Të nderura Kryetarë të Komisioneve të Jashtme
I nderuar Ministër i Punëve të Jashtme, z. Bushati,
E nderuar Ministre e Integrimit Evropian, znj. Gjosha,
Të nderuar zonja dhe zotërinj ambasadorë,
Të nderuar miq,
Është kënaqësi, që ashtu sikurse edhe znj. Dade, edhe unë t’ju uroj mirëseardhjen këtu në Kuvendin tonë, i cili e mirëpret këtë konferencë të një kalibri të tillë në kuadër të Presidencës shqiptare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore ku ne po punojmë të gjithë së bashku për ta kthyer atë në një platformë të bashkëpunimit të vërtetë e konkret midis vendeve tona në mbështetje gjithashtu të axhendës së përbashkët të integrimit evropian.

Vlerësojmë shumë rolin e rëndësishëm që parlamentet kanë efikasitet në nisma rajonale. Ndaj theksoj se rritja e komunikimit dhe e bashkëpunimit midis komisioneve për politikën e jashtme, përfaqëson një shtysë të veçantë për të rritur cilësinë e bashkëpunimit ndërparlamentar në rajonin tonë.

Zhvillimet e fundit në hapësirë evropiane, situata në Lindjen e Mesme, sfidat e përbashkëta në luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar si dhe kriza globale ekonomike që ka prekur kontinentin tonë, na detyron ta shohim të ardhmen tonë me një sy edhe më të mprehtë. Pavarësisht lodhjes së disa vendeve europiane nga zgjerimi i Bashkimit Evropian, të cilin ne këtu vazhdojmë ta shohim si projektin politik dhe gjeostrategjik më të suksesshëm për garantimin e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit, ne sot kemi dhe më tepër arsye për të shumëfishuar përpjekjet tona edhe për të rritur ndjeshëm dhe në mënyrë konkrete bashkëpunimin tonë rajonal.

Është e qartë se forcimi i perspektivës europiane për secilin vend në rajonin tonë është kyç për intensifikimin e bashkëpunimit midis nesh. Kjo do të thotë që të frymëzuar për projektin evropian, çdo nismë rajonale ku ne jemi të angazhuar që ti shërbejë projekteve ekonomike dhe sociale që forcojnë ndërveprimin rajonal dhe e prezantojnë rajonin tonë si një hapësirë të unifikuar, dinamike përballë investitorëve të huaj.

Koha e politika të vjetruara dhe nacionalizmave destruktive ka kaluar tashmë në Ballkan.

Sot është ora e përqasjes pragmatike duke shembur barrierat administrative, e duke hapur rrugët e zhvillimit ekonomik që për rrjedhojë do të sjellë më tepër mundësi punësimi për qytetarët tanë e më tepër prosperitet e stabilitet për të gjithë.

Ndaj mendoj se inkurajimi i këtij momenti pozitiv që ka prodhuar Konferenca e Berlinit si edhe Konferenca e Vjenës që do të zhvillohet brenda disa muajsh, duhen përkthyer në projekte serioze mes vendeve tona. Fillimi ynë i përbashkët duhet të jetë përshpejtimi i ritmit të axhendës tonë evropiane, duke punuar më fort që ta kthejmë rajoni tonë në një hapësirë vibrante zhvillimi demokratik dhe shkëmbimesh ekonomike e tregtare. Ndërveprimi dhe ndërlidhja rajonale janë kyçe në këtë drejtim. Ndërveprim në fushat e arsimit dhe kulturës, shëndetësisë dhe sigurisë ushqimore, ndërlidhje në fushat e energjisë, transportit dhe infrastrukturës në interes të krijimit të një klime më pozitive të biznesit, e cila do të sjellë rritje ekonomike në një rajon më të konkurueshëm në tregun modern global dhe më shumë punësim për qytetarët tanë.

Rajoni do të njohë një hov vërtetë cilësor në zhvillimin e tij ekonomik, pikërisht atëherë kur të konkretizojmë realizimin e korridoreve infrastrukturore, të ndërtojmë linjat hekurudhore, të avancojmë me linjat e interkonjeksionit, nëse paralel me gazsjellësit TAP dhe IAP me ofrimin e një paketë turistike rajonale e të parqeve industriale rajonale, vendet tona harmonizojnë më mirë praktikat e biznesit dhe krijojnë një treg prej 20 milionë konsumatorësh, atëherë Ballkani Perëndimor do të ecë më shpejt drejt perspektivës evropiane.

Ndaj edhe ne përmes presidencës së kësaj iniciative mjaft të rëndësishme, ashtu edhe në angazhimet shumëplanëshe rajonale ndërkombëtare do të mbështesim pa u kursyer axhendën e projekteve zhvillimore konkrete rajonale dhe integrimin evropian të vendeve tona, duke besuar fort se e ardhmja jonë e përbashkët gjendet vetëm në gjirin e familjeve të zhvilluara demokratike të hapësirë euroatlantike.

Dua t’iu përgëzoj për këtë iniciativë të Komisioneve për Politikën e Jashtme dhe jam i bindur se Parlamentet tona mbeten themel i integrimi rajonal dhe promotor të zhvillimit ekonomik e demokratik të hapësirës sonë rajonale. Një falënderim të veçantë e kam për kryetaren e komisionit për Politikën e Jashtme, znj. Dade për përkushtimin dhe profezionalizmin e saj në përmbushjen objektivave të vendit tonë në fushën e politikës së jashtme.
Ju faleminderit