ABU DHABI - Me vetëm dy pikë më shumë, britaniku Lando Norris i McLaren ka lënë pas Max VerstappenRed Bull dhe për herë të parë në histori ia ka dalë të shpallet kampion në Formula 1, në pjesëmarrjen e shtatë të tij në një Botëror. Gara e fundit e sezonit 2025 në cirkuitin Yas Marina të Abu Dhabit vlente titullin, me Norris, Verstappen dhe Piastrin që ishin matematikisht në lojë.

Pas 58 xhirove në pistë, gara u fitua nga Max Verstappen (71 fitore në karrierë), por pa mundur të lërë pas Lando Norris në renditjen e përgjithshme. Ky i fundit u rendit i treti, por podiumi i mjaftoi për t'u shpallur kampion bote. Në vendin e dytë shoku i tij i ekipit, Oscar Piastri.

Në renditjen finale, Lando Norris ka grumbulluar 423 pikë, Max Verstappen 421 pikë, ndërsa Oscar Piastri 410 pikë. Kësisoj, Norris zbret nga froni Max Verstappen, me këtë të fundit që ka dominuar botën e Formula 1 për katër vite (2021-2024) radhazi.

Pas treshes së podiumit, Charles Leclerc me Ferrarin u pozicionua i katërti dhe pas tij Russell, Alonso, Ocon, Hamilton, Hulkenberg dhe Stroll. Sezon për t'u harruar për Hamilton me Ferrarin, teksa shtatë herë kampioni i botës nuk mundi të sigurojë asnjë podium me 'Kokëkuqen', veç asaj fitoreje në Sprintin e garës së Kinës në ndalesën e tretë të këtij sezoni.

Ditë historike edhe për McLaren, me skuderinë britanike që rikthehet te titulli kampion për pilotë pas 17 vitesh, pasi i fundit që fitonte me këtë makinë titullin kampion ishte Lewis Hamilton në vitin 2008.

Lando Norris bëhet piloti i 35-të që shpallet kampion në Botërorin e 75-të të Formula 1. Norris bëhet piloti i 11-të britanik që fiton një titull kampion. McLaren dominoi edhe për konstruktorë këtë sezon.

Nga sezoni 2026 Botërori i Formula 1 do ketë një tjetër strukturë, me rregulla të reja, makina të rimodeluara, motorë të ndryshuar dhe ekipe të reja. Fakt është se nuk do ketë më DRS pas 14 vitesh përdorimi.

Renditja finale e sezonit në F1 për pilotë:

1.Lando Norris - 423 pikë

2.Max Verstappen - 421 pikë

3.Oscar Piastri - 410 pikë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:14
Kampion bote për herë të parë në Formula 1, Lando Norris në lot: Po shtyja deri në xhiron e fundit, e dija që nuk theva asnjë rregull

1765124168_landonorris.JPG

Lando Norris ka folur pas triumfit historik që i dha atij titullin e parë të kampionit në Formula 1.

Piloti i McLaren pranoi se gjatë garës nuk mund ta largonte plotësisht nga mendja faktin se po luftonte për titullin: “Pak nga të dyja… e mendoja, s’mund të mos e mendoja. Por e dija që gara do të ishte e gjatë deri në xhiron e fundit. Në Formula 1 kemi parë gjithçka të ndodhë, ndaj vazhdova të shtyja deri te dy a tre xhirot e fundit, ku mund të qetësohesha pak.”

Norris shtoi se konkurrenca këtë sezon ka qenë e pamëshirshme: “Doja të luftoja deri në fund, edhe këtë e bëmë. Kështu ka qenë gjatë gjithë vitit, me Max Verstappen duke na ndjekur vazhdimisht, me Oscar Piastri që afrohej sërish në fund… nuk ma bënë jetën të lehtë.”

Piloti britanik u pyet edhe për momentin kur u raportua se ishte nën hetim gjatë garës: “Nuk kisha asnjë ide, as nuk më interesonte. E dija që çdo gjë që kisha bërë ishte në rregull. Thjesht po përpiqesha të shijoja momentin. Jo shumë njerëz në botë — e aq më pak në Formula 1 — përjetojnë atë që përjetova këtë sezon.”

Norris, që ka kaluar nëntë vite me skuadrën britanike, u shpreh veçanërisht i lumtur për ekipin: “Ka qenë një rrugëtim i gjatë me McLaren. Kemi kaluar kohë të vështira dhe momente të mira. Të sjell titullin e pilotëve pas kaq shumë vitesh, ndihem sikur i dhashë diçka skuadrës që ka besuar te unë. Jam shumë krenar për këtë.”

Ai e mbylli me humor dhe emocion: “Jam edhe më krenar për ata që shpresoj t’i kam bërë të qajnë nga gëzimi.”