Një shembull i parë; Buxheti i këtij shteti i detyrohet personave më në hall të kësaj shoqërie, personave me aftësi të kufizuara, një shërbim modest për vetë kushtet e Shqipërisë, por që për ta, do të thotë një fjalë shumë të thjeshtë: bukën e gojës. Thjesht, bukën e gojës! Për këtë bukë goje, buxheti i këtij shteti i miratuar nga ata që në 23 qershor morën një milion shuplaka, parashikonte 174 milionë dollarë. Nga këto 174 milionë dollarë për bukën e gojës, në prill, maj, qershor, muaj që përkojnë me pragun dhe pastaj me fushatën elektorale, janë shpenzuar 94 % të fondit, pa dashur kush t’ia dijë se ku do ta gjejnë në korrik, në gusht, në shtator, në tetor, në nëntor dhe dhjetor, bukën e gojës, ata të cilët nuk kanë asnjë mundësi tjetër, përveçse të presin ditën e shënuar të muajit, për të marrë këto para të bukës së gojës, nga shteti dhe nuk kanë për fat të keq mundësinë, që ta sigurojnë bukën e gojës gjetkë. Nga 174 milionë dollarë që ishin përcaktuar për këta njerëz keni harxhuar 94 % për fushatë elektorale dhe sot në arkën e shteti janë vetëm 7 milionë dollarë, ndërkohë që radha e gjatë e invalidëve të këtij vendi, pret me sytë nga qielli, bukën e gojës.
Më tutje, flisni për FMN dhe për Bankën Botërore! Flisni për FMN dhe për Bankën Botërore, që në leximin dhe në kuptimin tuaj,- nuk e di në çfarë gjuhe në fakt, i lexoni dhe i kuptoni, po sigurisht që jo në gjuhën e tyre,- vazhdokan të thonë se Shqipëria është shembull, Shqipëria s’ka krizë, Shqipëria është vendi ku njerëzit duhet të ndihen të lumtur, se kanë qenë nën kujdesin e një qeverie, që për pak sa nuk kaloi Gjermaninë dhe shqetësoi Kinën me ritmet e saj të larta të zhvillimit, në kushtet kur e gjithë bota lëngonte në krizë.
Sot në ora 5:00, ne do të startojmë Këshillin Ekonomik Kombëtar, ku përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore do të jenë pjesë për të trajtuar,- jo vetëm, nuk e disponojmë monopolin e të vërtetës, por me përfaqësuesit e sipërmarrjes, me përfaqësuesit e bankave, me guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, me Dhomat përkatëse të Tregtisë dhe Sipërmarrjes, me një ekspertizë ndërkombëtare të nivelit më të lartë botëror,- pikërisht çështjen e krizës së thellë, ku ju, jo ne, e keni zhytur ekonominë dhe çështjen e përballimit të kushteve, në të cilat arka e buxhetit të shteti është bosh.
Më lejoni tani t’ju jap shembullin e dytë ju.
Shembulli i dytë, është si më poshtë vijon dhe lidhet përsëri me prillin, majin dhe qershorin; Ky vend, si çdo vend tjetër, por me kushtet e veta, me buxhetin modest ka edhe një fond, për atë që quhet emergjenca civile dhe ka edhe një rezervë të vetën, për ato raste, që nuk janë pak, të përsëritura, atje lart në veri, vit pas viti për shkak të përmbytjeve, kur njerëzve ju duhet buka e gojës dhe me ligj, jo në bazë të dëshirave të një pale, apo të një pale tjetër është përcaktuar se cili duhet të jetë limiti minimal i rezervave të këtij shteti për të përballuar nevojën për bukën e gojës, të njerëzve të këtij vendi, kur gjenden në kushtet e emergjencave humanitare. Limiti minimal, që ky shtet duhet të ketë në dispozicion çdo ditë, çdo sekondë, çdo natë dhe duhet ta vërë në lëvizje brenda ditës, për sheqer është 40 mijë kilogram.
E dini sesa keni lënë mbas 23 qershorit?! Keni lënë 85 kilogram.
Meqë jeni amatorë të pilafit dhe njiheni botërisht si të tillë dhe po pyesni për orizin?! Nga 40 mijë kilogram, është zero. E, tek orizi jeni të mirëkuptuar, se siç ju thashë jeni pilafdashës të njohur botërisht dhe meqë keni kaluar nga petullat tek “Versaçe”, miellin e keni kursyer, nga 200 mijë kilogram keni lënë vetëm 30 mijë. Ndërkohë që dihet, pavarësisht, se keni kaluar tek “Versaçia” nuk e keni harruar kurrë aromën e fasules. Zero kilogram fasule! Nga 30 mijë kilogram që duhet të kishte atje. Për ju, pilafi dhe fasulja janë ato adetet e mëdhaja, që i keni pasur shumë dhe për shumë gjatë, se nuk do të shpjegohej ndryshe, pse në listën e borxheve na janë shfaqur tani, dhe hotele dhe restorante me fatura, që thonë kanë ngrënë, kanë pirë, kanë ikur kanë ardhur, kanë ngrënë, kanë pirë, kanë ikur, por për të paguar nuk kanë paguar. Kjo është gjendja e rezervave.
Sigurisht, dihet se keni edhe një etje të madhe për karburant. Keni pasur zorrën më të babëzitur për të thithur karburantin e këtij vendi, nga të gjitha anët, në të gjitha drejtimet. E nuk kishit si të linit një litër karburant në rezervat e këtij shtetit, për të lëvizur makina që të çonin thasë me miell, me oriz, me sheqer e vaj! Zero litra karburant! Zero! Pa llogaritur këtu, që keni tenderuar karburant pa fund, nëpër ministri të ndryshme e keni lënë pas zero litra karburant. Ju, që vini sot e flisni këtu se çfarë po ndodh! Ndërkohë se çfarë po ndodh, lidhet me ato që kanë ndodhur.
Vijmë te borxhet. Borxhet e mëdha që ia keni lënë në kurriz këtij vendi, për të prerë shirita. Keni lënë pas, jo sipas nesh, por pikërisht sipas Bankës Botërore dhe FMN-së, bashkërisht, sepse ne ndërkohë në mirëkuptim me ta kemi kërkuar edhe një audit të posaçëm, afërsisht 200 milionë dollarë punë të tenderuara publike, për ato shirita dhe të papaguara; 20 milionë dollarë për ujë dhe për kanalizime; 30 milionë dollarë për shëndetësinë i keni lënë ju pas, në formë faturash. Keni marrë sa keni mundur ilaçe, pa hyrë këtu si i keni marrë, çfarë ilaçesh keni marrë, ku i keni futur e ku i keni nxjerrë. Por një gjë e mirë ka ndodhur që, sido që të vijë puna, aty nuk është kush ishte deri në 23 qershor- 30 milionë! Po ashtu për arsimin. Keni lënë pas fatura 20 milionë dollarë. I keni lënë ju!
Për të gjitha llojet arsyeve të asaj mosarsyeje të madhe, për t’i bindur shqiptarët, me çdo kusht, se uria e tyre nëpër shtëpi nuk ishte uri, por lumturi, se pafuqia e tyre blerëse nuk ishte pafuqi, por ishte tepri dhe me radhë e me radhë, të gjitha broçkullat që i treguat këtij populli që, në fund fare, ja u dha në 23 qershor atë që meritonit. Sa më shumë flisni këtu, kështu siç flisni, aq më shumë provoni se sa shumë e keni merituar atë që morët në 23 qershor.
Vazhdojmë me TVSH-në, Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, Tatimin mbi Vlerën e Shtuar që asnjë qeveri demokratike në këtë planet nuk mundet dot t’ua mohojë kompanive. Me ç’të drejtë, qeveria i thotë kompanisë unë nuk ta rimbursoj Tatimin mbi Vlerën e Shtuar?! Ndërkohë që, qeveria nuk ka asnjë pozicion të privilegjuar ndaj individit, në demokraci. Ndërkohë që qeveria nuk ka asnjë pozitë më të favorshme sesa një sipërmarrje. Përkundrazi, qeveria është aty për t’i shërbyer sipërmarrjes dhe jo për t’i ndarë sipërmarrësit, në tanët dhe të tyre dhe pastaj për t’ju mbajtur peng TVSH-në. Nga një anë, mbaj peng TVSH-në që ligji, se flisni shumë edhe për ligjin, e detyron qeverinë ta rimbursojë, nga ana tjetër, zhyt gjithë popullin në borxhe pa limit, për të prerë shirita dhe pa dashur fare me i’a dit për askënd, përveç atij oborri të vogël që, sigurisht, sot ka filluar të ndjejë dhimbjet e Rilindjes. Sapo kanë filluar dhimbjet! Do të ketë më shumë dhimbje, se çdo lindje është e vështirë, por çdo rilindje është shumëfish më e vështirë. Por, ne nuk jemi këtu për të lehtësuar dhimbjet e oborrit.
Ne jemi këtu për të lehtësuar dhimbjet e një populli të tërë e të një kombi të tërë, të cilit jo vetëm që i keni hyrë në një hak shumë thellë, jo vetëm që i keni marrë paratë, por i keni marrë edhe fytyrën, duke e bërë qeverinë borxhlijen e madhe ndaj sistemit elektroenergjetik shqiptar.
Çfarë mund t’u kërkojmë ne?! Sot, ne, këto kemi si qeveria e Republikës së Shqipërisë. Të gjitha këto janë detyrimet tona e ne i njohim, i kemi marrë përsipër, pavarësisht se nuk i kemi shpikur ne. Çfarë t’u themi ne, atyre që nuk kanë bukë të hanë? T’u themi paguani energjinë e elektrike ju, se ne do vazhdojmë të mos paguajmë? Apo t’u themi sipërmarrësve paguani energjinë, paguani taksat, paguani të gjitha detyrimet dhe ne nuk ju japin as TVSH-në, as punët e papaguara, asgjë nga to që ju detyrohemi?
Për ta mbyllur, janë edhe 99 milionë të tjera që i shtohen 130 milionëshit të TVSH-së së parimbursuar, që i shtohen dhe 45 milionë dollarëve që qeveria, institucionet buxhetore ia kanë sistemit elektroenergjetik, që lidhen me Tatimin e Fitimit të kompanive. Sepse kështu është kur pi shumë Red Bull. Të duket sikur financat e vendit janë në kulmin e tyre dhe kanë krahë e fluturojnë! Kështu është kur vjen kjo ditë!
Përveç këtyre që janë të regjistruara, janë të rakorduar pikërisht me FMN-në e Bankën Botërore, na kanë ardhur tani edhe fatura tjera. Faturat e bisedave në telefon të qeverisë, të institucioneve buxhetore. 5 milionë dollarë vetëm një kompanie. Ju! Me çfarë të drejte!? Me të drejtën që nuk ua kishte dhënë as sovrani, për t’u thënë të gjithëve, jemi ne, bëjmë çfarë të duam, kush është me ne në rresht, kush nuk është me ne shkatërrim?! Dhe këtu në këtë volum borxhesh që është një shkëmb që ia keni lënë këtij vendi në mes të rrugës e tani thoni: Pse doni ta lëvizni ju, atë shkëmbin? Çfarë të bëjmë ne, sipas jush? Të ndalojmë? Ne nuk mund të ndalojmë. Ne, atë shkëmb do ta heqim nga rruga një herë, që të vazhdojmë më tutje.
Ndërkohë që ka të tjera borxhe që nuk hyjnë tek kjo emergjenca kombëtare e menjëhershme. I përmendi Ministrja e Mbrojtjes, ju keni lënë ushtarët e këtij vendi, pa bukë. Keni prerë ushqimin e ushtarëve të këtij vendi. Keni degjeneruar moralisht familjet dhe bijtë e atyre familjeve që shkojnë në frontet e luftës ku Shqipërinë e kërkon angazhimi në NATO dhe partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tërë bota e di që për të çuar ushtarët atje, merrnit para. Merrnit mijëra euro, për të çuar fëmijët e varfër të këtij vendi, që të mbanin me bukë familjet e tyre këtu, në luftë. E vini këtu e na tregoni neve, përralla me mbret. Mbretin e keni, mbajeni, t’ju rrojë! Përrallat tregojuani njëri-tjetrit.
Ndërkohë, më lejoni tani të vij tek Akti Normativ. Këtu biseda është shumë e thjeshtë. Çfarë doni ju të heqim ne, nga këto që ju thoni se qenkan hequr nga investimet publike. Në këtë vend nuk do të pritet më shirit për të marrë vota. Fiksojeni mirë! Borxhe që merren nga xhepat e njerëzve. Borxhe që iu ngarkohen atyre që janë në karrocë që nuk ecin dot. Borxhe që iu lihen në kurriz atyre që kanë ngritur një sipërmarrje, këtu, në sovranitet të plotë individual, që ua u jep Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, për të prerë shirita dhe për të thënë rrugë, rrugë, rrugë, intervista e fjalime- këtu nuk do të ketë. Ndërkohë, për të gjitha ato arsye që jemi votuar në 23 qershor, s’jeni detyruar t’i dini. Mësoni një herë për çfarë arsyesh keni ngrënë një milionë shuplaka, pastaj na pyesni për çfarë arsyesh jemi votuar ne. Në këtë shumë janë 193 milionë për paga. Doni t’i heqim, doni t’i shkurtojmë pagat? Janë 348 milionë për pensionet. A keni ndonjë mendim, t’i shkurtojmë? Apo nuk doni? T’i heqim fare? Apo: “punë e madhe, pleq hesapi”. Ua hoqët invalidëve pagesën. Keni shtuar numrin e invalidëve në 3 muaj fushatë, më shumë se sa invalidët që ka Afganistani dhe Iraku. Ju! Keni bërë një popull invalid komplet duke e bërë fallco. E, mos u mërzisni se do të dalin emrat e mbiemrat e atyre që i keni regjistruar për invalidë dhe që ua keni paguar paratë në fushatë, për t’ju marrë votën.
Apo mos doni që atyre borxheve që iu citova, të investimeve që i keni lënë rrugëve, t’u shtojmë edhe një borxh plus 227 milionë që janë investime në vazhdim? Ti lëmë edhe ato? Janë në vazhdim. A t’i lëmë edhe ato? Apo mos keni ndonjë ide që 74 milionë që duhen për ujin, për drita dhe për shërbime publike të domosdoshme, t’i heqim? Doni t’i heqim këto? Apo, këtë po, jam i sigurt që thoni hiqeni, 26 milionë te pjesa sociale, që është një thërrime e mbetur nga gjithë byreku i madh i fushatës suaj elektorale, i asaj fushate elektorale që ka futur në gropë ekonominë dhe financat e këtij vendi? Ashtu sikundër, 145 milionë dhe këto janë të fundit, janë për interesat e borxhit. T’i heqim këto, të mos i paguajmë?
Po,r ne nuk pimë Redbull, kështu që nuk mund të na duket bota e lumtur. Të gjitha këto janë arsyet përse ne sjellim këtë Akt Normativ dhe përtej këtyre arsyeve nuk ka asgjë tjetër.
Jam shumë i keqardhur, jo për ju, por për ata që në emrin tuaj vetshpërdorohen publikisht dhe dalin e thonë 600 mijë dollarë për zyra, për luks. Asnjë lek! Asnjë qindarkë e parave të buxhetit të shtetit, asnjë qindarkë e të ardhurave të këtij populli, nuk ka shkuar dhe nuk do të shkojë nga ky Akt Normativ për zyra. Ndërkohë që, në kulmin e krizës dhe në kulmin e njohjes për krizën, në ministrinë e llogarive të këtij vendi janë tenderuar 900 mijë dollarë. 900 mijë! E këto 900 mijë jo nga kontribute apo donacione, por nga buxheti i këtij shteti për të bërë, nuk e di për të satën herë, suvatime dhe mobilime të ministrisë së llogarive të shtetit. 900 mijë! Më e bukura fare është që 370 mijë të tilla janë bërë për ndërtime pa leje. Normal, ndërtim pa leje ju e keni në AND-në tuaj dhe nuk bëni dot pa ndërtimet pa leje, prandaj edhe e mbushët Shqipërinë me ndërtime pa leje. Prandaj vajtët e bëtë edhe një ligj, në fund, jo për te legalizuar ata që ua kanë dhënë votën për 2 dekada me shpresën se ju do t’i bënit pronarë të shtëpive të tyre, të shtëpive që i kanë ndërtuar me gjak e sakrifica për një jetë më të mirë, duke zbritur nga realitetet më të frikshme të këtij vendi, por për të legalizuar ata që mbi lejen e marrë, kanë bërë kate, e kate, e kate apo ata që kanë bllokuar rrugë nacionale dhe kanë bllokuar zhvillime strategjike në industrinë turistike të këtij vendi.
Duke e mbyllur, unë dëshiroj të them edhe dy fjalë të fundit për ata që na dëgjojnë,- në qoftë se ka akoma kush durimin të dëgjojë, pasi ç’nuk ka dëgjuar këtu sot,- që më vjen shumë mirë që keni marrë përsipër të kërkoni mbajtjen e premtimeve. Në fakt, është ajo që duhet të bëni. Por sot, 30 ditë, numërojini, numërojini, më vjen shumë mirë që i numëroni, sepse në 4 vite do të duhet të numëroni shumë ditë dhe këtë punë keni. Ajo që mund t’ju them është që sot është ende koha që ju të jepni llogari dhe do ta jepni llogarinë përpara popullit, për këtë gjendje që keni lënë. Ne do ta japim llogarinë, pa as më të voglin dyshim, jo përpara jush, por përpara popullit, pas 4 vitesh.
Ndërkohë po ju them, që qysh në projektbuxhetin e parë që do të vijë menjëherë pas këtij Akti Normativ dhe qysh në paketën e parë fiskale, do të shikoni që ne jemi shumë seriozë me premtimet. Do të shikoni që kush fiton më shumë do të paguajë më shumë dhe do të shikoni, po ashtu, që kush fiton më pak do të paguajë më pak. Që në këtë projektbuxhet! Që në këtë projektbuxhet do të shikoni edhe shumë gjëra të tjera, sado që pastaj ju keni një fatkeqësi që pavarësisht nga ajo që shikoni, duhet të flisni për atë që nuk shikohet dhe që e sheh vetëm kush e sheh për ju të gjithë. Ndërkohë që qytetarët e këtij vendi unë i siguroj se, ashtu sikundër kemi filluar një luftë pa kompromis, të cilës do t’i shkojmë deri në fund, kundër krimit të organizuar, ashtu do t’i shkojmë deri në fund edhe luftës kundër korrupsionit. Në radhë të parë brenda gjithë makinerisë që duhet t’ju shërbejë qytetarëve dhe nuk do të tërhiqemi për asnjë çast e për asnjë arsye nga asnjë lloj propagande. Por, përkundrazi, do t’u japim mundësinë shqiptarëve, por edhe organeve të drejtësisë, që të shohin dhe të gjykojnë, secila palë në të vetën, shqiptarët si zgjedhës, organet e drejtësisë si mekanizma që duhet të bëjnë drejtësi, jo mbi ç ’themi ne, por mbi ç ’thonë faktet, shifrat dhe të dhënat, që dita ditës bëhen gjithmonë e më ulëritëse për çfarë i keni bërë ju Shqipërisë, në 8 vite më radhë. Për çfarë i keni bërë ju Shqipërisë në katërcipërinë e qenies së vet, në çdo sektor dhe në çdo fushë të komunikimit të qeverisë me qytetarët, me kompanitë e me radhë.
E ndërkohë që ne kemi këtu, në shifrat që ju përmenda, jo pak, por gjithë ato milionë dollarë, në formën e TVSH-së së parimbursuar, në formën e tatimit të fitimit mbi kompanitë, 130 milionë TVSH-ja e parimbursuar, 99 milionë pjesa tjetër, të rakorduara me FMN-në dhe Bankën Botërore. Keni bërë rimbursime TVSH-je për komani që nuk ekzistojnë. Keni rimbursuar miliona euro nga paratë e shqiptarëve. U keni marrë paratë invalidëve, u keni marrë paratë ushtarëve të këtij vendi, u keni marrë paratë policëve të këtij vendi, u keni marrë paratë të gjithë atyre që, me ligjin tuaj të buxhetit,- jo se themi ne,- ju detyroheshit korrektesë dhe i keni çuar këto para për të rimbursuar Tatimin mbi Vlerën e Shtuar të kompanive që nuk kanë krijuar asnjë vlerë, për arsyen e thjeshtë se nuk ekzistojnë.
Se ku kanë shkuar ato para, se kush i ka marrë ato para dhe se sa është shuma e tyre, sepse çdo ditë shfaqen të reja, kjo nuk është një çështje që mund ta zgjidhim ne. Ne nuk kemi ardhur në qeveri për të bërë prokurorin dhe për të bërë gjykatësin, por kemi ardhur në qeveri për t’iu përgjigjur një për një të gjitha ekzigjencave që “gjykatësin popull” e çuan drejt nesh, duke na
dhënë jo një votë të thjeshtë, por duke na dhënë një votë plebishitare, shumicë të cilësuar kushtetuese, konsensus kushtetues i bazuar në konsensusin popullor, që pas katër vjetësh të mos kemi alibi përpara tyre, por të na gjykojnë se çfarë bëmë me këto 84 vota që na dha.
E ndërkohë, ju jeni të lirë tërësisht në zgjedhjen tuaj. As keni dëgjuar, as do të dëgjoni në këtë sallë ato që opozita deri dje ka dëgjuar, qoftë nga atje lartë e qoftë nga këtu poshtë dhe, as do të keni ndonjëherë arsye të bëheni viktima. Që të ndiheni viktima keni të drejtë, por jeni viktimat e zullumit që keni bërë. Nuk jeni viktimat dhe nuk do të jeni kurrë viktimat e luftës së qeverisë ndaj opozitës, sepse kjo qeveri ka lindur dhe do ta çojë deri në fund mandatin e vet, si një shumicë e re parlamentare, që në radhën më të parë do të respektojë përulësisht opozitën, por pa respektuar për asnjë sekondë atë që ju keni bërë kur ishit në qeveri. Atë ne nuk e respektojmë, përkundrazi, e konsiderojmë një vepër të shëmtuar kundër interesave të këtij vendi dhe interesave të këtij populli.
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)