TIRANË - Lidhur me projektin për ndryshime në Parkun e Liqenit, tashmë ka një debat, që kaloi edhe në fushën e aksionit të shoqërisë civile. Deri tani janë dëgjuar zëra të ndryshëm, kryesisht kritikë, ndaj projektit për të vënë dorë mbi një hapësirë nga ana e Bashkisë. Ne iu drejtuam ing. Ismail Latifit, inxhinier i vjetër gjelbërimi, me një eksperiencë pune mbi 45-vjeçare në fushën e projektimit të sipërfaqeve të gjelbëra dhe ish-drejtues për afro 10 vjet i Parkut të Madh dhe Kopështit Zoologjik, pikërisht për të marrë mendimin e tij mbi situatën floristike dhe impaktin që do të sjellë ndërtimi i Parkut të Lojrave për Fëmijë brenda Parkut të Madh.
 
Inxhinier, këto ditë Bashkia e Tiranës ka prerë disa drurë në Parkun e Liqenit për të realizuar një projekt për lojra fëmijësh. Në këndvështrimin tuaj, si e gjykoni këtë veprim?
Parku i Madh ka historikun e vet. Ai është krijuar në vitet ’50 me ndërtimin e Liqenit artificial të Tiranës. Në atë kohë, te kjo zonë ka patur vetëm disa grumbuj pyjorë dushku të ndodhura në pjesën lindore të tij. Pyllëzimi i këtij Parku në ato vite u realizua kryesisht me fidana që dispononin ndërmarrjet e pyjeve: pisha, eukalipte, ligustër, selvi, plep kanadez, akacie.

Një fakt evident është që selvitë e mbjella te të dy anët e shëtitores kryesore të Parkut (që janë edhe sot e kësaj dite), si edhe në faqen që sheh nga Stadiumi « Qemal Stafa », në të vërtetë u morën nga ish-fidanishtja pyjore në Fier, konkretisht në një fidanishte, që ka qenë dikur te ura e Mbrostarit të lumit Seman. Gjithashtu, edhe fidanishtet e sistemit komunal u shfrytëzuan për mbjelljen e drurëve të tjerë: katalpa, panja amerikane, tuja.