Ajo është në pritje që t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje të re kirurgjikale në zorrë, e treta këtë janar dhe sipas prindërve është ende shumë e dobët për t’u transferuar nga spitali i Zyrihut, ku mbërriti në agimin e tragjedisë së diskotekës së Crans-Montana

Megjithatë, një moment i madh gëzimi ishte ai kur Elsa Rubino, 15-vjeçarja nga Biella që i shpëtoi zjarrit me 60% të trupit të djegur, hapi sytë dhe njohu mamanë Isabella dhe babain Lorenzo. Lajmi u përhap në rrjetet sociale nga miqtë dhe shokët e saj të shkollës. Më pas erdhi edhe konfirmimi nga i ati. Shenjat e një përmirësimi të lehtë të gjendjes së saj, për të cilat flitej prej ditësh, dhe kjo ishte prova më konkrete, i shtynë mjekët të ulnin nivelin e sedacionit.

Babai: “Emocion i paimagjinueshëm”

“Elsa hapi sytë dhe na njohu. E bëri këtë në momentin kur sedacioni ishte më e ulët”, njofton Lorenzo Rubino për Corriere. “Për ne, për mamanë dhe mua, ishte një emocion i madh. I paimagjinueshëm. Edhe pse e kuptoj se është një hap shumë i vogël krahasuar me ato që duhen arritur. Ajo ende nuk ka zorrë funksionale. Beteja është ende e gjatë", tha babai.

Elsa është në pritje të një operacioni të tretë, i cili për momentin është pezulluar për shkak të një bakteri. “Ishte një moment i shkurtër, por vërtet intensiv. Na tregoi se ishte e vetëdijshme. Por lufta sapo ka filluar,” thotë babai. “Prognoza mbetet e rezervuar dhe shumë delikate. Elsa mbahet nën sedacion. Herët e tjera ishte zgjuar dhe kishte qarë. Këtë herë, përkundrazi, na njohu vërtet. Është një fazë e rëndësishme, por do të jetë një rrugë shumë e vështirë dhe e gjatë, për të cilën ajo po bëhet gjithnjë e më e vetëdijshme.”

Ndërkohë, Liceo Sella dhe e gjithë qyteti i Biellas e kanë mbështetur deri tani betejën e vajzës. Në shkollë, drejtori Gianluca Spagnolo ka nisur edhe një protokoll mbështetjeje psikologjike të specializuar për shokët e shkollës së Elsës, duke ia besuar ndërhyrjen Shoqatës EMDR Italia. Janë parashikuar dy ndërhyrje specialistike, tre takime në grup për nxënësit dhe një me karakter psikoedukativ për të rriturit.