I nderuar zoti Kryeministër,
 
Të nderuar pjesëmarrës,
 
Në këtë sallë jemi mbledhur shpesh për sektorin energjetik dhe po prapë po mblidhemi për të njëjtin sektor, posaçërisht për karburantet të cilat janë një element shumë i rëndësishëm i jetës së njeriut, ekonomisë së vendit. Kjo qeveri po e merr këtë çështje shumë seriozisht. Që në vitin 2013, ashtu si me energjinë ne ndryshuam bazën ligjore, të nevojshme për të bërë të mundur më shumë kontroll, më shumë masa, ndaj atyre që abuzojnë me këtë element të rëndësishëm energjetik.
 
Ndryshuam ligjin e hidrokarbureve, shtuam masat e kontrollit, fuqizuam masat ndëshkuese, madje për herë të parë futëm në kontroll të plotë, dhe tashmë po bëhet realitet edhe ato ‘baxhot e famshme’ të prodhimit të Hidrokarbureve, që vetëm nxinin dynjanë dhe mashtronin shtetin. Bëhet fjalë për ato lloj impiantesh që ishin ngritur kudo dhe që realisht ishin burim i vazhdueshëm si për evazion fiskal ashtu edhe për cilësi të dobët të hidrokarbureve.
 
Aktualisht, përmes ndryshimeve ligjore të realizuara, akteve nënligjore që u plotësuan sëfundi, çdo impiant do të licensohet vetëm për ato lloj produktesh që duhet të prodhojë dhe jo më të marrë naftë bruto e të shesë produkte të cilat dëmtonin mjedisin dhe qytetarët.
 
Mjafton t’ju japë disa shifra: që nga viti 2013 janë bërë 110% më shumë kontrolle nga Inspektorati Qendror Teknik. Kontrolle të cilat kanë dhënë rezultatin e duhur, por fatkeqësisht nuk kanë arritur atë që të gjithë dëshirojmë, për shkak të një fenomeni që duhet ta pranojmë dhe duhet që gjithë shqiptarët ta dinë. Duhet ta dinë se me këtë shpërndarje pikash karburanti, në mënyrë komplet të paorganizuar, të pa planifikuar, në një mënyrë komplet sporadike, gjithmonë kontrolli do të jetë një sfidë e vërtetë.
 
Detyrimi i qeverisë, edhe përmes këtij koordinimi të institucioneve, është që pavarësisht shpërndarjes në kaq shumë pika, të mundësojë kontroll më të rreptë e më të imtë. Masat ndëshkuese do të jenë të tilla që kushdo që të jetë, nëse i shkon mendja të abuzojë me karburantin, kudo që të jetë në Shqipëri, ta ketë shumë të vështirë. Nga ana tjetër, vetëm gjatë vitit 2014 janë pezulluar 75 subjekte, të cilat kanë pasur probleme teknike përsa i përket cilësisë së karburanteve, por edhe problemeve të tjera të sigurisë teknike. Këto masa kanë ardhur pikërisht për shkak të rritjes së intensitetit të kontrolleve.
 
Dikush mund të thotë, ju i keni marrë këto masa, pse kërkoni ti ashpërsoni edhe më shumë?! Patjetër që ka nevojë, kjo është një sfidë e vjetër, një luftë shumë e madhe dhe që patjetër kërkon një bashkëpunim më të mirë ndërinstitucional. Këtu ka qenë qëllimi i vet operacionit, që të gjitha institucionet e përfshira, nga institucionet fiskale, Tatim-Taksat, Doganat, Inspektorati Qendror Teknik, por edhe inspektoratet e tjera, të përfshihen në një luftë të përbashkët ndaj këtij fenomeni që dëmton qytetarët, por mbi të gjitha dëmton edhe Buxhetin e Shtetit.
 
Dua të them diçka edhe për sektorin hidrokarbur në tërësi pasi me të drejtë, ka pasur edhe shqetësime nga publiku. Ka një tension normal kur flitet për marrëveshjet hidrokarbure, ata që prodhojnë naftë nga nëntoka shqiptare dhe interesat që ka shteti në këtë industri. Për herë të parë, pikërisht për shkak të masave të marra, kontrolleve e auditimeve më të sakta të kryera nga kjo qeveri, ky problem po bëhet prezent.
 
Pavarësisht se ka patur përpjekje për të spekuluar politikisht, edhe në ngjarjen që ndodhi në Marinzë, shteti ynë veproi në kohë dhe në mënyrën e duhur. Shteti nuk mund të flasë me opinione që vijnë nga gazetat, as me opinione të momentit. Shteti bën një investigim të qartë dhe nxjerr konkluzionet e veta teknike mbi të cilat ngarkon kompaninë edhe me përgjegjësi. Ai proces po vazhdon, sot që flasim po veprohet me procesin e dëmshpërblimit ashtu sikurse ngarkohet me përgjegjësinë e saj kompania.
 
Ne nuk kemi nëpërkëmbur për asnjë moment interesat më të rëndësishme të shtetit, ndjekjen nga afër të mënyrës se si shfrytëzohet nafta shqiptare dhe sa po merr publiku nga kjo pasuri. Një duhet ta dini, marrëveshjet hidrokarbure janë marrëveshje të cilat kanë edhe klauzola konfidenciale, do të thotë, të gjitha auditimet që bëhen nuk mundet që të dalin në publik. Një gjë është e qartë dhe të jeni të sigurt se auditimet që janë bërë në këto muaj, ballafaqimet që janë bërë, nuk kanë ndodhur ndonjëherë në 10 vitet e fundit kur është diskutuar për naftën.
 
Me këto auditime do i shkojmë kësaj çështje deri në fund, dhe për çdo lloj problem, siç është bërë e qartë edhe publikisht, kur nuk do bihet dakord ne nuk do mbyllim sytë siç kanë mbyllur paraardhësit tanë. Do të marrin ekspertizën e duhur, madje edhe ballafaqimin ndërkombëtar që e drejta e publikut shqiptar të mbrohet dhe ti shkohet deri në fund.
 
Këto janë masat që kemi, këto janë mundësitë që kemi  dhe ne këto po i shfrytëzojmë. Duhet t’ia bëjmë të qartë publikut edhe kujtdo investitori se ne jemi të interesuar për prodhimin e naftës. Ne jemi të interesuar që Shqipëria të ketë më shumë prodhim nafte dhe jemi të interesuar që çdo investitor serioz që kërkon të eksplorojë nëntokën shqiptare ta shtojë prodhimin. Prandaj, këto marrëveshje kanë rëndësi të përmirësohen, të ruhen dhe të drejtat e palëve të respektohen deri në fund. Por, mbi të gjitha të drejtat e shqiptarëve të respektohen dhe të mbrohen nga vetë qeveria. Për shkak të kësaj pune dhe të këtij angazhimi është krijuar dhe ky tension publik dhe ka dalë si problematikë.
 
Nuk mund të lë pa përmendur edhe anë pozitive të këtij procesi, që prodhimi i naftës është rritur, të ardhurat për shtetin vazhdimisht janë rritur. Kuptohet, ka pasur probleme për shkak të rënies së çmimeve ndërkombëtare, dhe patjetër që kjo reflektohet edhe në fiskun shqiptar, por po të shikoni prodhimin naftës, ka një shtim të vazhdueshëm. E njëjta gjë vlen edhe për përpunimin e naftës në Shqipëri, ku për herë të parë këtë vit, e them me bindje, do të arrihet të përpunohen 600 mijë tone naftë bruto, pra gjysma e naftës shqiptare do të përpunohet në vend. Kjo gjë sjell edhe detyra të tjera për ne, qoftë për të garantuar standardet, për të rritur teknologjinë, për të mbrojtur mjedisin, por njëkohësisht për të kontribuar në ekonominë shqiptare.
 
Prandaj, ky operacion është shumë dimensional dhe ka shumë rëndësi si për publikun, për shtetin, për fiskun, por edhe për një zhvillim të qëndrueshëm të tregut të Hidrokarbureve, përfshirë edhe proceset e prodhimit dhe të përpunimit të naftës në vend. Të gjitha institucionet do të jenë së bashku në një qendër koordinimi e cila jam i sigurt që punën e bërë të mirë deri tani, do ta çojë në një shkallë më të lartë. Do të shikojmë rezultate të ngjashme siç ndodhi në sektorin tjetër të energjisë, në energjinë elektrike.
 
Ju uroj suksese dhe shpresoj që këtu do të mblidhemi për të parë vërtet rezultate konkrete që do të ketë ky operacion.
 
Ju faleminderit!