Ju drejtohem ju dhe atyre mijëra e mijëra të tjerëve që u nisën por u penguan që të jenë pjesë e këtij përkujtimi dhe marshimi proteste me falënderimet dhe mirënjohjet më të thella për aktin tuaj qytetar të pjesëmarrjes në këtë protestë.
Vëllezër dhe motra. Në këtë marshim proteste të thirrur nga Partia Demokratike dhe opozita shqiptare, ne vijmë për të përkujtuar një ditë të shënuar me germa të arta në historinë e vendit tonë. 20 shkurti 1991, kur 23 vjet më parë, te rinjtë dhe te rejat, burrat dhe gratë e ketij vendi rrëzuan shtatoren e Enver Hoxhës personifikimin e shtypjes, izolimit, mjerimit dhe gënjeshtrës që mbante për 50 vite këtë vend nën thundër.
Nderim dhe respekt të pakufishëm në emrin tim dhe në emrin e gjithsecilit prej jush, e qindra mijëra shqiptarëve të tjerë, të gjithë atyre që na lanë trashëgim këtë ditë të dinjitetit dhe krenarisë qytetare, këtë lartësi të kurajos civile që është pasuri e ndërgjegjes sonë qytetare, shembull i gjallë frymëzimi për brezat e rinj dhe përballjet e reja.
Sot 23 vjet më pas, vendi ndodhet në një udhëkryq të rrezikshëm. Ditë pas dite, shohim me shqetësim të madh si po kërcënohen, po cënohen, po tjetërsohen, po zhbëhen, po goditen e po shkelen me këmbë nga qeveria Rama-Meta vlera të mëdha, vlera të rëndësishme, vlera të shtrenjta që janë bërë pjesë organike të shqiptarëve të lirë gjatë këtyre viteve, vlera pa të cilat nuk ia vlen të jetohet e nuk mund të jetohet, siç janë liria, të drejtat, dinjiteti njerëzor e qytetar, shteti ligjor, vota e lirë, punësimi, zhvillimi, aspirata europiane, vetë demokracia shqiptare.
Përkeqësimi është ulur këmbëkryq shtëpi më shtëpi, qëkurse erdhën këta, dhe nuk po ndalet.
Kanë ngritur dorë kundër ligjit, kanë dalë mbi ligjin, domethënë jashtë ligjit, dhe nuk po ndalen.
Me këta, horizonti i shpresës për Shqipërinë për shqiptarët vetëm mbyllet ditë për ditë, orë për orë dhe nuk çelet.
Jemi mbledhur sot këtu kaq shumë, më shumë se ç’ka parë ndonjeherë sheshi Skënderbej e ky bulevard në vitet e stuhive të luftës për demokraci.
Jemi mbledhur me një urgjencë të madhe sot, para se e keqja të prekë fundin, para se negativiteti në ekonomi, në rend dhe në çdo fushë tjetër të na zërë brenda, para se ta humbim përsëri marrjen e statusit të vendit kandidat në muajin qershor, siç e humbëm për faj të kësaj qeverie në dhjetor.
Ja ku jemi, hidhni sytë e hapni veshët zotërinj qeveritarë; barrikadë vendimtare kundër oligarkisë, kundër përqendrimit të pushtetit, kundër blerjes së pushtetit, dhe pushtimit të pushtetit nga mafia dhe oligarkët e rinj, siç i stigmatizoi pak javë më parë demokracia më e madhe e botës, kundër kthimit prapa të demokracisë, kundër rrënimit të ekonomisë, sigurisë, mirëqenies, stabilitetit, dinjitetit, europianizmit.
Jemi të gjithë bashkë, për të treguar me gisht qeverinë si shkaktaren e gjendjes së rëndë, për ta përballur në këtë shesh të madh e të hapur të popullit me mashtrimet dhe dështimet e saj të padëgjuara, për ta paralajmëruar të kthehet me urgjencë në binarët e ligjit, para se të jetë vonë; për të afirmuar forcën dhe vullnetin tonë të pathyeshëm si një pol jetik i lirisë dhe demokracisë.
Çfarë emri ka, të dashur qytetarë, marrja e votave me një listë të gjatë premtimesh të bujshme që braktisen, harrohen e flaken nga fituesi që të nesërmen e fitores njësoj si në shprehjen e njohur popullore kalova lumin…?
Çfarë emri ti vëmë kësaj? Çfarë emri ka? Dëgjoj që po thoni “ mashtrim”. E ka emrin mashtrim. E ka emrin Edi Rama.
Po si zgjidhet kjo? Si zgjidhet ky konflikt?
Në kontratën e shenjtë të votës kur njëri voton për premtimet e tjetri nuk do t’ia dijë sapo merr votën, ka vetëm një zgjidhje dhe nuk ka tjetër. Shikojeni, hapni sytë: sheshi, marshimi, protesta popullore.
Protesta popullore si kjo e sotmja, e cila do të pasohet nga protesta të tjera të fuqishme, derisa kryeministri që ka grisur kontratën me zgjedhësit të marrë një për një përgjegjësitë e tij;
Derisa votat e marra me premtime fallso të konsiderohen vota të blera në formën më të shëmtuar të korrupsionit politik, që duhet t’i kthehen mbrapsht sovranit.
Derisa të ngulitet si ligj dhe normë e hekurt se kushdo që mashtron për vota nuk do t’i gëzohet e nuk mund t’i gëzohet pushtetit.
Zonja dhe zotërinj, ju po shihni këtu tullumbacet ku janë shkruar premtimet fallso, premtimet-mashtrime të Edi Ramës për legalizime falas, shëndetësi falas, ulje të çmimeve, për 300 mijë vende pune, për ulje të taksave, e tjerë e tjerë. Shikojini, ja ku i keni.
Këto janë tullumbacet e premtim-mashtrimeve. Mungon njëra, mungon tullumbacja më e madhe e kohës, që është vetë Edi Rama me qeverinë e tij. Por ju e keni vetë parasysh. E kanë parasysh të gjithë shqiptarët.
Zonja dhe zotërinj, vëllezër dhe motra, të rinj e të reja, qytetare dhe qytetarë
Çfarë emri ka politika e tij ekonomike që vetëm shkatërron pa mëshirë qindra mijëra vende punë, që nuk rrit rroga, nuk rrit pensione, por i ul ato ndërkohë që çmimet vetëm rriten, ai nuk rrit investimet dhe nuk rrit asgjë për njerëzit dhe qytetarët por vetëm shpenzimet qeveritare?
Çfarë emri ka kjo qeverisje që i pakëson shanset e shqiptarëve, që i shton hallet e shqiptarëve, që e shtyn vendin drejt humnerës së recesionit, vetëm e shton pasigurinë e jetës dhe pronës së qytetarëve?
Çfarë emri t’i vëmë? “Dështim” dëgjova dhe dështim është.
Dita e mirë duket që në mëngjes, thotë populli. Edhe dita e keqe duket që në mëngjes.
Mëngjesi po kalon për qeverinë Rama-Meta dhe keq e më keq po bëhet, keq e më keq po e bëjnë.
Si zgjidhet kjo? Ka një zgjidhje: sheshi, marshimet, protestat popullore, qytetarët në këmbë, për t’i drejtuar qeverisë me fuqinë e zërave të bashkuar paralajmërimin dhe urdhrin e sovranit:
Lëre propagandën! Mbylle fushatën elektorale të rrenave!
Shtroju punës, bëj punën që bën qeveria në demokraci, çel kantieret e mundësive dhe shanseve për punë dhe punësim të shqiptarëve, zgjidhje të shpejta për lehtësimin dhe nxitjen e sipërmarrjes së lirë dhe investimeve private si rruga më e sigurt për të rimarrë frymëmarrjen, zhvillimin, ngritjen;
Lëri përrallat, iku koha e përrallave, fillo punën ose përndryshe, largohu.
