Forcat ajrore, nismë për edukimin
e kadetëve të rinj të ajrit

Forcat ajrore, nismë për edukimin<br />e kadetëve të rinj të ajrit
TIRANE- Në një kohë kur interesi i të rinjve për aviacionin dhe fluturimin ka ardhur në rritje, Forca Ajrore shqiptare ka ndërmarrë një nisme të re për edukimin e Kadetëve të Ajrit. Komandanti i kësaj force, gjeneral brigade Dhori Spirollari, ka marrë nismën e ngritjes së një Organizate për edukimin e Kadetëve të Ajrit në Shqipëri. Kjo nismë vjen edhe nën iniciativën e vetë Federatës Ndërkombëtare të Kadetëve të Ajrit me qendër në Britaninë e Madhe dhe interesimit të vazhdueshëm të Ambasadës sonë në Britaninë e Madhe.

Forca Ajrore në bashkëpunim me Federatën e Sporteve të Ajrit në Shqipëri dhe me mbështetjen dhe eksperiencën e Organizatës Ndërkombëtare të Kadetëve të Ajrit në Mbretërinë e Bashkuar (IACT) synon të ngrejë edhe në Shqipëri Organizatën Shqiptare të Kadetëve të Ajrit. Për këtë qëllim janë bërë edhe vizita në këtë organizatë ndërkombëtare për të parë pajisjet, infrastrukturën dhe gjithçka që ka lidhje me ngritjen dhe funksionimin e organizatës në Shqipëri.

Ngritja dhe funksionimi i Organizatës së Kadetëve të Ajrit në Shqipëri ka si qëllim të afrojë të rinjtë dhe të rejat nga mosha 13 deri 19 vjeç në botën e Aviacionit në profesionet e pilotit, kontrollorëve ajrorë, teknikëve dhe operatorëve të sistemeve mekanike dhe elektronike, duke përgatitur kështu brezin e e ardhshëm të aviatorëve dhe personelit të mbështetjes për Forcën Ajrore. Ky kontingjent do të jetë baza e personelit profesional të Forcës Ajrore në të ardhmen, si dhe për të gjithë ato biznese që operojnë në fushën e Aviacionit Civil, duke kontribuar drejtpërdrejt në zhvillimin e këtij sektori të rëndësishëm për vendin tonë.

Përsa i përket infrastrukturës në Britaninë e Madhe, Organizata Ndërkombëtare e Kadetëve të Ajrit operon në gjirin e Forcave Ajrore Mbretërore Britanike, duke përdorur infrastrukturën dhe pajisje të RAF (Royal Air Force), (aerodrome dhe pajisje të tjera si glaidera/avion pa motor). Personeli që mbështet veprimtarinë e kësaj organizate janë oficerë, nënoficerë dhe rezervistë të Aviacionit Mbretëror Britanik, të cilët operojnë gjatë fundjavave në baza vullnetare pa pagesë ekstra. Pajisjet, të cilat përdoren për trajnimin e kadetëve të ajrit, janë avionë pa motorë të tipit Viking 81, si dhe avionë të tipit Viking 65 dhe Robin 1, të cilët kanë një kosto shumë të ulët operimi.

Organizata Ndërkombëtare e Kadetëve të Ajrit me qendër në Britaninë e Madhe, do të mbështesë vendin tonë në ngritjen e Organizatës Shqiptare të Kadetëve të Ajrit si një shoqatë jo fitimprurëse. Kjo organizatë është ngritur dhe pritet të funksionojë në bashkëpunim me organizma të tjerë shtetërorë dhe civilë siç janë Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministria e Transportit dhe Telekomunikacionit, si dhe Federata e Sporteve të Ajrit.

Ministria e Mbrojtjes nëpërmjet Forcës Ajrore, do të operojë si Partner Strategjik duke mbështetur këtë organizatë me personel të kualifikuar dhe infrastrukturë, e cila është ekzistente. Forca Ajrore do të mbështesë këtë organizatë me infrastrukturë siç është Baza Ajrore e Kuçovës dhe të gjitha fushat dhe aerodromet fushore pronë e Forcës Ajrore, si dhe me personel të kualifikuar si pilot e teknik, të cilët do të operojnë kryesisht në fundjavë, pa cënuar kapacitetet operacionale. Infrastruktura ekzistuese dhe personeli i kualifikuar i Forcës Ajrore që do të operojë në këtë organizatë nuk do të kërkojë mbështetje me fonde nga buxheti i shtetit. Financimi i kësaj organizate do të realizohet nga fonde të përfituara nga të ardhurat që vijnë për mbikalimet mbi territorin e Republikës së Shqipërisë. Taksimi suplementar për këtë qëllim mbështetet mbi faktin se vendi ynë është anëtar i ICAO-s (Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil) si dhe pjesë e EUROCONTROL (Organizimi Evropian për Menaxhimin e Aviacionit Civil dhe Hapësirës Ajrore në Evropë). Të dy këto organizma inkurajojnë shtetet anëtare të investojnë fonde për edukimin e brezit të ri me kulturën e Aviacionit, me qëllim garantimin e personelit të specializuar të nevojshëm për Aviacionin e së ardhmes.

