Faleminderit! Ulsiu bëri paraqitjen në terma striktë juridikë, unë dua të bëj të bëj anën tjetër të medaljes në terma logjikë dhe politikë. U tha këtu nga Taulanti edhe nga Ulsiu mos gabohem, por edhe kam dëgjuar nga të tjerë që ka një boshllëk. Unë mendoj që boshllëku është në trutë e atyre që nuk i dhanë drejtim bazuar në frymën e Kushtetutës dhe bazuar në modelin demokratik të ndarjes së pushteteve, jo në të gjithë Evropën, por në të gjithë planetin.

Dhe natyrisht kur them boshllëku në trutë e tyre që nuk i dhanë drejtim, kam parasysh, jo persona të veçantë, po kam parasysh kulturën e dobët demokratike dhe të shtetit ligjor që ka Shqipëria për shkak të traditës së vet, sepse nuk është nevoja të jetë çdo gjë e shkruar në germën e ligjit nëse në frymën dhe germën e Kushtetutës janë të qarta orientimet për të gjithë ata që jetojnë nën atë Kushtetutë.

Dhe faktikisht ajo që e bën skandaloz, të pajustifikueshëm dhe të papranueshëm pezullimin nga një prokuror dhe një gjykatës në një seancë paraprake pa filluar akoma as gjyqi për një anëtar të kabinetit qeveritar, është fakti se pezullimi nuk cenon personin, i cili prezumohet që është në një proces hetimi. Pezullimi cenon funksionin dhe të gjitha ato funksione që solli në vëmendjen tuaj Kryetari i Komisionit të Ligjeve si pjesë e këtij grupi nismëtar për këtë ndryshim, janë funksione të cilat nuk ushtrohen dot pa personin. Pra në momentin kur pezullohet një ministër, nuk pezullohet thjesht vajtja në punë e një individi, pezullohet puna e një institucioni. Mjafton t’ju sjell këtu një nga momentet që pasojnë, që ajo ministri nuk ka më kapacitet të propozojë asgjë në Këshillin e Ministrave sepse nuk përfaqësohet nga personi i ngarkuar si përfaqësuesi i vullnetit kushtetues.

Kaq duhet të mjaftonte për ta mbyllur këtë debat absurd dhe për të mos u hedhur 100 veta pas një budallai që hedh një gurë në lum. Por ja që nuk ndodhi kjo. Nuk mjaftoi fakti që nuk ekziston asnjë  rast i vetëm në Evropë, në historinë e demokracisë, një i vetëm, ku të jetë pezulluar një anëtar i qeverisë nga një prokuror dhe një gjykatës.

Nuk mjaftoi fakti që nuk ka ndodhur asnjëherë një i vetëm, rast dhe e them këtë me përgjegjësi të plotë, jo rreth e rrotull globit të sistemeve dhe vendeve demokratike, që të jetë pezulluar një anëtar kabineti për t’i dhënë drejtim këtij procesi. Por në vend që të merret një vendim i bazuar në arsyen kushtetuese, merret një vendim i bazuar në arsyen politike dhe në nevojat e brendshme të njërit e tjetrit për të mbajtur ekuilibra politikë.

Dhe këtu dua të theksoj diçka, që nuk është thjesht në Shqipëri, është edhe në vendet më të zhvilluara demokratike se Shqipëria, që ne kemi anëtar të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë që nuk kanë dhënë kurrë, kurrë, kurrë një vendim të vetëm që të jetë një vendim në anën e qeverisë.

Tani, vijmë tek mos vendimi. Çfarë bën mos vendimi? Mos vendimi bën që çdonjëra nga ato figura që u përmenden në relacion, të jetë vulnerabël ndaj pezullimit dhe nga ana tjetër, që kufiri ndarës midis pushteteve të jetë si ato gardhet me një vrimë ku hyjnë e dalin qentë e minjtë.

Këtë bën kjo. Dhe ne këtë nuk mund ta lejojmë.

Shumë e thjeshtë. Dhe kjo nuk ka lidhje fare me asnjë cenim të të drejtave që i jep pushteti gjyqësor, pavarësia që i kemi dhënë ne, me vullnetin tonë të lirë dhe të padiskutueshëm, pas 100 vjetësh.

 Dhe që patjetër vazhdojmë ta garantojmë ne dhe do vazhdojmë ta garantojmë deri kur të bëhet një pavarësi e pakthyeshme nga askush. Dhe vendosja e këtij kufiri është shumë e rëndësishme për të përcaktuar edhe një ndarje tjetër që e vërejmë me keqardhje, nuk ekziston në mendjen e shumëkujt.

Po pse vetëm pushteti gjyqësor është i pavarur në Shqipëri? Të tjerët janë të gjithë të varur nga pushteti gjyqësor? Jo! Kushtetuta thotë ndryshe. Kushtetuta thotë ‘’ka tre pushtete të pavarura’’ që do të thotë përveç gjyqësorit, është edhe legjislativi, edhe ekzekutivi.

Tani për çfarë jemi të pavarur ne në raport me gjyqësorin? Dhe ku gjyqësori nuk duhet ta imagjinojë se mund të hyjë në territorin tonë? Kur them ‘’tonë’’ kam parasysh ne sot, të tjerët pas nesh, pro kam parasysh pushtetin legjislativ dhe pushtetin ekzekutiv që buron  nga i pari, por që është i pavarur edhe ky nga i pari.

Ne jemi të pavarur në të drejtën për të marrë vendime. Vendimet tona janë sovrane dhe nuk ka prokuror dhe nuk ka gjykatës që t’i vërë në diskutim dot, përsa kohë janë vendime të cilat nuk  burojnë nga qëllime të pashpallura. Dhe ai pushtet i pavarur prej nesh, është pikërisht për të vigjiluar nëse vendimet tona janë vendime, të cilat burojnë vetëm nga qëllimet e shpallura.

Për të vigjiluar bazuar mbi prova dhe mbi fakte, jo për të vigjiluar bazuar në vënien në dyshim të çdo vendimi  dhe në marrjen e vendimit të pezullimeve si të ishin simite njerëzit që pezullohen. Dhe këtu nuk kam fare parasysh rastin konkret të qeverisë, kam parasysh një sërë drejtuesish të agjencive shtetërore që janë pezulluar pa asnjë arsye., duke bërë pezullimin e institucionit, psikologjikisht në këtë rast, jo sepse nuk zëvendësohet dot drejtuesi sepse drejtuesit janë pezulluar, janë zëvendësuar por kjo histori e goditje së vazhdueshme të brumimeve njerëzore të këtij vendi dhe ta administratës së këtij vendi, bazuar në të ashtuquajturin në thonjëza, dyshim të arsyeshëm, është histori me të cilën unë personalisht nuk pajtohem dhe ne nuk mund dhe do pajtohemi, sepse cenohet pikërisht ajo që thashë territori i pavarësisë kushtetuese të pushtetit ekzekutiv dhe territori i të drejtave dhe lirive të njerëzve, të cilët duhet të qeverisin dhe të administrojnë punët e këtij vendi.

Thënë të gjitha këto, kjo nisëm thjeshtë dhe vetëm adreson “boshllëkun mendor” të shoqërisë sonë po të doni që lidhet me faktin se për shkak se fryma e Kushtetutës dhe orientimet themelore të Kushtetutës nuk mjaftojnë, praktikat e të gjitha vendeve të cilat ne u ngjajmë apo përpiqemi tu ngjajmë edhe më shumë nuk mjaftojnë, atëherë duhet bërë, neni me të gjitha përcaktimet, funksion për funksion, në mënyrë që të mos ketë më mundësi interpretimesh në boshllëk. Kjo është arsyeja pse ne e bëjmë këtë nen, këtë ndryshim.

Dhe kush e lidh këtë me rastin konkret bëni gabim shumë të madh, sepse kjo nuk ka lidhje me rastin konkret. Rasti konkret ka rrugën e vet, nuk ka fare lidhje me pezullimin, por pezullimi është i papranueshëm dhe për këtë arsye siç e kam shpjeguar në takimin e mëparshëm, ne do merremi me pezullimin, për ta refuzuar me vullnetin e shumicës në Kuvend, ndërhyrjen në territorin kushtetues të pushtetit ekzekutiv. Askush nuk duhet të mendojë se ka në dorë dhe gurin dhe arrën për ta goditur këtë shumicë qeverisëse. Kush e mendon kështu, e mendon shumë gabim. Ashtu si kundër askush nuk duhet ta mendojë se kjo masë apo të tjera masa që ne do të marrim në vijim kanë të bëjnë me ndonjë lëkundje të vullnetit tonë për të mbështetur pa rezervë pavarësinë e sistemit të drejtësisë. Jo!

Ne duam një drejtësi të pavarur.

Fatmirësisht e kemi sot aq të pavarur sa që, një prokuror në një rreth lëshon 33 masa arresti dhe harron të arrestojë vetëm veten e vet. Se përveç personit të prokurorit që ka lëshuar 33 masa arresti nuk ka mbetur askush pa u arrestuar. Pa filluar gjyqi akoma, arbitraritet total dhe fatmirësisht nuk jam unë që i them këto. Unë jam thjeshtë një zë pasi këto thuhen dhe stërthuhen nga Këshilli i Europës, nga Komiteti për parandalimin e Torturës në Këshillin e Europës, nga raportet e Këshillit të Europës, ku Shqipëria për faqen më të zezë të të gjithë atyre që ia kanë vënë këtë njollë, renditet në fund fare të vendeve jo të Bashkimit Europian, po të gjithë kontinentit europian rrotë më rrotë me Rusinë për paraburgim pa gjyq të njerëzve si të ishin “mish për top”. 58% e njerëzve që sot janë mbrapa hekurave janë të paraburgosur.

Imagjinoni sa të pafajshëm ka aty ndër ta. Sikur dhe një prej tyre të jetë i pafajshëm, ky është një problem, por besoj që probabiliteti është shumë më i lartë se kaq, futen në paraburgim dhe harrohen brenda. Kjo nuk, nuk është diçka me të cilën ne mund të pajtohemi dhe ne nuk do të pajtohemi.

Dhe përsa i përket pastaj çështjes së rastit konkret e përsëris, rasti konkret është në një tjetër proces, nuk është më i lidhur me pezullimin.

Dhe që të jemi shumë të qartë bashkë, Belinda Balluku ma ka dorëzuar tre herë dorëheqjen. I kam atje në dosje, tre herë, një herë kur iu ngrit akuza, herën e dytë, kur iu bë pezullimi i parë dhe herën e tretë, mbasi Gjykata Kushtetuese nuk mori vendim, dhe të tre herët jam unë që e kam refuzuar dorëheqjen sepse dorëheqje nën presionin e një fuqie që ka dalë nga territori i vet dhe është futur në territorin e pavarësisë së pushtetit ekzekutiv nuk ka dhe jam falënderues për faktin që nuk ka persistuar po ka vazhduar ta marrë gjithë atë baltë mbi fytyrë, sepse unë nuk e pranoj dorëheqjen deri kur të plotësohen kushtet dhe se kur plotësohen kushtet, nuk e përcakton dot as prokurori, as gjykatësi i seancës paraprake, as media dhe as gjyqi popullor. Sepse nëse do të hynim në këtë logjikë, atëherë do t'i hapnim rrugë një historie që do të dëmtonte seriozisht kapacitetin e pushtetit ekzekutiv për të qeverisur. Kujt më tregon Gjermaninë apo më tregon Danimarkën, i them këtë, jemi në kushte tërësisht të ndryshme, në Shqipëri jemi në një fazë revolucionare transformuese, rrënjësisht përmbysjeje të një sistemi të kalbur, të një historie ku tradita ka qenë dhe mbetet problemi më i madh për të ndërtuar një sistem gjyqësor demokratik, sepse është një traditë që shkon në të kundërtën e lirisë dhe natyrisht, jemi në kushtet kur, duke i dhënë pavarësinë e plotë pushtetit gjyqësor, duke ngritur struktura speciale për të luftuar ne, që jemi ata cilët duhet të qeverisim në të njëjtën kohë është shumë e rëndësishme që të jemi të vëmendshëm për të ruajtur pikërisht balancën që në mënyrë të përsëritur rrezikon të prishet nga aventurizmi i një prokurori këtu, i një gjykatësi atje. Kjo nuk mund të ndodhi!

Në ndërkohë, duhet të jemi shumë të qartë dhe për një gjë tjetër. Kur vjen puna tek personat me të ashtuquajtur imunitet në Shqipëri, nuk ka imunitet ndaj hetimit. Në Shqipëri ka imunitet vetëm për të siguruar që liria e personit, liria individuale e personit cenohet vetëm me një arsye të fortë, nuk ka imunitet ndaj hetimit në Shqipëri. Në Gjermani duhet të shkosh të kërkosh leje që të fillosh hetimin, siç e kemi pasur ne shumë vite më parë. Edhe në shumë vende të tjera të Europës, duhet të shkosh të kërkosh leje të fillosh hetimin. Në Shqipëri nuk i merr leje askujt për të filluar hetimin dhe mund të vendosësh nën hetim këdo qoftë presidentin, kryeministrin, ministrat, këdo qoftë me të gjitha instrumentet që ka hetimi dhe askush s’të pengon. Kur vjen tek imuniteti për të kërkuar kufizimin e lirisë, aty pastaj, nuk është më çështje e hetimit, është çështje e personit dhe aty, sigurisht që ka një proces tjetër paralelisht që ne do ta zhvillojmë, duke qenë shumë të vëmendshëm dhe natyrisht gjithmonë në respekt të pavarësisë së Pushtetit Gjyqësor dhe të drejtësisë për të bërë punën e vetë, por ama secili duhet ta bëjë punën e vet. Nuk jemi këtu që drejtësia të bëjë punën e vet, ne të bëjmë punën e drejtësisë, as në sensin pozitiv, as në sensin negativ.

Ne jemi këtu për të qeverisur, për të marrë vendime, për të çuar përpara proceset tona, për të realizuar programin tonë qeverisës, për të mundësuar zhvillim ekonomik dhe natyrisht unë jam shumë i ndjeshëm kur shoh që dhe vet zhvillimi ekonomik vihet në pikëpyetje nga tkurrja për shkak të presionit të madh. Të bësh 40 kontrolle banesash ditën e vitit të ri do të thotë që të mos kesh asnjë ide për efektin psikologjik mbi shoqërinë e cila është e gjitha e mbyllur nëpër shtëpi me familjet e veta dhe në televizor o do shikojë kënge dhe valle se është vit i ri, është dita e Vitit të Ri, o do shikojë sesi shkohet nëpër banesat e gjithë dynjasë për çështje të para 5 vjetëve.

Këto janë gjëra të cilat të cilat janë eksese revolucionare në një kohë revolucionare. Kohën revolucionare e kemi stimuluar vet. S’kam asnjë pendese për këtë. E bëjmë këtë diskutim edhe ku nuk ka kamera edhe e di shumë mirë që shumë prej jush si shumë të tjerë janë të zhgënjyer. Unë jo! 100 herë të kthehesha, 100 herë do bëja të njëjtën gjë dhe e them këtë siç e them jashtë kamerave sepse nëse s’do e bënim këtë dhe nëse s’do ta vazhdojmë këtë përpjekje, nuk do ketë kurrë drejtësi të pavarur në Shqipëri edhe një gjeneratë tjetër.

Kjo është rruga me të gjitha dhimbjet dhe problemet e veta dhe ne duhet të bëjmë çmos të ruajmë balancën. Sepse po aq e rëndësishme sa përpjekja për drejtësinë e pavarur është dhe përpjekja për një administratë publike të mbrojtur dhe eficente.

Punonjësit e administratës nuk janë mish për top të askujt. Punonjësit e administratës nuk janë shënjestra për të mbushur prokuroret CV-në e tyre që paraqiten nesër si kandidat të ardhshëm për Prokurorinë Speciale.

Është bërë e pa tolerueshme ajo që ndodh në prokuroritë e rretheve me fletët e arresteve që shpërndahen si të ishin ftesa për dasmë. Një punonjëse e administratës model që ka 5 vjet që lufton me kancerin, që është me një fëmijë dy muajsh nuk mund të arrestohet pa pasur asnjë lidhje fare, vetëm sepse institucioni prezumohet se ka një lidhje me temën. Çfarë janë këto, ku jemi ne këtu?

Dhe një gjë shumë e saktë dhe shumë interesante që e kam dëgjuar nga grupi i punës që po punon me Ministrinë e Drejtësisë së Italisë dhe të Francës për reflektimin mbi shumë nga këto çështje që kanë të bëjnë me lirinë, ishte ndërhyrja në diskutim e një profesoreje të së drejtës penale franceze që punon me ne, e cila pasi mori pjesë në disa diskutime na tha një gjë që është për ta mbajtur vath ne vesh të gjithë. “Në shkrimin e Kodit Penal demokracitë udhëhiqen nga liria, diktaturat udhëhiqen nga heqja e lirisë dhe problemi kryesor që ju keni”, - tha duke dëgjuar gjithë diskutimet tona, “është se ju jeni akoma në mentalitetin që kodi penal bëhet për të hequr lirinë. Kodi penal nuk bëhet për të hequr lirinë, kodi penal bëhet për të garantuar lirinë”.

Që do të thotë që heqja e lirisë është ekstremi i domosdoshëm për të ruajtur balancat e shoqërisë, por nuk udhëhiqet shoqëria nga si t’ia heqim liritë njerëzve për çdo gjë dhe në çdo rast dhe kudo ku na jepet mundësia. Kjo janë tema të mëdha të cilat ne do duhet ti përballim sepse janë të pashmangshme në një proces kur ne kemi vetëm 35 vjet që jemi të lirë dhe s’kemi asnjë vit akoma që jemi në një sistem demokratik të konsoliduar, me një shtet të së drejtës që i garanton të gjitha këto dhe që s’ka nevojë fare as t’i bëjmë debat dhe me një sistem drejtësie të pavarur prej vetëm 10 vitesh në letër dhe prej vetëm 5 vitesh në realitet.

Tradita jonë është e tmerrshme. Tradita jonë është armiku ynë më i madh, i të gjithëve ne shqiptarëve. Thirrja jonë e brendshme për gjak, për të parë tjetrin me këmbët lartë dhe me kokën poshtë vjen nga e kaluara dhe është një problem themelor për të ardhmen tonë dhe këtë ne do ta mbajmë parasysh.

Duke e mbyllur dua të them që nisma thjesht dhe vetëm adreson një, juristët e quajnë boshllëk, unë them një problem që nuk duhet të shfaqet më, s’duhet t’i shkojë më në mend askujt që me fuqinë e prokurorit dhe me verbërinë e gjykatësit që i shkon prokurorit nga mbrapa pa arsyetuar të marrë peng një funksion kushtetues.

Kjo është kaq dhe është e thjeshtë!

Ndërsa rasti konkret është në proces në Kuvendin e Shqipërisë dhe do të trajtohet me gjithë përgjegjësinë që ne kemi si shumicë qeverisëse dhe kush i lidh këto të dyja duhet të ketë parasysh se edhe në aspektin kohor nëse unë nuk gaboj në llogarinë e kohës, Parlamenti do të shprehet përpara për imunitetin dhe më pas do të kalojë në votë ky ndryshim.

Kështu që s’ka asnjë lidhje me rastin konkret. Natyrisht që për aspektin tjetër, nuk është kjo dita për të folur. Do flasim në momentin e duhur, kur të bëhen të gjitha procedurat e tjera.

Këto kisha unë. Faleminderit!