FT/ Angli 1-2 Argjentinë (Gordon 55' / Enzo Fernandez 85', Lautaro Martinez 90+2')

SHBA - Finalja e Kupës së Botës 2026 do të jetë Spanjë - Argjentinë. Kampionët në fuqi të botës, Argjentina fitoi 1-2 me përmbysje kundër Anglisë këtë të mërkurë në mbrëmje me orën shqiptare, duke marrë biletën e mbetur dhe finalen e dytë radhazi të turneut më të madh global. Më 19 korrik në orën 21:00 në 'MetLife Stadium' të New Jerseyt do të kemi një finale mes Evropës dhe Amerikës Latine, teksa Messi do të ketë përballë talentin Lamine Yamal. Nga ana tjetër, Anglia i shkon sërish shumë pranë finales pas 60 vitesh, por 'Tre Luanët' duhet të presin për ta rikthyer trofeun në shtëpi.

NDESHJA - Dueli në Atlanta nisi me grintë dhe nerva që pas disa sekondave lojë, me dy skuadrat që u përplasën në fushë, teksa arbitri lejoi lojë të fortë. Fraksioni i parë ishte më i kujdesshëm, por Anglia kishte disa raste më të mira. Megjithatë fraksioni i parë u mbyll 0-0.

Në pjesën e dytë, konkretisht në minutën e 55-të Anglia gjeti epërsinë me golin e Anthony Gordon, kjo pas asistit të Rogers. Pas këtij momenti Argjentina 'u ndez' dhe provoi disa herë, por Pickford ishte në lartësinë e detyrës, ndërsa në një moment Mac Allister u ndal nga shtylla.

Duhej minuta e 85-të që një pasim i Messit për Enzo Fernandez të shfrytëzohej nga ky i fundit i cili shënoi një supergol nga jashtë zone. Në shtesën e dytë, Lautaro Martinez, i sapofutur në fushë, përfitoi nga pasimi i Messit dhe me kokë tundi rrjetën për golin 1-2 dhe përmbysjen e madhe.

Kështu, Argjentina gjen finalen e dytë radhazi të Kupës së Botës dhe do të kërkojë të mbetet sërish në fronin e botës, por përballë do të ketë Spanjën e shumë talenteve dhe lojës sulmuese.

Komentet më të rëndësishme të sfidës:

90+9' Mbyllet ndeshja, Angli 1-2 Argjentinë.

90+2' GOOL! Lautaro Martinez shënon me kokë golin e përmbysjes 1-2 tek Argjentina pas asistit të Messit.

90' Nëntë minuta shtesë.

85' GOOL! Messi pason për Enzo Fernandez, me këtë të fundit që barazon 1-1 me një supergol.

75' E pafat Argjentina. Gjuajtja me kokë nga Mc Allister ndalet nga shtylla.

68' Nuk i besojnë syve tek Argjentina. Pritje e shkëlqyer nga Pickford, që i mohon një gol të sigurt Nico Gonzalez me kokë.

64' Paredes i bën vend Nico Gonzales te Argjentina.

57' Spence i Anglisë shpëton një rast të pastër që ka vlerën e një goli. Mbrojtësi ndal Simeonen, që shfaqej i vetëm me portierin Pickford.

55' GOOL! Anthony Gordon kalon Anglinë në avantazh. Rogers pason bukur për sulmuesin anësor dhe ky i fundit mposht Martinez.

51' Cristian Romero i Argjentinës ndëshkohet me karton të verdhë.

46' Rast i artë shënimi për Argjentinën. Julian Alvarez bën gjithçka mirë në zonë dhe gjuan, por e ndal Pickford.  

46' Nis pjesa e dytë pa zëvendësime.

45+3' Mbyllet 0-0 pjesa e parë.

45' Tre minuta shtesë.

42' Lisandro Martinez i Argjentinës merr karton të verdhë.

37' Vjen kartoni i parë i verdhë për Anglinë, ndëshkohet Andersson për ndërhyrje të gabuar ndaj Messit në mesfushë.

19' Aksion i rrezikshëm në të djathtë nga Anglia. James provon një pasim në zonë, por topi shkon në duart e portierit.

12' Sërish tension në fushë. Protesta nga të dy stafet, që kërkojnë faull në afërsi të zonës së Argjentinës.

3' Një ndërhyrje e gabuar në dëm të Anderson bën që futbollistët në fushë të tensionohen me njëri-tjetrin.

1' Nis ndeshja me topin e parë të shkelmuar nga Argjentina.

Në gjithë historinë mes tyre, Anglia dhe Argjentina janë përballur 14 herë. Gjashtë janë fitore të Anglisë, tre të Argjentinës, ndërsa pesë sfida janë mbyllur në barazim. 24 gola ka shënuar Anglia në portën e Argjentinës, kundrejt 19 të pësuarve.

Ndeshja e fundit mes tyre daton më 11 nëntor 2005 (afro 21 vite më parë), një miqësore që u fitua 3-2 nga Anglia. Lionel Messi ishte grumbulluar në atë duel, por nuk mori minuta. Ndeshja e sotme do të jetë e para për Lionel Messin kundër Anglisë.

Formacionet zyrtare:

Anglia (4-2-3-1): Pickford; James, Stones, Guehi, Spence; Rice, Anderson; Rogers, Bellingham, Gordon; Kane Trajner: Thomas Tuchel

Argjentina (4-4-2): Martinez; Molina, Romero, Lisandro Martinez, Tagliafico; Giuliano Simeone, Paredes, Mac Allister, Enzo Fernandez; Messi, Julian Alvarez Trajner: Lionel Scaloni

Rruga drejt finales