotë që Partia Socialiste nuk mund të jetë e disbalancuar në përbërjen e saj, duhet ti ketë brenda të gjitha forcat e shoqërisë. Duhet të ketë brenda, jo vetëm ata të cilët sot kontribuojnë në sektorin publik apo duan të kontribuojnë në sektorin publik, por duhet të ketë brenda edhe të punësuarit, njerëzit që merren me biznes të vogël, duhet të ketë brenda njerëzit që punojnë në privat, që punojnë në fabrika, që punojnë në fushë, duhet të ketë brenda sipërmarrësit, duhet të ketë brenda sa më shumë figura të nderuara të arsimit, të shëndetësisë në çdo territor, në çdo komunitet, duhet të ketë brenda vajza dhe djem të shkëlqyer të universitetit, të gjimnazeve, duhet të ketë brenda pa as më të voglin dyshim gjithkënd, që ka nevojë të jetë pjesë e kësaj force politike për të bashkuar energjitë e veta me të tjerët dhe për të realizuar përmes bashkimit të energjive ato të cilat askush nuk i realizon dot i vetëm.

 

Për këtë ka lindur politika, për këtë janë krijuar partitë, që njerëzit bashkë me të tjerët të bëjnë realitet gjëra që nuk i bëjnë dot vetëm. Nuk mund ta bëj dot vetëm transformimin e jetës në komunitet, qoftë edhe zgjidhjen e një problemi të thjeshtë, të vetin, një individ i vetëm. S’mund ta ndryshoj dot i vetëm një nxënës, një student, një mësues, një pedagog, cilësinë e mësimdhënies në shkollë. Prandaj ka nevojë të bashkohet me të tjerë dhe përmes politikës ti japin zë shqetësimit të tyre dhe duke u bërë shumicë të imponojnë ndryshimin. E kështu në të gjithë sektorët e jetës.

 

Ne kemi nevojë për një Parti Socialiste, që të komunikojë në mënyrë të vazhdueshme me të tjerët rreth e rrotull. Nuk do të bëhet gjithë populli parti, por na duhet partia për të pasur një komunikim të vazhdueshëm me popullin dhe për ti dhënë mundësi popullit që të shohë veten në pasqyrën e krijuar nga një parti që flet për gjërat që i shqetësojnë njerëzit. Që është e gatshme ti marri përsipër sfidat më të vështira, që nuk mendon sesi të zgjasë jetën në pushtet, duke ja futur pas shpine thikën popullit të vet, siç kanë bërë qeveritë e mëparshme dhe siç e ktheu në model të tradhtisë ndaj popullit 8 vjet me radhë qeveria që pararendi ardhjen tonë në detyrë.

 

Ne nuk na votuan shqiptarët për të vazhduar një histori të vjetër, na votuan për të ndryshuar rrënjësisht drejtim. Nuk është e rastit që ndërkohë që reformat tona ndeshin në një agresivitet të jashtëzakonshëm banal në mjedisin e debatit politik, kanë një mbështetje të madhe të qytetarëve. Nuk është e rastit, që reforma në energji, një reformë shumë e vështirë, një reformë e dhimbshme e cila u shty e u shty, u vonua nga të gjithë përpara nesh, ndeshi në të gjithë atë agresivitet, por u mbështet nga më shumë se 80% e shqiptarëve. Në çdo anketë, në çdo pyetësor, në çdo komunikim, kemi parë se njerëzit e thjeshtë, të ndershëm, të zakonshëm të këtij vendi, madje dhe shumë prej atyre që e vidhnin energjinë elektrike, e mbështetnin reformën. Sepse shqiptarët janë gjithçka, por nuk janë kurrë një tufë delesh, që mund ti gënjesh e ti çosh pas berihajit. Ti trajtosh si budallenj dhe si dele është një gabim fatal.

 

Sot kemi arritur në pikën që thonë, “na e kopjuat programin” prandaj nuk na ka mbetur gjë tjetër vetëm se të bëjmë revolucion. Na i morët të gjitha s’kemi më program kështu që ne tani po marrim gurët, po marrim shishen e benzinës, po marrim ato shufrat e hekurit dhe po turremi çfarë të na dali përpara.

 

Nuk ka opozitë, kjo nuk është opozitë, kjo është një përpjekje për të kthyer të shkuarën, një përpjekje e nxitur dhe e amalgamuar  nga tmerri i humbjes së privilegjeve. Thanë një shprehje shumë të bukur, “humbëm si popull mirëqenien e dy viteve më parë”, - e dëgjuat?

 

Domethënë dy vite më parë ky popull ishte i mirëqene dhe sot duhet të marri shishet e benzinës ti vëri flakën gjithçkaje që i del përpara, se në këto dy vjet i humbi mirëqenia. Mirëqenien e tyre, privilegjet e tyre, pushtetin e interesave të tyre e konsiderojnë mirëqenie të popullit dhe duke parë që po e humbin vetë, identifikohen me popullin sikur e humbi populli.

 

Një ikje nga realiteti, një arratisje nga realiteti pa kthim. Partia Demokratike do të kthehet në realitet vetëm pasi në një ditë të caktuar të kësaj arratisjeje të gjatë do të jetë ndarë me kufomën që e mban peng. Por nuk është Partia Demokratike problemi ynë. Problemi ynë është pengesa e madhe që vjen jo nga Partia Demokratike dhe opozita që s’është gjëkundi, e as nga shishet me benzinë e thirrjet për revolucion, - se janë të gjitha stuhi në një gotë rakie, - por nga mendësia, kultura, shkalla e madhe e braktisjes psikologjike që është imponuar në këtë vend, të konceptit të shtetit.

 

Para dy ditësh prezantuam projektligjin për të regjistruar shqiptarët. Më thoni mua ju, më tregoni mua ju një vend, jo në Europë, por në botë, ku shteti nuk di sa njerëz të gjallë ka. Me siguri duhet të ikim shumë larg, në ato vende që janë bishti i botës së tretë, për të gjetur shtete që s’dinë sa njerëz kanë.

 

E pra, ne që kemi pasur një kërcënim historik të vazhdueshëm, që jemi një komb i ndarë sot nga armiqësitë dhe nga fuqitë që kanë mundur të krijojnë armiqtë tanë në të shkuarën, nuk dimë sa jemi.

 

300 mijë bebe, është statistikisht e saktë, kanë lindur jashtë Shqipërisë që nga viti 90. Ku janë? Çfarë bëjnë? Ku banojnë? Si u shërbejmë ne? Në censusin tonë themi jemi 4.4 milionë, por ju e dini shumë mirë, është ngulitur prej vitesh e vitesh që ne jemi vetëm 3 milionë. Kjo është armiqësore. Me vetëdije, pa vetëdije, qëllimisht, me injorancë, këto nuk kanë asnjë rëndësi.

 Ndërkohë që sot të jesh shqiptar jashtë Shqipërisë dhe të kërkosh një shërbim minimal nga shteti yt, vuan njësoj si një i huaj që donte të vizitonte Shqipërinë e Enver Hoxhës. Të marrësh një certifikatë, e dini ju shumë mirë, se keni shumë njerëz në emigracion, - të marrësh një certifikatë lindjeje që provon që ti ekziston, nga shteti yt, duke qenë jashtë, - është procedura njëlloj si të kërkoje vizë në kohën e Enver hoxhës për të ardhur në Shqipëri. Dy muaj duheshin atëherë që të thonin: “nuk lejohet se ne jemi më vete dhe për vete”. Dy muaj duhen dhe sot. Duhet ti çosh prokurë familjes, një nga anëtarët e familjes duhet të shkojë te prefekti, pasi të shkojë te prefekti, të merret vesh me prefektin, duhet të shkojë të gjejë përkthyes të autorizuar për prokurën. Mbasi ta përkthejë prokurën duhet të shkojë në Ministri të Jashtme. Duhet të niset ngado që të jetë, për në Tiranë. Të iki te Ministria e Jashtme, të presë atje sa t’i japin përgjigje, e mbasi t’i japë përgjigje Ministria e Jashtme, duhet të shkojë pastaj në gjendje civile ose ta çojë atje në konsullatë. Një histori e paimagjinueshme, 48 euro, plus koha. Dy muaj thotë procedura, se ju e dini vetë se sa mund të zgjasë. Imagjinoni sikur certifikata të duhet për një çështje jetike, “ke vdekur dhe je ngjallur”, dhe ke vdekur përfundimisht derisa shteti yt të përgjigjet.

 

Po pronat?! Sa prona kanë humbur shqiptarët që janë jashtë në këto vite në mungesë të plotë dijenie. Se prona kemi humbur të gjithë këtu, se në raport me gjykatat e sistemin e drejtësisë jemi të gjithë emigrantë, jemi njësoj si emigrantët shqiptarë në ditët e para kur vajtën jashtë, që i merrnin, i çonin nëpër gjyqe dhe i bënin gjyq pa prezencë. Kështu jemi në raport me sistemin e drejtësisë, por pronat që kanë humbur shqiptarët jashtë, pa i lajmëruar njeri fare që “hajde se ke gjyq” dhe e kanë marrë vesh që kanë humbur pronën vetëm kur i është vrarë ndonjë nga shtëpia për konfliktin e pronësisë në Shqipëri. Kjo sepse shteti nuk di fare ku janë, edhe po të dojë ta lajmërojë, ku ta lajmërosh, ku ta gjesh?!

 

Ne duam t’i regjistrojmë të gjithë. Sa herë, - se këtu jemi në Sarandë, këtu ka njerëz që kanë vajtur, kanë bërë fushatë në emigracion, që nga 90-ta, - sa herë është vajtur në emigracion dhe ju ëhstë thënë “na jepni votën e hajdeni, merrni autobusin, merrni makinën e merrni gomarin e nisuni, sepse ne, po na dhatë votën do t’u japim të drejtën të votoni dhe ju”.  I kanë gënjyer! Kësaj i thonë: “Ta shalosh një popull me gënjeshtra”. Po mirë që nuk u bë dot në 20 vjet, po si ka mundësi që nuk ka asnjë shenjë, nuk ka asnjë copë letër Këshilli i Ministrave që të jetë nisur ndonjë procedurë, që të thotë të nisim procesin për të parë si mund t’ua japim këtyre të drejtën e votës?! Kurrë! Asnjëherë!

Po s’është vetëm për shqiptarët jashtë atdheut, është edhe për shqiptarët këtu. Këtu ka dhjetëra mijëra, qindra mijëra njerëz që tjetërkund figurojnë që kanë shtëpinë, tjetërkund banojnë, tjetërkund votojnë, tjetërkund vdesin, tjetërkund varrosen.

Është i vetmi vend në Europë që vazhdon Posta me të pyetur: “Ku e ka?”. I vetmi vend që adresa nuk shkruhet me numër, e me kod, por shkruhet: “Te kthesa, mbas Pallatit me Shigjeta, pyet Sanijen se ajo e di ku jeton tezja ime”.

Çfarë shteti është ky?! Çfarë janë këta qesharakë që sot pretendojnë se po bëhet nami, se po vjen fundi i botës, ngaqë humbën këta pushtetin?! Nuk bënë dot as kaq, as nuk regjistruan njerëzit, as nuk vunë dot një adresë, pa llogaritur të gjitha të tjerat me radhë.

Unë si fëmijë, kam një kujtim shumë të fortë nga momenti kur na duhej të ngjisnim Llogaranë, e kur arrinim atje lart e shikonim poshtë. Është pamja më e bukur e fëmijërisë time. Nëse në fantazinë time si fëmijë, e në fantazinë e një fëmije mund të identifikohej diçka me parajsën, ishte ajo pamje.

 25 vjet çfarë u bë nga Llogaraja e teposhtë, në atë parajsë që çdo shtet normal, çdo qeveri me pak mend dhe me shumë dashuri për popullin e për vendin e vet, do e kishte kthyer në një motor të ekonomisë kombëtare, në një simbol të turizmit mesdhetar?! E vetmja gjë që sollën përtej Llogarasë ishte Bathorja, bathorizimi edhe i parajsës shqiptare të bregut Jon. Ndërto ku të mundesh, se ndërtimi është bereqet! Prit, sharro ullinj, sharro portokalle, ndërto mbi kanale vaditëse, ndërto mbi ujësjellës, ndërto mbi zhavorr, mbi breg, mbi det se nga kjo vjen e mira e madhe!

Çfarë gjetëm ne?! Një breg jonian nga Llogaraja deri në kufi këtu me fqinjët tanë, me ndërtime pa leje. Mirë pa leje, se dhe stërgjyshërit tanë nuk morën leje gjëkundi, por të shëmtuara deri në pikën ku nuk mund të thuhet. Se çdonjëri nga këta ndërtuesit pa leje, - jo nga ata që i importoi Saliu nga Alpet, që i bëri pronarë në Jon, s’flas për ata, - flas për ata që kanë qenë këtu, stërnipërit e atyre që ndërtuan Dhërmiun, që ndërtuan Vunoin, që ndërtuan Himarën, që ndërtuan Qeparoin e vjetër, që ndërtuan Borshin, që ndërtuan edhe Sarandën, si ka mundësi?! Stërgjyshërit bënë fshatra që janë sot trashëgimi kulturore shqiptare dhe që janë estetikisht të shkëlqyera dhe që çdo turist do të ëndërronte të vinte të kalonte pushimet nëse do të ishin të trajtuara dhe të pajisur për turizëm.

Stërnipërit shkatërruan syrin përveç natyrës, stërgjyshërit kurrë nuk u kuturisën të venë të vinin themele mbi Vjosë. U desh të vinte Saliu që t’iu merrte tepelekun e mendjes gjithë atyre që kishin pesë lekë, edhe t’i niste të ndërtonin mbi shtratin e lumit. E jo të ndërtonin mbi shtratin e lumit, por të merrnin të ndërtonin me gurët që merrnin nga argjinaturat. Merre nga diga, që është bërë për të mbrojtur nga uji, ndërto shtëpinë! Pastaj e ke ujin në shpi sa herë bie shi, të vjen uji për vizitë, të përshëndet, e nga dashuria e madhe të merr me vete e ti nuk di më se ku t’i gjesh delet e pulat.

 Ky ishte shteti 20 vjet që bënë këta, 20 vjet mbas berihait.

Sa i përket tokave, 10 mijë ha përmendi deputeti këtu, mbi 50 mijë ha janë të identifikuara si të grabitura nga persona që figurojnë pronarë dhe që detin Jon e kanë parë për herë të parë pasi fitoi Saliu pushtetin, për herë të parë në historinë e fisit të tyre.  Uji?! Pa ujë. Dritat?! Çohen dhe në mënyrën më të paturpshme ankohen, bërtasin në emrin tuaj. “Shikojeni, po ju ikin dritat, po ju ikin dritat, sezoni, turizmi, etj”. Ata i lanë që të gjitha zonat nën shtylla prej druri që nguli Enver Hoxha dhe me telat e uzinës së telave të Enver Hoxhës. Një tel nuk ndërruan.

Shtyllat i keni parë vetë, janë bërë si plakat e Vunoit, sikur kanë gjithë barrën e druve në kurriz dhe mezi rrinë në këmbë. Ndërkohë që lanë gjithë këto ndërtime pa leje. Gjithë ky zhvillim dhe gjithë kjo nevojë për konsum, dhe burimi i konsumit, ishte po ai, linja 10 kilovolt.

Sa për plehrat, këtë duhet t’ia u njohim si meritë. Me rënien e komunizmit, plehrat fituan të drejtën demokratike që të jenë kudo, njësoj si njerëzit që mund të lëvizin kudo, dhe plehrat i ke kudo, falë Saliut. Pisllëku iu duket zhvillim. E bukura iu duket ndalim. E gjetëm bregdetin e Jonit mbushur me plehra.

Sot nuk kemi bregdetin Jon që duam. Vetëm duhet të ishim magjistarë që ta kishim sot, për dy vjet, para syve. Por në çdo pikë kemi vënë dorë dhe po punojmë ditë-natë që të ndryshojmë këtë situatë skandaloze, prej paslufte që trashëguam në bregun Jon.

Projekti i rilindjes urbane ka nisur dhe aktualisht Qeparoi është në transformim. Himara ka filluar me kantierin e madh të Lungomares dhe me disa projekte të tjera. Po punohet për projektin e rilindjes urbane të Dhërmiut, të Vunoit dhe për transformimin urban të plazheve në Dhërmi dhe në Jal.

Në Sarandë dhe në këtë zonë, kemi filluar ndërhyrjet dhe do ti qëndrojmë besnikërisht zotimit që kemi marrë këtu, aq më tepër pas zgjedhjeve , ku ju keni treguar të gjithë së bashku, në të 5 bashkitë, një vullnet të madh për të sjellë Rilindjen në këtë zonë, - se do të bëjmë për këtë zonë , deri në ditën që do të vijmë për të marrë prapë besimin tuaj, - më shumë se ç’është bërë në 20 e kusur vite të marra së bashku, si investime.

Kemi punuar ditë-natë duke kapërcyer gjithë ato pengesa burokratike, duke kapërcyer edhe hendekun  e madh të besimit, se nuk është vetëm problemi se çfarë i kemi bërë vetes, por edhe se si na shikonin të tjerët.

Si mund të merrnim ne financime në energji, kur ne shikoheshim si vendi qesharak që kishte përzënë pronarët e kompanisë së shpërndarjes së energjisë dhe pa bërë asnjë letër, ia u kishte marrë kompaninë zyra e kryeministrit dhe  e përdorte për të shpërndarë drita elektorale. Vetëm në Shqipëri janë shpërndarë drita elektorale. Të ndizet drita për të të marrë votën, jo për të dhënë dritë edhe duke paguar lekë. Faktikisht brenda fillimit të vitit tjetër, janar-shkurt mbaron unaza e Jugut.

Ndryshojmë sistemin e furnizimit me energji të gjithë kësaj zone dhe për herë të parë kompania po bën investime, pas 45 vitesh për të zëvendësuar shtyllat, dhe për të vendosur një rrjet normal të furnizimit me energji, të gjithë rrjetin modern të kabinave që do të vendosim këtu në Sarandë dhe që do të shtrihet në të gjithë Jugun.

Sigurisht do të ishte mirë që të gjitha këto ti kishim të nesërmen e zgjedhjeve, por të gjitha këto duan projekte, duan financim, duan punë dhe ne po i bëjmë.

Keni parë se si po ecim me titujt  e pronësisë. Foli deputeti për sheshet, por ne po ecim për të zgjidhur problemin e pronave në të gjithë bregdetin, një problem i madh ky. Nuk do ketë uzurpator që e ka përfituar nga korrupsioni, pronën, duke u shfaqur si pronar, - duke u shfaqur si pasardhës i ilirëve këtu, ndërkohë që nuk ka lidhje fare me këtë zonë, -që do të vazhdojë të mbajë pronat e himarioteve dhe të gjithë bregasve, nga Llogoraja deri në kufi me fqinjët. Nuk do të ketë.

Ndërkohë që këtë vit, ne jemi të gatshëm të financojmë seriozisht falë reformës territoriale, bashkitë e këtushme, për ujitjen dhe kullimin, në mënyrë që të mos ngelet metër tokë këtu, në të gjithë këtë tokë të bekuar, pa ujitur, pa u mbjellë dhe pa u mbrojtur nga përmbytja.

Një turp i madh, për 20 e kusur vite, toka që nuk punohen se nuk ka ujë dhe sa here bie shi përmbyten që të gjitha.

Vendi i dytë më i pasur me burime hidroenergjetike, pas Norvegjisë. Në Norvegji, i quajnë sot, sheikët e Europës, sheikët e bardhë, ndërkohë që ne na është bërë hall i madh. Më mirë të mos kishim ujë fare, sesa kemi gjithë këtë ujë dhe kur na duhet për të pirë se kemi, kur na duhet për të ujitur se kemi. Na vjen vetëm kur nuk na duhet, për të marrë përpara, me prodhim, e me shtëpi, e me gjithçfarë.

E flasin këta dhe na thonë “na kopjuat”. Ndërkohë që po të kopjonim, këta, ne, sot do të ishte e gjithë Shqipëria nën ujë. 

Ne jemi shumë të vendosur ta çojmë përpara këtë proces. Nuk na ndal askush dhe asgjë, sepse jemi shumë të bindur që sot përcaktojmë se si do të jetë Shqipëria pas 10-15 vjetësh, jo si do jetë pas dy vjetësh. Hedhim bazat e një shteti që ka ende shumë për tu bërë shtet, për të funksionuar si shtet, për të funksionuar përmes institucionesh, ku nuk ta ka zgjidhjen në dorë, ai që të del tek dera, por ku zgjidhja jepet në rrugë shtetërorë nga mekanizmi institucional. Sepse jemi  të vetëdijshëm që kur sot e gjithë ditën, për shumë shqiptarë, në jetën e tyre të përditshme, akoma nuk ka një ndryshim të prekshëm. Sepse shkon në  një zyrë, mund të kenë ndryshuar vetëm fytyra, por sjellja, shërbimi dhe rezultati, është po ai i 20 e kusur viteve. Nuk e merr asnjëherë atë që të takon. Shkon në një zyrë tjetër dhe të shkelet e drejta pa asnjë gajle dhe nuk di ku të përplasesh. Por përgjigja është shumë e qartë dhe ne jemi në rrugën e vetme, ku gjenden përgjigjet; të referojmë sistemet, të reformojmë institucionet.

Atë që po bëjmë në hipotekën e Tiranës, që është një hap i parë, do ta bëjmë vitin e ardhshëm me të gjithë hipotekat e Shqipërisë. Jemi të vendosur që brenda këtij mandati ti kthejmë hipotekat, nga “sallat e torturave”, të qytetarëve, në shërbimin e merituar për qytetarët. E me radhë të gjitha shërbimet e tjera. Pra operacioni vazhdon. E kemi ndalur hemorragjinë dhe e kemi futur bisturinë në të gjithë pjesët e trupit, ku janë rritur tumoret  e gjithë këtyre viteve dhe janë shtrirë metastazat e gjithë këtyre çudirave që ne i kemi quajtur “qeveri’ “,”qeverisje”, “procese demokratike”, etj dhe të vazhdojmë me vendosmëri miqtë mi sepse nuk ia kemi këtë mandat, detyrim njëri-tjetrit.

Kjo periudhë e qëndrimit të PS në krye të vendit, kjo periudhë kur ne jemi në kontratë besimi me shqiptarët, duhet të jemi shumë të qartë, që është një periudhë që mandatin tonë, pushtetin tonë nuk ja kemi detyrim njëri-tjetrit. Ia kemi detyrim fëmijëve tanë, fëmijëve të këtij vendi.

Nuk mundet më, ne të vazhdojmë historinë e 20 e kusur viteve, që mendohej për sot dhe blihej e sotmja me paratë e të ardhmes. Merrja borxh fëmijëve për t’ia dhënë komshiut. Kjo nuk shkon. Ne nuk kemi lidhje me këtë dhe ky mandat nuk është për këtë. Ky është mandat për të qenë të qetë nesër me atë që do të lemë pas për fëmijët tanë. Ky, ai tjetri, dhe deri kur populli të thotë, “ju e keni këtë detyrë”, - ne këtë detyrë e kemi për t’ju lënë fëmijëve tanë një Shqipëri me shtet, me aq sa do të jetë. Sigurisht kjo nuk mbaron. Do të vijnë të tjerët mbrapa, sigurisht kur të kthehen nga arratia dhe kur ta kenë varrosur kufomën. Ne i kemi borxh shqiptarëve, fëmijëve gjithsecilit, që të lëmë pas një shtet të ri, që ka nevojë sigurisht për tu forcuar në vijim, por që të vijë era shtet, ku çdo institucion dhe çdo përfaqësues i shtetit të përfaqësojë jo vetëm veten e vet dhe mendjen e tij, por ligjin dhe rregullat për secilin.

Ju faleminderit!

 
 

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Universitetet amerikane forcojnë rregullat, shpresojnë të përmbajnë protestat kundër luftës