Fjala e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta

Fjala e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta
Të dashur fëmijë,
 
Të nderuar zotërinj ministra, deputetë dhe deputete,
Të nderuar përfaqësues të Trupit Diplomatik në Tiranë,
 
Kam kënaqësinë e veçantë t’ju uroj mirëseardhjen në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë, në kuadër të kësaj veprimtarie të përbashkët me përfaqësinë e UNICEF në Shqipëri,  për kremtimin e një dite të shënuar për ju, por dhe të rëndësishme për të gjithë ne, për 25 vjetorin e nënshkrimit të Konventës për të Drejtat e Fëmijëve.
Me këtë rast, do të dëshiroja që të gjithë ne, ligjvënësit dhe vendimarrësit, t’u dëshmonim më shumë përkushtim dhe përgjegjësi për mirëqenien dhe mirëedukimin tuaj, si dhe të përcillnim sa më shume mesazhe dhe angazhime optimiste përpara jush.

Megjithëse kanë kaluar tashmë 25 vite prej miratimit të Konventës, interesi mbi këtë dokument nuk ka humbur, pasi të drejtat dhe liritë e parashikuara në të janë të drejta dhe liri që iu përkasin dhe u duhen garantuar edhe sot fëmijëve. Si instrumenti më i rëndësishëm i për të drejtat e fëmijëve, Konventa i njohu dhe i lartësoi të drejtat e fëmijëve në nivelin e së drejtës ndërkombëtare, duke iu bërë thirrje shteteve që t’i zbatojnë ato, si dhe të krijojnë të gjitha kushtet për një pjesëmarrje aktive dhe krijuese të fëmijëve, në jetën shoqërore, por dhe në vendimmarrjen e vendeve të tyre.

Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve, përbën detyrim kushtetues për shtetin tonë, i parashikuar shprehimisht edhe në nenin 54 të Kushtetutës. Ndaj respektimi i të drejtave dhe lirive të fëmijëve, promovimi dhe garantimi i tyre, duhet të jenë prioritet i legjislacionit, politikave dhe analizave, i të gjitha institucioneve, por edhe i diskutimeve dhe debateve të organizuara nga vetë fëmijët dhe shoqëria civile që ushtron veprimtarinë në këtë fushë.

Gjatë këtyre viteve, të drejtat dhe liritë e fëmijëve, formalizimi dhe përcaktimi tyrë në një kuadër ligjor të plotë ka njohur progres, por zbatimi dhe pranimi i vetëdijshëm i tyre, trajtimi dhe zhvillimi i fëmijës si individ në shoqërinë shqiptare, ende hasin vështirësi në realitetin tonë.

Rastet e abuzimit, keqtrajtimit dhe keqrritjes së fëmijëve, në familje, shkollë dhe shoqëri, shfaqja e formave të ndryshme të dhunës ndaj tyre, mbeten ende sfida serioze  për t’u përballur. Zgjidhja e këtyre problematikave të rëndësishme, duhet të kalojë nëpërmjet mbështetjes për familjet e tyre, por edhe nëpërmjet përkujdesjes së posaçme nga strukturat shtetërore dhe mbarë shoqëria, për fëmijët vulnerabël, jetimët apo fëmijët me aftësi të kufizuara, ashtu sikurse duhet të shtohet  mbështetja për nënat kryefamiljare.
“Jo gjithnjë mund të ndërtojmë të ardhmen për fëmijët tanë, por mund të edukojmë fëmijët për të ardhmen”, ka thënë Franklin Rusvelt. Ndaj sot, ne si një shtet dhe shoqëri jemi të angazhuar për t'u kujdesur për fëmijët tanë dhe për të ndihmuar familjet e tyre. Kjo është dëshirë e natyrshme njerëzore, ashtu sikundër është real synimi për të mbrojtur dhe garantuar, respektuar dhe promovuar të drejtat e fëmijëve përmes të gjitha nismave dhe iniciativave, që do të kërkojnë mbështetje ligjore.

Në përmbushje të këtij pikësynimi, pothuajse një vit më parë, më 26 nëntor 2013, Kuvendi i Shqipërisë miratoi me konsensus të plotë si asnjëherë tjetër, Rezolutën “Për Mbrojtjen dhe Respektimin e të Drejtave të Fëmijës në Shqipëri”, ku vlerësohet si i domosdoshëm kontributi i deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë për të përmirësuar dhe rritur efikasitetin e legjislacionit në mbrojtje të fëmijëve. Me këtë rast, dua të falënderoj në mënyrë të veçantë të gjitha zonjat deputete të PS, PD dhe të gjithë forcave të tjera, mazhorancë apo në opozitë për bashkëpunimin e shkëlqyer, jo vetëm të miratimit të Rezolutës, por edhe për aktivitete të ndryshme, për seancat dëgjimore të zhvilluara në Kuvendin e Shqipërisë, për të drejtat e fëmijëve dhe pjesëmarrjen aktive në çdo aktivitet publik kushtuar të drejtave të fëmijëve në vendin tonë.
 
Në këtë Rezolutë, Kuvendi është vënë theksi gjithashtu në ndërmarrjen e veprimeve aktive për ndërgjegjësimin e opinionit publik dhe familjes shqiptare, për rolin vendimtar që ajo luan në rritjen, përkujdesjen dhe respektimin e të drejtave të fëmijëve.
 
Me qëllim realizimin e këtyre angazhimeve, Kuvendi i Shqipërisë mbështeti nismën dhe kërkesën e shoqërisë civile për të krijuar Grupin e Deputetëve për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, si një grup i posaçëm avokatie i parlamentarëve, në mbështetje dhe në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të fëmijëve në Shqipëri. Dhe këtu kam kënaqësinë të theksoj angazhimin madhor të të gjitha zonjave deputete, së bashku.
 
Sot, kam kënaqësinë t’ju komunikoj se, Kuvendi i Shqipërisë ka konfirmuar tashmë zyrtarisht ngritjen e Grupit të Deputetëve për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, në përbërje të së cilit janë deputetë me një aktivitet dhe ndjeshmëri të spikatur në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve. Grupi ka si qëllim të garantojë që institucionet shtetërore, të cilat kanë fokus kryesor të punës së tyre fëmijët, të kenë mbështetje në punën e tyre nga Kuvendi dhe do të synojë vendosjen e çështjeve të lidhura me fëmijët, në krye të rendit të ditës dhe të zhvillimit edhe të programeve qeverisëse.
 
Në aktivitetin e tij, Grupi do të nxisë bashkëpunimin dhe bashkërendimin me të gjithë partnerët e shoqërisë civile, organizatat dhe grupet e fëmijëve, ministritë dhe institucionet publike, për të analizuar situatën e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri, promovimin e instrumenteve ligjore dhe standardeve të reja ndërkombëtare, si dhe për të hartuar një Plan Veprimi të përbashkët për arritjen e të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga Rezoluta, por dhe nga rekomandime e dokumente të tjerë të veçantë ndërkombëtare.
 
Të dashur fëmijë,
 
Të nderuar pjesëmarrës,
 
Më lejoni që në mbyllje, të shpreh edhe një herë bindjen se, kujdesi për brezat e ardhshëm është investimi më i besueshëm, inteligjent dhe fisnik. Një shoqëri që lufton për të mbrojtur të drejtat e fëmijës, për respektin dhe dinjitetin e tij, garanton një zhvillim më të mirë, të shpejtë dhe një të ardhme të sigurt e të dëshirueshme. Kjo mund të jetë rezultat vetëm i politikave bashkëkohore, i politikave në interes të zhvillimit kombëtar afatgjatë, me qasje të reja dhe rrugëdalje konkrete nga vështirësitë që ndeshemi ne sot. Shqipëria në sytë e fëmijëve duhet të jetë vendi ku ata me të drejtë të ëndërrojnë të ardhmen e tyre, dhe detyra e ne te rriturve është që t’ua garantojmë këtë të drejtë, duke e bërë të ardhmen e tyre të sigurt dhe  dinjitoze.

Të dashur fëmijë, unë jam i bindur se jeni një e ardhme evropiane që ju  pret! Ju uroj përzemërsisht suksese, mirëqenie, shëndet dhe sidomos në shkollë sepse kjo është vendimtare për ta çuar Shqipërinë drejt standardeve më të larta në të ardhmen. Është një e ardhme që ju do të keni rolin tuaj të veçantë, jo vetëm këshillues, por edhe vendimmarrës,  duke u nisur edhe nga pjesëmarrja juaj sot në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë.
Suksese për të gjithë ju.

Unë  jam i bindur se dhe grupi i deputetëve do të ketë të thotë diçka pas një viti, kur të  mblidhemi dhe të  diskutojmë mbi progresin e arritur për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve  në vendin tonë, si një vend evropian.

 Me këtë rast, dua të shpreh mirësinë dhe mirënjohjen e veçantë për bashkëpunimin e frytshëm dhe të vazhdueshëm që shteti ynë ka patur  me përfaqësinë e UNICEF-it në Shqipëri, si dhe për kontributin e veçantë të tij në drejtim të mbrojtjes dhe në drejtim të të drejtave të fëmijëve në vendin tonë.
 
Më tej, Kryetari  i Kuvendit, z. Meta iu përgjigj edhe interesit të fëmijëve që ishin të  pranishëm në sallë:
Ishte shumë interesante për të dëgjuar të gjitha gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet, si rezultat i një debati, i një përfshirjeje dhe mendimeve mjaft të sinqerta të fëmijëve të angazhuar në të gjithë këtë proces konsultimi, natyrisht që edhe pyetjet këtu kishin edhe domethënie e tyre.

