FMN: Qeveria të anulojë përjashtimet aktuale nga taksat, ekonomia po performon mirë

FMN: Qeveria të anulojë përjashtimet aktuale nga taksat, ekonomia po performon mirë

Guvernatori Gent Sejko, perfaqësuesi i FMN-së dhe ministri Arben Ahmetaj

Fondi Monetar ndërkombëtar i bëri thirrje qeverisë shqiptare që të heqë dorë nga përjashtimet aktuale nga taksat, apo të mos pranojë më propozime të pakërkuara për PPP-të, duke vërejtur se ekonomia po përformon mirë. Këshillat e FMN-së, u bënë në deklaratën përmbyllëse të ekipit për Misionin, që, nën drejtimin e zotit Jan Kees Martijn, vizitoi Tiranën gjatë periudhës 6-20 nëntor 2018.

Pjesë nga deklarata përmbyllëse e ekipit të Misionit të FMN-së:

Rritja ekonomike e Shqipërisë ka ndjekur prirjen rritëse vitet e fundit, ndërkohë që vendi ka përfituar nga reformat e zbatuara dhe nga zgjerimi ekonomik i partnerëve të saj tregtar europianë. Në të njëjtën kohë, mbetet shumë për të bërë që rritja ekonomike të jetë më e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse dhe që të dobësojë shtysat për emigracion. Është po ashtu e rëndësishme të vendosen amortizues më të fuqishëm, sidomos tani që janë rritur risqet ndaj së ardhmes ekonomike të Evropës. Në reformat kyçe përfshihet fuqizimi i shtetit ligjor dhe institucioneve ekonomike, heqja e pengesave ndaj rritjes së investimeve dhe kursimeve private dhe zvogëlimi i borxhit publik me ritëm më të shpejtë nëpërmjet përmirësimit të menaxhimit të investimeve publike dhe zgjerimit të bazës së të ardhurave fiskale. Gjithashtu, ruajtja e stabilitetit financiar ndërkohë që arkitektura e sektorit bankar është duke ndryshuar e rrit kompleksitetin e mbikqyrjes financiare. Përparimi në këto fronte do ta ndihmonte Shqipërinë edhe në ecjen e saj përpara drejt integrimit në Bashkimin Europian. 

Përfaqësuesi i FMN-së

Përfaqësuesi i FMN, foli për një perspektivë më së shumti pozitive në ekonomi.


Një shtytje e përkohshme prej prodhimit të energjisë elektrike falë kushteve të favorshme të motit pritet ta çojë shkallën e rritjes ekonomike në 4 për qind këtë vit, e cila pritet të ngadalësohet disi në 3,7 për qind në vitin 2019. Në periudhën afatmesme, parashikojmë që shkalla e rritjes të jetë rreth nivelit 4 për qind, e mbështetur nga rritja e eksporteve, përfshirë turizmin dhe investimet në infrastrukturë. Kursi i këmbimit është mbiçmuar ndjeshëm pas muajit mars, duke ushtruar presion rënës mbi inflacionin, i cili pritet të rritet shumë gradualisht, për të arritur objektivin prej 3 për qind brenda vitit 2021. Në tetor, autoritetet emetuan me sukses Eurobondin prej 500 milion euro, me afat shtatëvjeçar, me normë të favorshme interesi prej 3,5 për qind. Me përfundimin e projekteve të mëdha energjetike që kanë komponentë të mëdha importesh, parashikojmë që deficiti i llogarisë korente të ngushtohet në rreth 6 për qind të PBB-së përgjatë periudhës afatmesme. Megjithëse sistemi bankar është i kapitalizuar mirë dhe likuid, kredidhënia në mbështetje të investimeve të biznesit mbetet e dobët. Kreditë nën standard kanë rënë me më shumë se 10 pikë përqindje që prej vitit 2014, por në disa banka mbeten të larta. 

Përfaqësuesi i FMN-së


Sipas përfaqësuesit të FMN, rreziqet ndaj ekonomisë shqiptare vlerësohen në rënie. 

Shqipëria është e ekspozuar fort ndaj risqeve në rritje në Europë, përfshirë partnerët e saj kryesorë tregtarë. Një ngadalësim në këto vende, do të kishte ndikim edhe në Shqipëri nëpërmjet rënies së eksporteve, dërgesave të emigrantëve dhe investimeve të huaja të drejtpërdrejta (IHD). Gjithashtu, shtrëngimi i pritur në kushtet financiare botërore do ta rriste koston e financimit të Shqipërisë. Krahas këtyre, ka edhe risqe të rëndësishme të brendshme. 
Duke pasur parasysh mungesën e hapësirës fiskale, i nxisim fort autoritetet të mos shtojnë ulje, përjashtime apo trajtime preferenciale tatimore ad hoc dhe të konsiderojnë anulimin e atyre të miratuara tashmë. Ato e bëjnë më të komplikuar dhe më pak të parashikueshëm sistemin tatimor, çka cënon, si klimën e investimeve, ashtu edhe mbledhjen e tatimeve. 
Në anën e shpenzimeve, puna për rritjen e efikasitetit nuk duhet ta ulë nivelin e shpenzimeve buxhetore në fushat prioritare. Nevoja për të përmirësuar arsimin, kujdesin shëndetësor dhe infrastrukturën drejt standardeve europiane kërkon rritjen e cilësisë dhe nivelit të shpenzimeve. Në veçanti, shpenzimet për arsimin mbeten në nivel të ulët, ndërkohë që mungesat e krahut të aftë të punës përbëjnë kufizim serioz mbi produktivitetin dhe rritjen. 
Rritja e shpejtë e partneriteteve publike private (PPP) i ka rritur risqet fiskale, çka kërkon përmirësime të tjera shtesë në kuadrin për investimet publike. Është thelbësore të fuqizohet planifikimi dhe realizimi i investimeve në të gjitha nivelet e qeverisjes, përfshirë qeverisjen vendore dhe qendrore, si edhe ndërmarrjet shtetërore, dhe të shumëfishohen përpjekjet në drejtim të arritjes së maksimizimit të vlerës. Brenda investimeve publike, stoku i PPP-ve është duke u zgjeruar. Relacioni i buxhetit 2019, përveç stokut aktual të PPP-ve prej 31 për qind të PBB-së (nga të cilat rreth 23 për qind të PBB-së koncesione në sektorin e energjisë), paraqet projekte potenciale PPP-sh të kufizuara në 15 pikë përqindje. I mirëpresim përpjekjet për ta fuqizuar rolin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë si filtër për të mbajtur nën kontroll koston e mundshme fiskale të PPP-ve. Krahas kësaj, këshillojmë nxitjen e një procesi me oferta konkurruese duke mos pranuar më propozime të pakërkuara për PPP-të. Ndonëse shpenzimet e parashikuara për PPP-të mbeten poshtë tavanit ligjor prej 5 për qind të të ardhurave tatimore, kjo lë pak hapësirë për projekte të tjera PPP-sh me fonde shtetërore. 
Të zbatohen me vendosmëri reformat e planifikuara për ta bërë sektorin energjetik të qëndrueshëm nga ana financiare. Reformat, nën orientimin e planit pesëvjeçar të rimëkëmbjes financiare, i përgatitur me mbështetjen e Bankës Botërore, parashikojnë shlyerjen e borxheve të prapambetura, zvogëlimin e mëtejshëm të humbjeve të shpërndarjes dhe një orientim më të mirë të investimeve. Përfundimi i procesit të reformave kërkon edhe marrjen në kohë të vendimeve për strukturën e drejtimit të brendshëm të shoqërive publike në sektorin energjetik, vendosjen e çmimit (në të gjithë zinxhirin e prodhimit) që siguron mbulimin e kostos dhe për fondet rezervë të nevojshme në rast thatësire.

Përfaqësuesi i FMN-së

Partneriteti me FMN, Ahmetaj: Situata makroekonomike e konsoliduar, në 6 muaj rritja ekonomike, 4.4 %

Në kuadër të mbylljes së misionit të radhës së Fondit Monetar Ndërkombëtar, këtë të martë u zhvillua në Tiranë konferenca mbyllëse, ku ndër temat e prezantuara ishin niveli i rritjes ekonomike në vend, risqet e sektorit fiskal, rreziqet e borxhit, etj. 
Ministri i Financave Arben Ahmetaj, prezantoi një tablo optimiste për ekonominë e vendit ku deklaroi se në 6 muaj e parë ka patur një rritje ekonomike në nivelin 4.4 %, nga 3.8 % që ishte në vitin 2017. Ministri Ahmetaj u shpreh se falë bashkëpunimit dhe partneritetit me Fondin Monetar Ndërkombëtar , Shqipëria ka një situatë makroekonomike dhe fiskale të konsoliduar të konsoliduar, faktor që sipas tij ka ndikuar në përshpejtimin e rritjes ekonomike dhe nxitjen e sektorit të punësimit.

Desha të falënderoja FMN dhe vlerësoj ecurinë që ata mbajnë për financat publike.Përtej sfidave të reformave do desha të fokusohesha në disa nga zhvillimet ekonomike. Për 6 muaj e parë rritja në nivelin 4.4% nga 3.8 që ishte në 2017, e pritet të jetë mbi 4 gjatë gjithë vitit.
Rritja në gjysmën e parë të vitit 2018 është gjeneruar kryesisht nga kërkesa e brendshme. Konsumi, rritje reale me 2.7%. Investimet totale për 6 muaj rritje me 2.8%. Thuajse të gjithë sektorët e prodhimit kanë rezultuar me rritje pozitive. Eksportet e mallrave janë rritur me 16% kundrejt një vitit më parë. Muaji tetor pati një rritje prej 21%. Deficiti tregtar është përmirësuar ndjeshëm, me 8%. Zgjerimi i aktivitetit ekonomik është reflektuar dhe në tregun e punës. Punësimi është rritur dhe papunësia ka nisur të bjerë .

Ministri i Financave dhe i Ekonomisë, Arben Ahmetaj.


Përfaqësuesi i FMN-së pohoi se trajektorja në ekonomi ka pasur një prirje rritëse, ndonëse mbetet ende shumë punë për t’u bërë në këtë drejtim. “Parashikojmë nivelin e rritjes ekonomike në 4%, me një zbutje të lehtë vitin e ardhshëm në 3.7%. u shpreh mes të tjerash përfaqësuesi i FMN.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • redi: 20/11/2018 19:41

    Ahmetaj kujdes me PPP dhe lobimet per uljen e tajsave bisnesit , se do falimentish financat publike . Aresyeja eshte e thjeshte se nuk do kemi mundesi ti lajme borxhet . Ekonomua bazohet tek rritja ekonomike unifirme dhe jo me 2 ose3 sektor . Bej transparence pse u filloi programi i PPP tepa jerkyar dhe ku po i marrin kredite firmat ndertuese ? Nese do te beheshin me buxhetin e shtetit sa do ishte diferenca me pagesat qe do i behen privatit? Kujdes se luhet me jeten e popullit dhe nuk ka zot te fali , megjithse nuk je i fushes se financave pir udhtar i bindur u timonierit

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me të paktën 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me të paktën 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar