Kryetari i Partisë Demokratike mbajti këtë të martë “Foltoren e Ripërtëritjes” në Dibër. Në fjalën e tij, Berisha e cilësoi ripërtëritjen e Shqipërisë si misionin e ri të opozitës, ndërsa foli për gjenden ekonomike e sociale në vend, duke thënë se situata është e rëndë. Sipas tij, rinia nuk mundet të blejë dot një apartament dhe pensionistët mezi arrijnë fundin e muajin.
“Misioni ynë i madh, misioni ynë i ri është ripërtëritja e Shqipërisë. Shqipëria rrallë ndonjëherë në histori është rrokullisur siç është rrokullisur këto 14 vite. Sot mbi 460 mijë pensionistë marrin pensione të pjesshme. Pensionisti sot nuk i merr dot ilaçet, mbetet pa mjekim. Sot varfëria, skamja troket në mbi gjysmën e vatrave të shqiptarëve. Një çift i ri, për të rritur fëmijën e parë, duhet t’i kushtojë atij 60 përqind të rrogës. Një çift i ri, për të blerë një apartament, e ka mollë të ndaluar, nuk e blen dot”, tha Berisha.
Sipas Berishës nëse vjen në pushtet do të sjellë një ndryshim rrënjësor në vend, duke u fokusuar veçanërisht te problemet e qytetarëve.
“Dhe këtë ripërtëritje ne do ta nisim pikërisht me një ndryshim rrënjësor në qëndrimin tonë ndaj qytetarit, ndaj halleve, problemeve, vuajtjeve, sakrificave, mungesave të tij. Ne, me programin tonë, me sugjerimet tuaja, me propozimet tuaja, zotohemi se Shqipërisë në emergjencë do t’i bëjmë terapinë emergjente. Do t’i japim asaj të gjitha zgjidhjet për ta nxjerrë së pari nga emergjenca, nga vuajtjet, nga dhimbja, nga mospasja”, tha Berisha.
Për protestën para Ministrisë së Arsimit, kreu i PD, tha se opozita do të vijojë me mbështetjen e tyre, deri në largimin e kryeministrit Rama.
“PD mbështet fuqishëm protestën studentore dhe garanton studentët dhe pedagogë të Universitetit se ajo do të qëndrojë së bashku me ta dhe qytetarët e Tiranës gjer në largimin e këtij regjimi. Protesta e studentëve ka një domethënie shumë të madhe, studentët u rikthyen edhe njëherë aty ku ishin 8 vite më parë për t’i dhënë reston të mashtrimit të turpshëm të Ramës ndaj tyre”, tha Berisha.









Komente
Komento