Vendi nuk mund të jetojë në fatalitetin e dështimeve të qeverisë. Eshtë marrëzi se shqiptarët mund të pranojnë një qeveri që i drejton nga dështimi në dështim dhe të presin katër vjet.
Motra dhe vëllezër, Në dhjetor të vitit të kaluar Shqipëria nuk e mori statusin e vendit kandidat në BE.
Shqipëria ishte në rregull me detyrat e saj, me zgjedhjet e saj politike të qershorit, me rrotacionin demokratik të pushtetit.
Por qeveria e re, të cilës nuk i kishte mbetur vetëm për të shkuar e për ta marrë statusin, e humbi atë.
Sot e ndjejmë për obligim politik, qytetar dhe kombëtar të paralajmërojmë shqiptarët se prapë rrezikojmë humbjen e statusit në muajin qershor, për të njëjtat shkaqe, që nuk janë korrigjuar, por vetëm rënduar e thelluar.
Rama-Meta po godasin përsëri brutalisht konsensusin për ligjin e nëpunësit civil, po guxojnë të godasin përsëri, akoma më brutalisht, vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe gjykatave të tjera të vendit, po duan të ndërmarrin pa opozitën dhe pa qytetarët një reformë që nuk është bërë kurrë pa konsensusin e palëve, një reformë që kërkon si minimum konsensus politik dhe si optimum konsensus e gjithë qytetarëve, reformën territoriale.
Pasoja e gjithë kësaj arrogance dhe urrejtje për shtetin ligjor dhe konsensusin është mbyllja e dyerve për Shqipërinë në Bruksel, lënia sërish pezull, sërish në pritje, e statusit për Shqipërinë.
Ne nuk do ta pranojmë. Ne nuk do të heshtim. Ne jemi në këmbë.
Sepse statusi dhe integrimi nuk është i qeverisë, nuk është i partive por u përket qytetarëve dhe popullit shqiptar.
Statusi nuk është një letër, nuk është çertifikatë, është demokracia, është liria dhe të drejtat tona, është sundimi i ligjit, është e sotmja dhe e ardhmja jonë në familjen e kombeve të lira të Europës.
Prandaj përmes instrumentit demokratik të marshimit, të protestës popullore, populli i lirë do të marrë vetë në dorë çështjen e statusit. Në emër të ëndrrës që ishte ëndrra e studentëve të dhjetorit, ëndrra e gjithë atyre që u ngritën me 20 shkurt 1991 kundër izolimit, tiranisë dhe varfërisë, ëndrra e rinisë së sotme, ëndrra e gjithë shqiptarëve, i drejtojmë sot qeverisë Rama-Meta nga ky marshim madhështor proteste, dhe nga çdo shtëpi e zemër shqiptare paralajmërimin:
Mos luani më asnjë sekondë me Kushtetutën, mos luani më asnjë sekondë me ligjin dhe vendimet e gjykatave, mos luani më asnjë sekondë me institucionet e pavarura, mos luani më asnjë sekondë me konsensusin, mos luani më asnjë sekondë me statusin.
Ju paralajmërojmë në këtë ditë të madhe të kujtesës dhe ndërgjegjes historike të shqiptarëve. Ju paralajmërojmë në emër të këtyre mijëra e mijëra shqiptarëve, në emër të këtij sheshi dhe qindra mijëra të tjerëve; Mos luani me njerëzit. Mos luani me popullin. Mos luani me të ardhmen e shqiptarëve.
Ne jemi në këmbë e do të jemi në këmbë. Jemi të bashkuar e do të jemi edhe më të bashkuar.
Jemi shumë e do të jemi edhe më shumë. Në sheshe, në marshime, në protesta.
Barrikadë vendimtare për liritë, për demokracinë, për të drejtat, për dinjitetin, për zhvillimin, për Shqipërinë në Europë.
Rroftë populli shqiptar. Zoti e bekoftë Shqipërinë.
Redaksia Online