TIRANË - Këtë të shtunë duke nisur nga ora 20:00 në stadiumin 'Air Albania' do të zhvillohet miqësorja mes Shqipërisë dhe Luksemburgut. Kjo është sfida e dytë miqësore e kuqezinjve këtë qershor, pasi tre ditë më parë humbën 0-1 kundër Izraelit në Tiranë.

Trajneri Rolando Maran e ka ndeshjen e dytë në stolin e kuqezinjve, ndërsa në konferencën për mediet tha se këto sfida ishin eksperimentale për t'u përgatitur për ndeshjet e Ligës së Kombeve që nisin në shtator.

Italiani i ka besuar Elseid Hysajt nga minuta e parë, me mbrojtësin shkodran që do të mbajë shiritin në ndeshjen jubile për të, të 100-ën me ekipin kombëtar, më shumë se çdo lojtar tjetër në histori. Sot mungon Anis Mehmeti për shkak të gjendjes gripale.

Historia - Përballja e sotme do të jetë e teta mes dy skuadrave. Në katër raste ka fituar Shqipëria, dy ndeshje kanë folur për Luksemburgun dhe në një rast sfida është mbyllur në barazim. Dhjetë gola ka shënuar Shqipëria në stolin e rivalëve, kundrejt katër të pësuarve. Dy skuadrat takohen pas nëntë vitesh, pasi më 4 qershor të vitit 2017 ishte ndeshja e fundit mes tyre. Luksemburgu fitonte 2-1 miqësoren e shtëpisë.

Arbitrat - Ndeshja e sotme do të gjykohet nga arbitri shqiptar nga Kosova, Genc Nuza, me ndihmës Fatlum Berishën, Bujar Selimaj dhe Eldorjan Hamitin.

Formacionet zyrtare:

Shqipëria (4-3-3): Sherri; Hysaj (C), Gjimshiti, Pllana, Mitaj; Ramadani, Asllani, Laçi; Hoxha, Bajrami, Uzuni Trajner: Rolando Maran

Luksemburgu (4-4-2): Pereira; Michael Pinto, Carlson, Korac, Jans; Dardari, Moreira, Martins, V. Thill; Sinani, Duarte Trajner: Jeff Strasser

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:51
Shqipëri - Luksemburg në Tiranë, shkallët e stadiumit thuajse të boshatisura! TKZ: Ndeshja zhvillohet në shesh

1780768344_tifozatkuqezi.JPG

Përpara fillimit të miqësores Shqipëri - Luksemburg, pamjet nga tribunat e stadiumit 'Air Albania' flasin më shumë se çdo deklaratë. Mijëra vende bosh dhe vetëm pak tifozë në shkallët e stadiumit për një ndeshje të Kombëtares, një skenë që deri pak vite më parë do të dukej e paimagjinueshme.

Ndërkohë, tifozët Kuq e Zi nuk do të jenë në stadium, teksa janë pak metra larg impiantit në protestën që po zhvillohet në Bulevardin 'Dëshmorët e Kombit' kundër resortit në zonën e mbrojtur të Zvërnecit.

“Nuk mundemi të shkojmë në stadium kur ndeshja zhvillohet në shesh…. sot jemi në shesh…”, shkruante grupimi duke i bashkuar protestës në kryeqytet me pankarta edhe kundër zhvillimit të Evropianit të U21 në bashkëpunim me Serbinë.

Përpara ndeshjes Shqipëri - Luksemburg
Ora 18:43
Elseid Hysaj 'shekullor', luan ndeshjen e 100 me Kombëtaren dhe vendos rekord të ri

1780764285_elseidhysaj.jpg

Nga një ëndërr, në realitet. Elseid Hysaj do të zbresë sot në fushë për herë të 100 të fanellën e Kombëtares. Mbrojtësi nga Shkodra do të jetë edhe kapiten në këtë ndeshje jubile për të. Ai është futbollisti me më shumë paraqitje me skuadrën kuqezi. Hysaj debutoi me Shqipërinë më 6 shkurt 2013 në miqësoren e humbur 1-2 kundër Gjeorgjisë, duke luajtur 29 minuta. Ishte trajneri De Biasi ai që e ftoi në Kombëtare kur sapo kishte mbushur 19 vjeç.

Ora 18:38
Hysaj kapiten në ndeshjen e 100, Maran bën lëmsh formacionin! Titullarët e Kombëtares kundër Luksemburgut

1780763943_kombetarjashqiptare.jpg

Trajneri Rolando Maran ka bërë publik formacionin me të cilin kombëtarja shqiptare e futbollit do të përballet kundër Luksemburgut në miqësoren e sotme e cila do të fillojë në orën 20:00 në 'Air Albania'. Trajneri ka bërë një vendosje 4-3-3, por me Nedim Bajramin si sulmues të fshehur, ose si fantazist, për t'i lënë vend Uzunit dhe Hoxhës në krahët e sulmit, me dyshen që mund të jenë edhe sulmues tipik.

Formacionet zyrtare:

Shqipëria (4-3-3): Sherri; Hysaj (C), Gjimshiti, Pllana, Mitaj; Ramadani, Asllani, Laçi; Hoxha, Bajrami, Uzuni Trajner: Rolando Maran

Luksemburgu (4-4-2): Pereira; Michael Pinto, Carlson, Korac, Jans; Dardari, Moreira, Martins, V. Thill; Sinani, Duarte Trajner: Jeff Strasser

Ora 15:43
Sot miqësorja kundër Luksemburgut në Tiranë, policia tregon rrugët që do të bllokohen! Kontrolle për tifozët në hyrje të stadiumit 'Air Albania'

1780753787_policiaeshtetit.JPG

Sot në orën 20:00 në stadiumin 'Air Albania' në Tiranë do të luhet sfida miqësore mes Shqipërisë dhe Luksemburgut. Policia ka publikuar planin e detajuar të masave për këtë sfidë, duke treguar edhe rrugët që do të bllokohen.

Zbatimi i masave do të fillojë nga ora 17:00, ndërsa hyrja e tifozëve në stadium do të fillojë në orën 18:00. Bie në sy se Bulevardi 'Dëshmorët e Kombit' do të bllokohet nga hotel 'Rogner' në drejtim të sheshit 'Nënë Tereza', ndryshe nga ndeshja e tre ditëve më parë kundër Izraelit, kur Bulevardi ishte bllokuar që nga kryqëzimi i ish hotel 'Dajtit', diçka që solli një përplasje mes protestuesve dhe policisë. Protestat vijojnë prej gjashtë ditësh në Tiranë dhe jo vetëm, kundër ndërtimit të resortit në zonën e mbrojtur të Zvërnecit në Vlorë.

Njoftimi i policisë:

Plan masash për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes miqësore të futbollit ndërmjet ekipeve kombëtare të Shqipërisë dhe Luksemburgut, që do të zhvillohet më datë 06.06.2026, në orën 20:00, në stadiumin “Air Albania”.

Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, duke filluar nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes, Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake të Tiranës, do të aplikojë kufizime të përkohshme të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit.

Rrugët që do të jenë të bllokuara nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes janë:

-Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga hoteli “Rogner” në drejtim të sheshit “Nënë Tereza”;

-Rruga “Papa Gjon Pali II”, te kryqëzimi i RTSH-së;

-Rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së;

-Rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së;

-Rruga “Themistokli Gërmenji”, në fillim të rrugës;

-Rruga “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i RTSH-së;

-Rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës, korridor hyrës për në parkimin e caktuar vetëm për mjetet e autorizuara nga FSHF-ja;

-Rruga “Abdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar;

-Te sheshi “Ëillson”, ku lëvizja do të devijohet në drejtim të rrugës “Sami Frashëri”, pak para përfundimit të ndeshjes.

Rruga e Elbasanit, Unaza dhe bulevardi “Bajram Curri” do të jenë të lira për qarkullimin e mjeteve.

Në zbatim të planit të masave, punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontrolle të imtësishme ndaj tifozëve para hyrjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes së banderolave me përmbajtje raciste, fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të telefonave celularë, mjeteve dhe produkteve kozmetike, si dhe sendeve të tjera të forta që mund të rrezikojnë jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve.

Hyrja në stadium fillon në orën 18:00.

Për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë këtij aktiviteti sportiv, Policia e Shtetit ka angazhuar një numër të konsiderueshëm punonjësish policie.