Të falënderoj Albert, jo vetëm për tryezën e sotme, por të falënderoj edhe për të gjithë kontributin që ju edhe instituti kanë dhënë nëpërmjet një sërë tryezash e studimesh edhe për ndërtimin e sigurisë së përbashkët në Shqipëri dhe më gjerë. Të nderuar pjesëmarrës Të nderuar deputetë Siç u tha edhe pak më parë kjo tryezë vjen ekzaktësisht pak ditë pas organizimit të samitit rajonal, të cilin qeveria shqiptare, MPB, në bashkëpunim me Departamentin Amerikan të Shtetit organizuan në Tiranë, për të adresuar çështje që shqetësojnë më së shumti shoqërinë, Shqipërinë dhe rajonin, por sigurisht dhe më gjerë, lidhur me sfida që nuk janë vetëm tonat, por janë rajonale dhe globale, ndër më të parat sigurisht ekstremizmi i dhunshëm dhe radikalizmi. Janë disa pyetje që unë besoj, duhet t’u japim një përgjigje, shumë më shumë sesa përgjigjen klasike, që merr shpesh nëpër tryeza apo në forume të ndryshme. Dhe unë nuk besoj që jam i pari që ngre pyetjen: - A është imune Shqipëria nga rreziku i ekstremizmit të dhunshëm?

Sigurisht që jo, sepse historia e afërt e disa vendeve të tjera para nesh kanë treguar që nuk ka vend imun, njëherë e mirë të përjashtuar nga rreziku i ekstremizmit të dhunshëm, qoftë dhe i shfaqjeve të dhunshme të tij. dhe as Shqipëria nuk bën përjashtim, pavarësisht se në kontekstin e brendshëm duket sikur nuk ka rrezik potencial. Kjo edhe për shkak të sensibilizimit vulnerabël të shoqërisë, edhe për shkak të mungesës së simptomave të dukshme të ekstremizmit të dhunshëm. Por nga ana tjetër një numër procedimesh penale të Policisë së Shtetit dhe të Prokurorisë së Përgjithshme që u konkluduan me sukses.

Gjithashtu një numër jo i vogël i informacionit të shkëmbyer me partnerët lidhur me tendenca të ekstremizmit të dhunshëm në Shqipëri, por mbi të gjitha, me eksportimin e luftëtarëve të huaj, sigurisht tregojnë që për sa kohë jemi në gjendje të eksportojmë të tillë rrezik, sigurisht do vijë dita kur ky të gjendet menjëherë pas derës së shtëpisë sonë. Pra, që në fillim, pyetja merr një përgjigje thuajse të mirëqenë që: Po, edhe Shqipëria, edhe rajoni, e kanë evident rrezikun potencial nga ekstremizmi i dhunshëm.

Kjo jo domosdoshmërisht me shfaqjen e dhunshme të tilla përpjekjeve, por qoftë edhe me tendencat e jetesës apo praktikimit në zona specifike, në mënyra specifike dhe në grupe vulnerabël të shoqërisë, të praktikave të cilat jo domosdoshmërisht, por ka shumë mundësi të çojnë në shfaqjen më të dhunshme të ekstremizmit. E dyta, gjë që u adresua dhe në samitin rajonal që bëmë para pak ditësh, ka të bëjë me njohjen reale të fenomenit. Unë besoj që ka plot vend për institucionet, ka plot vend për shoqërinë civile, ka plot vend për akademikët, ka plot vend për shoqërinë në tërësi, që të analizojë në detaje, faktorët, ose forcën shtytëse të këtij fenomeni në vendin tonë.

Jo vetëm pse duhet të njohim mirë fenomenin për ta adresuar pastaj në nivel të gjithanshëm, por sepse realisht na duhet të ndërtojmë një qasje strategjike të përgjithësuar në lidhje me përballjen e këtij fenomeni. Ky nuk është një fenomen që adresohet vetëm me mjete represive, nuk është një fenomen që adresohet vetëm me procedime penale apo mjete policore, por është një fenomen që më së shumti, adresohet më së pari me instrumente që janë shoqërorë, të parandalimit paraprak të çdo rreziku, janë instrumenta socialë, ekonomikë e kështu me radhë.

Për të arritur deri këtu duhet domosdoshmërisht të njohim fenomenin, të njohim cilat janë shtresat më vulberabël në shoqëri, të njohim cilat janë zonat më vulnerabël në vend ku qasja ekstreme është më evidente ose prirja për të tillë qasje është më evidente, dhe të evidentojmë mënyrat se si t’ia adresojmë bashkërisht këto rreziqe që s’janë ndoshta edhe aq evidente sot, por që nesër mund të bëhen shumë më shumë të pamenaxhueshme. Dhe së pari këtu unë dua t’i bie një kambane alarmi, që ndoshta për shumë nuk është evidente, por dua realisht të ngre nivelin e ndërgjegjes sigurisht të tryezës por edhe më gjerë, për të filluar dhe trajtuar këtë problem si problem tonin, jo si problem të axhendës së bashkëpunimit tonë me partnerët. Si problem të shoqërisë tonë, që kërcënon vlerat për të cilat ne jemi këtu, kemi trashëguar nga të parët tanë dhe do të trashëgojmë në brezat që vijnë pas. Dhe për të gjetur ata mekanizma që parandalojnë dhe luftojnë ekstremizmin e dhunshëm. Sot që flasim, jemi në shifrat zero njësi, të luftëtarëve të huaj nga Shqipëria. Por jo shqipfolës ama! Sepse ky është një fenomen që shkon përtej kufijve, pra është një fenomen që nuk njeh kufij nacionalë. Procedimet penale të pak muajve më parë, ndërkohë ndryshimi i ligjit nga parlamenti, ndryshimi i kodit penal nga parlamenti, duke e konsideruar një akt terrorist nisjen për të luftuar një luftë që nuk është lufta e vendit tonë, sigurisht kanë ushtruar trysninë e nevojshme për të parandaluar ose për të tkurrur praktikat e organizimit, rekrutimit dhe nisjes së luftëtarëve të huaj. Dhe sot kemi frikën që – rasti më i fundit e tregoi këtë, - ka shqiptarë që duan të kthehen dhe ngecen në ngërçin e një lufte prej të cilës ndoshta nuk shkëputen dot. Rasti i fundit e tregoi më së miri dhe e bën akoma më evident domosdoshmërinë që kemi ne për të shkëmbyer informacion në nivel kapilar në mënyrë intensive dhe për të marrë masat, me partnerët sigurisht, por dhe me institucionet në vend, për të garantuar që nuk ngecin në axhendën tonë për ta bërë Shqipërinë më të sigurt, por për të përballur edhe sfida që janë sfidat tona dhe të rajonit dhe akoma më gjerë në nivel global. Ashtu siç është e domosdoshme, të identifikojmë në një plan aksioni të përbashkët qeveri, shoqëri civile, institucionet në tërësi, parlamenti domosdoshmërisht, institucionet e pavarura kushtetuese, shoqëria civile, bota akademike, media, intelektualët e pavarur, për të hartuar një strategji të përbashkët, e cila do të koordinojë energjitë tona lidhur me adresimin e këtij fenomeni. Ne jemi angazhuar, bashkë me partnerët, për të ndërtuar një hap paraprak, pra një dokument paraprak orientues lidhur me strategjinë e përbashkët kundër ekstremizmit të dhunshëm, që përfshin masa sensibilizuese, edukuese, deri tek qasja represive ndaj këtij fenomeni, por asnjë strategji e hartuar, në mënyrë, brenda zyrash po them, nga qeveria apo nga çdo institucion, nuk do të jetë kurrë efektive, pa kontributin e vyer tuajin, pa kontributin e vyer të shoqërisë civile dhe të të gjithë atyre që këtë fenomen e kanë studiuar, përpara se të kthehej në rrezik real për vendin tonë.

Ka eksperienca mjaft pozitive në vendet e tjera të BE-së, ku një dokument i tillë ose një plan aksioni i tillë, madje dhe i buxhetuar, ka qenë i suksesshëm dhe i implementueshëm, i matshëm në rezultate, vetëm atëherë kur është hartuar nga bashkimi i forcës, i energjisë dhe i dijes të më shumë sesa disa aktorëve. Dhe unë besoj jemi ekzaktësisht në momentin kur duhet që tryeza të tilla, që unë uroj të jenë të njëpasnjëshme dhe intensive madje, të adresojnë pikërisht domosdoshmërinë tonë për të koordinuar dijen dhe praktikat tona më të mira, ashtu edhe me partnerët, për të hartuar dhe për të bashkuar forcën tonë në një dokument të vetëm i cili do të shërbejë si drafti strategjik orientues, plani i aksionit i përbashkët për të përballur këtë fenomen.

Arsyet janë të shumta që kanë shkaktuar, ose më saktë shkaktuan valën jo të vogël, të llogaritur për numër popullsie, të luftëtarëve të huaj, që i quajmë, të nisur nga Shqipëria drejt arenave të luftës. Janë probleme që janë fare lokale, fare të jetës së përditshme, ashtu siç janë dhe arsye pa arsye, pra ajo që quhet mercenarizmi i pastër i luftëtarëve që shkojnë për parà. Cilado qoftë arsyeja, ne duhet ta adresojmë me të gjitha mënyrat dhe cilatdo qofshin motivet, ne duhet të gjejmë një platformë solide të përbashkët, për të ndërtuar qasjen tonë dhe për ta implementuar po bashkërisht.

Unë do të doja të falënderoja edhe njëherë organizatorët e kësaj tryeze, dhe do të doja sigurisht të falënderoja për kontributin e partnerëve, veçanërisht të DASH dhe Ambasadorit Donald Lu për nxitjen që i kanë dhënë kësaj axhende tonën, në raport me shqetësimet që janë tonat dhe të partnerëve dhe gjithashtu doja të nxisja një bashkëbisedim intensiv që jo domosdoshmërisht është publik por që do na sjellë patjetër një benefit publik shumë më të madh sot dhe për brezat që vijnë pas lidhur me parandalimin e të gjitha shkaqeve dhe luftimin e e të gjitha shkaqeve që kanë të bëjnë me praktikat e ekstremizmit të dhunshëm në vendin tonë. Në qoftë se jemi në gjendje, siç ishim në gjendje të frenonim eksportin e këtij rreziku në vende të tjera, sigurisht kemi kapacitet për të qenë në gjendje për Ta frenuar këtë fenomen, edhe për t’u kthye rrezik në vendin tonë. Ju falëminderit shumë.