Fjala e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta në konferencën për reformën zgjedhore

Nuk kam bërë aspak zhurmë për këtë çështje, por thjesht kam bërë detyrën time si Kryetar i Kuvendit që të fillojmë sa më shpejt në frymën e rekomandimeve të OSBE/ODHIR për zgjedhjet e vitit 2013 dhe për zgjedhjet lokale të vitit 2015 punën për të ngritur komisionin, i cili këtë të enjte do të marrë përfundimisht edhe formën përfundimtare me miratimin e emrave përfaqësues të mazhorancës dhe të opozitës.

Ajo që mendoj se është pak më e veçantë se në të kaluarën, është se do të kemi kohë dhe shpresoj që edhe me vullnetin politik që u tregua këtu edhe nga Kryeministri z. Rama edhe nga kryetari i opozitës z. Basha, të gjithë bashkë të përfundojmë këtë reformë shumë përpara zgjedhjeve të vitit 2017. Pra, të mos jetë një reformë siç ka qenë e minutës së fundit me nxitim, pa transparencën e duhur dhe pa adresuar shqetësimet në mënyrë racionale dhe pa ndihmuar as KQZ-në për të marrë masat e duhura për implementimin e reformës dhe as për t’iu dhënë kohën e duhur qytetarëve, për të patur kohën e duhur edhe ata për t’ju përshtatur ndryshimeve.
Kështu që mendoj se ky është një lajm shumë i mirë.

E dyta, që është lajm shumë i mirë, që kjo reformë po zhvillohet në një kohë kur ne besojmë se me përpjekje të përbashkëta do të finalizojmë edhe reformën në drejtësi, sepse mendojmë që janë dy çështje të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën.

Dëgjuam për zgjedhjet e vitit 2013, dëgjuam shqetësimet për zgjedhjet e vitit 2015 dhe pikërisht se janë këto shqetësime, dhe këto shqetësime janë serioze, ne jemi mbledhur këtu si rrallëherë. Jemi mbledhur për t’iu dhënë një përgjigje të qartë përmes kësaj reforme dhe në bashkëpunim të ngushtë me Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë, që i falënderoj shumë për punën e tyre, me shoqërinë civile dhe me partnerët tanë më të rëndësishëm BE, SHBA,OSBE, pasi ata gjithmonë na kanë ndihmuar dhe na kanë asistuar në këtë rrugë të konsolidimit të demokracisë.

Por ne e dimë shumë mirë që Shqipëria nuk ka patur zgjedhje në vitin 2013 apo 2015, por zgjedhjet kanë filluar që në mars të vitit 1991 dhe ka patur vazhdimisht. Nuk besoj se kemi harruar zgjedhjet që u zhvilluan në Libofshë dhe standardet e Libofshës nuk besoj se do t’i harrojë ndonjë shqiptar zgjedhjet e 1996-s.
Natyrisht, unë që po flas këtu nuk jam shumë krenar për zgjedhjet e 2001-shit kur kam qenë Kryeministër. Kemi patur edhe zgjedhje të tjera. Ajo që besoj dhe të gjithë biem dakord është, që ka patur një progres të rëndësishëm në shumë drejtime. Nuk ka patur përfshirje brutale të shtetit, të policisë, të shërbimit informativ, të strukturave të tjera si në të kaluarën.

Ajo që biem të gjithë dakord është që, padyshim problemi i korrupsioni zgjedhor, i përpjekjes për të blerë votat, për të manipuluar kartat, për të ndikuar në forma nga më të ndryshmet, për të tjetërsuar vullnetin e votuesve, vazhdon si një shqetësim serioz.

Por nuk mund të pranoj kurrsesi çdo lloj ekspozimi sikur qytetarët shqiptarë mezi po presin muajin e zgjedhjeve që të dalin në treg dhe të shkojnë tek partitë për të marrë “tollonin” në mënyrë që të japin votat. Dhe ata që votojnë për mazhorancën, s’ka rëndësi se kush është mazhoranca, ata janë të gjithë të blerë dhe ata që votojnë për opozitën, ata kurrë nuk shiten dhe janë njerëz me karakter.

Kjo gjë nuk mendoj se funksion në këtë mënyrë dhe në qoftë se do ta shikonim në këtë mënyrë, mendoj se nuk do t’i shërbenim asaj që duam të arrijmë. Në këtë drejtim unë besoj se ne kemi disa probleme mjaft serioze, që duhet t’i adresojmë përmes kësaj reforme.

Kemi hedhur një hap të jashtëzakonshëm me të ashtuquajturën dekriminalizim, edhe pse nuk më pëlqen fare ky term, por çfarë t’i bësh, politika e krijoi. Kështu që derisa njerëzit na durojnë ne, dhe ne do ta durojmë, por për fat të mirë besoj se e mbyllëm këtë kapitull. Dhe për këtë dua të falënderoj dhe z. Rama dhe z. Basha për konsensusin që arritëm dhe Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara për këmbënguljen e tij, por edhe eurodeputetët Kukan me Fleckenstein dhe grupeve më të mëdha për mbështetjen e jashtëzakonshme. Dhe besoj se hedhim një hap të rëndësishëm në këtë mënyrë edhe për të luftuar korrupsionin zgjedhor dhe praninë e të fortëve, të dhunshme në jetën politike të vendit.

Sepse ne vazhdojmë të jetojmë në Ballkan dhe, jo thjesht në kuptimin gjeografik, nuk duhet të harrojmë që ne i përjetojmë ende këto sfidat elektorale dhe pak si ballkanas.
Pra, që nuk mund të pranojmë humbjen, sepse humbja është një turp, ndërkohë që në demokraci humbja është një mundësi për të mësuar në mënyrë që të fitosh në të ardhmen.

Dhe për këtë arsye edhe ne na përshijnë ndonjëherë emocionet, por edhe njerëzit poshtë në terren, kandidatët mund të dalin edhe nga kontrolli. Në këtë mënyrë është shumë e rëndësishme të krijojmë një sistem sa më transparent që funksionon sa më shpejt. Shumë gjëra kanë ndryshuar në Shqipëri për shkak të transparencës, pavarësisht se zhurma mund të bëhet më e madhe.

A e dini pse bëhet zhurma më e madhe? Ka aq shumë media sa nuk ka në asnjë vend të botës për banorë. Kjo është një gjë e mirë, sepse garanton transparencë. Pra, në qoftë se ndodh diçka në terren, dikur mbaj mend që rriheshin deputetë të opozitës dhe mbas dy ditësh merrej vesh që ishin rrahur, por tani gjëja më e vogël menjëherë del në të gjitha ekranet dhe mediat janë kudo.

Por njëkohësisht edhe një problem shumë i madh që ne kemi në këtë drejtim është që, ne duke mos e pranuar dot humbjen, patjetër që do të përgatisim justifikim e saj. Edhe kur e ndjejmë që nuk do të fitojmë, fillojmë e themi: “terror, diktaturë, blerje, hata”. Dhe ata që të dëgjojnë thonë, që jemi në një vend të botës së katërt.
Dhe problemi mendoj unë është që ne ende nuk kemi kuptuar në tërësi që për qytetarin i rëndësishëm është mesazhi pozitiv për qytetarin. Nuk është i rëndësishëm mesazhi negativ për kundërshtarin, sepse njerëzit janë lodhur nga ky lloj mesazhi dhe e fshijnë. Ai mesazh nuk ndikon tek ata. Prandaj cilido që do të fitojë më shumë vota në të ardhmen mendoj që të përqendrohet tek mesazhi pozitiv për qytetarin kudo ku ai është.

Që të jem pak më konkret, në zgjedhjet e fundit vendore, Lëvizjes Socialiste për Integrim është kritikuar jo pak nga opozita për tentativa për të blerë vota, etj. Por unë mendoj që kjo ka ndodhur për disa arsye, sepse LSI-ja kryesisht kandidonte në disa zona ku Partia Demokratike është më e fortë tradicionalisht dhe nuk e pranonin dot dhe ata që të mundeshin nga kandidatë të LSI-së, të mbështetur nga PS. Dhe kjo është një e drejtë e tyre dhe ne e respektojmë, sidomos zonën e veriut, që unë e kam aq për zemër, sepse jam edhe dhëndër andej përveç raporteve të tjera që ju i dini.

Këtu, që të flasim konkretisht tani, këtu është një gazetë shumë e nderuar që ka themeluar shtypin e lirë bashkë me kohën tonë, “Rilindja Demokratike”. Në datë 23 maj kjo gazetë thotë që “Qelbësirat, paratë e pista të korrupsionit, të krimit për blerjen e votave”, dhe jep një person këtu që gjoja është tek zyra e LSI-së me shkrime brenda etj, etj. Dëgjon në Parlament, flet njëri LSI kështu, LSI ashtu, flet tjetri. Çfarë t’i bëj, në Parlament nuk kam çfarë t’i bëj. Kam thënë me qetësi dhe me dashuri dhe kështu do ta vazhdoj këtë derisa sa të jem. Por ne kemi një kulturë tjetër mendoj unë, që duhet ta ngulisim edhe këtu atë shteti ligjor.

Kjo gazetë është e 23 majit. Më 25 maj, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së z. Luan Rama i ka kërkuar Gjykatës së Shkallës të Parë të gjykojë këtë çështje si çështje penale në mënyrë që të zbardhet vërtetësia e personit, e faktit, e veprës penale që ai mund të ketë kryer. Se si mund të gënjejë gazeta zyrtare e opozitës zyrtare dhe në këtë mënyrë ne të japim shembullin, që një njeri që tenton të blejë votën të dënohet maksimalisht që të bëhet shembull për të gjithë të tjerët.

Mirë po gazeta “RD” ka disa seanca që nuk dërgon përfaqësuesit e vet në gjykatë. Unë i ftoj që t’i dërgojë, t’i japë të gjithë të dhënat e personit, në rast se ky është i LSI-së, unë të jap fjalën, do të nxjerr të gjithë njerëzit e LSI-së të shkojmë te gjykata ta dënojmë maksimalisht. Por në rast se ne do të vazhdojmë që vetëm flasim, vetëm akuzojmë, vetëm hedhim baltë, që nesër në qoftë se rezultati nuk na del siç e duam të themi kjo u ble, kjo u bë, atëherë ne dëmtojmë institucionet, dëmtojmë raportin e qytetarëve me këto institucione, por nuk është se fitojmë ndonjë gjë të madhe për vete në kuptimin politik. Për qytetarët ka rëndësi mesazhi për ata, nuk ka rëndësi mesazhi që ne japim për kundërshtarin.

Tani meqenëse përmendëm këtë rast, mund t’ju them edhe rastin tjetër që LSI-ja ishte e vetmja forcë politike këto zgjedhje që pati vetëm dy spote. Një spot, një mesazh konkret dhe një mesazh duke ftuar qytetarët të denoncojnë çdo rast tentativash për blerjes së votës, etj. Megjithatë këto gjëra nuk është se mjaftojnë. Dhe unë jam i bindur se do të vazhdojnë akuzat ndaj LSI-së për një gjë shumë të thjeshtë: se unë, edhe pse mund të përpiqem ta frenoj rritjen e LSI-së, nuk e ndaloj dot. Këtë nuk e kam në dorë. Por ne kemi në dorë diçka tjetër, që të zhvillojmë transparencë maksimale, këtë e kemi në dorë dhe këtë do ta bëjmë.

Ne do ta bëjmë edhe në mënyrë të njëanshme, shpresoj ta bëjmë edhe përmes zbatimit të rekomandimeve të OSBE-ODIHR, t’i thellojmë ato akoma më tej. Për këtë arsye kam kënaqësinë që t’ju njoftoj edhe juve, meqenëse një pjesë mund të jenë njohur edhe nga media, që LSI-ja ka shpallur një platformë për transparencën e funksionimit të partisë, të financave të partisë, dhe në tërësi të gjithë kësaj force politike, sepse kjo është e domosdoshme të themi të drejtën, pasi ka raste ku fushata në zona të caktuara del jashtë kontrollit.

Del jashtë kontrollit në kuptimin që ka një datë të caktuar, bëhen improvizime e kështu me radhë dhe me thënë të drejtën kemi ngatërruar pak politikën me biznesin më shumë se ç’duhet. Shpeshherë ata dhe me shpenzimet e tyre prodhojnë flamuj, shumë prej tyre kanë fabrika fasonësh dhe këtë punë bëjnë. Mirë po kjo krijon përshtypjen sikur çfarë po bëhet, po bëhet ndonjë hata e madhe dhe në fund të fundit nuk është një gjë pozitive. Prandaj ne kemi vendosur dhe kemi marrë disa masa.
E para, buxheti i partisë, ai që merret nga shteti dhe që krijohet nga të ardhurat e anëtarëve, të bëhet transparent dhe të publikohet dhe kjo gjë ka filluar që me buxhetin e këtij viti, që ne kemi hyrë dhe çdo ndryshim i zërave të tij do të bëhet transparent dhe do të jetë i hapur dhe i investigueshëm për mediat dhe për përfaqësues të shoqërisë civile dhe do t’ju lutesha të gjithëve të na ndihmojnë me idetë e tyre.

Së dyti, për çdo aktivitet publik që dëgjojmë që u bë një aktivitet këtu, kushtoi kaq, kushtoi aq, edhe këto mund të jenë shqetësime të drejta dhe janë të drejta. Por për t’i dhënë fund spekulimeve ne kemi vendosur, dhe kjo tashmë ka filluar dhe po zbatohet, çdo aktivitet ku shkon kryetari i LSI-së që më përpara do të bëhen publike shpenzimet. Në faqen e LSI-së do të dalin, përndryshe kryetari nuk shkon, nuk merr pjesë në këtë aktivitet. Në çdo aktivitet që bën Lëvizja Socialiste për Integrim, që bën Lëvizja Rinore për Integrim, Lëvizja e Gruas për Integrim, pra që ka lidhje me LSI-në, brenda 48 orëve do të publikohen, do të bëhen transparente të gjitha shpenzimet, burimet e këtyre shpenzimeve, faturat, për cilindo që është i interesuar e kështu me radhë.

Natyrisht, që këto nuk janë të mjaftueshme. Ne po përpiqemi që të disiplinojmë edhe problemet që kanë të bëjnë edhe me financimin e fushatës, sepse këto janë për në vazhdimësi dhe është shumë e rëndësishme të disiplinojmë, jo vetëm shpenzimet e partisë, por edhe të kandidatëve. Sepse shpeshherë kandidatët bëjnë shpenzimet e tyre, mobilizojnë fonde e kështu me radhë.

Një problem tjetër serioz që ne kemi, që ka të bëjë me cilësinë e Parlamentit dhe që ka të bëj edhe me problemin e transparencës, të korrupsionit zgjedhor, është problemi që ne kemi shumë biznesmenë të përfshirë në politikë. Biznesi është motori i ekonomisë edhe luan rol të jashtëzakonshëm për zhvillimin e vendit, por patjetër që duhet të ketë zërin e vet edhe në Parlament, por duhet të jetë një zë cilësor, një zë që sjell ide sjell mendime dhe nuk duhet të jetë një prezencë, që thjesht mbron apo zhvillon interesa personale apo vetjake. Sepse kjo është në dëm të cilësisë së Parlamentit dhe thellon konfliktin e interesave.

Për këtë qëllim ne si forcë politike kemi vendosur që të realizojmë kufizimin ose më saktë përcaktimin e kritereve të qarta, kur njerëz të botës së biznesit janë kandidatë për deputetë, për zgjedhjet vendore apo për çdo institucion tjetër. Në mënyrë që të jetë e qartë që këta njerëz kandidohen për shkak të vlerave që ata kanë në komunitet dhe jo për shkak të parave që mund t’i japin partisë apo për shkak të mundësisë që kanë për të bërë allishverishe apo për të blerë vota në komunitetet e tyre. Dhe unë mendoj që kjo është shumë e rëndësishme pas realizimit të dekriminalizimit, mendoj që kjo për ne si LSI është tepër e rëndësishme në mënyrë që ne të heqim një herë e mirë atë konceptin që ka deputetët që i trajtojnë zonat e tyre si ndërmarrje private. Ato kanë të drejtën e tyre të zgjidhen, por duhet të zgjidhen për shkak të vlerave që kanë, jo për shkak të parave që kanë apo që mund të grumbullojnë gjatë fushatës.

Ne besojmë gjithashtu që është shumë e rëndësishme për të forcuar parlamentarizmin duke ruajtur pak a shumë sistemin aktual. Ne si LSI jemi të hapur për çdo zgjedhje transparente, të shohim mundësinë e listave të hapura të partive. Pra, partitë kanë të drejtë të bëjnë një renditje paraprake, por të shohim mundësinë që edhe qytetarët të kenë mundësinë të zgjedhin brenda një force politike. Këtë e kemi ngritur me kohë, që kur ky sistemi është vendosur, për arsye sepse do të forconim më shumë parlamentarizimin dhe do të forconim atë ndikimin e partitizmit në Parlament, por ajo që është më e rëndësishmja do të forconim lidhjen me qytetarët. Pa dyshim një deputet duhet të luajal ndaj forcës politike, sepse përndryshe do të gjejë mënyrën të dalë i pavarur, por edhe qytetarët duhet të kenë mundësi në një rajon të shprehin preferencën e tyre brenda një force politike. Kjo do t’i detyrojë deputetët që të jenë më të lidhur me qytetarët edhe t’i shërbejnë më me përkushtim ndaj tyre. Ne për këtë reformë që kemi nisur, dhe që do ta zhvillojmë patjetër, dhe besoj që LSI-ja do të bëhet një forcë model për transparencën, kemi kërkuar edhe bashkëpunimin e Institutit Demokratik Amerikan, me të cilin kemi një bashkëpunim shumë të mirë me programet e rinisë edhe për fuqizimin e gruas. Do të kërkojmë edhe bashkëpunimin e Fondacioneve Friedrich Ebert, Konrad Adenaur, etj., dhe të institucioneve të tjera me këto çështje, sepse besojmë që ne e kemi të vështirë të shkëputemi në një kohë të shkurtër nga psikologjia e paragjykimit të zgjedhjeve, e paragjykimit të rezultatit e kështu me radhë.

Ne do të vazhdojmë për fat të keq edhe të akuzojmë, për fat të keq edhe të shpifim, vazhdimisht edhe për këtë çështje. Sepse mospranimi i rezultatit, mospranimi i përgjegjësisë, është çështje kulture dhe nuk ndryshon për 6 muaj. Por ajo që ne mund të ndryshojmë për tre muaj apo për gjashtë muaj, është marrja e masave të menjëhershme, transparente në mënyrë që qytetarët që mediat, që të gjithë të kenë mundësinë të verifikojnë çdo pretendim që ngrihet, të ndëshkojnë atë që bën një fenomen të shëmtuar, korruptiv, jo transparent ose të ndëshkojnë atë që shpif që denigron dhe që paragjykon një proces. Dhe kur flasim për një proces zgjedhor, ky është një proces që u takon të gjithë qytetarëve shqiptarë. Sepse në rast se zgjedhjet njollosen, kjo është një njollë për Shqipërinë, nuk është një njollë dhe një problem vetëm për politikën dhe për politikanët, dhe qytetarët tanë nuk e meritojnë këtë gjë. Kështu që unë besoj që ne i kemi të gjitha mundësitë që të hedhim hapa të fuqishëm përpara.
Ne hodhëm një hap të jashtëzakonshëm me reformën administrative-territoriale dhe me zgjedhjet vendore, ku garantuam barazi të plotë gjinore 50% me 50%. Ky është një hap shumë i mirë, shumë pozitiv, modernizues, përfshirës për shoqërinë tonë, ne shpresojmë që këtë gjë ta realizojmë edhe te ligji i zgjedhjeve, me ndryshimet që do të bëhen në rast se do të ketë konsensus. Në rast se s’do të ketë konsensus LSI-ja në mënyrë të njëanshme do ta zbatojë si forcë politike në mënyrë që përfaqësuesit e saj në Parlamentin e ardhshëm të jenë pikërisht, pra në respekt të plotë të kësaj barazie gjinore.

Pse e themi këtë? Sepse e dimë që gratë, që vajzat janë patjetër shumë të përgjegjshme, por edhe kanë avantazhin e madh që nuk mund të ulen me cilindo, siç na ndodh ndonjëherë ne politikanëve. Dhe absolutisht që kanë treguar përgjegjshmëri dhe përkushtim të jashtëzakonshëm dhe e meritojnë të jenë plotësisht të barabarta edhe në Parlament, edhe në qeveri, edhe në pushtet lokal, siç janë sot dhe pas këtyre zgjedhjeve që ndodhën pozita e tyre është shumë e fortë, sepse është një mesazh transparence, është një mesazh europianizues i shoqërisë sonë dhe kemi shumë nevojë për mesazhe të tilla.

E theksoj, që kjo reformë është shumë e rëndësishme të mbështetet fuqimisht edhe nga reforma në drejtësi, sepse problemi këtu është që ngrihet një pretendim dhe ky pretendim nuk verifikohet menjëherë, nuk hetohet menjëherë. Dhe personi që bën këtë korrupsion, që bën këtë manipulim të dënohet, të bëhet një shembull, në mënyrë që të tjerët të mos guxojnë të përsërisin këtë problem. Dhe unë besoj që këto të dyja do të ndihmojnë shumë për forcimin e institucioneve në vendin tonë, besimit te këto institucione dhe besimit të drejtësia dhe të gjitha këto bashkë të na ndihmojnë për një ekonomi më të mirë për të gjithë qytetarët tanë. 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

I mori 8 mln lekë pacientes me COVID te 'Shefqet Ndroqi' , Gjykata dënon me 4 vite burg për mashtrim sanitaren (EMRI)