Unë nuk mund të jap një përgjigje shumë të saktë për pyetjen që mu drejtuar, se çdo të bëjmë ne për fëmijët që lëvizin nga një shtet në një shtet tjetër të pashoqëruar, për arsye sepse ka disa rregulla për lëvizjen e të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe të fëmijëve. Çdo lëvizje e ligjshme është një lëvizje që duhet të jetë e shoqëruar deri në një moshë të caktuar, pra madhore.

Por natyrisht që pyetja ka kuptim për sa i takon angazhimit tonë më të madh, për të evituar ato raste fatkeqe kur fëmijët detyrohen për arsye të varfërisë, për arsye të fenomenit të gjakmarrjes, për arsye të rënies viktimë të rrjeteve të krimit të organizuar, për tu larguar nga vendi në mënyrë jo të rregullt. Me shpresë drejt një vendi për të gjetur një zgjidhje më të mirë dhe duke shkuar drejt një të ardhme të pasigurt dhe shpesh herë me pasoja mjaft të rënda për ta.

Unë jam i bindur se edhe në këtë drejtim kemi shumë për të bërë, për të parandaluar fenomene të tilla dhe baza e të gjithë progresit në këtë drejtim ka të bëjë me një reagim më të shpejtë, më të vendosur të të gjitha atyre shqetësimeve që ju ngritët mbi bazën e gjetjeve që keni bërë gjatë gjithë kësaj periudhe.

Ndaj unë dakortësohem dhe jam i bindur se të gjithë deputetët e deputetet e pranishme, përfaqësuesit e Ministrisë të Arsimit dhe Sporteve,  institucioneve të tjera, që ne duhet të merremi në mënyrë më të përqendruar me të drejta e fëmijëve. Duhet të krijojmë një sistem efikas të ankimimit dhe të monitorimit të gjithë problemeve që shfaqen sepse siç u theksua edhe nga unë, edhe nga përfaqësuesja e UNICEF-it, apo dhe nga vetë përfaqësuesit tuaj,  legjislacioni nuk mungon, angazhimi për të zbatuar konventën dhe të drejtat e fëmijëve nuk mungon, por problemi më i madh është vështirësia që hasim në praktikë për realizimin e të drejtave të fëmijëve. Që nga mënyra se si ata rriten, edukohen në familjet e tyre, ku nuk mungojnë rastet e dhunës për fatkeq apo të keqtrajtimit, nga mënyra se si ata trajtohen në shkollë.
Biem të gjithë dakot se duhet të bëhet shumë më tepër, që zëri i tyre të dëgjohen dhe se qeveritë e nxënësve, të kenë edhe një rol më të rëndësishëm për të gjithë mënyrën se si organizohet jeta në shkollë dhe realizohen të drejta e fëmijëve atje. Apo të gjithë problemet e tjera që kanë të bëjnë me shërbimin shëndetësor për fëmijëve, sidomos për ata me aftësi të kufizuara, me kujdesin më të madh për të shkëputur të gjithë ata fëmijë të cilët janë viktima të rrjeteve të caktuara të krimit të organizuar, që janë të interesuar për ti rritur fëmijët me vartësi ndaj drogës, me fenomene të ngjashme për ti patur një burim shfrytëzimi dhe fitimi në të ardhmen.

Duhet të ngremë të gjithë opinionin publik kundër këtyre fenomeneve pasi për fatkeq dëgjojmë shpesh se përdorimi i hashashit apo i drogave të tjera shndërrohet në një çështje mode. Pra, që të jetë trendi, duhet të përdorësh hashash pa kuptuar se në këtë mënyrë shkatërron shëndetin, shkatërron të ardhmen dhe do të duhet kohë për ti rikuperuar këta fëmijë dhe për ti integruar në mënyrë të suksesshme në jetë si gjithë bashkëmoshatarët e tyre.

Ne kemi nevojë për modele, për modele të cilët e frymëzojnë shoqërinë për të shkuar më lartë, ti frymëzojmë fëmijët për të realizuar ëndrrat e tyre.
Para pak ditëve Shqipëria për herë të parë pati dy kampion bote në një kampionat botëror të peshëngritjes. Mori tre medalje të arta. Nuk është pak. Këto janë modele suksesi, si modeli i Danile Godellit, si modeli i Romela Begajt dhe shumë të tjerë.

Këto tregojnë se Shqipëria ka talente, ka të rinj të aftë, të cilët mund të jenë edhe të parët në botë. Por ne kemi të rinj edhe në shumë fusha të tjera, jo vetëm në fushën e sportit. Kemi edhe një kombëtare që po shkëlqen, shpresojmë që edhe sot në Itali të shkëlqejë. E vështirë do të jetë, megjithëse ne kemi trajner italian për të dalë me sukses kundër kombëtares italiane. Por në fund të fundit kemi nevojë për një adrenalinë pozitive, për një frymëzim pozitiv, për modele pozitive, për ti rritur fëmijët me këtë energji. Në këtë mënyrë do të kemi një Shqipëri të vërtetë evropiane. Dhe për ne,  deputetët e angazhuar  në grupin parlamentar për të drejtat e fëmijëve, por edhe për të gjithë kolegët e tjerë deputet, në çdo vendim që duhet të marrim në këtë sallë, duhet të bëjmë pyetjen që është pikërisht pas meje, se ky ligj, ky vendim a e bën Shqipërinë vërtet një vend më të mirë për fëmijët tanë. Besoj se duke iu përgjigjur me sukses kësaj pyetej dhe pozitivisht, ne e kemi bërë  detyrën tonë ndaj atyre që na kanë votuar, por edhe ndaj të ardhmes së vendit tonë. Dhe për këtë, kemi nevojë për ndihmën, për mbështetjen dhe vërejtjet tuaja. Kështu që nga i gjithë ky diskutim, ajo që më mbetet më shumë në mendje është që të kemi një vazhdimësi dhe që të përsosim sistemin e ankimit dhe të monitorimit.

Unë jam shumë dakord që të kemi një tast-forcë për monitorimin e realizimit të të drejtave të fëmijëve dhe të konventës në vendin tonë ku përveç grupit të deputetëve dhe deputeteve, përveç përfaqësuesve të UNICEF, që kanë një përvojë të shkëlqyer në këtë fushë, të kemi edhe përfaqësues të drejtpërdrejtë të fëmijëve dhe të shoqërisë civile që është angazhuar me të drejtat e fëmijëve.

Unë dua t’ju  premtoj meqenëse jam në krye të këtij grupi, që këtë angazhime  e kam marrë shumë seriozisht,  pasi në përgjithësi e urrej burokracinë dhe formalitetin.
Ne duam që të bëjmë gjëra sa më konkrete dhe të jemi sa më praktik për të dhënë zgjidhje. Jam i sigurt se,  me të gjithë kolegët që jemi në këtë grup do të bëjmë shumë më tepër  dhe pas këtij grupi do të kemi një bilanc shumë më pozitiv.

Ky grup do të ketë mbështetje dhe nga administrata e Kuvendit  në mënyrë që të funksionojë çdo ditë. Ju do të krijoni një lidhje online me Kuvendin në mënyrë që shqetësimet, ankimet   për shkeljen e   të drejtave të fëmijëve  në shkolla,  familje,  komunitet, pranë qendrave shëndetësore  rehabilituese të komunikojnë menjëherë  me ne në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Njëherë në vit  ne duhet të bëjmë një marrëveshje për tu  mbledhur  në Kuvend dhe të bëjmë një  bilanc të kësaj punë.

Përgjatë gjithë vitit të jemi së bashku në terrenin konkret,  atje ku jetojnë dhe mësojnë fëmijët, atje ku ata ndeshen me vështirësitë, realizimin e të drejtave të tyre dhe të gjithë të ushtrojmë presionin pozitiv  ndaj institucioneve për të respektuar të drejtat e fëmijëve.

Pra,  për të respektuar dhe garantuar të drejtat e kësaj konvente, e cila sot mbush 25 vjet dhe për të treguar se angazhimi për të drejta e fëmijëve  është një angazhim i përditshëm.

Nuk është një angazhim thjesht simbolik dhe ceremonial sepse dhe angazhimi ynë është që të kemi një Shqipëri më të mirë për fëmijët tanë, nesër dhe në të ardhmen,  dhe këtë do ta bëjmë së bashku.

Kam  besim se  ky grup do të jetë mjaft krijues sepse dhe ju jeni shumë krijues.  Grupi  i deputetëve për të Drejtat e Fëmijëve  përbëhet nga: Kryetar Ilir Meta, nënkryetare Albana Vokshi, Olta Xhaçka, Vasilika Hysi, anëtar:  Albina Deda, Arben Çuko, Ardian Turku, Arta Dade, Blerina Gjylameti, Eduard Selami, Evis Kushi, Ervin Koçi, Esmeralda Shkjau, Jorida Tabaku, Kastriot Islami, Kejdi Mehmetaj, Klodiana Spahiu, Ledi Shamku, Liljana Elmazi, Majlinda Bregu, Mesila Doda, Mimoza Hafizi, Monika Kryemadhi, Omer Mamo, Voltana Ademi dhe Xhemal Qefalia.

Me praninë time dhe të kolegëve që janë sot të pranishme,  dua t’ju siguroj se  do të kemi një bashkëpunim të shkëlqyer dhe  do të punojmë  për të zgjidhur shumë probleme konkrete, jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë vendin.

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë