Pasi Ervin Salianji i kërkoi dorëheqjen nga PD me argumentin se e ka shkatërruar partinë, Flamur Noka foli para gazetarëve pas mbledhjes së Kryesisë, por iu shmang thirrjes për dorëheqje.

Ai filloi të thurë skenarë për Suel Çelën, një personazh i njohur i botës së krimit që e kanë akuzuar për lidhje me PS, se kësaj radhe është futur brenda radhëve të PD dhe se u ka kërkuar demokratëve që të mos shkojnë në takimin e Sali Berishës në Elbasan, por në një takim tjetër. Duke iu referuar këtu foltores së radhës që pritet të organizojë Ervin Salianji, ndonëse këtë të fundit nuk guxoi as ta përmendë me emër.

Dorëheqja sipas tij, do t'i shërbente vetëm Ramës dhe shërbëtorëve të tyre, por edhe në këtë rast emrin e Salianjit nuk e përmendi dhe para kamerave nuk guxoi të thotë se me shërbëtor nënkuptonte ish-deputetin, foltorja e së cilit ka irrituar jo pak lidershipin e PD.

“Tani unë po flas këtu për axhendën e demokratëve dhe të opozitarëve, ju po flisni për axhenda jashtë partiake që janë në shërbim të qeverisë. 

Por sot dorëheqja e vetme që kërkohet nga gjithkush është dorëhqeja e Ramës. Dorëheqja ime apo dikujt tjetër këtu qetëson vetëm një gjë, Ramën dhe shërbëtorët e tij”, tha Noka.

Aludimet se ish-deputeti Salianji përmes Suel Çelës dhe deputetes së PS, Sara Mila po tenton të organizojë takim në Elbasan, duke e shitur si takim me demokratë, Flamur Noka i ka shfaqur edhe në mbledhjen me dyer të mbyllura të Kryesisë.

"Kemi pasur ankesa që nga Elbasani, që Suel Çela është angazhuar për të telefonuar, pra për të kërcënuar dhe shantazhuar demokratë që të mos merrnin pjesë në foltoren e Sali Berishës dje, por të marrin pjesë në një foltore tjetër, të, nesër apo pasnesër, nuk e di datën saktë.

Këtë po ju them, kaq. Dhe kjo gjë sigurisht, ky është një shqetësim sepse çfarë është? Pse? Ne e kemi bërë publik me kohë. Ne kemi thënë që kundër Partisë Demokratike, është regjimi i Edi Ramës, janë kartelet dhe një nga kartelet që kërkon këtë gjë është ai i Elbasanit", tha Noka. 

Akuza të cilat u mohuan kategorikisht nga ish-deputeti përballë gazetarëve.

“S’kam takuar asnjë person të krimit, këto se di nga dalin, janë muhabete kot. Jam i keqardhur që mbledhja e zhvendos foksusin nga protesta”, tha Salianji, duke shtuar se çdo akuze do t'i përgjigjen me fakte dhe me prova. 


Lajmi kryesor:

Pas lëvizjes brenda PD, Salianji në fytyrë Nokës: Dorëhiqu, shkatërrove partinë! Debate të ashpra edhe me Berishën: Statuti nuk m'i ndalon takimet me demokratët