Organizata Shqiptare e Kadetëve të Ajrit është regjistruar si OJF, dhe do të monitorohet nga një bord i posaçëm në përbërje të të cilit do të ketë përfaqësues nga ministritë e MTPT, MKRS, AAC, si dhe nga Forcat e Armatosura, me qëllim garantimin e transparencës maksimale në menaxhimin e fondeve. Përsa i përket përfitimeve që do të vijnë nga kjo organizatë, Forca Ajrore thekson se “përfiton vetëm personelin e kualifikuar, i aftë për t`u integruar në strukturat e saj me kosto shumë të ulët dhe me nivel të lartë profesional. Por me ngritjen e kësaj organizate, do të ketë përfitime të mëdha e gjithë shoqëria, pasi implementimi i këtij projekti do të sillte gjithashtu përfitime për zhvillimin e turizmit në vendin tonë”.

Projekti i bashkëpunimit me këtë organizatë filloi në vitin 2011 si një iniciativë e Forcës Ajrore dhe tani është në fazën e konkretizimit dhe hidhen hapat e parë të këtij bashkëpunimi.

Në sajë të bashkëpunimit të frytshëm me RAF (Royal Air Force), do të ofrohen shumë mundësi për shkëmbimin e eksperiencës në fushën e trajnimit të Kadetëve të Ajrit. Në planet afatshkurtra, duke parë edhe kushtet dhe infrastrukturën, mendohet që deri në muajin Korrik 2013 një Skuadrilje e Kadetëve të Ajrit Britanik, të ribazohet në Bazën Ajrore të Kuçovës.
Me realizimin e këtij projekti, synohet të rritet një brez më i kualifikuar dhe më dashamirës ndaj edukimit fizik dhe sportit, projekt i cili do të ndikojë edhe në një jetë më të shëndetshme të të rinjve, larg veseve dhe jetës pasive.

Në të ardhmen synohet që të arrihet krijimi i njësisë së parë me 50 kadetë të vendosur në Bazën e Kuçovës, krijimi i “Central Gliding School, si dhe “Poëered Air Experience Squadron” me 5 glajder dhe 5 avionë ultra të lehtë edhe këto të vendosura në këtë Bazë.

Perspektiva e projektit në fjalë është që në bashkëpunim me IACT në Britaninë e Madhe të arrihet ngritja e 5 njësive të tilla në të gjithë Shqipërinë me rreth 100 kadetë secila.

Faza e Fundit dhe ajo më ambiciozja është mundësimi i ngritjes se një Qendre Rajonale për trajnimin e të rinjve në fushën e aviacionit, me rreth 20 njësi të tilla me një kapacitet mbi 2000 kadetë në vit, duke mundësuar njëkohësisht edhe punësimin e rreth 180 të rriturve.

Ndërkohë që IACT e Britanisë së Madhe do të sjellë në Bazën Ajrore Kuçovë stafin e kualifikuar të instruktorëve, glajderat/ avion pa motor të tipit Viking 81, Viking 65 dhe Robin 1, të cilët kanë kosto shumë të ulët operimi, avionët me motor të tipit ASK 21, për tërheqje, vinçat e tërheqës për fluturim të glajderave, si dhe bazën materiale të nevojshme për zhvillimin e aktivitetit.

Personeli që do të marrë pjesë në këtë organizatë duhet që para lejimit të fluturimit të plotësojnë këto kritere;
a- Kadetët duhet të jenë 16 vjeç.
b- Prindërit duhet të pranojnë lejimin e fluturimit vetëm të fëmijës.
c- Kadetët duhet të tregojnë dëshirën dhe vullnetin për fluturim.
d- Kontrolli i detyrueshëm mjekësor për çdo kadet.

Hapat e parë për fillimin e bashkëpunimit midis Forcës Ajrore Shqiptare dhe Federatës Shqiptare të Sporteve të Ajrit filluan më datë 27 prill 2013, ku në një aktivitetet të zhvilluar në ambientet e Bazës Ajrore Kuçovë me rastin e 62 vjetorit të krijimit të Aviacionit Shqiptar, mori pjesë edhe Federata e Sporteve të Ajrit me president Renis Tërshana. Gjatë këtij aktiviteti ata demonstruan edhe një “Air Shoë” për të pranishmit me mjetet e tyre fluturuese. Ky aktivitet shërbeu edhe si një promocion me qëllim afrimin e brezit të ri me botën e bukur dhe mahnitëse të fluturimit.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Çfare prisni nga sesioni i ri parlamentar?



×

Lajmi i fundit

AKEP hap garën për frekuencat e teknologjisë 5G

AKEP hap garën për frekuencat e teknologjisë 5G