Në këto pamje, të siguruara nga Report Tv të fiksuara nga kamerat e sigurisë, duket një makinë "Land Rover deefender" me targa zvicerane e cila është filmuar në fshatin Kukel në Shkodër, e cila dyshohet se ndihmoi të arratisej nga vendi i ngjarjes vrasësin e Ardian Nikulajt. E gjithë policia e Shkodrës është vënë më lëvizje për të siguruar prova të vlefshme me qëllim gjetjen e kësaj makine. Po ashtu po verifikohet nëse para ngjarjes është fiksuar në zonën e Shëngjinit. Biznesmeni Ardian Nikulaj u vra në Shëngjin më 19 prill 2023 në lokalin e tij.

Pas vrasjes duket se autori  është larguar në drejtim të fshatit Kukel ku e kanë kapur disa kamera sigurie. Pikërisht në këtë fshat, në rrugën dytësore Kukel-Bushat në  Bashkinë e Vaut të Dejës është parë edhe kjo makinë Land Rover Defender, në të cilën dyshohet se autori ka hipur së bashku me motorin dhe u largua në drejtim të Velipojës. Gjithçka mendohet se ka ndodhur rreth 50 minuta pas ngjarjes në një rrugë pa kamera sigurie, pasi autorët duket se janë treguar të kujdesshëm. Report Tv raportoi që në minutat e para pas vrasjes se autori ishte ndihmuar nga një makinë për të humbur gjurmët. Policia e Shkodrës është vënë në lëvizje për të siguruar prova të vlefshme me qëllim gjetjen e kësaj makine. Po ashtu po verifikohet nëse edhe para ngjarjes është fiksuar në zonën e Shëngjinit ky mjet në qarkullim.

Deri tani policia duket se nuk ka ndonjë gjurmë të qartë për t’iu afruar vrasësit të Shëngjinit, por Report Tv mëson se në Shkodër u shoqëruan dhe u pyetën disa persona të njohur në opinion si të fortët e zonës. Ka një dëshmi të banakierit për dialektin e paqartë të vrasësit dhe akoma nuk ka ndonjë provë, është apo nuk është autori nga veriu. Sikurse nga e vetmja kamera sigurie, në rrugën e vjetër Lezhë – Shkodër, pranë pistës së Gjadrit, tregohen imazhet motorit dhe drejtuesit të tij, i cili besohet se është i njëjti person, me atë që qëlloi Ardian Nikulajn  brenda në lokalin e tij. Sipas pamjeve, motoristi kalon përballë kamerës tre ditë me radhë, nga Gjadri në drejtim të Lezhës. Bëhet fjalët për datat 17, 18 dhe 19 Prill. Ditën e fundit në kthim, ky motor për pak u aksidentua në Balldrenj, me një makinë që vinte nga Shkodra dhe në fshatin Kakarriq humbën të gjitha gjurmët. Nëse është ky autori, besohet që motori mbahej i fshehur në territorin e fushës së aviacionit në Gjadër, për aq kohë sa iu deshën atij, të realizonte planin.

Ka një të dyshuar anglez, për të cilin policia po bën hetime të thelluara. Anglezi ka qenë i pranishëm në lokal në momentin e vrasjes dhe është larguar menjëherë nga Shqipëria. Ai ka lëvizur me dy taksi nga Shëngjini në Fushë-Krujë dhe Fushë-Krujë - Rinas, ku shfaqet në kamerat e aeroportit duke u larguar drejt Anglisë.

Pista e parë e hetimit, është ajo e konfliktit 26 vjeçar në Balldre, midis dy fiseve Nikulaj dhe Palaj ose ndryshe Lestakaj, kur u vra Pëllumb Nikulaj. Pas tij u vranë në fushë, Lauren dhe Gëzim Lestakaj, pjesëtarë të familjes Palaj. Ishin Elton dhe Klodian Lestakaj aktualisht në Angli, të cilët 7 vite më parë akuzonin Ardian Nikulajn dhe Arben Nikulajn për vrasjen e dy familjarëve të tyre. Së fundi ata u shfaqën me një sms në media, dhe mohojnë të kenë lidhje me atentatin e 19 prillit, ku mbeti i vrarë biznesmeni dhe eksponenti politik 51-vjeçar. Elton dhe Klodian Lestakaj, thonë se nuk kanë dashur asnjëherë të marrin gjak.