Fjala e plotë e Metës në mbrëmjen me shefat e NATO-s:

I nderuar Kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Gjeneral Petr Pavel,
E nderuar zonja Ministre e Mbrojtjes,
Të nderuar Shefa të Shtabeve të Përgjithshme,
Gjeneralë, Atashe Ushtarakë,
Zonja dhe zotërinj,
 
Kam kënaqësinë t’ju uroj përzemërsisht mirëseardhjen në Shqipëri dhe suksese ne mbarëvajtjen e Konferencës suaj të rëndësishme në Tiranë! 
 
Konferenca të tilla janë të dobishme për të shkëmbyer ide e përvoja, për të gjetur zgjidhje për sfidat e përbashkëta që vendet tona përballin, por pse jo, edhe për t’u njohur e afruar më shumë me njëri-tjetrin.
 
Për ata që e kanë vizituar më herët Shqipërinë, besoj është i lehtë konstatimi i një transformimi rrënjësor të vendit në të gjitha drejtimet.
 
Me krenari ju pohoj se katalizator i këtij transformimi të gjithanshëm ka qenë orientimi i qartë dhe i paekuivok i Shqipërisë dhe shqiptarëve drejt Perëndimit, drejt vlerave më sublime të mishëruara në familjen e madhe euro-atlantike.
 
Ne zgjodhëm me vetëdije dhe kthjelltësi të plotë politike dy objektiva strategjikë, projektet më madhore për vendin: Anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
 
Përvoja jonë provoi se suksesi në këtë rrugëtim shumë sfidues arrihet përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse.
 
Nuk është rastësi që procesi i transformimit politik por edhe ai i Forcave të Armatosura të Shqipërisë qe i pakontestueshëm, madje i gjithëpranuar, duke i shërbyer anëtarësimit dinjitoz të vendit në Aleancë.
 
Do të punojmë që e njëjta frymë bashkëpunuese dhe përkushtimi të përshkojë edhe procesin tjetër jetik e strategjik për Shqipërinë, atë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
 
Shtrirja e kufirit të NATO-s brenda Ballkanit Perëndimor, me Shqipërinë e Kroacinë, dhe së fundmi me Malin e Zi, ka zgjeruar perimetrin e sigurisë jo vetëm për Aleancën, por edhe për rajonin e më gjerë.
 
Shqipëria, edhe pse një vend modest, është eksportuese e sigurisë në rajon e gjetkë.
 
Anëtarësia jonë në NATO ka rritur padyshim edhe përmasën tonë të përfaqësimit dhe ka krijuar një dimension të ri të sigurisë në raport me çështjet kombëtare, duke njohur garancinë më të madhe, më të fuqishme dhe më të mundshme.
 
Përfitimet kanë qenë dhe janë të natyrës politike, ekonomike dhe ushtarake. Të ndëlidhura fort dhe me ndikim jo vetëm në sigurinë dhe mbrojtjen e vendit por edhe konsolidimin e një demokracie funksionale, tregut të lirë, forcimit të shtetit të së drejtës, konsolidimin e institucioneve demokratike dhe garantimin e të drejtave dhe lirive të njeriut.
 
Padyshim që antarësimi në NATO është privilegj, por sidomos një përgjegjësi e madhe.
 
Këtë e vërteton më së miri gama e gjerë e sfidave me të cilat përballet aleanca dhe secili prej vendeve tona. Terrorizmi dhe krimi i organizuar, “Luftëtarët e Huaj” dhe emigracioni i paligjshëm, janë sfida serioze që përbëjnë kërcënim të madh për të gjithë ne. 
 
Ndaj e gjej me vend të theksoj dy shtyllat bazë mbi të cilat ne kemi orientuar punën tonë në përgjigje të këtyre sfidave madhore:
 
Së pari, bashkëpunimi i ndërsjelltë, të cilin e konsideroj shumë të rëndësishëm për t’u bërë pjesë e një zgjidhjeje të përbashkët, bazuar në solidaritet dhe kapacitet, në gatishmëri për të mbrojtur vlerat e parimet dhe respektit për ligjin ndërkombëtar. 
 
Dhe së dyti, vazhdimi i reformave për vijimin e transformimit, modernizimit dhe rritjes së kapaciteteve së Forcave të Armatosura, përmbushja e detyrimeve dhe angazhimeve në kuadër të Aleancës, përfshirë përmirësimin e buxhetit të mbrojtjes në përputhje me angazhimet e mara në Samitin e Uellsit.
 
Shqipëria i ka qëndruar besnike të gjitha angazhimeve dhe vendimeve të Aleancës, duke bashkërenduar qëndrimin e saj të qartë politik e duke iu bashkuar operacioneve të ndryshme ushtarake të aleancës apo koalicioneve ndërkombëtare në vende të ndryshme të globit. Shqipëria është prezente në të gjitha misionet në NATO, por edhe në disa misione të BE-së, OKB-së dhe koalicioneve ndërkombëtare.
 
Me këtë rast, dua të shpreh vlerësimin më të lartë për sakrificat dhe kontributet e të gjithë ushtarakëve shqiptarë që kanë shërbyer e vazhdojnë të shërbejnë ndër vite në misionet e Aleancës.
 
Një homazh të veçantë meritojnë sot të gjithë ushtarakët e 29 vendeve aleate që kanë rënë dëshmore në misionet e NATO-s, si dhe të shpreh konsideratën time më të lartë për sakrificat dhe kontributet e atyre në mbrojtje të lirisë, demokracisë dhe sigurisë sonë të përbashkët.
 
Ne e kemi mbështetur dhe vazhdojmë të mbështesim politikën e ‘Dyerve të Hapura’ të NATO-s, përfshirë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke e konsideruar një arritje të rëndësishme anëtarësimin e Malit të Zi dhe duke shpresuar që edhe vendet e tjera që dëshirojnë t’i bashkohen kësaj Aleance, Maqedonia, Kosova dhe Bosnje Hercegovina ta realizojnë sa më shpejt këtë ambicje me përmbushjen e kërkesave të anëtarësimit.
 
Sa më shumë vende të Ballkanit Perëndimor të jenë pjesë e Aleancës, aq më e sigurt, e qëndrueshme dhe e begatë do të jetë e ardhmja jonë e përbashkët dhe interesat tona euroatlantike.
 
Ne do të vazhdojmë të bëjmë çdo përpjekje për të qenë partnerë të denjë dhe të besueshëm të familjes sonë të përbashkët euro-atlanike.
 
Së fundmi, por jo për nga rëndësia, shpresoj që gjatë qëndrimit në Shqipëri, bashkë me zonjat tuaja të nderuara, të mund të shijoni bukuritë dhe trashëgiminë e pasur historiko-kulturore të vendit tonë, duke ju siguruar për mikpritjen bujare e të sinqertë që do të gjeni kudo.
 
Ju uroj edhe një herë suksese në Konferencën tuaj që është historike për Shqipërinë, sepse është e para, por jam i sigurt që nuk do të jetë e fundit, si dhe qëndrim sa më të këndshëm!”. 
 
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza