Flaka Haliti sot çel ekspozitën e parë në Galerinë Kombëtare të Arteve

Flaka Haliti sot çel ekspozitën e parë në Galerinë Kombëtare të Arteve

Artistja Flaka Haliti

Artistja nga Kosova, Flaka Haliti, sot në orën 19.00 do të çelë një ekspozitë personale në Galerinë Kombëtare të Arteve. “Këtu-apo atje, është më atje”, kështu titullohet ekspozita e piktores kosovare, e cila do të qëndrojë e çelur për publikun vetëm dy ditë deri më 9 nëntor.  “Këtu – apo atje, është më atje”: ky titull plot dilema i ekspozitës së Flaka Halitit në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, sugjeron një skepticizëm të përgjithshëm ndaj përkufizimeve të ngurta mbi hapësirën.

Kjo ekspozitë  është prezantuar për herë të parë në Kunsthalle Lingen (14 tetor, 2017–14 janar, 2018) dhe më vonë në Kunsthaus Hamburg (20 mars–20 maj, 2018). Ekspozita në Tiranë është kuruar nga Leonie Radine.  Destabilizimi i tipareve të territorit, e sidomos i dikotomisë mes Lindjes dhe Perëndimit, është karakteristikë e punës së artistes. “E konceptuar si pasqyrë e punës së Halitit në këto pesë vitet e fundit, ekspozita e parë personale e saj në Shqipëri është një përzgjedhje punësh që në mënyrë të vazhdueshme transgresojnë kufijtë fizikë dhe mendorë. Punët e saj shumështresore vënë në lojë dhe sfidojnë marrëdhëniet e pushtetit si dhe nomenklaturën që sundon mbi sistemin e artit dhe më gjerë. Ato jo vetëm që refuzojnë klasifikimet tradicionale sipas mediumit, siç është skulptura, piktura, vizatimi apo fotografia, por ato sfidojnë edhe përfundimet e nxituara estetike që janë pasojë e mendimeve klishe mbi një gjeneratë, gjini apo përkatësi.”, shkruan kuratorja e ekspozitës Leonie Radine.

 

Flaka Haliti prezantohet duke zhvendosur format e zakonshme apo duke animuar regjistrime që vijnë nga kontekste të veçanta politike dhe nga sfera të ndryshme të botës mondane të konsumit. Ajo u jep imazheve, objekteve dhe materialeve ekzistuese një zë alternativ. Kjo qasje e saj prodhon kompozime të reja apo ende të padefinuara që shpalosin marrëdhënie dhe ndërvarësi të pazakonta mes komponentëve të tyre heterogjenë. “Një perde transparente të cilës i ndryshojnë ngjyrat, që siç thotë edhe titulli “rri varur kot” (just hanging around) – këtu, apo atje – e ndërpret në mes korridorin linear me qëndrimin e vet përtac-cool-kritik. Banerë të ngjyrosur me spray, të pezulluar nga ekzistenca e tyre e përditshme fantazmagorike, i drejtojnë vizitorët nëpër hapësirat gjarpëruese. Elementë arkitekturalë, që duken si muret mbrojtëse që dikur rrethonin ndërtesat e OKB-së dhe NATO-s në Prishtinë, rrinë të shtrira në një gjendje letargjie, tashmë pa as edhe një funksion. Një robot me krahë i ndërtuar nga mbetjet e kampeve ushtarake të NATO-s në Kosovë ngjan si mishërim i diçkaje mes një engjëlli të historisë dhe një lajmëtari me inteligjencë artificiale nga e ardhmja. Dhe përderisa publiku përballet me retë-si-fytyra që duken si shëmbëlltyra të vetëkrijuara, një personazh enigmatik me emrin “Joe”, na del para krejt papritur, në forma të ndryshme antropomorfike në sfungjer-mermeri,ndërsa një trup tjetër abstrakt kryqëzon gishtat pas shpinës. Duke refuzuar status quo-në e objektit, Haliti përballet me të kaluarën dhe me të ardhmen potenciale të tij, duke e hapur fushën e mundësive dhe perspektivave që tejkalojnë nocionet e thjeshta të përkatësisë.”, shkruan kuratorja Leonie Radine. E gjithë hapësira e ekspozitës ngjan si një shfaqje e inskenuar, ku potenciali i fshehur performativ i veprave vihet në jetë nga vetë imagjinata që nxit tek publiku.

Kush është Flaka Haliti

Flaka Haliti ka lindur në vitin 1982 në Prishtinë, Kosovë dhe jeton në Mynih, Gjermani. Pas diplomimit në Grafikë pranë Fakultetit të Arteve në Prishtinë në vitin 2006, ajo vazhdoi studimet për Artet e Bukura në Städelschule në Frankfurt mbi Main nga viti 2008 deri në vitin 2013. Aktualisht ajo është duke bërë doktoraturë në praktikë pranë Akademisë së Arteve të Bukura në Vjenë. Punët e saj janë ekspozuar në shumë raste, përfshirë edhe ekspozita personale në pavijonin e Republikës së Kosovës në Bienalen e 56-të të Venecias (2015), në mumok, Vjenë (2014) dhe në Galerinë Kombëtare të Arteve të Kosovës, Prishtinë (2014). Në vitin 2016 ka qenë artist rezident në Villa Romana në Firence, dhe në po të njëjtin vit është nderuar me çmimin Ars Viva. Në vitin 2018, ajo është pjesëmarrëse në Artin Publik të Mynihut dhe Bienalen e Busanit.  Imazhi: E shqetësueme prej fantazmës pa u brengosë, 2017 Njëzetë e pesë flamuj banerë, flamuj në shtizë, flamuj në hark, metal, print digjital, bojë me spray, beton.  Haliti është një personazh i njohur, i Arteve bashkëkohore e cila ka marrë pjesë edhe në edicionin e 56-të të Bienales së Venecias. Qielli i kaltër, quhej ekspozita e saj në Venecia, një spekulim që lë pas kufizimet hapësinore.

Ai reflektonte mbi objekte, ngjarje e histori, duke e pasur në fokus Kosovën. Haliti, fituesja e çmimit “Myslim Mulliqi” për vitin 2014 me veprën e saj “Kapuçat nevojiten pas kësaj pike”. Ekspozitat e fundit të Halitit përfshijnë Ludloë 38, New York, Galeria Kombëtare e Kosovës, Mumok, Vjenë, Salloni i Tetorit, Beograd, MMK-Zollamt, Muzeu i Artit Modern, Frankfurt, ZKM, Karlsruhe dhe në Castilla y León (2012).

 

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë