TIRANË- Tirana, por jo vetëm, këto ditë festive po përballen me fluks të shtuar dhe trafik të dendur që bllokon akset kryesore rrugore dhe i lë qytetarët me orë në pritje. I ftuar në Report Tv, eksperti Fadil Likaj foli për ‘njollat e zeza’ të rrugëve dhe mënyrën se si mund të menaxhohet trafiku.  

“Tirana përballet me fluks të shtuar të trafikut nëse do krahasojmë me disa vite më parë. Jemi përballë festave të fundvitit ku shumë emigrantë kanë ardhur në vendlindje, kjo ka bërë që të ketë shtim trafiku, por edhe një fakt tjetër që është rritur numri i mjeteve në raport me vitet e kaluara”, tha Likaj.

Për të minimizuar sadopak trafikun dhe fluksin që krijohet për festa, eksperti sugjeron që mjetet të cilat furnizojnë dyqanet dhe marketet të kenë një fashë të caktuar orare.

“Të gjitha mjetet që furnizojnë dyqanet, maketet, shpërndarja e pijeve ushqimeve të bëhet me orare të caktuara. Furgonet zënë një numër të lartë, futen nëpër rrugica lagjesh dhe rrisin në mënyrë artificiale trafikun. Edhe mjetet e transportit urban, psh koristë e krahut të djathtë, qëndrojnë aty, apo edhe furgonët që shpërndajnë mallra. Nëse ti e bllokon rrugën e Kavajës për 10 minuta, do dy orë ta zhbllokosh trafikun”, theksoi ai.

Eksperti rendit edhe njollat e zeza dhe u bën thirrje emigrantëve të kenë kujdes kur udhëtojnë nga Hani i Hotit, Kakavija dhe Kapshtica për në Tiranë.

“Një nga segmentet rrugor që është i mbingarkuar është segmenti nga Hani i Hotit derisa vjen në Tiranë, nga Kakavijë Gjirokastër- Tepelenë- Fier- Tiranë dhe segmenti nga Kapshtica, Elbasan-Tiranë. Janë segmente rrugore të mbingarkuara dhe koha ka treguar që kemi pasur rritje të numrit të aksidenteve. Shumë nga shqiptarët që banojnë në vendet e be janë shkëputur nga realiteti në Shqipëri dhe nuk e njohin në detaj se si duhet të sillen”, tha eksperti Fadil Likaj.

Eksperti thotë se Unaza e Madhe i dha frymëmarrje trafikut, por thekson se ky investim nuk është zgjidhje pasi daljet nga Unaza të ishin me dy korsi. Sipas tij, një zgjidhje e mirë do ishin mbikalimet dhe nënkalimit për të lehtësuar trafikun në kryeqytet, por jo vetëm.

“Unaza e Madhe ishte investim i mirë për trafikun sepse i dha frymëmarrje, por ky është problem konstruktiv. Në zonën e Liqenit të Thatë, Selitës, Kinostudios, Paskuqan, janë zona të mbipopulluara. Në momentin që bën dalje nga unaza, e bën me një korsi dhe për të shfryrë Unazën duhej minimalisht dy korsi. Nënkalimet dhe mbikalimet janë zgjedhja më e mirë por përkthehet në kosto, vendosen rrethrrotuillime që ti jepet frymë trafikut.

Likaj bën thirrje që të zhvillohet një plan studimi për menaxhimin e trafikut. Sipas tij, trafiku duhet monitoruar në disa kohë të ndryshme me qëllim që të bëhet një projekt mbi sinkronizimin e semaforëve. Ai nënvizon se sinkronizimi inteligjent i semaforëve duhet të bëhet me sisteme moderne, të automatizuara, që reagojnë në kohë reale dhe jo me rregullime fikse që nuk ndryshojnë pavarësisht situatës në terren. Psh në momente fluksi, eksperti sugjeron se i duhet lënë më shumë kohë mjeteve për të qarkulluar dhe duhet të ulet koha e semaforit për kalimin e këmbësorëve.

“Duhet plan studimi i gjithë zonës urbane, studim në raport me realitetin, jo në raport me letrat. Të bëhet monitorim i trafikut gjatë orëve të ditës dhe monitorimi të jetë në disa kohë, në kushte normale, në mbrëmje, në mëngjes, në pikun e trafikut dhe të bëhet projekti mbi sinkronizimin e semaforëve. Nuk mund të jetë i njëjtë në çdo orë të ditës, duhet të jetë me intervale. Kur kemi fluks të lartë mjetesh do ulësh kohën e vendkalimit të këmbësorëve që të shtyhet trafiku, në këto kushte jo vetëm që nuk shfryhet, por e rrisim në mënyrë artificiale”, përfundoi ai.