Zoti Mima tha një gjë dhe më duhet që ta respektoj: duke spekuluar në fakt, me spekulimin nga shtetit grek lidhur me borxhin. E vërteta është ndryshe. Në fakt, shteti grek e dinte këtë borxh, por e fshehu, unë nuk e di  nëse e bënë këtë të gjitha nivelet. Për dijeni, z.Mima (ai e di këtë, por ta mësojnë dhe të tjerët), një ministër Financash që fsheh shifrat, si ta kalojë në Parlament, si mos ta kalojë në Parlament, një shifër e fshehur nuk ka të bëjë me këtë që flasim. Ai që është mashtrues, është mashtues! Dhe në rastin konkret shifrat janë të fshehura.

Por mashtruesi ka qenë edhe në Shqipëri, të mos marrim rastin grek. Sepse ka identik, një rast shqiptar mashtuesish ordinerë, që kanë fshehur nivelin e  borxhit për vite të tëra.

Mos shko në Greqi, hajde rri në Shqipëri! Mos të duket kushedi se çfarë po thua.

Tani, lidhur me të zotin e shtëpisë, e vërteta është ashtu siç thotë ai. Që i zoti i shtëpisë nuk ka shumë kohë, zoti Mima, që të merret me këto punë, në ligjin e buxhetit është caktuar se sa do të jetë borxhi, pastaj i zoti i shtëpisë ikën për të ngrënë darkë, se e patë - foli dhe pastaj iku një herë - të hajë drekë, të marrë energji dhe e nis prapë nga e fillimi. Durojmë ne! Merret me 30 gjëra, flet për ligjin e borxhit, merret me palma, me napalma, me çfarë të mundet…. Mirë e kemi, e meritojmë, ta mbajmë tani s’kemi çfarë të bëjmë!

T’i bie shkurt kësaj punës së ligjit, se shumë gjëra u thanë, por pak u thanë ashtu siç janë. 

E para: Ligji synon të përmirësojë kuadrin ligjor shqiptar lidhur me huamarrjen, për ta përshtatur me kërkesat e vendit dhe me ato ndërkombëtare. Nuk mund të rrijmë statik dhe t’i rrijmë gabimeve, të metave apo dhe punëve jo të duhura, bërë në të shkuarën. Por ne, doemos, do e përmirësojmë. Qëllimi është shumë i qartë: Duam të ulim koston e huamarrjes, sepse ky publik, këta njerëz, ky popull nuk e meriton.

Dikush guxoi, artikuloj, unë nuk e kuptoj se si, dhe, tha: “Sukses i madh të marrësh një kredi me 13.8% kosto”. Nëse ky quhet sukses, ne kemi koncept krejt të ndryshëm. Dhe, i pëlqen apo jo atij që foli, këtë ne e çojmë në Prokurori. Ne i themi dështim dhe, madje, i qëllimshëm dhe e quajmë vepër penale. Në këtë pike kemi dallime të qarta mes nesh.

(Flitet nga salla për letër kreditet)

Zotërinj të opozitës, rast pas rasti, mos përtoni, nuk jam këtu për t’ju dhënë përgjigje për çdo çështje. Do merremi dhe me atë çështje dhe do të bëjmë analogji të ngjarjeve. Do shihni që do të dilni të turpëruar. Ju kam thënë: Mendoheni mirë kur i drejtoheni dikujt. Në rastin konkret, mendohuni mirë kur më drejtoheni për një çështje, se do  t’ju gjej të tjera që ju turpërojnë! Se janë bërë me dhjetra herë më keq se kjo, që ju duket juve si ndonjë çudi.

Për letër kreditë flas, bile shpikësi je fiks ti (Sherefedin Shehu – shënim i redaktorit)! Dhe po të them që do i vëmë kreditë përballë, tuajat dhe tonat, do krahasojmë Ministri e Rendit - Ministri e Rendit, Ministri e Mbrojtjes - Ministri e Mbrojtjes, Ministri e Shëndetësisë - Ministri e Shëndetësisë! Nuk do gjesh dot një gjë që nuk është analoge! Ose dil këtu dhe thuaj se ke gabuar rëndë, bashkë me ish-ministrin e Financave. Ose mbyllni gojën dhe lini ndonjë tjetër, le të flasë ai, nga padia. Por shpikësi i kësaj, mbrojtësi i këtyre, analoge, të bëra në të shkuarën jeni ju! Dhe përsëri guxoni të artikuloni dhe bëni sikur nuk kuptoni. Këtë e bëni vetëm ju, qofshi ju që jeni, por nuk keni faj se keni traditë. Është dikush tjetër që e bën më mirë nga ju! Kështu që vazhdoni në tuajën!

Edhe një herë, Kuvendi, edhe me këtë ligj, mbetet me saktësi ai që do të japë kontrollin dhe do të japë vulën për kredi. Është e thënë shprehimisht, por e artikulojnë gjoja si gabim, se është një merak i madh! Mbetën duke e gënjyer këtë popull! Po është e sigurt: Në ligjin e buxhetit, në ligjin organik, është shprehur qartazi se sa është niveli i deficitit për vitin 2015, sa është niveli i borxhit për vitin 2015! Dhe nuk të lë njeri. Thotë buxheti se sa mundet që qeveria të marrë borxh, të marrë hua, është e përcaktuar në ligj, është e prerë dhe e qartë. Nuk e bëjmë ne!

Ju, kur i bëtë namin Shqipërisë, e rrënuat, kur filluat ta prisnit nga trungu, nga poshtë, ju që keni ndërruar ligjin tjetër, e dini çfarë ligji keni ndërruar?

Ndërruat ligjin organik, atë ligj që e kishte 60% borxhin! Nuk ndryshuat këtë ligj, mos e tmerroni këtë popull, sikur po bëhen vepra kriminale këtu. Merruni me atë komisionin e antikriminalizimit, merruni me atë, por mos fusni çdo gjë kur flisni. QKR doli kriminale, po ashtu ligji tjetër për medaljet, kur ju meritoni medaljen e turpit ta merrni! Huazoni lloj-lloj fjalish dhe vetëm për këtë ligj nuk flisni.

Neni 18 e përcakton shumë qartë dhe pa ekuivok: Sa do të jetë niveli i borxhit, sa është dhe sa do jetë borxhi i garantuar, pra, jo vetëm borxhi i madh, por dhe ai që jepet garanci.

Por çfarë duam të bëjmë? Asnjë gjë! Ne duam të thjeshtojmë procedurat dhe të jemi më fleksibël kur dalim në treg, ta marrim borxhin me koston më të ulët. Tani nuk u mjaftuam me kaq, shtuam dhe dy elemente të tjerë, jo si ju. Një, kemi caktuar deficitin edhe të viteve 2016-2017, jo vetëm 2015. Se sa borxh mund të marrim, e kemi sjellë në Kuvend, e keni bashkë me Buxhetin. Merreni, lexojeni, po ju nuk lexoni dot! Dy, ne themi jo një herë në vit, Ministria e Financave dhe Qeveria do japë llogari se sa është borxhi, çfarë po ndodh me borxhin, sesa është efekti i kursit të këmbimit. Çdo katër muaj, 3 herë brenda vitit japim llogari para Kuvendit, se si po ecim me borxhin.

Ju bëni sikur s’e kuptoni, kur kjo është e shprehur këtu, nga një herë në vit, është bërë tre herë në vit.

Tani dikush u shpreh se ne nuk jemi shtet që po shkojmë drejt Evropës, por Sulltanatit. Po mirë, e kuptoj, fjali me shumë emocion është kjo. Dhe më pëlqen, në fakt, si fjali. Po mirë, kur ju themi se ne s’po bëjmë gjë tjetër me këtë ligj, por po bëjmë në mënyrë identike atë që bëjnë gjithë vendet e BE-së, me ndonjë përjashtim (që ua thamë dhe atë, përjashtimin e Bullgarisë për arsyet e veta), ligji është siç e ka Evropa. Kështu shkohet në Sulltanat apo në BE?

Të respektosh BE-në dhe të bësh njëlloj siç bën BE, si shkoke në sulltanat? Duke bërë të njëjtën gjë që bëjnë të gjitha vendet e BE-së? Nuk e kuptojë dot! Por kjo është puna juaj!

 

Norma e interesit nuk vendoset nga Kuvendi, norma e interesit vendoset nga tregu ndërkombëtar. As në tregun kombëtar, as në Shqipëri, as qeveria, as Kuvendi nuk  e vendosin dot normën e interesit. Për arsye se norma e interesit është një çështje madhore, është një çështje e tregut, është sa e tregut, aq edhe e perceptimit, etj. Dhe është e çështje e të gjithë vlerësimit  të ekonomisë kombëtare.

Ne po u themi se kufijtë janë të përcaktuar. Ne po u themi që gjithçka është e përcaktuar në ligjet e tjera. Ju tani i riktheheni të njëjtës histori!

Ne po flasim për një kontratë, që po realizojmë me investitorë privat. Ajo që është pjesë e marrëveshjeve publike, do të vazhdojë ashtu siç e përmendët. Marrëveshja me Bankën Botërore, me shtete që i përmendët ju, do vazhdojnë të vijnë këtu në Kuvend, sepse norma e interesit në këto raste është dypalëshe, që negociohet mes dy palëve. Kurse për rastin që po flasim, ne do dalim në një treg ndërkombëtar dhe do t’u themi të gjithë investitorëve në botë: “Kush do të na japë 300 milionë euro me normën e interesit më të ulët, atë do të zgjedhim”!

(I drejtohet opozitës)

Edhe njëherë po e them, se dhe ti (O. Bylykbashi – shënim i redaktorit) ishe pjesë e asaj drekës. Tani hëngre drekën dhe e ke zërin e lartë, nuk ishe deri tani! Ua shpjegova qartë, është ligji i buxhetit! Por ju nuk lexoni, ju nuk doni të lexoni! Ka 10 vjet që nuk lexoni. Mua më vjen keq sepse miratoni çdo vit ligjin e buxhetit, dhe kështu ka qenë, jetë e mot, kufiri i borxhit. Se sa borxh do të merret çdo vit në Shqipëri, është e përcaktuar në buxhet dhe askush, as qeveria.

Çfarë ndodh kur Ministria e Financave ndan mendjen për të marrë euro borxh? Kur merr euro borxh me afat 2-vjeçar, përdor bondin (pra, bondin në euro) dhe i drejtohet tregut në vend, shqiptarëve, bankave, etj. U thotë: dua 1, dua 10, dua 100 milionë euro borxh; kush do të m’i japi me normën më të ulët të interesit?

Asnjëherë, në të gjitha kohërat, (jo tani, por dhe më përpara), që kur është krijuar huamarrja, ka qenë e drejta e Deutche Bank, Citty Group, Morgan, etj, banka të mëdha në botë - po të donin, mund të vinin- për të blerë dhe ato konkurronin. Pra, tregu i brendshëm nuk i pengon për të blerë në bonde.

Tani çfarë po bëjmë? Meqë është vlera e madhe, dalim në tregun e jashtëm! Kush e ndalon shqiptarin, bankën shqiptare që të shkojë jashtë, të blejë? Askush! Askush nuk e pengon dhe ata mund ta bëjnë siç e bëjnë investitorët më të mëdhenj në botë. Përse kur huaja është brenda vendit, asnjëherë Kuvendi nuk ka kërkuar të përcaktojë normën e interesit, etj? Sepse e di mirë se del në këtë treg dhe përzgjedh midis gjithë atyre që janë investitorë….

(I drejtohet Sherefedin Shehut)

Ka ardhur Deutche Bank, unë tani duhet të të mësoj se, kur ke qenë ti zëvendës ministër, ka ardhur Deuche Bank dhe ka blerë. Atë, nëse ka risk, e di banka! Por nejse, kjo nuk është orë leksioni, por diskutimi, ndaj duhet t’i bie shkurt, se nuk kemi pse e zgjasim.

I gjithë procesi është transparent, është llogaridhënës, është tërësisht i kontrollueshëm në çdo kohë. E vetmja gjë që kërkojmë, është që të mos jetë kontrolli i Kuvendit hap pas hapi, rast pas rasti , “ad hoc” për çdo rast, por të jetë tërësor. Dhe kur të dojë, në çdo çast, jo vetëm unë, që jam i detyruar me ligj të vij tre herë në vit të jap llogari për borxhin, por deputetët, sa herë të duan, mund të më thërrasin, si Ministër Finance, mund të thërrasin Kryeministrin, të japim llogari për borxhin që marrim, për borxhin që ka qenë, etj.

Sa për dijeni, u përpoqët të shpreheni nëse kemi konsultuar ekspertë, specialistë... Me ekspertë të huaj, me ekspertë vendas, me ekspertë të Bankës Botërore e kemi bërë këtë ndryshim! Janë të konsultuara, të mirëmenaxhuara, të mirëmenduara këto që propozojmë. Por ju e keni mendjen siç e keni dhe doni të flisni ashtu siç doni.

Që  të mos e zgjas (dhe kuptoj që nuk doni të dëgjoni), po ju them si e keni kuptuar ju këtë çështjen e borxhit, meqë keni shumë qejf për t’u marrë me të.

Nuk keni pasur këtë mendje në dhjetor të vitit 2012 - se dikush e përmendi këtu. E keni bërë fakt, përpara se të dilte ligji . E doni me data? Në 7 dhjetor, ju si mazhorancë, keni kërkuar ndryshimin e ligjit. Në 19 dhjetor është botuar në Fletoren Zyrtare, në 3 janar 2013 ka hyrë në fuqi. Fakti është se që në nëntor të vitit 2012 borxhi ka qenë 61.2%, dhe në 2013 ky borxh ka dalë 62%! Por ju keni metodën për ta bërë fakt shkeljen dhe pastaj ta sillni ndryshimin e ligjit. Ne themi hajde të rregullojmë gjithçka në mënyrë ligjore, të punojmë me shtet ligjor, siç i takojnë vendit. Ky është dallimi që kemi!

Dëgjova, jo një herë, por disa herë, se pranoni se ky është problemi. Të dyja palët e kuptojmë se ka një problem, kështu siç e kemi këtë mënyrë të menaxhuari. Ne bëmë propozimin tonë, sepse e gjykojmë se nuk shkelet Kushtetuta dhe Kushtetuta nuk shkelet. Ju gjykoni se duhet ndërruar Kushtetuta. Dy gjëra janë: 1) Shumë vite më parë ju keni tentuar të bëni të njëjtën gjë; atëherë ishit me mendjen se nuk shkelej Kushtetuta apo e kishit me mendje që atëherë se shkelej Kushtetuta? Dhe ju donit t’ja hidhnit këtij populli? 2) Nëse ju me të vërtetë gjykoni se shkelet Kushtetuta, pse nuk bëtë një propozim që të ishit konstruktivë dhe të sillnit, ose në Ministri të Financave, ose në qeveri, ose këtu në Kuvend propozimin se neni x i Kushtetutës duhet ndryshuar! Sepse ju e pranoni problemin!

Por, më zi akoma dhe, kjo është fjalia e fundit:

E konstatuat në atë kohë dhe se duhej ndryshuar Kushtetuta, por si nuk e  ndryshuat? Si nuk e morët atëherë inisiativën për të ndërruar Kushtetutën, në mënyrë që t’ja lehtësonit punën atyre që do të vinin më pas, qofshit ju apo ne që erdhëm. Si nuk e bëtë këtë? Si e latë vendin në këtë ngërç, që ju e keni kuptuar që atëherë se ishte problem?! Turp, turp, turp!

Faleminderit!